Zëdhënësja e qeverisë, znj. Majlinda Bregu flet për aktivitetet e festimeve “Shqipëria në NATO”
Gjithë kjo lëvizjë sot në shesh është vetëm për të përfunduar përgatitjet për organizimin nesër të eventit kryesor, të aktivitetit përshëndetës dhe festiv “Shqipëria në NATO”. Sigurisht, në këtë ngjarje, që është edhe ngjarja më e madhe për kombin shqiptar në këto ditë, besoj se do të ishte jo vetëm e pëlqyeshme, por është edhe në ndërgjegjen e gjithë secilit për të përshëndetur këtë arritje të madhe të Shqipërisë.
Nesër, në orën 19.00, në këtë shesh është koncerti i madh. Sikurse e keni vërë re këto ditë, Tirana është zbukuruar për të përshëndetur pikërisht hyrjen e Shqipërisë në NATO, ka një dekor që është krejtësisht festiv. Të gjithë qytetarët, ata që do të dëshirojnë, që kalojnë dhe kanë pak kohë për të ndaluar do të kenë mundësi sot të ndjekin live edhe punimet e samitit, momentin më të rëndësishëm kur Shqipërisë do t’i dorëzohet nga presidenti amerikan kopja e Traktatit të Uashingtonit dhe ky moment, që është momenti më kulmor, do të shoqërohet edhe këtu me përshëndetjen nga ushtria me goditjen e 28 topave, si një ceremonial festiv, i cili është në të njëjtën linjë me ceremonialin e festimeve që po zhvillohen edhe në Strasburg-Kehl.
Besoj se në këtë festë të të gjithë shqiptarëve ka arsye për të festuar të gjithë, ka arsye për t’u ndjerë të gjithë mirë dhe besoj se me këtë dekor të mirë që ka Tirana ka arsye për të gjithë ata që duan të festojnë me shumë dashamirësi për ta përdorur dhe për t’u ndjerë mirë në kryeqytetin e tyre.
04/04/2009