E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria e vendosur të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme, të cilat konsolidojnë më tej pavarësinë e gjykatave të vendit

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në pritjen e organizuar nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, me rastin e çeljes së punimeve të "Konferencës së Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qëndrore dhe Lindore".

Në këtë konferencë marrin pjesë Kryetarët e Gjykatave të Larta të:

Shqipërisë, Azerbajxhanit, Kroacisë, Republikës Çeke, Gjeorgjisë, Hungarisë, Kosovës, Letonisë, Lituanisë, Maqedonisë, Moldavisë, Malit të Zi, Sllovakisë, Ukrainës dhe gjyqtarë e juristë të shquar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo konferencë, dikur nismë e Institutit CEELI me seli në Pragë, tanimë, me një vendim unanim të kryetarëve të Gjykatave të Larta të këtyre shteteve, do të organizohet çdo vit në një nga vendet pjesëmarrëse. Shqipëria është vendi i parë që çel punimet e “Konferencës së Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qëndrore dhe Lindore”. 

Në pritje merrnin pjesë Alexander A. Arvizu, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të  Amerikës në Shqipëri, John M. WalkerJr. Gjyqtari Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Qarkun e Dytë dhe J. Clifford Wallace, Gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Qarkun e Nëntë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për këtë aktivitet dhe falenderoi kryetarët e gjykatave të vendeve mike që përzgjodhën  Tiranën si kryeqytet të drejtësisë për rajonin.

Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu vlerësimin për Gjykatën e Lartë dhe trupin gjykues të Shqipëri  në tërësi,  i  cili, siç theksoi ai, në një hark kohor  relativisht të shkurtër është shndërruar nga njërin prej gjykatave dhe trupave gjykuese  më të politizuara të planeti, në një gjykatë dhe trupë gjykues,  që i përmbahet ligjit dhe të drejtësisë, dhe ndër më pak të politizuarit.

Në këtë kuadër kryeministri theksoi se një tregues i kësaj është fakti se nga viti 2005 ku popullata e burgjeve të Shqipërisë përbëhej gjithsej nga 1800 të burgosur, sot ajo numëron rreth  5 mijë.

"Me vendimet tuaja ju e keni bërë shumë të sigurt dhe më të lirë shoqërinë  shqiptare", u shpreh ai.

Kryeministri vlerësoi se një shoqëri e lirë bazohet para së gjithash dhe mbi të gjitha në lirinë dhe paqen, por liria dhe paqja, tha ai, kanë për garant kryesor një sistem drejtësie të konsoliduar dhe më të drejtë.  "Thuhet se, paqja nuk ka të kundërt luftën, të kundërt ka mungesën e drejtësisë. Theksova ketë moment sesa i rëndësishëm është për paqen e brendshme të individit, të familjes, shoqërisë, vendimi  i  drejtë i gjykatave, por është po kaq i rëndësishëm për zhvillimin  e vendit.  Nuk mund të ketë shtet  ligjor pa vendimet tuaja  të drejta dhe zbatimin e tyre", u shpreh kryeministri Berisha.

 "Ju në çdo komb përfaqësoni një komunitet të vogël dhe mbi ju projektohen presione të shumta, të pandershme ndaj nuk ka mekanizëm dhe mjet më të sigurt për mbrojtjen e pavarësisë tuaj, sesa transparenca  e plotë e veprimtarisë suaj", theksoi kryeministri.

Në mbyllje të fjalës, kryeministri siguroi se qeveria, në klimën e krijuar të bashkëpunimit me opozitën,  është e  vendosur  të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme, të cilat të konsolidojnë më tej pavarësinë e gjykatave të vendit dhe të krijojnë kushtet optimale për një veprimtari kaq të rëndësishme dhe jetike për një vend të lirë.

Fjala e plote e Kryeministrit Berisha:

Zonja Kryetare e Gjykatës së Lartë të vendit.

Shkëlqesi  Ambasadorë.

Të nderuar gjykatës shqiptare dhe gjykatës të vendeve mike të pranishëm në këtë takim.

Se pari dua tu përshëndes  shumë përzemërsisht,  të falenderoj Kryetaren e Gjykatës,  gjykatësin  John M. WalkerJr,  tu falenderoj  ju kryetarëve  të gjykatave të vendeve mike, që keni përzgjedhur  Tiranën në një moment  shumë të rëndësishëm, si kryeqytet të drejtësisë për rajonin tone.

Është një rast i shkëlqyer për mua të shpreh nderimin dhe vlerësimin më të madh për Gjykatën e Lartë të këtij vendi  dhe trupin gjykues të Shqipëri  në tërësi,  i  cili në një hark kohor  relativisht të shkurtër është shndërruar, nga njërin prej gjykatave dhe trupave gjykuese  më të politizuara të planeti , në një gjykatë dhe trupë gjykues,  që i përmbahet ligjit dhe të drejtësisë, dhe në vlerësimin  tim ndër më pak të politizuarit.

Ndër të gjitha vendet  ish- komuniste gjykatësit e Shqipërisë e kanë pasur rrugën më të vështirë, për shkak të një kompleksi  faktorësh  me ndikim të fuqishëm, por ata me një vullnet të hekurt, me përgjegjësi të lartë  kanë bërë, që sot vendi të ketë një sistem drejtësie të respektuar, të depolitizuar, të përgjegjshëm.

Për të pranishmit jo gjykatës do të jap vetëm një statistikë këtu. Në vitin 2005 popullata e burgjeve të Shqipërisë përbëhej gjithsej nga 1800 të burgosur. Sot ajo numëron rreth  5 mijë.

Me vendimet tuaja ju e keni bërë shumë të sigurt dhe më të lirë shoqërinë  shqiptare.

Isaiah Berlin thotë se paqja për ujqërit  është vdekje për qengjat  dhe ju me veprimtarinë tuaj keni bërë ligjin, keni bërë drejtësinë.  Një shoqëri e lirë bazohet para së gjithash dhe mbi të gjitha në lirinë dhe paqen, por liria dhe paqja kanë për garant kryesor një sistem drejtësie të konsoliduar dhe më të drejtë.  Thuhet se, paqja nuk ka të kundërt luftën, të kundërt ka mungesën e drejtësisë. Theksova ketë moment sesa i rëndësishëm është për paqen e brendshme të individit, të familjes, shoqërisë, vendimi  i  drejtë i gjykatave, por është po kaq i rëndësishëm për zhvillimin  e vendit.  Nuk mund të ketë shtet  ligjor pa vendimet tuaja  të drejta dhe zbatimin e tyre.

Zonja Kryetare e Gjykatës, po këtë javë sistemi  ynë i drejtësisë  festoi  99 vjetorin e themelimit të tij. Ishte simbolike, se kjo ditë u shënua me inaugurimin e sistemin on- line të ankesave të qytetarëve, të publikut për problematikën që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë.

Ju në çdo komb përfaqësoni një komunitet të vogël dhe mbi ju projektohen presione të shumta, të pandershme. Nuk ka mekanizëm dhe mjet më të sigurt për mbrojtjen e pavarësisë tuaj, sesa transparenca  e plotë e veprimtarisë suaj.

Unë do ta mbyll këtë fjalë duke falenderuar  të gjithë ata gjykatës  dhe qeveri  të vendeve mike, që gjatë këtyre 20 viteve i kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

T’Ju falenderoj ju gjykatësi John M. WalkerJr ,  kolegët tuaj për ndihmën shumë të mirë që keni dhënë. Të falenderoj Komisionin Europian  gjithashtu  Kooperacionin  Italian dhe donatorët e  tjerë për përparësinë që kanë bërë në fushën e  drejtësisë.

T’ju siguroj ju zonja Kryetare dhe gjykatësit e  tjerë të vendit, se qeveria në klimën e krijuar të bashkëpunimit me opozitën,  është e  vendosur  të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme, të cilat të konsolidojnë më tej pavarësinë e gjykatave të vendit dhe të krijojnë kushtet optimale për një veprimtari kaq të rëndësishme dhe jetike për një vend të lirë.

Dhe një herë shumë suksese në Konferencën  tuaj.


13/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›