E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në seancën jubilare të Samitit të NATO-s

 

Zoti Sekretar i Përgjithshëm,

Zonja Kancelare Merkel

Zoti President Sarkozy,

Zoti President Obama,

Shkëlqesi Krerë Shtetesh e Qeverish,

Së pari, dëshiroj të falënderoj Presidentin Sarkozy dhe Kancelaren Merkel, bashkëkryesues të kësaj konference, për mikpritjen e shkëlqyer, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm Scheffer për organizimin e përsosur të saj.

Sot për ne shqiptarët është dita më e madhe dhe më e rëndësishme në tërë historinë  tonë kombëtare, pas pavarësisë së vendit.

Por, unë këtë fjalë do ta nis me urimin tim më të përzemërt, për ditëlindjen e NATO-s në 60 vjetorin e  themelimit të saj, si datën më të madhe, më të rëndësishme  në historinë e lirisë  së qyteterimit  perëndimor dhe mbarë njerëzimit, pas Luftës së Dytë Botërore .

E themeluar 60 vjet më parë, me inisiativën e Presidentit Truman, në Uashington, për të shndërruar armiqte e djeshëm në aleatë e miq, në çka qëndron dhe vizioni i saj, si edhe për të mbrojtur vlerat e përbashëta të lirisë që vendet themeluese ndanin, Aleanca e Atllantikut te Veriut u shnderrua me shpejtësi në parzmoren e sigurtë të lirisë së kombeve të qyteteruara, në faktorin më përcaktues të frenimit e ekspansionit  paranojak sovjetik në Europë dhe të shembjes se murit të Berlinit, shpëtimit të mbi 400 milion qytetarëve të shtypur në sistemin komunist barbar dhe shndërrimin në realitet të aspiratës, ëndrrës së tyre të lirisë . Aleanca e Atlantiku të Veriut, me ndërhyrjen e saj vendimtare, ishte gjithashtu shpëtimtare në dominimin e konfliktit dhe rivendosjen e paqes dhe stabilitetit në Gadishullin e Ballkanit.

NATO vjen në këtë 60 vjetor më e fuqishme dhe më madhështore se kurrë më parë. Pas rënies së perdes së hekurt, misioni i saj i mbrojtjes së lirisë, falë udhëheqjes së fortë të SHBA, nuk do të njihte lodhje, por zgjerim dhe do të fitonte dimensione të reja të panjohura më pare. Aleanca njëlloj siç ndjek hieja njeriun në rrugën e tij, ajo do të shoqëronte lirinë në udhën dhe shtigjet  e reja  të saj, duke shndërruar një nga një në partnerë dhe më pas në aleatë kombet dhe vendet që  deri dje kishin qënë anëtare të bllokut armik të saj.

NATO feston sot  60 vjetorin e saj, në një Samit që bashkëkryesohet nga Kancelarja Angela Merkel, vetëm 20 vjet më parë, një fizikante në anën  e errët të perdes së hekurt dhe ku janë ulur si përfaqësues të vendeve të saj anëtare, liderët e 12 vendeve të tjera ish komuniste. Kjo është dëshmi dhe simboli më i shkëlqyer i vitalitetit dhe madhështisë së NATO-s, epërsisë dhe forcës se lirisë që ajo mbron.

God bless this great Aleance of freedom!!!

Sot në këtë 60 vjetor të saj, NATO pranon si anëtar vendin tim, Shqipërinë, e cila vetëm 20 vite më parë përjetonte tiraninë më të egër që shqiptarët, por ndoshta edhe mbarë Europa, kanë njohur në historinë e tyre.

Të nderuar Kryetarë Shtetesh dhe Qeverish  të vendeve anëtare të NATO‑s,

Kombi im është një komb me rrënjë tejet të gjata. Në udhëtimin e tij shumë të vështirë, në përpjekjet e tij shekullore për liri dhe dinjitet ka provuar luftra, pushtime, diktatura dhe coptime të egra e të pamerituara. Historia e tij është ajo e rrëzimeve të shpeshta dhe sërish e ngritjeve të mundishme, por mjerisht vetëm në limitet e mbijetesës.  Shqipëria erdhi në vitet 90 si një nga tre kater vendet me të varfra të planetit,  me vetëm 204 dollarë të ardhura për frymë.  Diktatura  ndërtoi tre herë më shumë bunkerë se sa apartamente banimi.

Për mua kjo është një ditë krenarie e veçantë por, para së gjithash, dita e mirënjohjes më të thellë dhe të pakufishme ndaj jush, kombeve tuaja, Forcave tuaja te Armatosura e taksapaguesve të vendeve tuaja, qe me ndihmen e tyre te gjithanshme, politike, ekonomike, financiare e ushtarake mbeshteten reformat e thella e te suksesshme ne Shqiperi, qe bene te mundur kete dite. Asnjë komb nuk ka njohur në historinë e tij një solidaritet kaq të madh, sa ç’kemi njohur ne shqiptarët nga kombet tuaja të lira.

Një falënderim të veçante unë e dua t’i shpreh sot qeverisë së SHBA për krijimin e Kartës së Adriatikut 3, që u shndërrua në një proces të fuqishëm të bashkëpunimit të Shqipërisë me NATO-n dhe dy vendet mike Kroacinë dhe Maqedoninë, si dhe anëtarësimin tonë në NATO.

Zoti Sekretar i Përgjithshëm,

unë me gjithë zemër dua t’ju falënderoj ju, stafin tuaj dhe Këshillin e Atlantikut të Veriut për ndihmën e  madhe dhe inkurajimin e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në Aleancë.  

Unë gjithashtu jam shumë mirënjohës ndaj jush, që një vit më parë, ftuat për t’u anëtarësuar në NATO vendin tim dhe në një kohë rekord ratifikuat në parlamentet dhe senatet tuaja protokollin e anëtarësimit në NATO, duke ju dëshmuar shqiptarëve besimin më të madh që ata kanë njohur në tërë ekzistencen e tyre. Dëshiroj t’ju garantoj ju se këtë mal besimi që ju vendosët mbi ne do ta shndërrojmë në përgjegjësi të mëdha për konsolidimin e vlerave dhe parimeve që NATO mbron dhe për t’ju përgjigjur të gjitha kërkesave te Aleancës, në të gjitha misionet e saj të ruajtjes së paqes dhe luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Duke përshëndetur vendimin e Presidentit të SHBA Barack OBAMA, për të përqëndruar përpjekjet për paqen, stabilitetin dhe luftën kundër terrorizmit në Afganistan, kam kënaqësinë t’ju informoj se qeveria ime do te shtojë edhe një kompani më tepër duke e rritur në 350 numrin e forcave shqiptare të pranishëm në këtë vend. Do të kontribuojmë me një fond për ndërtimin e dy shkollave të mesme dhe gjashtë shkollave të ciklit të parë, si edhe me një ekip prej pesembëdhjetë mjekësh dhe infermierësh.

Së fundmi, unë dua të përshëndes dhe falenderoj me mirënjohje instititucionet e vendit tim, administratën, forcat tona të armatosura në veçanti, për kontributin e tyre në reformat e suksesshme dhe te rëndësishme, që mundësuan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Dua të përshëndes të gjithë shqiptarët që sot e tutje do të kenë lirinë e tyre të garantuar, do mund të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë, në liri, dhe nuk do të ecin kurrë me të  vetëm.

Do ta mbyll duke ju adresuar përshëndetjen më tradicionale dhe të vjetër shqiptare TUNGJATJETA për ju dhe kombet tuaja!


04/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›