Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve miraton rreth 520 projekte për investime në komunat e fshatrat e qarqeve të vendit
- - Kryeministri Berisha: Nuk ka dhe nuk do të ketë as edhe një zonë të vetme të braktisur për investime, nga kjo qeveri
Kryeministri Berisha drejtoi sot pasdite mbledhjen e Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve, në të cilën u morën në shqyrtim dhe u miratuan rreth 520 projekte të reja për investime në infrastrukturë e më gjerë, në komunat e fshatrat e qarqeve të vendit. Financimi i këtyre projekteve bëhet i mundur nga një fond i Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve prej rreth 27.6 miliardë lekë, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një shumë prej 22 miliardë lekësh, si dhe disa qindra milionë të tjerë nga agjenci të tjera.
Në këtë mbledhje ishin të pranishëm ministra të kabinetit qeveritar, anëtarë të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve, Përfaqësues të qeverive vendore, të shoqatës së kryetarëve të komunave, kryetarëve të bashkive dhe qarqeve të Shqipërisë.
Kryeministri u shpreh se këto projekte do të mundësojnë në zonat rurale të vendit, komunat e qarqet e tyre, mbi 1200 km rrugë të reja, pa llogaritur këtu qoftë edhe një kilometër të vetëm të rrugëve kombëtare. Këto të gjitha janë rrugë rurale, dytësore, që ndërtohen në përputhje me zotimin solemn të kësaj mazhorance se infrastrukturën e lagjeve të qyteteve të vendit, do t’ua ofrojë të gjitha fshatrave të Shqipërisë, përfshi edhe zonat më të thella.
“Ne do të bëjmë gjithçka që qytetarët të ndihen të barabartë, do bëjmë gjithçka që ata kudo që jetojnë të mos ndihen të braktisur por të ndihen zot të shtëpive dhe të territorit të tyre, me gjithë infrastrukturën moderne që meritojnë”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu, në këto projekte të financuara me Fondin për Zhvillimin e Rajoneve dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimin do të ndërtohen 125 ujësjellës të rinj, që do të garantojnë ujë 24 orë, apo ujë të rrjedhshëm për rreth 250 mijë banorë; rreth 290 shkolla të reja, ose do rindërtohen shkolla ekzistuese; rreth 44 qendra shëndetësore që do u shërbejnë 122 mijë banorëve të vendit, kanalizime, etj.
Kryeministri siguroi se në këto 520 projekte nuk llogariten sigurisht projektet e arrorëve, ullinjve e drurëve të tjerë frutorë. Por në total, në të gjitha këto projekte punësohen rreth 30 mijë qytetarë, duke përfshirë edhe projektet në bujqësi, gjë që i jep një frymëmarrje të re procesit të punësimit dhe e bën Shqipërinë një nga vendet e pakta e cila, në një kohë krize të thellë, rrit mundësinë e punësimit.
“Ne jemi në gjendje të shpalosim sot një nga programet më ambiciozë, i cili do të bëjë të mundur që, në një hark kohor 1 vjeçar, jeta e qindra e mijëra shqiptarëve të jetë tjetër”, tha Kryeministri.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Jemi mbledhur sot për të miratuar së bashku rreth 520 projekte të reja, të cilat në total rrokin nga Komiteti i Zhvillimit të rajoneve rreth 27.6 miliardë lekë, por dhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, shumën prej 22 miliardë lekësh dhe disa qindra milionë nga agjencitë e tjera. Këtu nuk përfshihen mbi 4 mijë projekte, që janë 2348 ha tokë për ullishte e arrorë, me fondin e Ministrisë së Bujqësisë dhe po kaq, me 10 për qind të fondit të pyllëzimit të qeverisjeve vendore, të destinuara me ligjin e buxhetit, tani e tutje për mbjelljen e drurëve frutorë.
Këto projekte do të japin një zhvillim të ri të Shqipërisë. Këto projekte do të shtrijnë në zonat rurale të vendit, komunat e qarqet e tyre, mbi 1200 km rrugë të reja, pa llogaritur këtu qoftë edhe një kilometër të vetëm të rrugëve kombëtare. Këto të gjitha janë rrugë rurale, dytësore, rrugë të cilat ndërtohen në përputhje me atë zotim solemn të kësaj mazhorance se infrastrukturën e lagjeve të qyteteve të vendit do t’ua ofrojë të gjitha fshatrave të Shqipërisë, përfshi edhe zonat më të thella.
Natyrisht, ky është një nga premtimet më të vështira për t’u mbajtur, por është një nga projektet më themelorë për shndërrimin e Shqipërisë në vend të zhvilluar, për urbanizimin e këtij vendi, për zhvillimin e qëndrueshëm të tij. Është një nga projektet më vendimtare për të bërë të mundur që pasuritë e shumta në mbarë komunat e territoret e Shqipërisë, të mund të shndërrohen në vlera për qytetarët e vet. Investimi me 1200 km rrugë rurale e dytësore, bën të mundur që qytetarët shqiptarë, nga çdo skaj ku jetojnë, të mund të kapin Tiranën, duke kursyer 70 për qind të kohës që shpenzojnë sot.
Por në themel qëndron edhe një parim tjetër. Ne do të bëjmë gjithçka që qytetarët të ndihen të barabartë, do bëjmë gjithçka që ata kudo që jetojnë të mos ndihen të braktisur por të ndihen zot të shtëpive dhe të territorit të tyre, me gjithë infrastrukturën moderne që meritojnë.
Në këto projekte, me Fondin për Zhvillimin e Rajoneve dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimin do të ndërtohen 125 ujësjellës të rinj, që do të garantojnë ujë 24 orë, apo ujë të rrjedhshëm për rreth 250 mijë banorë. Sigurimi me ujë të rrjedhshëm ka qenë një nga objektivat tona më madhore. Aktualisht, ujë të rrjedhshëm marrin rreth 97 për qind e shqiptarëve. Përpjekjet tona janë dhe do të vazhdojnë që ata të furnizohen 24 orë me ujë, në një vend ku pasuria më e madhe janë ujërat e mrekullueshme të tij, do të bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë të kenë ujë të rrjedhshëm 24 orë në shtëpitë e tyre.
Zëri i tretë madhor i investimeve që ndërmerren këtë pranverë, janë investimet në shkolla. Do të ndërtohen rreth 290 shkolla të reja, ose do rindërtohen shkolla ekzistuese të cilat do të përmirësojnë cilësisht dhe në çdo formë mësimin e afro 100 mijë nxënësve e studentëve në Shqipëri. Pra, vazhdon përpjekja e madhe e jona për të krijuar kushtet më të mira të mësimit në shkollat e vendit.
Do të ndërtojmë gjithashtu rreth 44 qendra shëndetësore që do u shërbejnë 122 mijë banorëve të vendit. Faktikisht, ne do të bëjmë gjithçka që qendrat shëndetësore moderne të gjenden sa më afër qytetarëve shqiptarë.
Siç e shihni, ne ndërmarrim këtë pranverë një nga projektet më të mëdha të investimeve në Shqipëri, projekt me një impakt të madh në zhvillimin e gjithanshëm e të qëndrueshëm të vendit.
Janë rreth 520 projekte, pa llogaritur këtu projektet e arrorëve, ullinjve e drurëve të tjerë frutorë. Por në total, në të gjitha këto projekte punësohen rreth 30 mijë qytetarë, duke përfshirë edhe projektet në bujqësi, gjë që i jep një frymëmarrje të re procesit të punësimit dhe e bën Shqipërinë një nga vendet e pakta e cila në një kohë krize të thellë mundësia e punësimit rritet. Pra, jo vetëm që nuk rritet papunësia, por ajo ulet ndjeshëm.
Qeveria jonë në gjithë këto vite ka investuar 2 deri 4 herë në vit më shumë se të gjitha qeveritë e tjera të kontinentit, por edhe më gjerë, investimet publike në këto vite në Shqipëri, duke vënë në kontroll të plotë borxhin publik. Investimet kanë pasur përqindjet më të larta nga 8 deri në 10 për qind të prodhimit të brendshëm. Këtë vit nuk është marrë qoftë edhe një dollar e euro borxh për shpenzime të tjera, përveç se për investimet. Kjo është bërë e mundur për shkak të rritjes ekonomike që Ka shënuar Shqipëria çdo vit. Në 5 vitet e fundit ajo pati rritjen ekonomike 22 për qind, më të lartën në Evropë.
Sot ka një debat të madh midis masave për ashpërsinë fiskale dhe nxitjes së rritjes. Ky është një debat për rrugët themelore të daljes nga kriza. Fatmirësisht, ky vend, ndonëse përjetoi pasojat e krizës, ekonomia e tij nuk u zhyt në krizë dhe rezistoi, modeli shqiptar funksionoi. Në kemi gërshetuar, në mënyrë shumë të pajtueshme, disiplinën fiskale me stimujt e nxitjes së rritjet ekonomike. Rregulli i artë i ekonomisë, thotë se nuk duhet të marrim borxh për qëllime të tjera përveç se për investime. Ne i jemi përmbajtur këtij parimi vite më parë se të fillonte kjo krizë. Nga 2005 e deri më sot asnjë qindarkë nuk është marrë borxh për qëllime të tjera përveç se për investimet. Pra, siç e shihni, ne jemi në gjendje të shpalosim sot një nga programet më ambiciozë, i cili do të bëjë të mundur që, në një hark kohor 1 vjeçar, jeta e qindra e mijëra shqiptarëve të jetë tjetër. Vetëm me një rrugë prej pothuaj 300 km, që fillon në Valbonë e përfundon në Librazhd, ne ndryshojmë jetën e banorëve të më shumë se 30 komunave që jetonin në një izolim të thellë e të pa merituar, për shkak të mungesës së infrastrukturës. Me këto projekte, me projektet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Fondi të Zhvillimit të Rajoneve, ne bëjmë që 50 komuna të kenë një ndryshim thelbësor në infrastrukturën e tyre. Ne ecim drejt objektivit që të gjitha komunat e vendit të lidhen me akset kombëtare me rrugë automobilistike dhe po ecim në të gjitha drejtimet, nga Këlcyra e deri në Theth, komunat e Gjirokastrës, Korçës, Kolonjës e kudo.
Cilat janë kriteret që ne kemi përdorur në financimin e projekteve? Ne kemi konsideruar emergjencë komunat që nuk kanë marrë investime në 2 -3 vitet e fundit. Ne, në mënyrë të përsëritur u kemi bërë thirrje drejtuesve të komunave që ato të dorëzojnë projekte. Qytetarët duhet ta dinë se, në rast se nuk janë në listat e projekteve për financim, kjo jo për shkak të mungesës së vullnetit të qeverisë. Qeveria e ka përcaktuar se do të shpërndajë investimet në të gjitha komunat e vendit.
Kriteri i dytë madhor ka qenë numri i popullsisë, bazuar në censusin, i cili sapo u vlerësua në Bruksel si procesi më i suksesshëm në Evropën Juglindore. Natyrisht, ky është një proces shumë i dobishëm qe e lejon qeverinë të bëjë një shpërndarje më të ndershme të fondeve. Nga ky proces doli që sot kemi një demografi krejtësisht tjetër nga ajo që mund të imagjinonim, se në Shqipëri qyteti i gjashtë është Kamza, doli që qyteti i 9 është Kashari, i 10-i është Paskuqani, të tria këto të pa llogaritura në këto përmasa asnjëherë më parë. Doli që Durrësi ka pasur një shtim të madh, pas Tiranës. Ndaj dhe, pavarësisht se Vangjushi u thotë të huajve se na diskriminon qeveria, dua t’u them qytetarëve të Durrësit se ai ka marrë këtë vit 45 për qind grant më shumë se vitin e kaluar dhe ka pasur rritjen më të madhe të grantit. Ndaj i them të mos bëjë deklarata të pa vërtetat, e as t’u shtrojë dreka e darka kryetarëve të vet.
Kriteri i dytë madhor është niveli i varfërisë sipas qarqeve. Edhe kjo është marrë dhe do të merret parasysh. Ka një studim të BB-së, të cilën duhet ta falënderoj sepse është një nga studimet më serioze që bëhet bazuar në një anketë, studim i standardeve ndërkombëtare që bëhet në të gjithë botën. Ky studim jep hartën e varfërisë. Bazuar në këtë studim, zonat më të varfra që krijojnë të ardhura shumë më pak se zonat e pasura, për arsye të caktuara, do të kenë një financim më të madh.
Një kriter tjetër që i jemi përmbajtur dhe të vazhdojmë t’i përmbahemi është balancimi i investimeve. Në rast se në periudha të caktuara, një apo dy qarqe janë përparësuar ndjeshëm për qëllime të drejta, të ndershme, për shkak të potencialeve shumë të mëdha që kanë pasur, më pas sigurisht që këto do të balancohen me qarqe të tjera, në mënyrë që edhe aty të bëhet çmos për të ndryshuar për mirë jetën e qytetarëve, të bëhet gjithçka për të bërë të mundur shfrytëzimin e potencialeve që ato kanë. Një ditë, në një televizion po jepej një emision për Ujëvarën e Sotirës, ujëvarë më të bukur nuk mund të ketë. Për fat të keq, edhe rruga që të çonte aty, sipas kësaj kronike, ishte e mundimshme. Unë mora një shembull, por ka edhe shumë të tjerë.
Ne do të bëjmë çdo gjë që të shtrijmë infrastrukturën drejt potencialeve të mëdha të zhvillimit të vendit. Nuk ka dhe nuk do të ketë as edhe një zonë të vetme të braktisur, doktrinë kjo që u përpunua nga paraardhësit tanë me papërgjegjshmërinë më të madhe, sipas të cilës “ka zona që nuk ia vlen investimi”. Por problemi është se në këto zona u përfshi e gjithë Shqipëria, sepse, absolutisht, në vitin 2005 unë ju garantoj se 90 për qind e rretheve të vendit nuk kanë pasur asnjë km rrugë të asfaltuar përveç rrugëve kombëtare. Kjo është e vërtetë për pothuajse 95 për qind të rretheve, sepse sipas tyre “nuk ia vlente investimi”. Nuk ka asnjë pëllëmbë tokë në këtë vend që nuk ia vlen investimi.
Ndaj unë dua t’i garantoj qytetarët se këto 520 projekte janë hapi më i madh në drejtim të zhvillimit rural të qëndrueshëm, të zhvillimit të Shqipërisë rurale. Por janë me qindra projekte të tjera që do të marrin jetë në vitin 2013. I garantoj qytetarët se viti 2014 do të jetë viti i finalizimit tërësor të sistemit rrugor më të mirë e më modern në Evropë.
Përqendrim të madh do ketë edhe në sistemin e kanalizimeve. Shqipëria nuk mund të jetë vend i zhvilluar si vend i gropave septike. Duhet të shkëputemi nga kjo praktikë e vjetër sa vet koha, ndaj po ndërtohet një sistem i ri kanalizimesh, i denjë për një vend të zhvilluara.
Pra, këto janë projektet e këtij viti të cilat janë të mundura vetëm me një ekonomi vibrante, e cila përballet me vështirësi, por njëkohësisht, realizon objektivat e saj. Këto janë projekte të bazuar në një platformë që synon zhvillimin tërësor të vendit. Kudo që ndodhen, qytetarët do të kenë infrastrukturën që meritojnë. Këtu nuk janë të llogaritura investimet e mëdha që bëhen në infrastrukturën dixhitale, për ta ofruar atë në të katër anët e vendit, si dhe shumë investime të tjera. Faleminderit".
10/05/2012