Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë
“Zotërinj ministra,
Kryefjala e kësaj mbledhje është ligji i amnistisë. Përfituesit kryesorë të këtij ligji janë qytetarët shqiptarë, të cilët do të kenë mundësi të legalizojnë të gjitha paratë e tyre, kudo që i kanë të vendosura, kundrejt një tarife prej 3 përqind të shumës. Kjo tarifë është shumë më e vogël sesa interesi në lekë që japin bankat për depozitimet bankare. Në këtë rast është adoptuar tarifa më e ulët që është përdorur ndonjëherë në një ligj amnistie.
Por në ligjin e amnistisë përftimet e qytetarit janë dhe në pronat e paluajtshme. Të gjitha pronat e paluajtshme të paregjistruara do të mund të regjistrohen në vlerën e tyre të vërtetë dhe të mos paguajnë tarifën e sotme që është 10 përqind. Pas rivlerësimit, i cili është penguar për arsye të ndryshme dhe një ndër to taksat në burim, ata do të paguajnë tani gjithsej 1 përqind. Përfitimi këtu është se në rast se një apartament në vitin 2002 kushtonte 30 mijë dollarë dhe sot ky apartament, për shkak të ndryshimit të tregut, kushton 100 mijë euro, me ligjin në fuqi duhet të paguhej 30 mijë dollarë, ndërsa me tarifën e amnistisë prej 1 përqind paguan gjithsej 1 mijë dollarë dhe e regjistron të rivlerësuar. Pra ndodh një legalizim i plotë. Falen të gjitha taksat e tatimet e papaguara, gjobat dhe interesat. Pra nga data 31 dhjetor 2010 e para çdo detyrim është i amnistuar.
Amnistohet biznesi i vogël i paregjistruar, i cili regjistrohet dhe paguan tarifën prej 3 përqind. Falen sigurimet shoqërore për të punësuarit dhe të vetëpunësuarit, gjobat e vendosura para datës 31 dhjetor 2010 dhe paguan tarifën 3 përqind. Falen kompanitë me bilance jo të përshtatshme. U jepet mundësia të bëjnë paraqitjen e plotë të pasurive të tyre në bilance kundrejt një tarife 6 përqind. Pra bëhet një amnisti e madhe. Krijohet mundësia e vetëdeklarimeve të të gjitha pasurive për biznesin. Kjo amnisti, siç edhe e kemi theksuar, nuk përfshin të gjitha pasuritë që janë subjekt hetimi në përputhje me ligjin antimafia, pra me origjinë nga krimi e trafiqet. Nuk falen pasuritë e krijuara nga zyrtarë aktualë apo ish zyrtarë, dhe që janë të fshehura. Ruhet tërësisht konfidencialiteti i të amnistuarve dhe pasurive të amnistuara.
Pra mendoj se kjo amnisti në kuadrin e 20 vjetorit të përmbysjes së diktaturës është një vendim plotësisht i moralshëm, i argumentuar dhe i drejtë.
Është biznesi, natyrisht në përputhje me reformat e qeverisë, ai që ka bërë që Shqipëria, nga një vend me varfëri dhe papunësi rreth 80 përqind, të jetë një vend me varfëri 12 përqind dhe papunësi rreth 12 – 13 përqind. Është biznesi që ka bërë që Shqipëria dhe shqiptarët, nga një vend dhe komb në pozicionin e 3 apo të 4 më të varfër të planetit, të jenë sot në grupin e vendeve me të ardhurat të mesme të larta. Ky biznes është gjeneratori kryesor i punësimit, i mirëqenies, i zhvillimit. Në këtë kontekst është normale që edhe mëkatet të falen. Dua të përshëndes të gjithë ata që përfitojnë nga kjo amnisti. U bëj thirrje të shfrytëzojnë harkun kohor deri më 31 dhjetor të vitit 2011 që, në përputhje më këtë ligj, të përfitojnë nga çdo lloj detyrimi që amnistohet.
Ftoj edhe një herë opozitën që të votojë këtë ligj, si një dëshmi e vullnetit për të shfrytëzuar pushtetin që ka në interesin më të mirë të vendit. E ftoj që, në rast se ka vërejtje e sugjerime, të amendojë këtë ligj. Ky ligj është në interes kryekëput të qytetarit, të biznesit dhe jo, absolutisht, të buxhetit të shtetit. Janë vendosur tarifat më të ulëta që mund të vendoseshin. Ndaj gjykoj se opozita nuk ka as një shkak dhe asnjë arsye që të mos e votojë me gjithë zemër këtë ligj shumë të rëndësishëm, duke pasur parasysh se është ligj i vonuar. Sepse vendet e zhvilluara i përdorin amnistitë në mënyrë periodike. Liria e tregut nuk është askund më e gjerë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ky vend në mënyrë periodike i ka të programuara amnistitë. Përndryshe ne do të detyrohemi të operojmë me faljen, e cila natyrisht nuk ka spektrin e amnistisë. Falja është më e ngushtë dhe prej saj përfitojnë kryesisht dhe tërësisht biznesi i vogël, përfitojnë qytetarët, përjashtohet biznesi i madh në disa aspekte.
Gjatë hartimit të ligjit në tërësi janë respektuar sugjerimet e biznesit të vogël, biznesit të mesëm, biznesit të madh, sugjerimet e qytetarëve. Se, natyrisht, zyrtari dhe burokrati mund të kenë edhe ide të ndryshme, por ka predominuar mendimi i tyre dhe kjo për shkakun më kryesor se nuk janë bërë më parë amnisti që duhet të ishin bërë. Ndaj uroj që opozita ta votojë së bashku me ne. Në rast se ajo do të ndjekë praktikën e derisotme, zoti ministër i Financave në Parlament do të procedohet me faljen dhe secili do nxjerrë konkluzionin e tij.
Po sot ne vendosim faljen e detyrimeve ndaj OSSH-së, KESH-it, deri në ditën kur kontrata e firmosur midis OSSH-së dhe CEZ-it ndanë borxhet. Pjesa e borxhit e mbetur në KESH, në institucionin e energjisë, prej saj 380 miliardë lekë të vjetra apo 400 milionë dollarë janë borxhe të konsumatorëve familjarë. Janë, pothuajse, 98 përqind detyrime të shtresave në nevojë. E vërteta është që detyrues për faturat e energjisë janë 270 mijë familje shqiptare. Këto janë familje në ndihmë ekonomike, janë pensionistë pa burime të tjera të ardhurash përveç pensionit të tyre, janë gra kryefamiljare, jetimë, invalidë. Pra shtresat më në nevojë të popullatës, të cilët nuk kanë mundur të shlyejnë këtë detyrim. Qeveria vendos të falë këtë barrë të rëndë që bie mbi ta dhe që po të mesatarizohet arrin vlerën rreth 1407 dollarë për familje. Ky borxh është kontraktuar në atë periudhë kur ndihma ekonomike ka qenë simbolike, e një niveli shumë të ulët, kur pensionet e ulëta kanë qenë qartësisht më pak se gjysma e pensioneve të ulëta sot. Pra në fshat kanë qenë 34 mijë lekë të vjetra, në qytet ato janë luhatur tek 6 apo 7 mijë lekë. Pensionet kanë qenë shumë modeste për të përballuar jetesën. Situata aktuale e pensioneve nuk është aty ku duhet, por janë mbi dy herë më larta. U arrit që në qytet të mos ketë pension të plotë nën 100 dollarë. Madje të ardhurat pensionale janë 112 dollarë. U arrit që në fshat pensioni të jetë mbi dyfishin e asaj që ka qenë 4 vite më parë. Po kështu ndihma ekonomike ka pësuar rritje. Pavarësisht nga kjo, përsëri, një kategori familjesh janë në mjerim dhe ne po punojnë në identifikimin dhe ndërhyrjen për t’i nxjerrë nga mjerimi. Prapë ky komb dhe kjo pjesë e shoqërisë shqiptare, këto 12 përqind e familjeve shqiptare që nuk janë në mjerim, por janë në varfëri, jetën nuk e kanë pasur dhe nuk e kanë të lehtë. Ndaj dhe ne bëjmë këtë falje të gjitha detyrimeve. Shteti ua quan të paqena dhe gjykoj se ky është një veprim plotësisht i moralshëm, i arsyeshëm dhe një veprim i merituar në këtë 20 vjetor të diktaturës hoxhiste në Shqipëri.
Këtu kemi një seri vendimesh ndër të cilat dy janë sërish me interes. Në këtë mbledhje ne miratojmë përsëri shumën prej 1.5 miliardë lekë të reja apo 15 miliardë lekë të vjetra për shpërndarje për dëmshpërblim për ish të përndjekurit politik. Pra qeveria po bën gjithçka për tu qëndruar detyrimeve që ka ndaj të përndjekurve dhe pronarëve.
Në këtë mbledhje miratohet dhe një vendim “Për kompensimin e vlerës së taksës së biznesit të vogël të përdorur për rimbursimin e pajisjeve fiskale dhe taksimetrave, tek njësitë e qeverisjes vendore”. Edhe këtu unë dua të garantoj biznesin e vogël, taksistë dhe biznesin në tërësi se qeveria do të rimbursojë plotësisht dhe tërësisht pasaportën biometrike të biznesit të tyre. Vendosja e kasave përbën një hov të madh cilësor në drejtim të modernizimit dhe imazhit të vendit. Të mos harrojmë se ky vend vizitohet çdo vit nga mbi 3.5 milionë turistë dhe është gjëja më normale që ne të mos kemi dallim nga vende të tjera, aq më tepër që mungesa e tyre përbën një problem shumë serioz të gjithanshëm.
Zoti ministër i Financave, meqenëse jemi tek ky vendim, bëhet një lojë me taksistët dhe taksimetrat për ta. Me tjetër shumë ua kanë ofruar dhe tjetër shumë u kërkojnë. Ndaj dhe ky disbursim sigurisht që do t’i kalojë qeverisë vendore të Tiranës, por disbursimi do të bëhet në një bashkëpunim të autoritetit qendror tatimor me autoritetin lokal. Kjo, në mënyrë që të mos mund të ketë asnjë lloj deformimi. Ligji i miratuar në Parlament për këtë çështje dhe që e kanë vlerësuar shumë bizneset, taksistët, sepse edhe ata janë një biznes i vogël me një rëndësi jetike për vendin, të përjashtohet çdo mundësi abuzimi ndaj tyre. Se tani në largim zullumi bëhet më i madh. Ndaj dhe duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj çdo lloj forme zullumi që mund të bjerë mbi biznesin e vogël në Tiranë, që e duam aq shumë, dhe kudo në Shqipëri se është punësuesi kryesor në këtë vend dhe që jemi shumë të interesuar për suksesin e tij. Shpresoj që edhe kjo amnisti do të japë mundësi të zgjerojnë aktivitetin dhe të punësojnë edhe me shumë. Por edhe ndaj taksive. Janë burra dhe gra që me mundim, me lodhje, sigurojnë jetën e familjeve të tyre. Kështu që në disbursimin e kësaj shume, rreth 960 milionë lekë, të bëhet kujdes i madh për transparencë të plotë dhe të mos mund të ketë asnjë lloj deformimi të ligjit dhe të përcaktimit tonë ligjor për të disbursuar plotësisht dhe tërësisht detyrimin e kasës biznesit.
Një tjetër vendim është për shndërrimin e Akademisë së Arteve në Universitetin e Arteve. Edhe ky është një vendim i vonuar, pasi trupa pedagogjike e këtij universiteti gjatë gjithë këtyre viteve ka arritur nivele të larta profesionale. Ajo ka arritur në përgatitjen e artistëve të të gjitha zhanreve, ka arritur të hapë një seri katedrash dhe degësh të reja, të cilat kanë hapësire të gjerë në tregjet tona. Trupa pedagogjike Ka arritur t’i përgjigjet tregut dhe vendimi i shndërrimit në universitet është një vendim që përshtate plotësisht me statusin e realizuar nga profesorët, pedagogët, studentët e këtij universiteti. Është në meritën e tyre që talentet e shkolluara në këtë akademi kanë bërë dhe po bëjnë emër në skenat e galeritë në mbarë Evropën dhe botën. Ata i kanë dhënë një gjallëri krejtësisht tjetër krijimit artistik dhe jetës artistike kulturore të vendit. Ndaj me këtë rast, duke u shprehur vlerësimin tim më të madh dhe nderimin e qeverisë këtyre ekipeve të katedrave, departamenteve dhe fakulteteve, i uroj studentët dhe pedagogët për këtë eveniment shumë të rëndësishëm. Urojmë që në këtë traditë Universiteti i Arteve të Shqipërisë të vazhdojë të udhëheqë si qendra kryesore e këtij lloji për të gjithë botën shqiptare.
Sot miratojmë dhe vendimin për financimin e sistemit të kamerave për kryeqytetin, një sistem i domosdoshëm për sigurinë në tërësi në kryeqytet, por veçanërisht për sigurinë e fëmijëve tanë. Sistemi i kamerave është sistemi më modern i sigurisë i vendosur në Evropë dhe në botë. I vetmi problem imi zoti Basha, ndonëse je promotor i këtij projekti, rezervohu në votim që të mos kemi konflikt interesi.”
23/03/2011