E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezanton kandidatët për deputetë në Kamzë

Të dashur qytetare e qytetarë banorë të Kamzës, bastionit të fuqishëm të demokracisë, Kamzës blu, Kamzës së fitores tonë të shkëlqyer, mirëmbrëma! Përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen më të thellë juve, vajzave dhe djemve, burrave e grave që këto vite me punën, sakrificën tuaj, shpirtin tuaj punëtor dhe iniciativën e lirë ndërtuat këtu një nga qytetet më të mëdha të vendit, qendër të fuqishme të zhvillimit të Shqipërisë.

Qytetare të qytetarë të Kamzës,

mbështetja juaj ka qenë e një rëndësie të jashtëzakonshme. Sëbashku, këto vite, Kamza ka arritur ndryshime dhe zhvillime shumë pozitive. Sëbashku kemi ndërtuar e po rindërtojmë infrastrukturën më moderne, të denjë për ju, të denjë për Kamzën, shkolla, ujësjellës, kanalizime, rrugë, pallatin e kulturës, stadiumin dhe jam sot për t’u zotuar se katër vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë, çdo shesh në çdo skaj të këtij qyteti të bekuar. Së shpejti fillon ndërtimi i ujësjellësit që do të furnizojë me ujë, 24 orë, familjet tuaja. Kamza do të ketë universitetin tjetër, të vetin, për t’u shkolluar vajzat e djemtë nga Shqipëria dhe nga rajoni.

Kamza është qyteti i vetëm në Shqipëri që trefishoi bizneset. Gjatë katër viteve që vijnë, në Kamzë krijohen dhjetëra mijëra vende pune. Dy parqe logjistike janë në territorin e ngjitur me të, të cilat sëbashku kërkojnë mbi 30 mijë punonjës.

Katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë në Kamzë, një nga pallatet e sportit më modern në Shqipëri. Rruga jonë është rruga e zhvillimit të Kamzës, rruga e punësimit tuaj, rruga e rritjes së rrogave e pensioneve, e modernizimit të infrastrukturës dhe e shërbimeve të shkëlqyera për ju. Në këtë mënyrë, ne ndërtojmë Kamzën e zhvilluar, Shqipërinë e zhvilluar, Kamzën europiane, Shqipërinë europiane.

Këto vite, sëbashku ne ia dolëm të anëtarësohemi në NATO, të lëvizim të lirë në mbarë Europën. Mandatin e ardhshëm, ne sëbashku do të marrim statusin, do të hapim negociatat, do të liberalizojmë vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Alternativa jonë frymëzohet nga ju, bazohet në besimin e pakufishëm tek ju, tek shpirti juaj punëtor, iniciativa juaj e lirë.

Vëllezër e motra,

këto vite, ne kemi ndryshuar Shqipërinë. Ju jeni këtu nga të gjitha zonat e vendit dhe sot shkoni atje, me rrugë të reja dhe gjeni situatë krejt tjetër. Dua të garantoj këtu, komunitetin dibran, se ne që ndërtuam rrugën e kombit, ne që ndërtuam autostradën Tiranë-Elbasan, ne do të ndërtojmë rrugën e Arbrit, do të ndërtojmë Boshtin e Jugut, ne do t’i bëjmë shqiptarët me rrugët më të mira në rajon e më gjerë.

Socialistë, demokratë e të paparti të bashkisë Kamzë e të gjithë Shqipërisë, cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është etiketimi juaj një herë si shpellarë, herën tjetër si çeçenë. Urdhëro zoti Rama, këta burra që janë këtu, që kanë ardhur nga të katër anët e vendit, kanë ndërtuar me supet e tyre, me shpirtin  tyre, vilat e shtëpitë e bukura, kanë ndërtuar qytetin e 6-të më të madh të Shqipërisë. Po ju, çfarë keni bërë? Një piktor i dështuar, që e latë Tiranën me 250 kilometra rrugë të paasfaltuara. Ishit ju zoti Rama, që bëtë gjithçka që këta gra e burra të mos lëviznin pa viza në Europë. Për një vit rresht mbajtët peng statusin e vendit kandidat. Sot qarkon me autobusin tënd. Je identik si me qenë binjak me Nastradinin. Ai udhëtonte me veshgjatin, ti udhëton me autobusin bunker. Ndaj, 23 qershori do të të përcjellë ty në banesën e gënjeshtrës, do të përcjellë në bunkerin e harresës.

Ju ftoj të gjithëve, vëllezër e motra, këto ditë le të bëjmë fushatën më të bukur, të bëjmë gjithçka për të bindur çdo qytetar të Kamzës, të votojnë për alternativën e Partisë Demokratike, të votojnë për integrimin, të votojnë për punësimin, të votojnë për rritjen e rrogave e pensioneve, të votojnë për Kamzën e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar. Përpara për punësimin! Përpara për rroga më të larta! Përpara për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian! Rrofshi ju! Rroftë Kamza! Rroftë Shqipëria!   


30/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›