Kryeministri Berisha në forumin e energjetikës: Shqipëria do të bëhet një vend lider në Rajon, për prodhimin e energjisë së rinovueshme
Kryeministri Berisha ka qenë sot i pranishëm në forumin e organizuar në Tiranë nga Konfindustria për sektorin e energjisë. Në këtë takim kanë marrë pjesë rreth 30 kompani të mëdha dhe u prezantuan 7 projekte madhore të energjisë në proces si dhe u diskutuan skemat e financimit të tyre. Qëllimi i forumit është diskutimi i modelit ekonomik të aplikuar në Shqipëri për nxitjen e investimeve në energji si dhe modelet e financimit afatgjatë për projektet madhore.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë të gjithë përfaqësuesve të kompanive të rëndësishme që operojnë në këtë fushën në vendin tonë, të cilat me projektet e tyre kanë shndërruar Shqipërinë në një vend shprese të vërtetë në rrafshin energjetik.
Duke ftuar investitorët të kenë sytë nga Shqipëria për të investuar edhe më shumë në këtë sektor, Kryeministri Berisha tha se Shqipëria ka potenciale të mëdha ujore dhe më shumë se 2/3 e tyre janë të pa shfrytëzuara. Gjithashtu, u shpreh Kryeministri, Shqipëria ka potenciale të mëdha për të shfrytëzuar në fushën e hidrokarbureve, ka potenciale të mëdha eolike dhe solare.
Kryeministri Berisha u shpreh se, Shqipëria do të bëhet një vend lider në Rajon në prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe në eksportin e saj.
Gjithashtu kryeministri u ndal tek projekti më i rëndësishëm që Shqipëria ka firmosur, projekti TAP, i cili do të furnizojë vendin me gaz, por do të krijojë mundësinë e hapjes së dhjetëra e qindra vendeve të reja pune.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha u shpreh:
Të nderuar të pranishëm
Së pari përshëndetjet e mia më të përzemërta për këtë forum që organizoni në Tiranë, padiskutim për çështjen më themelore të zhvillimit dhe të ekonomisë çështja e energjisë.
Unë shfrytëzoj rastin për t’ju shprehur një mirënjohje të thellë, të gjithë përfaqësuesve të kompanive këtu. Përfaqësuesve të Statkraf, përfaqësuese të Petromasa, Shell , EVI, Verbund, Toshiba, të të gjitha kompanive, të cilat janë sot në Shqipëri dhe me investimet e tyre, me projektet e tyre kanë shndërruar Shqipërinë në një vend shprese të vërtetë në rrafshin energjetik. Janë bërë me emrin e tyre një faktor shumë i rëndësishëm në inkurajimin e investitorëve të tjerë nga Europa dhe mbarë Bota për të parë me interes investimet e tyre në këtë vend, që në hartë është një vend i vogël, por që realisht ka potenciale të mëdha në këtë fushë. Shqipëria ka potenciale të mëdha reale, potenciale të mëdha ujore të pa shfrytëzuara, më shumë se 2/3 e tyre. Ka potenciale të mëdha për të shfrytëzuar në fushën e hidrokarbureve, ka potenciale të mëdha eolike dhe solare.
Shqipëria ka një pozicion të shkëlqyer gjeografik jo vetëm se është briri më perëndimor i Rajonit, porta e perëndimit drejt Ballkanit dhe e Ballkanit drejt perëndimit, por Shqipëria është e vendosur në një gadishull, që është shumë premtues me rezervat e tij të mëdha, me ambicionet për të kapërcyer sa më shpejt paudhësitë që e bllokuan dy dekadat e fundit. Ballkani do të jetë së shpejti një nga rajonet me rritjen më të shpejtë në Europë. Një nga rajonet me rritjen e konsumit të energjisë më të madhe. Fatmirësisht Ballkani është gjithashtu rajoni i rezervave kolosale energjetike dhe kur themi Shqipëria ajo duhet parë e tëra e integruar në një rajon me dinamizëm të madh me potenciale të mëdha .
Zonja dhe zotërinj.
Këto kanë qenë vite jo të lehta për ekonominë e shumicës së vendeve të zhvilluara. Kanë qene vite krize, por këtu në Shqipëri në fushën e energjetikës këto kanë qenë vitet më të mira në tërë historinë e energjetikës shqiptare. Qeveria shqiptare ka firmosur me kompanitë e energjisë së vendeve të ndryshme të Norvegjisë, Italisë, Turqisë, Austrisë dhe shumë vendeve të tjera 127 kontrata, për ndërtimin e 363 hidrocentraleve nga 443 që janë për tu ndërtuar të vegjël të mesëm dhe të mëdha, pastaj në mikro ata janë të panumërt. Në këtë sistem dhe nga këta 363 hidrocentrale, me te cilët janë firmosur kontrata 53 kanë përfunduar. Dhjetar e dhjetëra të tjerë janë afër përfundimit e në ndërtim e sipër. Këto ditë fillojnë punimet e projektit më të madh në historinë e energjetikës shqiptare, që është projekti i Kaskadës së Devollit, por së shpejti po këto ditë fillon Kaskada e Fanit. Në të katër anët po ndërtohet, çka dëshmon për një perspektivë reale, të energjisë të kësaj fushe në Shqipëri. Po kështu jemi në prag të një vendimi të madh historik të konsorciumi Shah Deniz 2, se cili do të jetë vendimi, do ta shohim nga fundi i muajit qershor, por një gjë do të jetë e qartë si drita e diellit, projekti më fizibël, më ekonomik, më i strukturuar, është projekti i TAP.
Unë uroj dhe besoj se vendimi do të jetë për këtë projekt, për të cilin konsorciumi serioz ka vite të tëra që e elauburon gjithçka në detaje. Ka vite të tëra që ka përgatitur çdo gjë dhe është i gatshëm të fillojë punën. Dua të theksoj këtu se edhe për ekuilibrat energjetike të Europës ky projekt duhet marrë me përparësi. Ndaj Nabuco light, i cili është një projekt në nxitim e sipër, është një projekt që lindi nga projekti Nabuco big. Me këtë nuk duhet të them se nuk duhet të ndërtohen, por koha pret. Uroj dhe shpresoj që vendimi të jetë i bazuar mbi parimet e tregut. Ne nga konsorciumi nuk kërkojmë gjë tjetër veçse respektin e plotë të rregullave të tregut.
Zonja dhe zotërinj
Tregut të TAP iu shtruan dhe tre vende të tjera të Ballkanit, Kroacia, Bosnja, Mali i Zi dhe absolutisht Kosova është kandidat në çdo rast dhe kushdo tjetër. Këta u bashkuan me vullnetin e mirë për të qenë në listë kur vjen momenti që TAP mund ti furnizojë ato me gaz. Shqipëria siç theksoi zoti Macnamara është një vend për tu konsideruar në mënyrën më serioze për naftën, që nga traktate e mesit të viteve 800 e deri më sot besimi se Shqipëria është një vend i pasur në naftë nuk ka ndryshuar. Unë dua të përgëzoj dhe të përshëndes me mirënjohje të gjithë ato kompani, të cilat po eksplorojnë me besimin më të madh se ky vend është vend i rezervave më të mëdha. Se Patos- Marinza, fusha më e madhe naftë mbajtës enë Europë nuk mund të jetë një ishull i izoluar në këtë tokë, por potencialet e tjera të mëdha do të zbulohen.
Zonja dhe zotërinj
Jam i vetëdijshme për vështirësitë që keni kaluar, por nga ana tjetër ju garantoj se qeveria ka bërë dhe do të bëjë çdo gjë për të shndërruar projektet tuaja në një histori të vërtetë suksesi. Qeveria ka vendosur një regjim fiskal të drejtë, 10 përqind taksën e sheshtë. Qeveria tani ka ndërmarrë një hap edhe më të drejtë, heqjen e çdo takse apo tarife mbi kapitalet e çdo lloji, mbi makineritë dhe çdo gjë tjetër që përdoret për prodhimin. Qeveria ka bërë një hap ekstra, ka hequr taksën ka hequr tvsh për çelikun dhe çimenton që përdoret për ndërtimin e hidrocentraleve, të gjitha këto i kemi bërë në një mënyrë që të mund të lehtësojmë ta bëjmë Shqipërinë më kompetitive, të ulim kostot të kontribuojmë modestisht në suksesin tuaj. Ju siguroj se kjo nuk është paketa e fundit. Jo. Ne jemi forcë politike që besojmë në taksat e ulëta. Ne besojmë dhe qëndrojmë të vendosur në platformën tonë. Ne kemi të drejtë të besojmë. Dua t’ju informoj ju se nga viti 2006 deri në vitin 2012 qeveria ime pas uljes së taksave ka inkasuar 9.2 miliard dollarë më shumë, sesa qeveria e mëparshme për të njëjtën periudhë. Ne kemi më shumë arsye të besojmë në uljen e taksave, nëse ne ulim taksat qëllimi më i parë është që ju të rrisim bizneset tuaja, të rrisim punësimin, për ne është një oportunizëm i jashtëzakonshëm të punësohen në sektorin e energjetikës dhjetëra e mijëra qytetarë shqiptarë. Ne duam që Shqipëria të bëhet një vend lider në Rajon në prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe në eksportin e saj. Qeveria katër vitet që vijnë do të jetë shumë më aktive në partneritetin publik privat për ju. Qeveria do të ndërtojë linjën nën ujore me Italinë, është një shans i madh për Shqipërinë, që vendoset përballë një gjiganti të konsumit të energjisë. Qeveria do të bëjë çdo përpjekje në mënyrë që të gjitha kaskadat të nisin ndërtimin me shpejtësi dhe të ecin. Jam shumë i lumtur dhe i gëzuar, që sot bursa e Stambollit një bursë me tradita të shkëlqyera, firmos me bursën e Tiranës , marrëveshjen dhe kjo hap një epokë të re. Ky do të jetë një inkurajim shumë i madh për zgjimin e kapitaleve të fjetura të qytetarëve shqiptarë. Investimin e këtyre kapitaleve në fushën e energjisë, realisht sot mendoj se është fusha më e leverdishme dhe më e sigurtë. Dhe njëherë dua t’ju falenderoj me shumë mirënjohje për praninë tuaj sot, por mbi të gjitha për besimin e palëkundur për asistencën që ju keni dëshmuar me projektet tuaja për shndërrimin e projekteve tuaja të bukura në një realitet suksesi për Shqipërinë.
Faleminderit
28/05/2013