E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në prezantimin e kandidatëve për deputetë në Fushë Krujë

“Qytetare dhe qytetarë të Krujës,

krutane dhe krutanë,

vëllezër e motra,

zonja dhe zotërinj,

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më vëllazërore!

Mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, grave dhe burrave, djemve dhe vajzave të kryeqytetit të historisë sonë kombëtare për mbështetjen tuaj të madhe, mbështetjen tuaj frymëzuese për Partinë Demokratike dhe për të ardhmen.

Në Krujë çdo shqiptar, kudo që ndodhet sonte, i çdo bindje dhe çdo besimi ka tempullin e përjetshëm të identitetit, të frymës dhe shpirtit të tij kombëtar. Në Krujë është heroi ynë i përjetshëm, është legjenda e luftërave dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri, identitet, vokacion perëndimor të shpirtit të tyre, është Skënderbeu.

Ne mblidhemi sot në këtë shesh pasi këto vite së bashku ia arritëm të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kontratën më të madhe me Evropën, për të cilën Skënderbeu luftoi dhe e mbrojti. Së bashku, me gratë dhe burrat e Krujës edhe të mbarë Shqipërisë, me punën e tyre të shkëlqyer, me përkushtimin e tyre të madh ia dolëm të anëtarësohemi në NATO, ta shndërrojmë Shqipërinë edhe një herë në kështjellën e përjetshme të Skënderbeut. Së bashku ia dolëm të meritojmë lëvizjen e lirë në mbarë Evropën. Së bashku merituam statusin e kandidatit dhe sot votuam ligjet në Parlament, për të ecur të sigurt në rrugën tonë drejt Evropës. Udha jonë është rrugë e vështirësive, por është edhe rrugë e suksesit, rrugë e dinjitetit, rrugë e të ardhmes. Në këto vite ne ia dolëm të ndërtojmë në Krujë dhe anekënd vendit mbi 10 mijë kilometër rrugë, ia dolëm të ndryshojmë Shqipërinë. Ndërtuam rrugë në të katër anët, rrugë në qytete, rrugë ndër-urbane, rrugë rurale, rrugë në fshatra, rrugë në majë maleve, rrugë kudo. Ne duam që shqiptarët kudo që jetojnë të kenë  infrastrukturë moderne, si qytetarë evropianë, të kenë rrugë, ujësjellës, shkolla, kanalizime dhe shërbimet më cilësore.

Në këto vite, vite më të vështirat për rajonin dhe më gjerë, ekonomia e Krujës u rrit, bizneset u dyfishuan. U dyfishuan bizneset në Shqipëri, u dyfishuan të punësuarit në Krujë dhe në Shqipëri. Në këto vite ne ndërtuam qindra e qindra shkolla. Ne katërfishuam studentët në shkollat tona. Ne mbështetëm fermerët në Krujë dhe në mbarë Shqipërinë. Sot Shqipëria ecën në rrugën e zhvillimit.

Shqipëri e zhvilluar, Shqipëri evropiane është qëllimi ynë më madhor.

Në këto vite ne ia dolëm të rrisim ndjeshëm rrogat dhe pensionet; ia dolëm të luftojmë me vendosmëri varfërinë; ia dolëm në një hark të shkurtër kohor që të ardhurat për frymë të dyfishohen. Ne së bashku bëmë gjithçka për një Shqipëri më të mirë, për një Shqipëri ku jetohet më mirë, fitohet më shumë. Ne do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë për punësimin tuaj, për mirëqenien tuaj. Në këto vite në Shqipëri numri i turistëve dhe vizitorëve u rrit nga 300 mijë në 4.7 milionë. Në këto vite Shqipëria u bë më e njohur se kurrë me potencialin e saj turistik.

Vëllezër e motra,

cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është akuza politike, mashtrime, trillime dhe bllokime.

Zoti Edi Rama me një akt, më të papërgjegjshmin, bllokoi statusin e vendit kandidat. A mundet që një shqiptar t’ua bënte shqiptarëve këtë që u bëri Edi Rama për 236 ditë? Le t’i shtrojmë pyetjen, të nderuar socialistë të Krujës dhe mbarë Shqipërisë, çfarë ndodhi që i votove sot pas 236 ditësh. A nuk thatë ju zotërinj, se po i bllokoni për Fierin, sot çfarë do t’u thoni qytetarëve të Fierit, që nuk kishe as motiv për t’i bllokuar, por spekulove me emrin e tyre për interesa personale!

Alternativa tjetër është alternativë mashtrimi. Këto ditë del e thotë se 95 përqind  e shqiptarëve pa taksa, por a mund të imagjinoni një vend të lirë, një komb të lirë, një shoqëri të lirë të mund të jetojë në kurriz të 5 përqind të qytetarëve të saj.

Shoku beson se mund të mashtrojë shqiptarët nën moton: ç’më duhet mua se çfarë them unë. Rritësi më i rrezikshëm i taksave del e mashtron tani se do t’i ulë ato.

Zonja e zotërinj, alternativat janë të ndara. Alternativa jonë është rruga e integrimit. Së shpejti do të marrim statusin e vendit kandidat, së shpejti do të hapin negociatat për vend anëtar të Bashkimit Europian. Bashkë me ju, me heqjen e taksës mbi makineritë dhe çdo gjë tjetër që duhet për prodhim, ne i dhamë bizneseve një shtytje të re, të fuqishme, e cila do të shoqërohet me krijimin e dhjetëra mijërave vendeve të punës. Në katër vite, ne tërhoqëm 4 miliardë dollarë investime, në katër vitet që vijnë do të tërheqim 6 miliardë dollarë investime të huaja.  

Në katër vitet që vijnë, jam këtu para jush për t’u zotuar se do të asfaltojmë çdo rrugë në të katër anët e tij e këtij qyteti, të këtij rrethi. Në të katër anët e rrethit, nga maja e Sarisalltik deri në Ishëm, ne kemi ndërtuar rrugë moderne, por ende kam një premtim për të mbajtur dhe ajo është rruga Krujë-Tiranë. Të dashur miq, unë nuk harroj kurrë fjalën e dhënë. Ju garantoj se ajo rrugë do të përfundojë brenda dy viteve të para të mandatit që vjen. Sikundër Mati do të vijë nga Qafë Shtama në Krujë dhe në Tiranë. Ne ndërtuam rrugën e kombit, ndërtuam e përfundon së shpejti autostrada Tiranë-Elbasan, do të ndërtojmë rrugën e Arbrit, Boshtin e Jugut, do të ndërtojmë çdo rrugë e do ta bëjmë Shqipërinë me rrugët më të mira në rajon e më gjerë. Kruja do të ketë ujësjellësin e ri, do të ndërtojmë ujësjellës e kanalizime në të gjitha zonat e fshatrat e rrethi të Krujës. Do të vazhdojë rritjen e mëtejshme të madhe të rrogave dhe pensioneve. Mësuesit do të marrin 700 dollarë. Ata le të rrinë në autobusin mavi, të shpifin, trillojnë, mashtrojnë, të përshpirten për etërit e tyre mizorë, se ata nuk kthehen kurrë më.

Qytetare e qytetarë të Krujës,

të quash Koço Kokëdhimën, Fidelin apo Tom Doshin rilindës të shqiptarëve është si të quash Zani Çaushin, Skënderbeun e tyre. Ndaj nga Kruja i bëj thirrje: mos i ofendo shqiptarët! Për shqiptarët, rilindësit janë shenjtorët e shqiptarësisë. Me rilindjen nënkupton rikthimin në pushtet të neobllokmenëve, por e shkuara në Shqipëri nuk do të kthehet kurrë. Ne do të ecim përpara drejt të ardhmes, përpara drejt zhvillimit, përpara drejt Europës.

Rroftë Kruja e Skënderbeut!

Rroftë Shqipëria!

Fitore!”


30/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›