Fjala e Kryeministrit Berisha në prezantimin e kandidatëve për deputetë të qarkut të Durrësit

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në tubimin elektoral në Durrës, ku u prezantuan kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit.
Fjala e Kryeministrit në takimin me qytetarë të Durrësit.
Durrsake e durrsakë mirëmbrëma dhe përshëndetjet më vëllazërore. Qytetare e qytetarë shqiptarë përshëndetje nga Durrësi.
Ka zbarkuar sot vigan, uragani i fuqishëm i fitores së 23 qershorit, uragani i fitores sonë, i vazhdimit të ecjes sonë përpara drejt Durrësit të zhvilluar, drejt Shqipërisë së zhvilluar, drejt Durrësit europian, drejt Shqipërisë europiane.
Të dashur qytetare e qytetarë të Durrësit,
kam nder të madh sot, t’ju shpreh juve mirënjohjen më të thellë, mirënjohjen e pakufishme, për mbështetjen tuaj ndaj Partisë Demokratike, programit të saj, programit të lirive dhe të drejtave tuaja, programit të dinjitetit njerëzor, programit të iniciativës së lirë, programit të integrimit të Shqipërisë në Europë.
Sot jam këtu për t’u zotuar para jush se këta kandidatë për deputetë, burra e gra që janë rreshtuar para jush dhe të gjithë deputetet e deputetët e Partisë Demokratike, të koalicionit “Për punësim, mirëqenie e integrim” do të kenë për parti, juve, qytetarët e Durrësit dhe qytetarët shqiptarë, interesat tuaja, aspiratat e liritë tuaja. Për ne, ju jeni dhe mbeteni të parët e të parëve! Në të gjithë programin dhe veprimtarinë tonë, në çdo gjë tonën, ne ju kemi juve në epiqendër, kemi vlerat e mëdha që ju bartni. Ato janë frymëzimi ynë, janë energjia jonë, janë programi ynë i madh për të ecur përpara.
Qytetare e qytetarë të Durrësit,
më 23 qershor këtu në Durrës, në Konispol, Gjirokastër, Kukës, Shkodër e Tropojë, Dibër e Korçë, Vlorë, Fier e Elbasan, Berat, Lushnje e Kavajë dhe mbarë Shqipërinë përballen dy qëndrime, dy alternativa, përballet alternativa jonë e bazuar në vlerat më të mira, në liritë, në familjen, në kombin, në integrimin. Kjo alternativë na udhëhoqi neve. Në këto 20 vite, mundi dhe djersa juaj, mundi dhe djersa e emigrantëve shqiptarë kudo ku janë, reformat tona bënë të mundur që të ngrihemi nga një mjerim i paparë ndonjëherë dhe të ecim të sigurt në rrugën e begatisë, në rrugën e prosperitetit.
Më 23 qershor, tek kutitë e votimit përballet alternativa jonë që konsideron punën dhe punësimin bekimin e madh të Zotit për çdo shqiptare e shqiptar. Ne shkojmë në këto zgjedhje me programin më të shkëlqyer, më të sigurt, më konkret për punësimin e qytetarëve shqiptarë. Këto vite, detet e ekonomisë europiane dhe botërore kanë qenë më me tallaze se kurrë, por ekonomia shqiptare në vitet më të vështira ia doli me sukses të ruajë rritjen e saj, ia doli të krijojë vende pune, të njohë ulje të papunësisë. Këto vite, në kulmin e një krize, besimi ynë tek liritë tuaja, tek iniciativa juaj e lirë, ka bërë që Shqipëria të marrë më shumë se kurrë investime të huaja, të krijojë vende pune. Në këto vite, Durrësi i shekujve e mijëvjeçarëve, Shqipëria, brigjet e malet e saj janë ngritur në kurorën e vendeve turistike të botës. Ne kemi marrë miliona turistë e janë krijuar kështu, qindra e mijëra vende pune në sezon e jashtë tij. Por këto vite, ne nisëm të mbështesim fuqishëm fermat shqiptare. Janë mbështetur 42 mijë projekte, janë krijuar dhjetëra mijëra vende pune në bujqësi.
Vëllezër motra,
punësimi juaj, punësimi i të papunëve është qëllimi më madhor i programit tonë ekonomik.
Cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është ajo e rritjes së taksave, e shkatërrimit të vendeve të punës, e largimit të investimeve. Alternativa tjetër është Shqipëria, qytetarët e saj të punojnë për qeverinë. Alternativa jonë është qeveria të punojë për qytetarin.
Alternativa jonë është alternativa më serioze, e realizimeve të sigurta, e përpjekjeve të ndershme, e vizionit të qartë. Tjetra është alternativë pa ide, alternativë me fjalë, me kilometra, me tonelata fjalë, trillime, mashtrime. Edi Rama përdor mashtrimin e trillimin vetëm e vetëm të mërzisë zgjedhësit shqiptarë, të ngallë tek ata, dëshpërimin, siç ka shpirtin vetë.
Qytetare e qytetarë të Durrësit e mbarë Shqipërisë,
çdo shqiptar, çdo i ri, burrë, grua dhe i moshuar, asgjë nuk ka më jetike se integrimi ynë në Europë. Durrësi është dëshmitari është gardiani i vokacionit perëndimor të kombit shqiptar, kryeura e tij drejt perëndimit. Në këtë port e në këtë qytet kanë vërshuar flukset e kombit drejt botës së zhvilluar. Por të vish këtu ditën e Europës, pasi e ke bllokuar vendin tënd për 250 ditë me radhë, të betohesh për integrimin, të betohesh për Europën bën ose Nastradinin ose hipokritin e lindur e të pashpresë.
Qytetare e qytetarë të Durrësit,
asnjëherë nuk duhet të merremi shumë me historinë dhe duhet të shohim përpara e vetëm përpara, por me historinë duhet të merremi vetëm aq sa na duhet për të parë më mirë përpara. Ju bej thirrje të dashur miq që jeni në këtë shesh, të mendoni për një moment si ka mundësi që 22 vjet me radhë, të gjitha ngjarjet e mëdha të integrimit: anëtarësimi në Këshillin e Europë, anëtarësimi në NATO, firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, liberalizmi i vizave, propozimi për statusin e vendit kandidat, të lidhen vetëm me emrin e Partisë Demokratike. Jo vëllezër, ne nuk kemi qenë 22 vite në pushtet. Ne kemi njohur pushtetin dhe opozitën, ne kemi qëndruar në pushtet dhe në opozitë në mbështetje të fuqishme të integrimit të Shqipërisë.
Po atëherë, çfarë ndodh me partinë tjetër, si ka mundësi që kjo parti në 20 vite nuk ka qoftë një firmë të vetme në integrimin e Shqipërisë drejt botës perëndimore? Nuk ka, sepse e vërteta e pamohueshme është se atëherë kur ata deklaronin për Këshillin e Europës se molla nuk është pjekur, në krye të partisë ishin bolshevikë të vërtetë. Nuk kanë vendosur firmë jo se i kemi penguar ne, por se në shpirtin e tyre ata ndjehen ndryshe. Ne bëmë gjithçka për të firmosur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, por çfarë bëri zoti Edi Rama? Futi trumbetat, boritë e bilbilat në parlament vetëm e vetëm për të diskretituar të zgjedhurit tuaj, tempullin e demokracisë, për të penguar Marrëveshjen. Ne punuam fort së bashku e merituam anëtarësimin ën NATO. Të nesërmen e ditës së ftesës organizuan protestën me portretet e Enver Hoxhës. Heqja e vizave ishte ëndrra më e bukur, më fisnike e durrsakeve e durrsakëve dhe mbarë shqiptarëve. Ata bënë gjithçka që vetëm vizat të mos i marrim, por me punën tuaj, me reformat tona, ndryshimet që bëmë ia dolëm të heqim vizat, të lëvizim të lirë në mbarë Europën.
Përsëri në tetor të vitit që kaloi, Komisioni Europian votoi për të rekomanduar Shqipërinë për statusin e vendit kandidat, por kërkoi të votohen tre ligje. Zoti Rama, në zbatim të testamentit të etërve të tij, i mban peng prej 250 ditësh dhe nuk i voton.
Të vish në Durrës dhe të betohesh për Europën, në një kohë kur në Tiranë bllokon votimin e ligjeve është e njëjta gjë kur fliste për Ismail Qemalin, por në gjoks Goranit i vinte Çelsin e Artë të Tiranës.
Vëllezër e motra,
ajo është alternativa e hipokrizisë, trillimit e mashtrimit. Ndaj, ne të ecim përpara për integrimin e Shqipërisë, integrimin e Durrësit në Bashkimin Europian. Me reforma të thella, ne hoqëm vizat me Europën, me reforma të thella do të heqim vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ju do të lëvizni të lirë në mbarë botën. Ne na besojnë. Ne jemi seriozë. Ne u besojmë juve, mundit, djersës, aspiratave, vlerave e idealeve tuaja. Asgjë nuk do të pengojë rrugën tonë drejt integrimit. Asgjë nuk do të pengojë rrugën tonë drejt punësimit, drejt mirëqenies. Përpara për punësim më të madh! Përpara për mirëqenie e rroga më të larta! Përpara për integrimin në Europë! Rroftë Durrësi! Rroftë Shqipëria!
14/05/2013