Kryeministri Berisha në inaugurimin e fillimit të punimeve për rikonstruksionin e rrugës Lushnje- Hysgjokaj-Rrasë-Vashaj
Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot në inaugurimin e fillimit të punimeve për rikonstruksionin e rrugës Lushnje- Hysgjokaj-Rrasë-Vashaj, në rrethin e Lushnjës . Rruga do të ketë një gjatësi 22 km dhe gjerësi 5,5 metra, do të ketë një vlerë investimi prej 1.1 miliard lekë.
Ky segment rrugor i financuar nga BERZH-BEI_IPA dhe Qeveria shqiptare do të bëjë përfitues 22 mijë banorë të komunave Hysgjokaj, Golem, Ballagat, Rrasë, Sheze, Gjocaj. Ky segment rrugor është në vijim të disa investimeve në Qarqet Fier dhe Elbasan të kryera nga FSHZH. Ajo do të jetë e pajisur me trotuare në zonat e banuara, vepra arti, sinjalistikë rrugore horizontale e vertikale.
Kjo rruge se bashku me segmentet Belsh – Fierse – Kosove e vogël si dhe Mollas – Selite – Frashër; Gostime – Gjyrale – Belsh dhe Grekan – Deshiran – Vlashuk, do tu vije në ndihme fermerëve, të një prej zonave me prodhimtari më të lartë bujqësore dhe blegtorale ne vend.
Komunat Hysgjokaj, Golem, Ballagat, Rrase, Sheze, Gjocaj së bashku me fshatrat rreth tyre, njihen për prodhimet e serave, por që sot arrijnë me vështirësi në tregjet rajonale të Lushnjës, Elbasanit dhe Beratit për shkak të gjendjes së rrugëve. Pas përfundimit të këtij segmenti, prodhimet e zonës jo vetëm që do të shkojnë më shpejt në këto tregje, por do të kenë mundësi për eksportin e tyre dhe në vendet e rajonit.
Nga kjo qeveri në këtë zonë janë duke u bërë katër investime të rëndësishme për banorët e këtyre komunave. Po ndërtohet rruga Lushnje-Hysgjokaj me vlere 615 milionë lekë. Po ndërtohet rruga Hysgjokaj-Rrasë-Vashaj me vlerë 460 milion lekë. Rruga Hysgjokaj-Canakaj me vlerë 50 milion lekë, si dhe rruga Canakaj –Ballagat me vlerë 58 milion lekë.
Kryeministri Berisha ka vlerësuar investimin që qeveria po bën në këtë zonë dhe ka premtuar se në katër vitet që vijnë qeveria do të vazhdojë të mbështesë çdo projekt për ndërtimin dhe zhvillimin e kësaj zone.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur miq.
Zoti ministër.
Zotërinj deputetë të Lushnjës dhe të qarkut të Fierit.
Zoti kryetar i Komunës.
Ju falenderoj shumë përzemërsisht për këtë pritje. Është e vërtetë që këtu kam ardhur disa herë dhe arsyeja pse unë kam ardhur disa herë tej ju qëndron në një fakt të thjeshtë, nga hera e parë deri më sot, unë vij këtu dhe mahnitem me punën tuaj të mrekullueshme. Unë frymëzohem kur vij në Hysgjokaj dhe unë ftoj shqiptarët, të gjithë ata, të cilët mund të vënë sado pak në dyshim, të vijnë në këtë kodër dhe të sodisin. Ju them se të gjithë do të mësojnë këtu. Urdhëro zotëri, urdhëroni miq. Serat në shpate. Këtu nuk ka fusha, këtu ka vetëm kodra. Ka lugina më tutje, por kjo është zonë thellësisht kodrinore. Shiko sa bukur e kanë qëndisur fermerët e Hysgjokajt, shpatet e këtyre kodrave. Çfarë bëni ju për të nxjerrë të mira nga balta e tokës suaj, duke e vaditur me djersën dhe mundin tuaj. Serat në shpate, se nuk ka rrafsh, kodrat janë qëndisur dhe vazhdojnë të qëndisen me ullishte, dru frutorë, toka të punuara. Unë ju them juve se këtu, ju jeni Europë, çfarë keni patur ju në duart tuaja, në shpirtin zemrat tuaja, ju e keni ndërtuar. Rruga është e vonuar për ju. Rruga ju mungonte. Rruga po ndërtohet. Rrugën e meritoni plotësisht ju.
Kjo rrugë për buxhetin nuk është e pakushtueshme. Kjo rrugë Lushnje- Hysgjokaj-Rrasë-Vashaj ka një vlerë totale prej 1.1 miliard lekë, por edhe 10 miliard po të kushtonte ju e meritoni plotësisht. Nga kjo rrugë, përfitoi 22 mijë gra dhe burra, vajza dhe djem që janë të vendosur ta shndërrojnë këtë zonë, në një nga zonat e prodhimit më të fuqishëm. Kjo është e gjithë përpjekja jonë. Përpjekja jonë është që ju të begatoheni me tokën tuaj gjithnjë e më shumë. Që ne t’ju mbështesim juve. Hidhni sytë në atë kodër, ku janë ato shtëpi, ata fermerë çdo pëllëmbë të tokës rreth shtëpive të tyre e kanë qëndisur, e atëherë si të mos bëjmë ne gjithçka që ata të kenë rrugët më të mira, dritat më të mira, shkollat më të mira, ujësjellës, kanalizime, që ata të kenë shërbimet njëlloj si lagjet e qyteteve tona. Po pse do ti diskriminojmë ata atje, gra dhe burra, që kanë bërë gjithçka për të jetuar më mirë? Filozofia jonë është, që ne do të bëjmë gjithçka, që shqiptarë kudo që janë të mund të begatohen. Gjatë katër viteve të fundit, ne kemi financuar këtu në Hysgjokaj, në Lushnje, në mbarë Shqipërinë, 42 mijë fermerë, shumë apo pak janë më shumë se 10 përqind e fermerëve të Shqipërisë. Këtë angazhim tuajin ne do ta kthejmë me trefishimin e këtij granti për ju. Nga 56 milion dollarë do të bëhet 165 milion dollarë. Kjo ju takon. Çfarë po bëjmë ne? Ne po investojmë dhe po ju mbështesim ju për tu shpërblyer për kontributin e madh që ju jepni, në prodhimin kombëtar të vendit, për kontributin e madh që ju jepni, në konsolidimin e ekonomisë shqiptare duke ndikuar thellësisht në balancën tregtare të vendit. Rruga jonë është një rrugë e ndershme e bazuar në projekte zhvillimi.
Unë mund t’ju them juve se këto vite në Lushnje, në Fier dhe kudo në Shqipërinë rurale është investuar nga 10 deri ne 22 herë më shumë se 8 vitet e qeverisjes socialiste. Ka edhe një arsye madhore, pse ne ju mbështesim juve. Ne po ecim drejt Integrimit Europian, një treg i pafund, tregu më i madh i botës hapet para nesh, por konkurrenca në këtë treg nuk është e thjeshtë. Ne duam që ju të forcoheni, ne duam që ju, të rrisni prodhimet nga fermat tuaja, në mënyrë që me dinjitet siç po konkurroni sot të vazhdoni të konkurroni në tregjet Europiane. E vërteta është se eksportet bujqësore ne disa fusha, perime, zarzavate etj janë trefishuar falë punës suaj dhe ju përsëri nuk keni pasur rrugët që meritoni, nuk keni pasur vaditjen që meritoni, prapë keni vështirësi me plehrat kimike. Çfarë bëmë ne tjetër përveç grantit? Jam këtu për tu zotuar para jush, dhe të gjithë fermerëve të Lushnjës se në përputhje me kërkesën e tyre ne do të rimbursojmë më para në dorë TVSH e çdo makineri, çdo mjeti, çdo inputi, plehu, kimikatet, që ju do të përdorni për rritjen e prodhimit tuaj në këto ferma. Ne do të kompensojmë me para në dorë akcizën e naftës që ju do të shpenzoni për punimin e tokës në fermat tuaja dhe fjala ime e fundit për ju është. Ju e shihni që ne po ndërtojmë këtë rrugë. E vërteta është siç e thash rrugët kanë çmimin e tyre dhe ne do ti përballojmë, por ju garantoj juve se sapo ky projekt ti afrohet finalizimit, në shkallën më të gjërë, do të ndërmarrim sistemin më modern të vaditjes për ju dhe fermerët shqiptarë kudo që janë. Projekti i vaditjes, fillon në shtator dhe Lushnja është rrethi ku do të fillojë aplikimi i parë ti tij me 60 milion euro. Por le të kushtoje 200, le të kushtojë 400, 800 milion apo një miliard, projekti i vaditje do të jetë projekti më i madh i katër viteve që vijnë, sëbashku me Rrugën e Arbërit dhe Boshtin e Jugut. Këto janë tre projektet gjigande të katër vjeçarit të ardhshëm.
Zonja dhe zotërinj.
Po shkojmë drejt zgjedhjeve. Në këto zgjedhje ju jeni para një zgjedhjeje të madhe. Do të zgjidhni ju të ecni për finalizimin e një infrastrukturë më moderne edhe unë besoj se rrugët e ndërtuara deri më tani janë rrugë që faktojnë se ne jemi të përkushtuar ndaj infrastrukturës suaj. Ne do të shkojmë drejt finalizimit të ndërtimit dhe rindërtimit të çdo shkolle në Lushnje dhe në Shqipëri, ujësjellësve, kanalizimeve, vaditjes, do të shkojmë ne drejt integrimit të sigurtë të Bashkimit Europian, marrjes së statusit, hapjes së negociatave, apo do të ndiqet platforma, akuzo- akuzo, moho- moho gjithçka, trillo-trillo çdo gjë.
Zoti kryetar i komunës. Ju lutem ftojeni këtu shokun e autobusit. I thuaj, hiqi pak syzet e etërve tuaj, hidhi sytë vetëm në atë shpat të shohësh ti se ku janë Hysgjokajt, se kush janë gratë dhe burrat e kësaj komune, çfarë dinë të bëjnë ata. I thuaj se ato nuk i ka bërë Sali Berisha, i thuaj se ato shpate nuk i ka qëndisur Sali Berisha, ato sera në shpatin e Hysgjokajt nuk i ka ndërtuar Sali Berisha. Ato i kanë ndërtuar gratë dhe burrat e kësaj komune. Po, Sali Berisha dhe qeveria e tij ka bërë dhe po bën gjithçka që t’jua lehtësojë jetën atyre. Tu japë atyre shërbimet dinjitoze që meritoni. Ndaj dhe të vazhdojmë sëbashku për Hysgjokajn e zhvilluar, për Lushnjën e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar për Shqipërinë Europiane .
Rrofshi ju.
Rroftë Lushnja.
Rroftë Shqipëria.
Përpara, Përpara, Përpara!
29/05/2013