Kryeministri Berisha prezanton kandidatët për deputetë të rrethit të Bulqizës
Të dashur qytetare e qytetarë të qytetit të Bulqizës, banorë të këtij rrethi, përshëndetjet e mia më të përzemërta për ju, për të gjithë banorët e këtij rrethi kudo ku janë. Mirënjohjen më të thellë ndaj jush, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhënë Partisë Demokratike, mbështetje e cila është dhe mbetet burim i madh krenarie për ne, burim frymëzimi për të bërë gjithçka që sëbashku të ndryshojmë gjithnjë e më shumë për mirë, jetën tuaj, sëbashku të ndërtojmë në këtë rreth infrastrukturën më moderne, sëbashku të punojnë për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e mëtejshme të rrogave e pensioneve, sëbashku të bëjmë gjithçka për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Vëllezër e motra,
gjatë këtyre viteve, në rrethin e Bulqizës kemi ndërtuar e rindërtuar rreth 16 shkolla, 19 ujësjellës, kemi ndërtuar rrugë kombëtare e rrugë rurale nga Klosi gjer në Trebishtë e Zerqan, në kufi me Librazhdin. Janë mbi 100 kilometra rrugë të reja të ndërtuara në qarkun tuaj. Në rrethin tuaj është pothuaj kompletuar përfundimisht rruga e Arbrit dhe unë jam sot këtu, për t’ju dhënë fjalën se rruga e Arbrit është projekti ynë më madhor, sëbashku me Boshtin e Jugut dhe se ne do ta bëjmë atë shumë shpejt realitet, për ju dhe për shqiptarët kudo ku janë. Rruga e Arbrit është rruga e dytë e kombit dhe në të po punohet drejt Urës së Vashës, po punohet nga Tirana drejt tunelit të Qafë Murrizit. Ajo përbën zotimin tonë solemn: ne do ta ndërtojmë atë, brenda dy viteve të para të mandatit tonë. Kemi ndërtuar mbi 34 kilometra dhe nga Tirana, pjesën më të vështirë të saj. Ne do të bëjmë çdo gjë që ajo të jetë realitet dhe Bulqiza afrohet me Tiranën, duke u bërë një nga rrethet më të afërta me kryeqytetin, në Shqipëri.
Vëllezër e motra,
ndryshime të mëdha pozitive kanë ndodhur në minierat e Bulqizës. Këto javë filloi punën traverbanku, do të fillojë punën fabrika e pasurimit, do të fillojë nga puna pusi i thellë që garanton minierën edhe për 100 vjet të tjera. Ju dhe unë do të kishim dashur që këto zhvillime, këto ndryshime të kishin ndodhur më parë, por ju garantoj se ritmi i tyre nuk ka të ndaluar dhe se Bulqiza do të jetë përsëri, një nga minierat më të rëndësishme në Europë e botë, për nxjerrjen e kromit. ju premtoj solemnisht minatorëve të Bulqizës, të Matit dhe të mbarë Shqipërisë se një nga aktet e para do të jetë mosha e tyre pensionit 55 vjeç.
Qytetare e qytetarë të Bulqizës,
rrethi juaj, rrethi i Matit, rrehti i Peshkopisë janë rrethe të pasura në ujëra. Në këto tre rrethe janë për t’u ndërtuar 80 hidrocentrale, që kanë një fuqi të instaluar mbi 300 megavat dhe në të cilat do të punësohen mbi 5 mijë qytetarë nga Bulqiza, Mati e Peshkopia.
Ne kemi investuar e investojmë në sistemet e vaditjes në Peshkopi, Bulqizë, Mat e kudo dhe ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për sistemin më modern të vaditjes. Ne kemi financuar me grante 42 mijë fermerë në mbarë Shqipërinë, kemi financuar edhe në Bulqizë dhe janë mbjellë shumë hektarë vreshta, dru frutorë e janë mbështetur fermat blegtorale. Nga këto grante, në Bulqizë kanë përfituar 230 fermerë dhe ju garantoj se gjatë vitet që vijnë, fermerët që do të përfitojnë nga grantet e qeverisë do të jenë tre herë më shumë. Ne do të trefishojmë grantet.
Të dashur miq,
ju bëj thirrje të votoni për Roland Ketën. Roland Keta është një biri juaj, i cili ka shumë vite në shërbimin tuaj si mjek, në shërbimin tuaj si qeveritar vendor dhe unë ju jap fjalën se me Rolandin, katër vitet që vijnë do asfaltojmë çdo rrugë në çdo skaj të këtij rrethi, se me Rolandin, katër vitet që vijnë do të ndërtojmë çdo ujësjellës e kanalizim për të gjitha fshatrat e zonat e këtij rrethi, se me Rolandin, katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka dhe rruga e Arbri do të inaugurohet gjatë dy viteve të para të mandatit të ardhshëm, me Rolandin dhe deputetët e tjerë. Katër vitet që vijnë do të ndërtohet në Bulqizë, infrastruktura më moderne nga kufiri me Librazhdin në kufi me Matin e Peshkopinë. Sëbashku do vazhdojmë rritjen e rrogave dhe pensionit. Ne i kemi mbidyfishuar ato për mësuesit, infermierët e mjekët. Mësuesit do të marrin 700 dollarë në krye të mandatit tonë të ardhshëm, rrogat e tjera do të rriten pandërprerë. Ne dyfishuam pensionet në fshat dhe do ta vazhdojmë rritjen e mëtejshme të tyre dhe rritjen e ndjeshme të pensioneve të minatorëve të Bulqizës dhe të Shqipërisë. Kjo është alternativa jonë.
Cila është alternativa tjetër?
Vëllezër e motra,
ju bëj thirrje të gjithë banorëve të këtij rrethi, të qarkut të Dibrës e mbarë Shqipërisë, nga ky shesh le të shtrojmë sëbashku disa pyetje. Zoti Rama, kur ne anëtarësoheshim në NATO, ti protestoje në Tiranë. E bërë këtë për interesin e shqiptarëve apo të tjetërkujt? Zoti Rama, kur ne luftonin për të marrë vizat, përpiqeshim të hiqnim vizat në mënyrë që qytetarët shqiptarë të lëviznin të lirë në Europë, ti ngrite çadrat para kryeministrisë, organizove protestat në mbarë Shqipërinë, nise e-mail e letra se po hoqët vizat, mbi ju do dynden një milion shqiptarë. E bërë këtë për interesin e qytetarëve shqiptarë apo të tjetërkujt?
Zotu Rama, herë pas here flet për Kosovën, herë pas here flet edhe për patriotizëm dhe çdo shqiptar ka të drejtë e detyrë të jetë patriot e atdhetar. Por shpjegoju pak shqiptarëve, kush e vuri çelësin në gjoksin e Goran Bregoviçit, këngëtarit të himneve mbi masakrat e Kosovës dhe emër të shqiptarëve apo në emër të tjetër kujt e bëre atë?
Zoti Rama, dje parlamenti votoi tre ligje, të cilat prisnin në sirtar dhe në agjendën e parlamentit, nga 1 janari i viti 2012 deri dje. Edhe pasi re dakord për t’i votuar, i bllokove përsëri. Atëherë, a mund t’u shpjegosh shqiptarëve, për interes të kujt i bllokove ato ligje për 236 ditë, për interes të këtyre fëmijëve, të këtyre burrave e grave, të socialistëve, të demokratëve apo të paparti apo për interes të tjetër kujt?
Nuk është në natyrën time të vë etiketa dhe epitete, por çdo shqiptar e ftoj të reflektojë e të mendojë se cilat janë arsyet që shtynë Edi Ramin të protestojë kundër NATO-s dhe para pak ditës ta quajë atë, natë, të bëjë gjithçka për të bllokuar vizat, të ngrihet e të thotë se po kërkon liberalizimin e vizave me Amerikën, në mënyrë që të dynden shqiptarët në Amerikë. Jo. Shqiptarët do të bëjnë gjithçka për të vizituar Amerikën, por ata do të bëjmë gjithçka për të ndërtuar Shqipërinë, për të lumturuar veten, për të ndërtuar të ardhmen e tyre në këtë vend.
Ndaj ju ftoj të ecim. Rruga jonë nuk ka qenë pa vështirësi, por ka qenë rrugë e suksesshme, rrugë e ndryshimeve të mëdha. Secili shqiptar ka firmën në anëtarësimin në NATO, secili shqiptar ka firmën në heqjen e vizave, secili shqiptar ka firmën në marrëveshjen e Stabilziim Asociimit, secili shqiptar ka firmën ka firmën në rritjen ekonomike të vendit, në rritjen e pensioneve, në ndërtimin e rrugëve, në ndërtimin të infrastrukturës, në statusin që do ta marrim së shpejti. Ndaj ju ftoj të ecim sëbashku. Përpara drejt zhvillimit! Përpara drejt Bashkimit Europian! Përpara drejt të ardhmes! Përpara drejt punësimit, drejt rritjes së rrogave e pensioneve, drejt mirëqenies dhe të ardhmes që meritojmë! Rrofshi ju! Rrofshin qytetarët e këtij rrethi, të Dibrës e mbarë Shqipërisë!
31/05/2013