E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Projekti për “Modernizimin e Hapësirës Ajrore shqiptare”, realizon një transformim tërësor të sistemit të kontrollit e të sigurisë së hapësirës ajrore

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar me rastin e përfundimit të projektit të modernizimit të hapësirës ajrore shqiptare, në mjediset e Aeroportit “Nënë Tereza”. Projekti për “Modernizimin e Hapësirës Ajrore Shqiptare”, një investim prej  76,5 milionë USD, është financuar  60%  me kredi me garanci sovrane nga qeveria e Shqipërisë dhe 40% nga fondet e vet ANTA-s (Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror).

Projekti përfshin përmirësimin e infrastrukturës së Menaxhimit të Trafikut Ajror dhe sistemeve të Komunikimit, Navigimit dhe Survejimit, si instalimin e një sistemi të ri të MTA, instalimin e një sistemi për uljen precize ILS, sistem i ri i Komunikimit Zanor dhe Radiove, instalimin e një Radari sekondar dhe trajnimin e stafit.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi, ministra të tjerë e deputetë, Ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu, Ambasadori i OSBE-së Tiranë Eugen Wolfarth, ambasadorë të tjerë të akredituar në vendin tonë, drejtues të kompanisë Lockheed Martin, të Kompanisë Hochtief, drejtues e punonjës të ANTA-s (Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror) dhe të aeroportit “Nënë Tereza”, etj.

Kryeministri vlerësoi se ky inaugurim e bën Aeroportin “Nënë Tereza” një nga vendet me infrastrukturën më moderne në rajon e më gjerë, duke realizuar një transformim tërësor të sistemit të kontrollit të sigurisë së hapësirës ajrore.

Shqipëria, theksoi Kryeministri, vitet e fundit ka njohur zhvillime të mëdha, por, nëse do t’i ndanim ato, në fushën e cilësisë dhe besimit, zhvillimet më të mëdha kanë ndodhur pikërisht në aeroportin “Nënë Tereza”, në sigurinë,  kontrollin dhe infrastrukturën e transportit ajror. Në këtë kontekst, Kryeministri vuri në dukje se numri i pasagjerëve, në një hark kohor të shkurtër, është rritur me 132 për qind, si në asnjë aeroport tjetër të kontinentit.  Nuk ka asnjë tregues tjetër më të sigurt e më saktë për rritjen e besimit ndaj Shqipërisë, sesa ky tregues, nënvizoi Kryeministri, duke shprehur vlerësimin se “rritja e madhe fluksit të pasagjerëve është dëshmi e një dinamizmi të fuqishëm të zhvillimit të ekonomisë së këtij vendi”.

Kryeministri Berisha falënderoi Kompaninë Lockheed Martin për mundësimin e instalimit në këtë aeroport të  teknologjisë më të lartë e më të sigurt, kompaninë Hochtief për punën e shkëlqyer që bën me menaxhimin e saj, duke  e shndërruar aeroportin “Nënë Tereza” në një nga aeroportet më me reputacion në rajon e më gjerë, si dhe gjithë teknikët, inxhinierët e punonjësit vendas e të huaj për përkushtimin në punën e tyre. Ai i siguroi se qeveria do të bëjë gjithçka për t’i mbështetur ata, në mënyrë që të ruajnë e konsolidojnë standardet më të mira të sigurisë e kontrollit të transportit ajror.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

 “Sot, për mbarë Shqipërinë, është një datë shumë e rëndësishme. Ne inaugurojmë  kompletimin e një sistemi bashkëkohor ultra-modern të kontrollit të hapësirës ajrore, realizuar kjo nga kompania Lockheed  Martin, lider botëror të fushën e kontrollit ajror, e cila ka instaluar, këtu në këtë aeroport, teknologjinë më të lartë e më të sigurt. Ky investim, në total 76 milionë dollarë,  realizon një transformim tërësor të sistemit të kontrollit të sigurisë së hapësirës ajrore.

Zonja e zotërinj,

Çështjet e sigurisë janë çështjet e para në të gjitha fushat, por çështjet e sigurisë në aviacion dhe në  transportin ajror janë më delikatet e më të rëndësishmet. Inaugurimi i sotëm, që vjen pas dy inaugurimeve në dy fazat e Aeroportit “Nënë Tereza”, të Rinasit e bën atë një nga vendet me infrastrukturën më moderne në rajon e më gjerë.

Ndaj dhe unë shfrytëzon rastin për t’i shprehur falënderimet më të përzemërta Kompanisë Hochtief, për punën e shkëlqyer që bën me menaxhimin e saj, duke e shndërruar aeroportin “Nënë Tereza” në një nga aeroportet më me reputacion në rajon e më gjerë.  Aeroporti e meriton këtë investim të madh që u bë dhe instalimet e kompanisë Lockheed Martin, të cilat krijojnë një strukturë të shkëlqyer të kontrollit të hapësirës ajrore dhe të transportit ajror në Shqipëri.

Shqipëria, vitet e fundit ka njohur zhvillime të mëdha. Por, në rast se do t’i ndanim ato, mendoj se në fushën e cilësisë dhe besimit këto janë zhvillimet më të mëdha. Ato kanë ndodhur këtu, në këtë fushë, në transportin ajror. Numri i pasagjerëve është rritur ndoshta si në asnjë aeroport tjetër të kontinentit,  në një hark kohor të shkurtër,  me 132 për qind. Nuk ka asnjë tregues tjetër më të sigurt e më saktë për rritjen e besimit ndaj Shqipërisë, sesa ky tregues. Rritja e besimit në të gjitha planet, aeroporti e siguria e tij, janë dera e hyrjes, janë pasaporta e vendit, por rritja e madhe fluksit të pasagjerëve është dëshmi e një dinamizmi të fuqishëm të zhvillimit të ekonomisë së këtij vendi. Imagjinoni që të gjitha këto ndryshime të mëdha kanë ndodhur në kohën e një krize të paprecedentë gjatë 70 viteve të fundit, apo edhe më gjatë, të kontinentit tonë. Domethënia është shumë herë më e madhe në këtë kontekst.

Ndaj dhe le të urojmë të gjithë ata të cilët bënë të mundur këtë investim dhe realizimin e këtij ndryshimi thelbësor të kontrollit të vijës ajrore. Dua të përshëndes teknikët e inxhinierët shqiptarë e të huaj për punën e tyre të shkëlqyer dhe t’i garantoj ata se qeveria do të bëjë gjithçka për t’i mbështetur ata, në mënyrë që të ruajnë e konsolidojnë standardet më të mira të sigurisë e kontrollit të transportit ajror. Faleminderit“.  


14/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›