Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u ndal në zhvillimet pas zgjedhjeve vendore të 8 Majit. Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri u shpreh:
Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’ju falënderoj me shumë mirënjohje për punën e jashtëzakonshme që ju, anëtarët, simpatizantët, drejtuesit e të gjitha niveleve të Partisë Demokratike bënë në tërësi në këto zgjedhje.
Ne nisëm këtë fushatë zgjedhore si koalicioni më i fuqishëm që vendi kishte njohur më parë. Ne kurorëzuam këtë fushatë zgjedhore dhe mbyllëm këto zgjedhje si koalicioni që mori, meritoi mbështetjen më të madhe, një mbështetje rekord, një mbështetje historike. Në raport me kundërshtarin tonë, ne kemi 17 për qind më shumë vota, kemi 140 mijë vota më shumë në mbarë vendin. Ky është një plebishit madhështor i qytetarëve shqiptarë për suksesin e reformave të qeverisjes. Shqiptarët vlerësuan koalicionin qeverisës dhe i dhanë atij një mbështetje të jashtëzakonshme. Në një mënyrë ose në një tjetër, nuk ka pasur asnjë fitore tjetër që të ketë qenë simotër e 92-shit, siç është kjo fitore. Dua të theksoj këtu se, në rast se do i konvertonim në vota deputetësh, me statusin aktual të numrit të votave që mbartin deputetët që ulen në parlamentin shqiptar, në raportet votë –deputetë për socialistët dhe koalicionin e tyre në parlament, na takonte të kishim rreth 17 deputetë më shumë, ndërsa në raportin e koalicionit tonë na takon të kemi 14 deputetë më shumë, pasi ata i kanë me 9 mijë vota deputetët në parlament, ndërsa deputetet e koalicionit të djathte, bashke më LSI-në, janë deputetë me 10 mijë vota. De - facto, në raport me njëra –tjetrën, të dy koalicionet kanë një diferencë prej 17 për qind në shkallë vendi, kjo diferencë është 10 apo 11 për qind.
Në këto zgjedhje Shqipëria u ngrit më demokratike se kurrë. Numri i pjesëmarrësve të zgjedhjeve vendore të majit të vitit 2011 është më i madh se në të gjitha zgjedhjet vendore e të përgjithshme në 15 vitet e fundit, është historik, është mbi 1 milionë e 600 mijë qytetarë. Natyrisht, rezultati tregon se kjo pjesëmarrje masive ishte vlerësim masiv për koalicionin qeverisës. Kur ndodhin pjesëmarrjet masive njëra palë paguan faturën. Ne kemi vetëm mirënjohje, janë 140 mijë vota më shumë për koalicionin tonë, pra, thellë në shpirt, në zemër, qytetarët shqiptarë, të vetëdijshëm se kjo është larg qenies tw përsosur si qeverisje, por kjo qeverisje po ndryshon më mënyrën më të vendosur vendin dhe jetët e tyre. Ishte jashtëzakonisht e goditur motoja jonë “të parët jeni ju”, ishte i goditur besimi ynë tek udhëheqja e tyre. Ne ua besuam atyre udhëheqjen dhe ata dolën fitimtarë. Ishte e ndershme dhe e moralshme koalicioni që bëmë. Ne i ndamë me ta postet dhe u dhamë anëtarëve të koalicionit tonë - edhe në përputhje me marrëveshjet që kemi -, rreth pak më pak se 1/3 e të gjitha bashkive e komunave në të gjitha nivelet. Është një kënaqësi e veçantë për mua që anëtarë të koalicionit qeverisës sot të renditen si parti e tretë, e katër, e pestë në vend, çka i bën nder të madh koalicionit dhe vendit, gjë që e bën koalicionin edhe më serioz, edhe më solid e më të fuqishëm. Jashtë atyre diskutimeve të ngushta, koalicioni funksionoi në mënyrë të shkëlqyer dhe të jeni të qartë që pa funksionimin e tij ky rezultat nuk do mundej të arrihej.
Zonja e zotërinj
Në këtë fushatë, pas 11 vitesh, Tirana kthehet në blu dhe kjo është një nga arritjet me të mëdha në histori. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për qytetarët e Tiranës për votën e tyre evropiane, për votën e tyre blu . Sot koalicioni qeverisës, qeveris 7 nga 11 minibashkitë e vendit , sot zoti Lulëzim Basha, i cili zhvilloi fushatën më të bukur, më të fuqishme, në një simfoni të vërtetë në qytetin e Tiranës, është i fituar me rezultatin e deritanishëm, me 78 vota para. Natyrisht që pritet finalizimi i shqyrtimit të të gjithë problematikës, por e vërteta si drita e diellit është se, në këtë fitore të ngushtë qytetarët e Tiranës votuan Lulëzim Bashën më shumë se çdo kandidat tjetër. Dua të falënderoj me mirënjohje të gjithë ata që kontribuuan që të realizohet në Tiranë një proces dinjitoz, të merituar për qytetin. Qyteti i Tiranës i besoi alternativës sonë, i besoi kandidatit të koalicionit tonë.
Fitorja në Tiranë është një fitore e ngushtë. Në datën 14 maj rezultoi se zoti Rama ishte 10 vota para. Asnjë nuk e mohoi këtë, ndonëse ne kemi gjithë dokumentet se në një qendër votimi në zonën zgjedhore 8, komisioneri i PS-së, për të dëmtuar kandidatin tonë, në mënyrë mashtruese ia doli të mos vendoste vulën në 10 vota, që të gjitha janë për zotin Basha. Po në këtë zonë , KZAZ-ja e dominuar nga socialistët nuk pranoi të inkludojë në tabelat e numërimit 46 vota. Ne kemi të dhëna të sigurta se Basha aty kryeson mirë. Pavarësisht nga këto, votat do të numërohen dhe vlerësohen një për një. Ky sistem bazohet në kontestin. Ai që mendon se do të mund të prekë këtë sistem dhe kontestin, ai i bie murit me kokë. Këtë nuk mund ta bëjë kurrë.
Në datën 12 maj, kur kandidati ynë ishte disa qindra, madje 1 mijë vota para kandidatit të PS-së, ne udhëzuam të gjithë përfaqësuesit tanë në komisione të evidentohet çdo votë e hedhur në kutinë e garave të tjera. Ne jemi parti e votës së lirë dhe nuk përkulemi nga ky parim dhe nuk ka asgjë dhe askush që të mund të na imponojë ne të mos qëndrojmë me të gjithë fuqinë e ligjit dhe të Kushtetutës pas votës së qytetarëve shqiptarë. Neni 45 i Kushtetutës së Shqipërisë, pika 4, thotë se vota është vetjake, e lirë, e barabartë, sekrete. Nëse një votë numërohet dhe tjetra nuk numërohet, pabarazia prek themelet e Kushtetutës së vendit. Direktivat e standardit të OSBE dhe Këshillit të Evropës përcaktojnë si kusht për vlerën e votës intensionin e qartë të zgjedhësit, shprehjen e qëllimit të qartë të zgjedhësit se për kë ka votuar. Kodi i praktikave të mira të Komisionit të Venecias dhe Këshillit të Evropës urdhëron që të bëhen përpjekjet maksimale për të pasur dhe për të mbledhur numrin më të madh të mundshëm të votave të vlefshme. Ky parim është ndryshuar në ligjin shqiptar, i cili në asnjë nga 8 pikat e nenit 117 mbi pavlefshmërinë e votës nuk përfshin votat e hedhura në kutinë tjetër. Kur komisionerët tanë nisën, së bashku me kolegët e tyre socialistë, të evidentojnë çdo votë për kandidat për kryetar bashkie dhe për këshillat bashkiakë të hedhura në kutitë e minibashkisë, në mënyrë absolute askush nuk e dinte se për cilin kandidat do kishte më shumë vota, për zotin Basha apo zotin Rama. Dhe e vërteta është që komisionerët socialistë u bashkëngjitën në këtë proces me përgjegjësinë më të lartë ligjore. Po të më pyesnin me interes të tjerët, miq, se a do të ndodhë kjo me minibashkinë 5 - sigurisht që do të ndodhë dhe jemi të gatshëm për çdo minibashki ku zoti Rama do të ketë pretendim. Le të kërkojë hapjen e zarfeve të votave, pasi këto vota nuk u numëruan në kushte ligjore dhe nuk u vlerësuan. U identifikuan, por numërimi nuk bëhej prej tyre. Ato dihet sa ishin. Mirëpo kjo nuk ndodh sepse zoti Rama ka eksperiencën dhe ka fobinë e votës, ku ai e ka shumë të qartë se në çdo minibashki ato ishin më shumë për Bashën sesa për zotin Rama. Kjo ishte e natyrshme, emocionet e fansave të tij, që vërshuan dhe derdhën ato ndjenja të veçanta për të në Facebook, sa për asnjë tjetër. Nuk them se çdo emocion shkoi për Bashën, por në tërësi ajo funksionoi, se nuk kanë qenë të paktë njerëzit , vetëm për kandidatët kanë qenë mbi 200 e ca, pa llogaritur këshillat ku kanë qenë edhe më shumë .
Cili ka autoritetin të shkelmojë mbi votat e atyre grave dhe burrave që nuk kryen asnjë lloj krimi për faktin se e hodhën votën në kuti tjetër për shkak se komisioni i qendrës së votimit nuk i orientoi si duhet ata?. Unë prisja që zoti Rama ta vlerësonte atë si një përgjegjësi të lartë qytetare. Por nuk e bëri, nisi ultimatumet ,bllokoi numërimin e çdo vote, rrethoi KQZ_në, lëshoi kërcënime nga më të mëdhatë, etj.
Zonja e zotërinj deputetë
Ky rezultat i ngushtë, në asnjë rrethanë nuk është gjë tjetër veçse një sfidë për demokracinë shqiptare për t’u trajtuar me të gjitha rregullat e shtetit ligjor. Është një provë. Dua t’u them atyre të cilët kërcënojnë dhe që lëshojnë rrufe nga thellësitë e zeza të shpirtit të tyre se demokracia e këtij vendi është shumë më e fortë sesa sistemet që i kanë përpunuar apo i kanë besuar ata. Dhe të mos kenë asnjë hezitim të besojnë në këtë gjë, se në një sistem demokratik, pavarësisht nga dobësitë që ka, është pakrahasimisht më i fortë se çdo sistem tjetër, se një sistem demokratik që buron nga vota e lirë nuk mund të mposhtet kurrë më nga aventurierë. Stabiliteti në një sistem demokratik buron jo duke dhënë pushtet në tavolinë, por duke numëruar çdo votë në tavolinë, para syve të të gjithë botës, ashtu siç u veprua. I ftoj të gjithë qytetarët të jenë të sigurt se ky shtet i një vendi të lirë, i një shoqërie të lirë, ka çdo kapacitet e çdo mundësi për ta zgjidhur në mënyrën më demokratike. Ndërsa kërcënimet, shantazhet, ultimatumet, janë thjeshtë klithma dëshpërimi të atyre që kanë humbur arsyen. Sërish dua të theksoj se në një shtet demokratik, një shtet që nuk mposhtet në një asnjë mënyrë, në një shtet që disponon çdo mjet për të mbrojtur vlerat standardet, institucionet, të drejtat demokratike të qytetarëve të vendit, kjo nuk mund të ndodhë.
Dua t’ju sqaroj dy momente, të nderuar deputetë.
Ju sigurisht e keni të qartë, por kundërshtari ynë, gjatë gjithë kësaj periudhe bëri gjithçka që të dezinformoi qytetarët shqiptarë me çdo kusht, me çdo çmim.
Së pari KQZ-ja, si KZAZ e Tiranës, me ligjin e ri elektoral, me konsensus te plotë dhe kërkesë të Partisë Socialiste, por dhe që sot nuk e quaj të gabuar, KZAZ për Tiranën është parashikuar që të njihet KQZ-ja.
Askush në Shqipëri nuk e njeh më mirë se Zoti Rama, KZAZ-në e Tiranës, por nuk e qortoj dhe nuk e kritikoj përse ka bërë këtë, se për mendimin tim prapë po të më pyesni është më e drejtë, sepse Tirana është kryeqyteti dhe çdo lagje e tij pothuaj, krahasohet me një prej qyteteve te mëdha vendit, prandaj dhe përgjegjësinë më të madhe le tia lëmë atij që është më kryesori, duke e zbritur në funksionin e KZAZ.
Por problemi është ky, në qoftë se KQZ, si KZAZ e Tiranës, nga data 29 mars deri në 4 prill ka marrë 32 vendime në këtë cilësi, të gjitha atributet ligjore të KZAZ-ve që fillojnë me regjistrimin e subjekteve elektorale, në garën për bashkinë e Tiranës, që vazhdojnë me regjistrimin e të gjithë kandidatëve kryesorë, zotit Rama, zotit Basha, zotit Milloshi, që vazhdojnë me akreditimin e te gjithw vëzhguesve, pranë KNV dhe KZAZve të minibashkive , që vazhdojnë me përcaktimin e rendit të numërimit në qendrat e numërimit të minibashkive, të kutive dhe përveç kësaj, kush e lexon kodin elektoral, gjen aty, një autoritet me fuqi jo presidenciale, por mbretërore dhe parakonstitucionale. Ai është autoriteti më i lartë administrativ, i cili mund të marrë kolegjialisht, thotë ligji, por dhe vetëm me anëtarët, apo instruktorët, pra punonjës të tij, të gjitha vendimet dhe kjo tendencë i është kërkuar në rekomandimet e fundit, që të forcohet. Asnjë nga ne nuk mund të thotë, pavarësisht se si kanë qene te ndërtuara, se kjo tendencë ka dëmtuar procesin zgjedhor. E kundërta ka qenë. Kur nuk kanë shtuar në kohë këtë kompetencë ka patur probleme më të mëdha.
Por raportet e OSBE/ODIHR, nga viti 2001 e deri më sot, në të gjitha zgjedhjet lokale dhe kombëtare përshkruajë të gjitha rastet kur KQZ-ja ka vepruar si komision më i ulet si KZAZ apo dhe më tutje, për shkak se ligji i vendit ia ka dhënë këtë mundësi. Është president me fuqi të plota ekzekutive, ka vetëm gjykata që mund ti gëzojë vendimet dhe qëndrimet e tij. Kjo është ajo që ligjvënësi ka përcaktuar, ndaj dhe siç ka marrë 32 vendime para datës 4 prill, derisa të përputhje me nenin 33 të shpallë dhe fituesit e garës në Tiranë, ai, pra KQZ, është i detyruar të funksionojë si KZAZ, pastaj kalon në KQZ dhe shqyrton Tiranën ashtu si të gjithë Shqipërinë.
Së dyti, edhe njëherë theksoj mashtrimi se Partia Demokratike e filloi këtë kur përfundoi numërimi, ekzistojnë të gjitha procesverbalet, të dashur deputetë, se filloi në datën 12, kur zoti Basha ishte te paktën 1000 vota para, ska patur të bëjë dhe nuk ka të bëjë fare me asnjë tendencë tjetër, por vetëm me numërimin e votës te çdo qytetari shqiptarë.
Së treti, ideja se në raste të caktuara, ato kanë qenkan lënë të pavlefshme, ai që ka bërë këtë ka qenë i njeri papërgjegjshëm dhe me praktika të këqija kurrë s’ndërtohet reforma. Mbi ç’bazë një komisioner apo dy, tre komisionerë lanë të pavlefshme një votë, e cila është e qartë si drita e diellit. Por në rastet kur këto kanë shkuar në KQZ dhe ne gjykatë, instancat eprore kanë patur integritetin, moralin, për ti njohur ato si të vlefshme edhe për ti lënë edhe kur ato kanë ndikuar në rezultat. Pra ato që duan të na paraqesin para nesh praktikat e këqija, ne iu themi mbajini për vete ato. Ligji shqiptar nuk i cilëson ato në asnjë rast të pavlefshme. Raporti i ODIHR-it doli dhe unë e përshëndes atë. Në raport është sanksionuar se Partia Demokratike kërkoi që këto vota në të cilat është shprehur qartë qëllimi i zgjedhësit, të numërohen, të konsiderohen të vlefshme.I qëndrojmë sot dhe përjetë. Ky është sot parim themelor. Raporti përcakton qartë gjendjen aktuale. Ka një moment të cilin vetë, fatmirësisht, kryetari i komisionit, të cilin unë e falënderova me mirënjohjen më të thellë, sqaroi intervistën që dha në Top Channel. Ka një frazë ku thuhet se “baza ligjore për hapjen e këtyre kutive për OSBE/ODIHR nuk ishte e qartë”, ndonëse mua më tha se “ne nuk kemi thënë që nuk ka”.Të nesërmen, kryetari i misionit në një intervistë theksoi se është marrë një vendim në princip, por ne nuk kemi parë një vendim final të afishuar në Web-in e Komisionit Qendror.
Ne kemi një praktikë të gjatë, bashkëpunimi të ndershëm dhe të hapur me OSBE/ ODIHR dhe kjo është praktika jonë. Në çdo hetim administrativ dhe unë të tilla si kryeministër firmos çdo ditë, në çdo hetim gjyqësor, në çdo gjykim që hapet, në çdo parlament për ligjin votohet fillimisht për të nisur punën, për të hapur hetimin dhe vendimi final i vulosur, i firmosur del kur përfundon hetimi me gjithë rezultatin dhe këtu kjo është e thjeshtë për tu sqaruar.
Zoti Rama pretendon për kutitë, unë e ftoj ta ftojë prokuroren e përgjithshme të nisë menjëherë hetimin. Ai përdori fjalët e fundit të kazanit për Arben Ristanin dhe KQZ-në dhe unë shfrytëzoj rastin tu japë përshëndetjet më të përzemërta të shtatëve, dy zonjave dhe atyre 5 zotërinjve që kanë punuar në kushtet më të vështira të këtij kontinenti, ndonëse ky i etiketon dhe i vë të gjitha ato epitete. Zoti Rama, le të ftojë prokuroren Rama dhe të përpiqet ti paraqesë pretendimet dhe jo të damkosë në mënyrë të paskrupullt gjithçka që ndodh në rrezen e dritës. Çdo minutë e filmuar dhe e transmetuar “live” nga shumë kamera , të cilave i jam shumë mirënjohës për shërbimin e madh që kanë bërë. Në gjithçka është proceduar, ashtu siç e kemi parë në bazë të të gjitha rregullave. Të thuash “të numërojmë kodet”, siç thotë ndonjë përfaqësues i tyre, ndërkohë që aty lexohen kodet e proces verbalit, kjo do të thotë të zbatosh porositë e sms-ve, por kjo është një çështje tjetër.
Pra , procesi është më transparent dhe ky proces nxjerr zotin Basha fitues me 75 vota më tepër. Natyrisht, siç kemi deklaruar ky nuk është rezultati përfundimtar dhe ne fitoren e festojmë dhe do ta festojmë pas sanksionimit të rezultatit përfundimtar. Ky është rregulli, çdo kandidat, politikan i qytetëruar, çdo njeri kur ndodhet para një rezultati të tillë të ngushtë, ka përgjegjësinë të thotë se “unë jam përpara me kaq vota , kam fituar deri tani, por le të shohim rezultatin përfundimtar”. Ky rezultat që ishte me 10 vota, vetëm me vota të kontestuara mund të ndryshojë 10 apo 20 herë. Por, edhe në 70 vota, me tre vota të kontestuara mund të pësojë dhe ky rezultat, ndryshimet e veta. Nuk mund të paragjykojmë. Ne lamë shtetin ligjor të veprojë. Unë kam qenë dhe jam absolutisht i vendosur të mbështesim shtetin ligjor. Dhe është fitorja më e madhe e të gjithë shqiptarëve. Dhe nuk është fitorja më e madhe se fitoi apo humbi dikush, por është fitorja më e madhe se shteti ynë ligjor funksionoi dhe i dha përgjigje të gjithë problematikës së këtyre zgjedhjeve, ashtu siç duhej. Këtë presin ata që lëshojnë “o bo bo- të”. Let futen nën jorgan po të duan, por unë ju them të mos tremben fare, se demokracia është e fortë, është shumë herë më e fortë se sa e mendojnë ata. Është qindra mijëra herë më e fortë, se ata që e kërcënojnë. Demokracia nuk është kërcënim. Në themele e ka të përjashtuar kërcënimin. Ndaj dhe le ti rikthehemi punës dhe le të lemë institucionet të bëjnë punën e vet.
Natyrisht nuk mund të mos theksoj se në disa qendra shumë të rëndësishme për ne kanë fituar rivalët tanë. Kjo do të jetë një çështje analize, të nxjerrim përgjegjësitë. Ne jemi një forcë politike që nxjerr përgjegjësitë, por ne nuk i shohim kurrë gjërat bardhë e zi. Ne kemi sensin e analizës, sensin e përgjegjësisë , me qëllim që të fillojë sa më shpejt makineria jonë të përgatitet për garën e ardhshme elektorale. Askush nuk ka patur fitore më të madhe për ne me 17 %. Por do të ishte fatale në qoftë se do ta merrnim këtë si një të dhënë të sigurtë për fitoren e 2013. Fitorja e 2013 duhet të ndërtohet në çdo metër katror të këtij vendi. Fitorja e vitit 2013 duhet të ndërtohet me progres dhe zbatim gjithnjë e më të thellë të reformave. Fitorja e 2013 duhet të ndërtohet me ndryshime gjithnjë e më të mëdha, në të mirë të qytetarëve shqiptarë. Fitorja e vitit 2013 duhet të ndërtohet me thellim të mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit, me ndërmarrjen e një sërë masave për punësimin, me rritjen e mëtejshme të rrogave dhe të pensioneve, me finalizimin e infrastrukturës moderne, e cila po transformon vendin. Pra, siç e shikoni starti prej nga nisemi është vërtetë frymëzues, por gjithçka është për tu ndërtuar deri në vitin 2013 dhe në qoftë se mendojmë ndryshe do të mbetemi shumë të zhgënjyer. Ne, këtë raport që vendosëm me qytetarin duhet ta konsolidojmë, duhet ta ridimensionojmë, duhet ta zgjerojmë, duhet të mendojmë të aplikojmë çdo praktikë të mirë që i jep atij, një rol më të madh, një pjesëmarrje më të madhe.
Me një angazhim dhe përkushtim më të madh të përpiqemi të bëjmë gjithçka që këto vota që u dhanë për qeverisjen e mirë të deritanishme, ta përmirësojmë edhe me tej gjithnjë e me shume, qeverisjen tonë. Të bëjmë shumë më tepër për qytetarët e këtij vendi dhe sado që të bëjmë ne për ta, ne nuk arrijmë të bëjmë atë që ata meritojnë.
23/05/2011