Kryeministri Berisha viziton fabrikën e prodhimit të këpucëve FITAL: Qeveria brenda 2 javëve do të heqë tërësisht TVSH-në për çdo makineri që importon industria fason
Kryeministri Berisha vizitoi sot fabrikën e prodhimit të këpucëve FITAL, e vendosur në Bathore, Kamëz. Fabrika e këpucëve e kompanisë FITAL është një sipërmarrje shqiptare në industrinë fason. Fabrika aktualisht ka 750 të punësuar plus. Vetëm brenda një viti, kjo fabrikë ka arritur të rrisë numrin e të punësuarve me rreth 120 vetë. Industria fason ka kaluar tashmë nga prodhimi i konfeksioneve/tekstileve, në prodhimin e veshjeve me material porositësi. Shumë kompani po operojnë në vend, për llogari të markave të njohura në tregjet e Europës Perëndimore.
Tashmë numërohen disa dhjetëra sipërmarrës në sektorin e veshjeve, të cilët blejnë lëndën e parë nga jashtë dhe kanë kaluar si eksportues të mirëfilltë, në vende si Itali, Gjermani, Holandë, Francë. Kjo industri është mbështetur me një sërë programesh nga qeveria dhe organizma të huaj. Ajo është orientuar nga modernizimi i teknologjive, rritja e performancës në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, në hapjen e vendeve të reja të punës.
Në kuadër të këtij aktiviteti, Dhoma e Biznesit Kamzë i akordoi Kryeministrit Berisha titullin “Mirënjohja e biznesit”, me motivacionin: “Për përkrahjen e vazhdueshme, ndihmën favorizuese, politikën e taksave të ulëta si dhe modernizimin e shërbimeve të regjistrimit, licencimit dhe zhvillimit të aktiviteteve tona”.
Përfaqësuesit e biznesit falënderuan me shumë mirënjohje Kryeministrin Berisha për të gjitha politikat lehtësuese që qeveria ka ndërmarrë në favor të bizneseve të tyre. “Ju na keni rritur imazhin tonë nga dita në ditë, nga viti në vit”, theksuan ata.
Kryeministri Berisha, duke falënderuar komunitetin e biznesit, tha se ky vlerësim është një shtysë më tej për të bërë së bashku përpjekje të tjera edhe më të mëdha. Ai siguroi se qeveria ka projekte të ardhshme që lehtësojnë gjithnjë e më shumë aktivitetin e biznesit.
Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se qeveria, duke marrë parasysh edhe zërat e shprehur nga industria fason, do të bëjë të mundur që, për të gjitha makineritë që kjo industri importon për prodhim, pavarësisht nga çmimi, të mos ketë më TVSH. “Kjo vjen në dëgjim të zërit tuaj, që u ngrit pas vendimit të qeverisë që përcaktonte një prag prej 500 mijë euro e sipër për importim të makinerive. Industria fason nuk do të ketë prag dhe ju do të importoni çdo makineri që ju duhet për prodhim dhe ajo do të jetë përfundimisht e përjashtuar nga TVSH”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri nënvizoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që krizën ekonomike në Evropë ta shndërrojmë në një mundësi të madhe për investitorët vendas e të huaj. Duke iu referuar informacionit të dhënë nga Kryetari i Bashkisë së Kamzës, se gjatë viteve të shkuara janë shpërngulur nga Tirana në Kamëz, 16 kompani fason, kjo vetëm e vetëm për shkak të klimës së favorshme të biznesit të krijuara në këtë bashki, Kryeministri tha se qeveria do të vazhdojë t’i qëndrojë politikës së uljes së barrës fiskale për biznesin, si politikë që nxit punësimin dhe zhvillimin në vend.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha u shpreh:
I nderuar zoti president dhe drejtues i kompanisë FITAL
I nderuar zoti ministër
Zotërinj deputetë
Zoti kryetar i Bashkisë
Është një kënaqësi e veçantë t’ju përshëndes ju, të përshëndes 750 punëtorët, teknikët, inxhinierët dhe drejtuesit e kësaj kompanie, simbol i vërtetë i suksesit të biznesit në Kamzë dhe në Shqipëri, të kësaj kompanie që ka bërë dhe po bën të njohur emrin e Shqipërisë çdo ditë dhe më shumë në Europë dhe në Botë, me prodhimet e saj të mrekullueshme. Dua të përshëndes drejtuesit e saj për guximin, kurajon, vizionin e shkëlqyer, që kanë pasur dhe kanë për zhvillimin e kësaj kompanie. Kjo është një kompani e vërtetë suksesi, e cila në dy vite ka shënuar 35 për qind rritje ekonomike. Kjo kompani është njëkohësisht dëshmi e një klime të shkëlqyer biznesi të krijuar nga autoritetet vendore dhe nga kryetari i bashkisë së Kamzës. Kompania, do të më rrëfente presidenti i saj pak më parë, dy vjet më parë në Don Bosko po ecte drejt falimentimit, për shkak të mjedisit mbytës që kishin krijuar autoritetet vendore, kurse pas zhvendosjes në Kamzë, ne dy vite kompania shënoi 35 për qind rritje. Në dy vite kompania këtë rritje e shndërroi në krijimin e 120 vendeve të reja pune, në dy vite kompania shënoi suksese të mëdha në tregun ndërkombëtarë.
Zonja dhe zotërinj,
Sot Europa përjeton një krizë të thellë. Ekonomia Shqiptare është ndër më të paktat ekonomi, e cila i rezistoi krizës, nuk ra në recension, por ajo ka një shans të madh, që nga kjo krizë të përfitojë më shumë investime, nga kjo krizë të ftojë investitorë nga mbarë Europa për të investuar në Shqipëri. Kryetari i Bashkisë së Kamzës, më informoi mua, se dy vitet e fundit, në Kamzë janë instaluar 16 kompani të mëdha fason, të cilat punësojnë sëbashku mbi 4200 punëtorë. Kryetari i Bashkisë më informoi se vitet e fundit në Kamzë janë punësuar rreth 10 mijë burra dhe gra, ne sipërmarrje të ndryshme. Sëbashku inauguruam një muaj më parë Parkun e madh Teknologjik, me kapacitete punësimi rreth 20 mijë vende pune. Ne jemi të bindur se masat dhe reformat e ndërmarra nga qeveria, kanë pasur rezultate, siç do të më konfirmonin sot presidentë të kompanive të biznesit të kësaj kompanie dhe të kompanive të tjerë. Por është në natyrën tonë, është në detyrimin tonë, që të mos pranojmë asnjëherë status quo, por të vazhdojmë të thellojmë reformat.
Unë erdha sot këtu për t’ju informuar gjithashtu, për të informuar drejtuesit e kompanisë, se qeveria do të heqë tërësisht TVSH-në, për çdo makineri që inporton industria fason. Në qoftë se dy javë më parë ne vendosëm heqjen e TVSH-së për makineritë që kushtonin mbi 500 mijë euro, kjo ishte e dobishme për shumë e shumë sipërmarrës dhe industri, por jo për industrinë fason. Ndaj dhe ne dëgjuam zërin e tyre, të cilët u shprehën se kjo masë ne na përjashton. Ne nuk kishim kurrë një qëllim të tillë, përkundrazi, në këtë sektor ku punësohen sot rreth 100 mijë shqiptarë, ne do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar barrën fiskale, për të lehtësuar barrën burokratike, për të ndikuar sa të mundemi më shumë në suksesin tuaj. Ndaj dhe erdha t’ju njoftoj se qeveria, brenda dy javëve, do të vendosë heqjen tërësisht të TVSH, për çdo makineri të industrisë fason. Thirrja ime për autoritetet vendore është; këto lehtësi të qeverisë qendrore t'i konvertoni dhe ju në lehtësi për troje, në lehtësi për magazina dhe çdo lloj lehtësie tjetër, në mënyrë që ne të punësojmë çdo ditë dhe më shumë qytetarë shqiptarë. Ju siguroj se qeveria po studion edhe masa të tjera, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm, do të ndihmojnë ndjeshëm industrinë fason dhe këto do të konsistojnë në lehtësi të tjera fiskale, që nuk kanë qenë të pakta deri më sot. Me duhet të them këtu, se në rast se barra e kontributeve sociale për sipërmarrësin ishte rreth 30 për qind, sot ajo është rreth 15 për qind. Dy vjet më parë, industria fason paguante 10 për qind taksë doganore për materialet e inportuara, ajo u hoq dhe nuk paguhet asgjë. Janë futur si shpenzime të zbritshme, fillimisht për industrinë fason dhe më pas, për të gjitha sipërmarrjet sigurimi i shëndetit të jetës të punonjësve. Është bërë dhe bëhet komunikimi on line për të gjitha vendet e punës dhe gjendjen e punësimit, çka lehtëson shumë dhe mbron këtë industri nga arbitrariteti i autoriteteve fiskale. Lehtësi të tjera do të ndërmarrim gjatë muajve që vijnë dhe le të bëjmë gjithçka për të ftuar investitorë nga mbarë bota, në mënyrë që ta shndërrojmë këtë periudhë në periudhën e krijimit, gjenerimit më të madh të vendeve të punës që vendi ka njohur ndonjëherë.
Zonja dhe zotërinj
Kjo është alternativa jonë. Në këtë alternativë një gjë është e sigurtë, se kurrë ndonjëherë një investitor shqiptar apo i huaj nuk ka dëgjuar nga ky kryeministër dhe nga kjo qeveri, nga kjo mazhorancë, një premtim, i cili nuk është mbajtur. Atë që kemi premtuar, atë kemi shndërruar në realitet. Kemi premtuar uljen e sigurimeve shoqërore, i përgjysmuam ato. Kemi premtuar mbështetjen e eksporteve, krijuam fondin e konkurrueshmërisë dhe përfitojnë eksportuesit. Kemi premtuar heqjen e TVSH-së, e hoqëm atë. Premtuam heqjen e taksës për importin, e hoqëm atë. Ka edhe një alternativë tjetër, e cila në një konfuzion total, paraqitet çdo ditë e dështuar. Kudo që shkon, zoti Rama harron se çdo qytetar e pyet se cili është Rama i vërtetë dhe cili është hija e Ramës, ky që vjen tek ne dhe na thotë se do t’ju heq taksat është hija, apo Rama që kryetar bashkie i dyfishoi taksat, apo Rama që kryetar bashkie gjobiste me 1 milion lekë, tabelën e emrit tek dera e dyqanit!. Cili është ky që premton, është hija e Ramës apo Rama, i cili mblidhej para kryeministrisë me shallin kuq e zi në qafë dhe protestonte për ligjin me të cilin, i vura "kufirin tek thana", i hoqa të drejtën për të rritur taksat më shumë se 10 për qind, sepse u shndërrua në një abuzues të pa përmbajtur të rritjes së taksave. Me detyroi t'i bëja ligjin, sepse katërfishoi taksën e gjelbërimin, sepse katërfishoi taksën e pastrimit, sepse bizneset e vogla, të cilat sot paguajnë 67 mijë lekë taksë vjetore, në kohën e zotit Rama, u detyruan të paguanin 147 mijë lekë.
Tani i them këtij zotërie dy gjëra; së pari me taksat e Kolekës, dajës tënd, shkon pas, pas dhe vetëm pas, sepse me taksën progresive nuk bën gjë tjetër, veçse nxjerr nga arkivat familjare atë taksë që rrënoi në mënyrën më mizore Shqipërinë dhe shqiptarët, atë taksë, me të cilën Enver Hoxha shkatërroi në mënyrë përfundimtare sipërmarrësit shqiptarë dhe i shndërroi qytetarët shqiptarë në skllevër të vërtetë të një regjimi barbar. Atë taksë, zoti Rama, mbaje në arkivat familjare. Nuk ta thashë që në fillim se mendova se është e manifestit, por ti në fakt nuk e ke vetëm të manifestit, e ke nxjerrë nga arkivi familjar. Por ai nuk kthehet më në Shqipëri. Zoti Rama, edhe njëherë, kur të paraqitesh tek bizneset e vogla, shpjegoju nëse je hija e Ramës apo Rama i vërtetë. Ishte ulur dje pranë një zonje të nderuar dhe i thoshte: Do t'i heqim taksat dhe, po aty, kthehej dhe i thoshte; do të bashkojmë autoritetin tatimor dhe taksat do të mblidhen ndryshe. Tani le të të pyesim, nëse do t'i hiqje asaj taksën? Ç‘punë kishte ajo me autoritetin tatimor?. A mund të na e shpjegosh, apo vazhdon mashtrimi?
Ndalem në këto momente, sepse shqiptarët hijet nuk i besojnë. Hija për shqiptarët është e shkuara, drita është e sotmja dhe e ardhmja, ndaj dhe kjo është qeveria që ul taksat, kjo është qeveria që ndihmon biznesin për krijimin e vendeve të punës. Eshtë rritur fitimi me 35 për qind dhe kjo është një kënaqësi e madhe, sepse me këtë 35 për qind këta dy zotërinj kanë krijuar 120 vende pune të reja. Ju garantoj se po të kishte marrë taksë qeveria për ato fitime, nuk do të kishte krijuar dot as edhe 15 vende pune të reja. Qeverisë i duhen para, por qeverisë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, më shumë se çdo gjë i duhet punësimi i qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka, punësimi, punësimi dhe mbi të gjitha punësimi.
Edhe njëherë, ju uroj suksese, ju përgëzoj për suksesin e madh dhe ju ftoj edhe njëherë zoti Kryetar i Bashkisë, siç ke vepruar deri më sot, të mendosh gjithnjë për kushte sa më lehtësuese për të gjithë ata që punësojnë qytetarët e Kamzës, të këtij qyteti që shqiptarët e ngritën në 20 vjet nga inekzistenca në qytetin e 6-të më të madh të vendit. Të këtij qyteti, në të cilin qeveria ka investuar në një hark të shkurtër kohor mbi 60 milion euro. Të këtij qyteti në të cilën kryetari i bashkisë, sëbashku me qeverinë, ka ndërtuar në një hark të shkurtër kohor 13 shkolla të reja, ka ndërtuar 5 shkolla të reja më shumë se në qytetin e Tiranës . Të këtij qyteti që ka krijuar shërbimet më moderne elekronike për biznesin, të këtij qyteti që bën çdo përpjekje për përmirësimin e jetës sociale të qytetarëve të tij.
Faleminderit.
30/10/2012