Fjala e Kryeministrit Berisha në prezantimin e kandidatëve për deputetë të qarkut të Shkodrës

Qytetare e qytetarë të Shkodrës, vëllezër e motra, zonja e zotërinj, mirëmbrëma, përshëndetjet më të përzemërta nga Tirana, Elbasani, Fieri, Vlora, Korça, Lezha, Lushnja, Kukësi, Peshkopia. Sot, mbarë sytë e shqiptarëve janë të drejtuar këtu në Shkodër, në zemrën e demokracisë. Në këtë shesh rrahin sot zemrat e shqiptarëve, këtu festohet besimi i tyre i madh tek fitorja, tek liria, tek e ardhmja. Sëbashku me ne festojnë sot banorët e qarkut të Shkodrës dhe dua t’u jap përshëndetjet më të përzemërta banorëve të Malësisë së Madhe, Pukës, të gjithë banorëve të këtij qarku të mrekullueshëm.
Vëllezër e motra,
zonja e zotërinj,
sot çelim këtu fushatën elektorale me mitingun më madhështor, me të cilin Shkodra ka çelur fushatat e saj, me besimin më të madh tek fitorja jonë, me vendosmërinë më të madhe për një projekt tjetër të ri për Shkodrën, Pukën, Malësinë e Madhe, Lezhën, Tiranën, mbarë Shqipërinë.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
këto vite, ne sëbashku kemi firmosur ndryshime të mëdha, kemi realizuar ëndrra shekullore. Këto vite, ne sëbashku u anëtarësuam në NATO. Ne sëbashku firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Ne sëbashku merituam heqjen e vizave dhe lëvizim të lirë në mbarë Europën. Ne sëbashku merituam statusin e vendit kandidat dhe do ta marrim atë së shpejti.
Në këto pak vite, mundi, djersa, ndershmëria, përkushtimi, shpirti juaj punëtor, gjenia juaj krijuese bëri që ne të rritemi më shpejt se kurrë në historinë tonë. Në këto pak vite, shkodranet e shkodranët e lirë kanë rritur biznesin e tyre dy herë e gjysmë, krahasuar me pak vite më parë. Në këto pak vite, ne ndërtuam nga ura e Fierzës, në kufi me Tropojën, deri në Velipojë, nga Vermoshi deri në Pojan të Pukës, qindra e qindra kilometra rrugë. Ne po ndërtojmë kudo atë infrastrukturë që ju burrat e gratë e Shkodrës, e Malësisë dhe Pukës meritoni ta keni. Në këto pak vite, universiteti i Shkodrës po shkon drejt dyfishimit. Ne ndërtuam e rindërtuam në këtë qark, mbi 120 shkolla për fëmijët tanë. Ndërtuam me dhjetëra e dhjetëra ujësjellës e vepra të tjera publike.
Shkodrën e përjetësisë së kombit shqiptar e bëmë sërish të njohur në mbarë Europën. Me qindra e mijëra turistë vizitojnë qytetin e mrekullueshëm, vizitojnë qarkun e Shkodrës, pasuritë kulturore e mahnitëse të tyre, por më mahnitëse se çdo gjë, shkodranët me shpirtin e tyre të bardhë, shkodranët me vlerat e tyre të mëdha.
Në një hark kohor të shkurtër, ne bëmë që ky vend, ky qytet të mos jetë ai që ishte më parë. Dhe kjo na jep neve besimin e madh se katër vitet që vijnë do të jenë më të bardha, më të mira, më të begata në tërë historinë tonë. Ndaj, unë jam sot këtu, për t’ju dhënë juve fjalën se katër vitet që vijnë, ne do të marrim statusin e vendit kandidat, do të firmosim për hapjen e negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës e të mbarë Shqipërisë,
katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për të liberalizuar vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miqtë e mëdhenj të Shqipërisë mezi presin që ne të plotësojmë kushtet, për të lëvizur me viza të liberalizuara në vendin e madh të lirisë.
Katër vitet që vijnë, në çdo lagje, fshat e komunë, në çdo skaj ne do të ndërtojmë infrastrukturën moderne europiane. Shkodra do të ketë autostradën me katër korsi që do lidhet me Tiranën. Shkodra do të ketë të përfunduar By pass-in, zgjerimin e mëtejshëm të rrugës së Murriqanit, rindërtimin e stadiumit dhe Vllaznia në krye, stadiumin e ri të lojërave me dorë, rindërtimin e plotë të teatrit, fototekës Marubi, muzeut dhe të gjitha mjediset e saj do të ngrihen në lartësinë e qytetit mijëravjeçar.
Vëllezër e motra,
gjithçka që kemi arritur gjatë këtyre viteve, të gjitha arritjet tona janë vepër e qytetarëve të Shkodrës, e qytetarëve të Shqipërisë, janë vepër e atyre që besojnë tek vlerat njerëzore e hyjnore, janë vepër e atyre që besojnë tek Shqipëria, tek e ardhmja e saj. Kjo është alternativa jonë, kjo është rruga jonë. Ndaj ne ftojmë çdo qytetar, të ecim përpara drejt një mandati të ri, drejt ndryshimeve të tjera të mëdha, drejt Shkodrës së zhvilluar, Shqipërisë së zhvilluar.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës e të mbarë Shqipërisë,
çfarë ndodh në kampi tjetër? Kampi tjetër po shëtit në rrugët e Shqipërisë në bunkerin e vet mavi, në autobusin mavi. Zoti Rama, këtu nga Shkodra, meriton përgjigjen e çdo shqiptari. Të krahasosh Sami Frashërin, Pashko Vasën, Filip Shirokën, Andon Zakon, Naim Frashërin me bandën e bllokmenëve të rinj në autobusin mavi, ke fyer çdo shqiptar, ke fyer rëndë baballarët e gjyshërit e tyre dhe ndëshkim i madh të pret më 23 qershor.
Zoti Rama, në autobusin me xhama të zinj nuk shëtit vepra e të madhit Sami Frashëri, vepra e pavdekshme e Patër Gjergjit apo “Albumi” i Nolit, por me ty janë dekretet mizore të babait tënd që varte qytetarë vetëm pak vite më parë, me ty janë aktet barbare të dosjeve mbi shqiptarët. Në autobusin tënd janë aktet çnjerëzore të rrënimit të institucioneve kulturore e fetare të kombit shqiptar. Në autobusin tënd, në bunkerin tënd shëtit ligësia ndaj çdo qytetari shqiptar, shëtit ligësia ndaj çdo fëmije, ndaj çdo të riu, ndaj çdo gruaje e burri, që ti, duke përdorur pushtetin e tyre, ju bllokove statusin e vendit kandidat për një vit rresh, për të zbatuar testamentin e babait tënd.
Zoti Rama, ty nuk të vjen mirë, kur unë të përmend aktet mizore të etërve të tu, por si mund ta shpjegoj, thuajua qytetarëve, kur ti u deklaron sot se NATO është natë, je i sëmurë psikik apo i biri i të atit!? Cili je ti që guxon të thuash këtë gjë!? Kur ti u thua 40 mijë vajzave e djemve, burrave e grave, misionarë të dijes që mësojnë fëmijët tanë, se janë injorantë e se dinë më pak se 100 vjet më parë, je i sëmurë psikik apo je i biri i të atit që urren njerëzit e lirë, forcën e lirisë së tyre!? Zoti Rama, nga Shkodra të pyes, kur ti nga bunkeri yt mavi ke zemër t’i quash nxënësit, fëmijët tanë, nipërit e mbesat tona dele që hyjnë në klasë, je i biri i të atit apo je i sëmurë psikik!? Cila është e vërteta, thuaja shqiptarëve! Zoti Rama, Shkodra të kërkon llogari, Shqipëria do përgjigje të fortë. Kur ti nga autobusi yt mavi u thua vajzave tona, nënave e motrave tona, grave tona që kalojnë orë e orë dhe net të tëra, duke u shërbyer njerëzve tanë të dashur në spitale, se ti ke frikë të shkosh atje pa gruan, je i sëmurë psikik apo biri i të atit, që ke tmerr e frikë nga njerëzit e lirë!?
Zoti Rama, ti e sheh Shqipërinë me syzet e zeza të etërve të ty, që kërkon t’i rilindësh, por me Vatërlo i përmbysëm, Vaterlo do të të japim ty, më 23 qershor.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës jeni të thirrur sot nga ora e historisë. Mandati i 8-të duhet të jetë vepra juaj. Shqipëria, Shkodra, Europa pret nga ju, gratë e burrat e Shkodrës, vajzat e djemtë e saj kudo ku jeni, 8 mandate për të ardhmen tuaj, për të ardhmen e Shqipërisë.
Ndaj le të shkojmë drejt 23 qershorit me vendimin tonë solemn, për të bërë fushatën më qytetare, për të fituar votën e të gjithë atyre që i besojnë shpirtit tonë perëndimor, i besojnë përpjekjes sonë për një jetë më të mirë, i besojmë dinjitetit tonë si njerëz të lirë, i besojnë Shkodrës, i besojnë Shqipërisë. Përpara për punësim, për jetë më të mirë, për mirëqenie! Përpara për integrimin e Shqipërisë në Europë! Rroftë Shkodra! Rroftë Shqipëria! Fitore! Fitore! Fitore!
27/05/2013