Kryeministri Berisha inauguron portin e peshkimit në Durrës dhe bashkëbisedon me peshkatarë e sipërmarrës në sektorin e peshkimit

Kryeministri Berisha garantoi sot se fuqizimi i flotës së peshkimit dhe industrisë së detit do të jetë prioritet dhe do të ndihmohet me politika mbështetëse në katër vitet e ardhshme. Kryeministri Berisha, në një bashkëbisedim në Durrës, me peshkatarë dhe sipërmarrës në sektorin e peshkimit, prodhimit dhe përpunimit, u shpreh se “do të hartohet një plan kombëtar për peshkimin, në të cilin do të përcaktohen të gjitha rregullat për mbështetjen tuaj”.
Më parë, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e Portit të Peshkimit në Durrës, një investim me vlerë mbi 12 milionë euro. Porti do të ketë kapacitet për ankorimin e rreth 130 anijeve të peshkimit, me sipërfaqe tokësore dhe ujore dhe një basen prej 10 hektarë. Ndërtimi portit, sipas një projekti bashkëkohor, duke respektuar të gjitha kushtet mjedisore, do të përmirësojë rrënjësisht kushtet e punës për peshkatarët, si dhe do të krijojë mundësi të reja punësimi për rreth 700 vetë, në gjuetinë e peshkut dhe 1000 të punësuar të tjerë në infrastrukturën mbështetëse të marketingut dhe të përpunimit të peshkut. Në një fazë të dytë do të zhvillohet edhe infrastruktura e riparimit të anijeve.
Në qarkun e Durrësit janë ndërtuar mbi 510 kilometra rrugë, në të cilat 110km rrugë kombëtare, 105 rruge rajonale, 295 rrugë në komuna e bashki; janë ndërtuar 109 sisteme ujësjellës e kanalizime; 57 shkolla dhe është ndërtuar universiteti i ri; 98 ambulanca e qendra shëndetësore; janë subvencionuar 800 hektarë në ullinj,vreshtari, sera dhe kanë përfituar 3300 fermerë e blegtorë, 10 milionë dollarë në vaditje, kullim e vepra hidroteknike.
Në fushën e turizmit gjatë këtyre viteve janë shtuar mbi 1100 biznese të reja turistike; me një investim prej 60 milionë euro është realizuar projekti i modernizimi të portit, është ndërtuar terminali i ri i Portit të Durrësit, si dhe Porti i ri i Peshkimit.
Bashkëbisedimi i Kryeministrit Berisha me peshkatarë e sipërmarrës në sektorin e peshkimit.
Jam shumë i impresionuar që jam sot tek ju, burrat e detit, njerëzit e guximit dhe të sakrificës, vetëmohimit, ndaj dhe unë dua tu shpreh ju, nderimin tim më të madh dhe tu garantoj se së bashku këtu do të përcaktojmë, në kuadrin e një plani kombëtar për peshkimin , rregullat e mbështetjes suaj, do të dëgjoj me shumë interes dhe vëmendje të gjitha sugjerimet se si ne këtë degë me potencial kaq të madh për ekonominë tonë ta vendosim në vendin që meriton. Shqipëria ka një sipërfaqe ujore 57 % më të madhe se tokësore. Shqipëria ka ujëra të shumta detesh, liqenesh, rezervuarësh në të katër anët e saj .
Ndaj dhe unë jam këtu ë dëgjoj zërin tuaj, të dëgjoj sugjerimet tuaja, të vendosim format më transparente te bashkëpunimit me ju dhe tu mbështesim. Kjo nuk ka asnjë diskutim. Më vjen mirë që jam sot këtu tek ju në një moment historik për këtë qytet sepse ky qytet mijëravjeçar do të ketë portin e vet të peshkimit, një port me një investim prej 14 milion eurosh, i cili do të krijojë për ju, flotën e peshkimit të Durrësit, kushtet më normale për ushtrimin veprimtarisë suaj.
Dua ti them këtu kryetarit tuaj të bashkisë. Ky duhet të kërkojë të falur sepse jua them haptas, ju nuk do ishit takuar sot këtu për të inauguruar fillimin e punimeve, ju do ishit takuar sot këtu për të inauguruar përfundimin e punimeve. E ka bllokuar në mënyrë të çuditshme, krejtesisht të paarsyeshme dhe me ato motive që e bllokoi, me ato motive e zhbllokoi sepse qyteti i Durrësit me një bord dinjitoz peshkimi vetëm se lartësohet në rangun e qyteteve bregdetare, por nga ana tjetër zhvillimi i kësaj ekonomie iu takon para së gjithash qyteteve bregdetare, Durresit,Vlorës, Shëngjinit, Sarandës dhe qyteteve te tjera.
Megjithatë është arritur të sheshohen të gjitha kundërshtitë. Bashkë me këtë port duhet ta dini është bërë plani rregullues i Durrësit. Është një plan i shkëlqyer për aq sa ka mbetur nga betoni i Vangjushit. Ka mbetur sigurisht, por nuk them se nuk është dëmtuar. Në mbledhjen e kaluar te Këshillit të territorit, ne miratuam një plan, i cili është hartuar nga një kompani serioze ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë hapet plotësisht një perspektivë zhvillimi, moderne e metejshme për qytetin.
Ne jemi të vendosur të ndihmojmë që të përparësojmë sektorin. Ne besojmë se një potencial shumë i madh ekziston në këtë fushë. Ne jemi të vetëdijshëm se ky potencial nuk është mbështetur sa duhet. Tani kemi një koncept të ri qoftë për peshkimin, qoftë për tregun dhe për të gjithë elementet e kësaj ekonomie jashtëzakonisht të rëndësishme , të këtyre ushqimeve ndër më të shëndetshme për njeriun dhe natyrisht të domosdoshme në Shqipëri, me zgjerimin e mëtejshëm të kulturës së kësaj ekonomie behet e mundur të kultivohet kudo, kemi 247 mijë liqene natyral në mbarë vendin, kemi mbi 630 rezervuarë dhe qindra të tjera po ndërtohen në HEC të reja. Pra, ne kemi shumë arsye ta marrim në mënyrën me serioze këtë sektor. Unë kam takuar presidentin e kompanisë Koral dhe ai ka qenë zëdhënësi juaj në këtë vizitë. Kërkesat e tij jashtëzakonisht të drejta, jo vetëm për kompaninë, që është normale që ne ti mbështesim, por për vendin në tërësi.
Prandaj unë jam këtu që tu dëgjoj ju me shumë interes, e kam deklaruar dhe e deklaroj, që për peshkimin, për këtë degë, do të ketë një plan kombëtar. Kjo do të thotë që do të dale prioritet. Në qoftë se ne bëjmë një plan kombëtar, do ti qëndrojmë siç po qëndrojmë me ullirin, ose siç po qëndrojmë me ato sektorë që ne duam për të vendosur të gjithë potencialin tonë për ti zhvilluar.
Do të ketë një plan kombëtar për peshkimin dhe absolutisht kam bindjen më të thellë se do të jetë shumë i dobishëm për vendin dhe ekonominë e vendit.
Pyetje: Përshëndetje, zoti kryeministër, mezi e kemi pritur ardhjen tuaj. Ne ju jemi mirënjohës sa të jetë jeta për këtë vepër madhështore. Dua disa probleme për sa i përket peshkimit. Së pari një nga këto anije si dhe shumë të tjera janë të viteve 2009, 2010,2011 dhe të dalë në det një nga këto 3 apo 4 ditë në gjueti, sjell 3,5 milion lekë të vjetra për tre ditë. Nga këto 95 % janë shpenzime karburanti. Po t’i heqim dhe TVSH-në për peshkatarin nuk mbetet asgjë. Falë qeverisë suaj është mbështetur peshkimi për sa i përket taksave. Por sektori i peshkimit nuk mund ta paguajë takse TVSH 20 % .
Kryeministri Berisha: Në radhë të parë unë gëzohem shumë që ju keni anije të reja dhe unë dua tu informoj ju se ne kemi vendosur të vëmë në dispozicion 20 milion euro kredi të butë, të zbusim interesat për ju, për 20 milion euro, çka do të thotë ajo do të jetë garanci shtetërore, garanci qeveritare dhe bëmë këtë me qëllimin që ju të blini anijet që juve ju duhen dhe bëmë këtë me qëllimin që të nxisim tregtinë e sardeleve, açugeve, ato që kanë qenë një gjueti tradicionale për Shqipërinë. E bëmë këtë në mënyrë që ju mund të pajisni anijet tuaja me mjetet më moderne , më të sigurta të komunikimit dhe çdo gjë tjetër që ju duhet ju. Dhe ne këtë do ta bëj më disponibël. Bashkëbiseduam me Ministrinë e Financave dhe do ta bëjmë disponibël.
Lidhur me naftën në mënyrë të padiskutueshme do tu rimbursohet akciza e naftës. Nuk e dimë se në ç’shkallë ju e përfitoni, por do ta përfitoni plotësisht. Ne e vendosem këtë për të gjithë sektorin bujqësi, blegtori, peshkim për të gjitha. Kudo që ju do të përdorni karburantin, ne do tu rimbursojme ju akcizën, ne do të heqim TVSH-në për të gjitha materialet që ju do të përdorni, për rrjeta, për anije që mund të bleni, për çdo gjë. Taksa e portit absolutisht për peshkimin kjo do të zbresë sipas rregullave , pra të pakën në 1/10 e saj. Në qoftë se është 1000 do të bëhet 100. Anije të tjera le ta paguajnë, por ju s’mund ta paguani. Ju e keni se do të ketë një vetëdije se ky është një profesion me shumë sakrifica, i lidhur me shumë faktorë, që lidhen ca me ju, ca me motin, dhe me shumë rrethana të tjera, prandaj këtë lehtësim do ta bëjmë, do ti kërkoj autoritetit portual që anijet e peshkimit ta kenë 100 euro taksën.
Lidhur me lehtësira të tjera ne do të ulemi, kemi specialistë shumë të shquar për punë e detit dhe ky specialist është Osman Metalla dhe në çdo rast, në çdo rrethanë ai është në anën tuaj, sa herë që flitet për ju. Kështu që edhe me Osmanin do të ulemi sepse ne kemi ndërmend që ta përparësojmë sektorin, që të jeni sa më të suksesshme, sepse ne tek privati e bazojmë suksesin, jo tek shteti.
Përshëndetje z.Kryeministër, ju falenderoj që keni vendosur ta dëgjoni këtë sektor të harruar. Ke kemi një flotë të amortizuar, pak anije janë restauruar dhe kjo për shkak të të ardhurave të pakta, që ne kemi pasur nga peshkimi. Problemi unë është mirëmbajtja e anijeve. A ka qeveria juaj një projekt për ndërtimin e një kantieri për mirëmbajtjen e këtyre anijeve?
Problemi tjetër i ynë është ai i naftës. Tek ne nafta zë 70 përqind të shpenzimeve të kostos së një anije. Ka një paradoks, ne shkojmë në Mal të Zi, në Tivar dhe marrim naftën tonë, të cilën ata e marrin tek Taçi Oil dhe na e japin me çmim shumë të leverdishëm, nuk ka mundësi qeveria të ndërhyjë që ne ketë naftë që e marrim atje ta marrim dhe këtu me atë çmim të leverdishëm?
Kryeministri Berisha: Të falenderoj. Përsa i përket kantierit, absolutisht, qeveria do ta shqyrtojë me një përparësi të madhe. Ne një lloj partneriteti publik-privat. Nuk mund të them se do të ngremë një kantier publik, por ne mund të ndihmojmë privatët që të ngrenë kantierin dhe do ta bëjmë plotësisht këtë. Ne jemi të vendosur të zhvillojmë sektorin, dhe qëndrojmë të vendosur për të zhvilluar këtë sektor, i cili ka qenë i injoruar. Për çështjen e naftës, ne do ti japim atë zgjidhje që i ka dhënë Italia, që i ka dhënë Mali i Zi, pa asnjë diskutim. Ne vendosëm këtë standard për të gjithë fermerët shqiptarë, dhe bëmë shumë mirë megjithëse ishte një faturë e madhe, pasi ne do të bëjmë gjithçka për të nxitur prodhimin. Naftën do t’jua japim sipas standardit që ka Italia dhe Mali i Zi.
Përshëndetje z. Kryeministër. Jam prej 33 vjetësh specialist peshkimit. Prodhojmë peshk duke qenë ndër më të kërkuar në tregjet Europiane. Sipas mendimin tonë kalimi i peshkimit në Ministrinë e Mjedisit ishte një gabim dhe duhet të korrigjohet. E ndiejmë vetën të pa përfaqësues në atë ministri. Fakti se në Ministrinë e Bujqësisë përditë ka projekte për agro-biznesin, përditë jepen kredi të buta për fermerët, ullinj etj dhe ne kemi mbetur si jetim në Ministrinë e Mjedisit, na shtyn sot ‘jua kërkojmë këtë me forcë. Do të jetë një lëvizje e mrekullueshme dhe e nevojshme?
Peshkimi është një sektor delikat, dhe i ndërlikuar pasi çdo anije është një fabrikë e vogël në vetvete. Nuk mund të ecet me një drejtori peshkimi, e cila përbëhet nga njerëz që nuk kanë minimumin e kulturës. Njerëz, të cilët vetëm pse janë militantë marrin barrën për të drejtuar këtë sektor. Atyre njerëzve ju duken probleme sipërfaqësore dhe bëjnë ndërhyrje në mënyrë sipërfaqësore. Ju kryeministër dhe gjetët kohe të vini tek ne, ata nuk kanë ardhur ndonjëherë dhe mire bëjnë se nuk kanë çfarë të thonë, janë bosh nga mendja. Po ju jap një shembull, ne Kroaci nuk mund të bëhesh drejtor peshkimi pa kaluar të paktën 10 vjet në prodhim. Kemi një ligj peshkimi, i cili është bashkohore. Por e keqja është se aktet nënligjore nuk po ecin përpara. Ligji është bashkohore, ndërsa ne ecim me rregulloret të vjetra?
Kemi një zhvillim kaotik të flotave. Numri i licencave të gjuetisë duhet të ndërpritet, po shkojmë në mbi shfrytëzim, po vazhduam kështu do kemi anije dhe njerëz e teknologji, por nuk do kemi peshk në det. Kërkojmë që të ndërhyhet?
Kryeministri Berisha: Ju falenderoj për çështjet themelore që keni ngritur. Ju siguroj se në rikompozimin e Këshillit të Ministrave, peshkimi do të pozicionohet në Ministrinë e Bujqësisë, ose do të jetë një ministri e veçantë, ujëra e peshkim, sepse e kam të vështirë tani të them , se cila do të jetë skema, por ju siguroj se do të jetë në një vend kryesor. Ne do të bëjmë gjithçka për të kapërcyer këtë situatë që kemi, se kjo është e dëmshme. Unë ju siguroj se do të plotësohet ligji me të gjitha aktet nënligjore dhe do të bëj gjithçka, që ato të vijnë sa më shpejt në qeveri . Sikundër e gjykoj shumë të drejtë kërkesën që ata zyrtarë që merren me problemin e peshkimin, ata duhet të jenë njerëz të ekspertizës, njerëz të dijes, sepse vullnetin politik e shpreh qeveria e shpreh ministri, zyrtari duhet të këtë të gjitha aftësitë për ta konkretizuar dhe zbatuar atë sëbashku me ju. Ne parashikojmë që të ridimensionojmë në tërësi problemin. Unë e kam njohur mirë të gjithë sektorin e rasateve, nga një grup i fuqishme, shkencëtarësh që punonin me një përkushtim shumë të madh. Duhet të kemi qendër kërkimore të fuqishme për peshimin për detin. Duhet ta jetë Instituti i Detit dhe i Ujërave. Duhet të bëjmë një hop të madh përpara. Jam dakord që të shqyrtojmë tërësisht çështjen e flotës, në interesin më të mirë të mbrojtjes, të kulturës së detit. Ky kryetari i Bashkisë në u kundërvu shumë, sepse ne kishim në projekt tregun e peshkut, por ky e ka mendjen tek betoni. Unë kam qenë në Hamburg, i cili është një nga portet më gjigande të Europës , miqtë e mi për të më treguar Hamburgun më bënë mua të vizitoj tregun e peshkut, një nga tregjet më të shkëlqyera. Ne donim ta ndërtonim tregun e peshkut, por ai bëri çdo gjë ta pengojë. Unë premtoj se ne do ta ndërtojmë tregun e peshkut. Me këtë infrastrukturë tregu i peshkut të Durrësit i shërben Tiranës dhe të gjithëve. Më shume duhet të bëjmë që të dinamizohet kjo degë e rëndësishme. Jam i vetëdijshëm se ky është biznes familjarë dhe e mbani me sakrifica. Këto shqetësime do të jenë pjesë të programit tonë dhe ne me një plan të detajuar një nga një do të fillojmë zbatimin e tyre, do të fillojmë me naftën, kantierin, dhe me radhë. Studimin që keni bërë do ta ndjek me shumë interes, por serish mbetem me idenë se ne duhet të krijojmë qendra të fuqishme studimore .
Kam 27 vjet i lidhur me peshkimin dhe jam pronar i një anijeje peshkimi. Më tepër kam një sugjerim se pyetje, ndonëse i përket më shumë Ministrisë së Mjedisit e që lidhet me kohën e shumimit të vezëve të peshkut. Është një ligj i aprovuar një vit më parë, por që nuk ka asnjë zbatim në terren. Në kohën kur shumohet peshku bëhet batërdia. Duhet t’i themi stop kësaj. Të gjithë vendet fqinje, se në ato të BE-së nuk diskutohet, e kanë shumë të rreptë. Së dyti, janë disa metoda peshkimi që vendet e BE-së i kanë ndaluar, ndërsa këtu kanë lulëzim deri diku. Duhet të mendojmë për edhe nesër.
Kryeministri Berisha: Ju falenderoj. Ju shtruat një problem shumë të drejtë. Ne duhet të përcaktojmë rregulla që të jenë në interesin më të mirë tuajin dhe interesi më i mirë është të mos shfaroset popullata e peshqve, përkundrazi, të mbrohet në atë stad që është për t’u mbrojtur dhe të gjuhet në stadin tjetër. Unë jam i bindur se këto çështje mund e do të marrin zgjidhje. Organizimi që keni është shumë pozitiv dhe nëpërmjet këtij organizimi dhe nëpërmjet përmirësimit të ligjeve, ne mund t’i japim përgjigje shumë të mirë kësaj çështjeje.
Faleminderit zoti Kryeministër që na keni ardhur në shtëpi, pasi kjo quhet shtëpia jonë. Një falenderim të veçantë edhe deputetëve të Durrësit që i kemi pasur përkrahje.
Kryeministri Berisha: Shumë e vërtetë. Unë përmenda Osmanin [Metalla], por është edhe Igli [Cara]. Në çdo rast, pa mëdyshje, ata kanë qenë zëri juaj. Nuk kanë bërë kompromis, por kanë qëndruar në anën tuaj, në çdo debat.
Unë kisha një shqetësim të vogël. Së pari, për rreshtin e daljes së anijeve në det që e kërkon policia kufitare, se na duket vetja si në kohën e Enverit. Brenda një ore mund të dalin 40 anije që i bie që e fundit të dalë pasnesër. Së dyti, çmimet e regjistrit detar nga 48 mijë lekë që ishte ka shkuar trefishi
Kryeministri Berisha: Lidhur me çështjen e dytë, absolutisht do të shkojnë më poshtë sesa ishin. Paskën zbuluar Amerikën tek ju. Shumë mirë që e shtruat këtë çështje. Ne do t’i marrim me radhë të gjitha këto. Plani kombëtar synon pikërisht këtë, që ta nxisim sektorin, jo ta pengojmë. Edhe problemin e policisë do ta shqyrtojmë. Në qoftë se është puna që ju do dilni në një orë të caktuar, policia do të rrisë personalin në atë masë që të mos ju pengojë në dalje, sepse po t’ju nxjerrë një nga një, sigurisht që ju pengon disa orë dhe kjo nuk mund të ndodhë.
Jashtë, kur dalin anijet e peshkimit në det, thirret kapitaneria. Nuk ka nevojë të thirret policia, kur dalim ne në punë.
Kryeministri Berisha: E drejtë. Kjo procedurë ka mundësi që të jetë që nga ajo kohë. Ky rregull ka mundësi të ketë lidhje me kufirin.
Unë jam një nga qytetarët e Durrësit që kam dhjetë vjet që jam kthyer nga Greqia dhe zanatin e peshkimit e kam mësuar atje. Ky sektor ka shumë vende pune dhe duhet të afrohet pak më shumë rinia, pasi kanë mbetur po ato peshkatarë që kanë qenë këtu e 20 vjet më parë. Dhe një anije peshkimi do të paktën 5 anëtarë që të trajtohet peshku që zëmë siç duhet dhe të konkurrojë në tregun italian, grek apo malazez. Duhet të bëjmë politika të tilla, të hapim një shkollë apo kurs për peshkimin, që rinia të vijë të punësohet në peshkim.
Kryeministri Berisha: Të falenderoj për dy çështjet shumë të rëndësishme që ngritët. Unë shpresoj që e para të marrë përgjigje sa më shpejt. Edhe e dyta është absolutisht e mundshme. Këtu në Durrës, ne kemi sistemin e arsimit profesional më të mirë në Shqipëri. Këtu, përveç një shkolle të shkëlqyer në Shkozet, “Beqir Çela”, kemi edhe një shkollë të lartë profesionale. Ndaj nuk ka asnjë pengesë, përkundrazi, unë do t’i kërkoj Ministrisë së Arsimit që aty të kemi edhe degën e peshkimit. Nuk kemi asnjë vështirësi. Shkolla është polivalente, e pajisur dhe me koncept shumë modern. Ne e kemi këtë mundësi dhe do ta bëjmë shumë shpejt. Keni shumë të drejtë në sugjerimin tuaj. Në të gjitha takimet që bëjmë, kjo kërkesë është konstante. Dje isha në Elbasan. Mikpritësi kishte një fabrikë të përpunimit të drurit, më modernen që mund të ishte. Ajo që kërkoi ai, ishte punëtorë të kualifikuar, pikërisht, këtë që kërkoni edhe ju. Fatmirësisht, mundësia është reale dhe e plotë. Tani kemi një sistem që përbëhet prej rreth 30 shkollash profesionale, shumë mirë të pajisura e të mbështetura në shumë raste edhe nga specialistë të huaj. Ndaj, unë këtë do t’ia kërkoj Ministrisë së Arsimit dhe është shumë normale që Durrësi të ketë shkollën e përgatitjes së personelit të peshkimit.
Edhe një herë ju falenderoj me shumë mirënjohje, për të gjitha mendimet e çmuara që shprehët këtu dhe ju siguroj se katërvjeçari i ardhshëm do të jetë katërvjeçari i një plani kombëtar, për të ngritur fuqishëm këtë sektor të ekonomisë shqiptare. Sektor, që me një përpjekje serioze mund të shumëfishojë prodhimin në ujërat e kripëra e të ëmbla, por edhe punësimin që është kryesore. Sot kemi 5 mijë të punësuar, por në mënyrë absolute Shqipëria ka të gjitha mundësitë të punësojë 15 deri në 20 mijë në këtë sektor të rëndësishëm në të gjithë vendin. Ju falenderoj shumë për të gjitha mendimet e vyera që më dhatë.
14/05/2013