Kryetarja e Kuvendit takon nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviç.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot në një takim të veçantë përfaqësues politikë të komunitetit serb në Kosovë, të kryesuar nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, dhe Kryetar i Partisë Liberale Serbe në Kosovë, Sllobodan Petroviç,
Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj vizite dhe rolin e komunitetit serb në Kosovë, Kryetarja e Kuvendit tha se pjesëmarrja e këtij komuniteti në zgjedhjet e fundit lokale është një shenjë e maturisë dhe e vullnetit pozitiv që vendet dhe popujt e Ballkanit kanë për paqen e qendrueshme por edhe për përshpejtimin e proceseve integruese.
Ajo shprehu kënaqësinë për hapat e bëra në konsolidimin e shtetit të ri të Kosovës si dhe për rritjen e bashkëpunimit mes komuniteteve të përkatësive të ndryshme etnike, pasi kjo tha ajo, është edhe baza mbi të cilën është ngritur dhe funksionon edhe vetë Bashkimi Europian.
Duke u ndalur në vendimin e BE-së për heqjen e vizave Kryetarja e Kuvendit tha se, në korrik të 2010 do të hiqen vizat edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe së shpejti, jemi të bindur se edhe Kosova do të përfshihet në proçesin e liberalizimit të vizave.
Nga ana e tij zoti Petroviç, duke e konsideruar këtë vizitë si historike për mesazhin që jep, tha se këto takime do kenë një impakt pozitiv në interes të popujve të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Ai e cilësoi si një gjest me simbolikë të madhe, mesazhin e Qeverisë shqiptare për ndihmë ekonomike në ndërtimin e kishave apo objekteve të tjera në komunat me shumicë serbe.
Zoti Petroviç, si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, i përcolli Kryetares së Kuvendit përshëndetjen nga Kryetari dhe deputetët e Kuvendit si dhe ftesën për një vizitë në Kosovë, ku, siç u shpreh ai, do të gjeni miq të rinj.
Kryetarja e Kuvendit dhe zoti Petroviç vlerësuan se bashkëpunimi mes dy Kuvendeve ka ardhur në rritje, ndërsa shprehën bindjen dhe vullnetin për nxitjen e mëtejshme të marrëdhieve edhe mes komisioneve parlametare apo grupeve të deputetëve.
Në takim ishin të pranishëm edhe Kryetari i ri i zgjedhur i Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviç, Ministri për Kthime dhe Komunitete, Sasha Rashiç, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiç dhe Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme të Kuvendit të shqipërisë, Fatos Beja.