E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në takimin e sotëm me deputetët e PD-së

Qeveria do të përparojë në të gjitha problemet e integrimit dhe të liberalizimit të vizave, por edhe në problemet e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Të gjitha kërkesat specifike që kanë lidhje me kalimin e kufirit e kontrollin e integruar të tyre, janë në plotësimin përfundimtar brenda muajit nëntor


Gjatë takimit të përjavshëm me deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha bëri një pasqyrë të të gjitha masave që ka marrë qeveria, për të plotësuar standartet që kërkohen në ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave.


“Të nderuar deputetë, Në këtë mbledhje kam zgjedhur t’ju informoj ju dhe zgjedhësit tuaj, si dhe mbarë shqiptarët, për ecurinë e një procesi ndër më jetikët dhe më të shumëpriturit e qytetarëve të vendit tonë, atë të liberalizimit të vizave. Siç e dini, ne kemi premtuar gjatë fushatës elektorale se brenda vitit të parë të këtij mandati do të bëjmë të gjitha përpjekjet dhe do të plotësojmë të gjitha kushtet dhe reformat, që të merret vendimi për heqjen e vizave për shqiptarët. Ky vendim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për çdo vend, por, ndoshta, është ndër më të rëndësishmit për shqiptarët, pasi pothuajse 25 për qind e tyre janë në emigracion dhe kanë me mijëra e mijëra probleme bashkimi familjar, kanë edhe mundësi shkollimi dhe punësimi më të madhe. Pra, ky vendim krijon një situatë tërësisht të re për qytetarët shqiptarë.


Qeveria, që nga votëbesimi i saj në Parlament e deri më sot, ka bërë përpjekjet më të mëdha në krahasim me çdo fushë tjetër për të plotësuar të gjitha kërkesat në njësi kohe rekord dhe për të merituar këtë vendim. Ne e marrim atë si një vendim që duhet t’a meritojmë. Në vendimin e Komisionit Evropian, siç është bërë e qartë edhe publikisht, ka pasur një ndikim të qartë numri tepër i vogël i pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike. Unë kam kënaqësi t’ju informoj ju se deri më tani aplikimet për pasaporta biometrike janë 231 725, nga të cilat janë prodhuar dhe shpërndarë në rajonet e policisë 223 545 dhe janë tërhequr nga shtetasit rreth 180 000. Edhe njëherë, thirrja ime për mbarë qytetarët shqiptarë është që të aplikojnë për t’u pajisur me pasaportat e reja biometrike, pasaporta të teknologjisë më të lartë. Unë isha një Nju Jork dhe një student nga Bostoni më dërgoi një mesazh ku më kërkonte që, nëse kisha mundësi, t’a prisja pesë minuta. E mendova që ai vjen nga Bostoni në Nju Jork dhe do t’ia jepja pesë minuta, ndonëse mesazhi nuk përdoret ndonjëherë nga unë për të përcaktuar takime. Ai studionte me një bursë fulbright për Master dhe së pari shprehu krenarinë e tij për zgjedhjet që në zhvilluam, por një tjetër urim që më bëri dhe për të cilën ndjehej krenar ishte pasaporta, sepse autoritetet e kontrollit të kufirit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin thënë se është e teknologjisë më të lartë dhe më të rralla, gjë që e kishte bërë këtë student krenar.


E tregova këtë episod për të theksuar rëndësinë që ka pajisja me këtë dokument të ri modern për të gjithë qytetarët, por edhe për të kontribuar në procesin e liberalizimit të vizave. Qeveria ka marrë masa dhe ka përshpejtuar të gjithë procesin e modernizimit të kontrollit të kufijve. Aktualisht janë marrë masa për të siguruar akses të drejtpërdrejtë të stacioneve të policisë dhe pikave të kalimit kufitar në bazën e të thënave të Interpolit për pasaportat e humbura dhe të vjedhura. Strukturat vendore dhe qendrore për hetimin e krimeve dhe pikat e kalimit kufitar kanë akses të drejtpërdrejtë në sistemin ASP të Interpolit. Për pasaportat e humbura, por edhe për makinat, ligji për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufijve shtetërorë po zbatohet dhe po implementohet në çdo hallkë të tij. Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për kategorizimin, standardet dhe kriteret e kontrollit në pikat e kalimit të kufirit. Harta topografike është përgatitur dhe shpërndarë në të gjitha stacionet e pikë- kontrollit të kufirit; janë miratuar procedurat me standardet e fundit për policinë kufitare dhe migracionin;  është miratuar nga Këshilli i Ministrave me vendimin nr.1018, dt 30/09/2009 krijimi i sportelit unik, siç e kërkojnë standardet evropiane, pasi është arritur një marrëveshje ndërmjet ministrisë së Financave, ministrisë së Brendshme dhe ministrisë së Bujqësisë, si dhe rregullorja e brendshme; është modernizuar teknologjia e pikave të kalimit të kufirit me sistemin TIMS dhe me MEMEX. Kanë mbetur gjithsej pesë pika, në të cilat do të instalohet gjatë këtyre ditëve, siç janë Shishtaveci, Orgjosti, Sopiku dhe Ribsi.  Do të vendoset një sistem kamerash për të kontrolluar të gjitha pikat e kufirit. Pra liria rritet, kontrolli forcohet. Po përfundon qendra e mbyllur për të huajt me qëndrim të paligjshëm, po miratohet rregullorja e saj nga Këshilli i Ministrave, furnizimi i qendrës me logjistikën e duhur, buxhetin përkatës, zbatimi i strategjisë territoriale kundër krimit të organizuar trafikimit dhe terrorizmit, burimet e alokuara të trajnimit të personelit. Pra unë mund t’ju them se nga të gjitha kërkesat specifike, që kanë lidhje me kalimin e kufirit, kontrollin e integruar të tyre, janë në plotësim e sipër përfundimtar brenda muajit nëntor, më së shumti. Kërkohet një luftë me efiçente kundër korrupsionit. Për atë vendim që u mor, të nderuar zotërinj deputetë, për t’u shkëputur nga një praktikë e korruptuar e nomenklaturës së vjetër dhe për të vendosur në këtë vend standartet e një vendi, që qëndron në grupin e 10 vendeve të para për luftën ndaj korrupsionit, siç është Austria, në përdorimin e fondeve publike për transportin, i ka dhënë një ndihmë shumë të madhe vendit dhe ka dëshmuar vullnetin tuaj të hekurt dhe të çeliktë për të luftuar korrupsionin.


Kemi miratuar një seri ligjesh shumë të rëndësishme të sistemtit tonë fiskal. Unë do të kujtoj vetëm njërin me indikacion shumë të madh në luftën kundër korrupsionit në sistemin tatimor. Dhe ky është ligji i pagesës së TVSH-së brenda një muaji dhe i aplikimit të parimit “silence is consent”. Nuk ka në dorë më, autoriteti fiskal t’ia shtyjë biznesmenit pagesën, as dhe ta negociojë; një muaj është pritja. Zotërinj deputetë, në luftën kundër korrupsionit shënohet një rezultat tjetër madhor dhe do të thosha historik, në këtë luftë. Me futjen në fuqi të ligjit të ri të urbanistikës, ligj i cili shkurton kohën e lejeve të ndërtimit nga 399 ditë, siç dëshmon raporti i fundit “Doing bussiness” i Bankës Botërore, në 45 ditë dhe ligj i cili aplikon parimin “silent is consent”. Reforma rregullatore e treguar, ka patur dhe ka një parim më themelor, luftën ndaj korrupsionit. Pra siç e shihni, kjo mazhorancë po ecën e sigurtë me trajtimin e saj më serioz  të kërkesave për liberalizimin e vizave për shqiptarët, në mbajtjen e premtimit të saj për një vendimmarrje brenda vitit të parë të këtij mandati.


Eshtë edhe njëherë rasti që të ftoj opozitën, të marrë rolin dhe misionin e saj në këtë proces historik, sepse vërtetë realizmi i aktit të heqjes së vizave për shqiptarët dhe lëvizja e tyre në mbarë Evropën e Bashkuar pa viza, është një arritje historike, jo vetëm kombëtare, por dhe individuale për çdo qytetar shqiptar. Eshtë një shans i ri i madh për të gjetur konsensusin e bashkëpunimit për projekte kaq madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët.


Do ta mbyll duke ju siguruar ju, se qeveria do të marrë të gjitha masat. Edhe në mbledhjen e fundit kemi miratuar dy projektligje shumë të rëndësishme, që do t’ua sjellim ju për shqyrtim, të cilat kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, pra me asetet e krimit. T’i japim përgjigjen më të mirë dhe më bashkëkohore pronave të krimit me qëndrimin që do të mbahet nga autoritet shqiptare ndaj tyre. Edhe ky një ligj shumë i rëndësishëm, të cilin unë jam i bindur se ju do të përparësoni. Gjithashtu gjej rastin t’ju përgëzoj dhe t’ju falenderoj me shumë mirënjohje për mënyrën serioze kompetente të trajtimit të të gjithë paketës ligjore, që ka kaluar deri tani në parlament, në një kohë të shkurtër, por ligje me një rëndësi shumë të madhe, ligje që kanë thelluar më tej reformën fiskale dhe transparencën fiskale, ligje të cilat rikthyen dhe validizuan edhe një herë letrat me vlerë në këtë vend. Ne jemi konsistent me premtimet tona. Ne hapëm për këtë detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, tregun më të madh të mundshëm, që mund të hapej për to dhe shpresoj që qytetarët të përfitojnë masivisht nga ky treg. Qëllimi më kryesor ka qenë që ne të gjejmë tregun dhe nuk janë pak, por minimumi 800 milionë dollarë letra me vlerë. Natyrisht kur bëhet fjalë për vlerë, vlera më e ndershme, vlera më e pranueshme, vlera më transparente është vlera e tregut. Ne ia lëmë tregut që të përcaktojë vlerën e tyre.


Por kemi kaluar edhe një seri ligjesh të tjera e marrëveshjesh ndërkombëtare, që kanë thelluar shumë më tej reformat, bashkëpunimin politik, financiar, ushtarak, në fushën e rendit, të gjithanshëm të Shqipërisë me vendet e tjera. Ndaj dhe shfrytëzoj rastin edhe një herë që t’ju përshëndes dhe t’ju falenderoj për punën që keni bërë; t’ju siguroj se ky bashkëpunim do të vazhdojë. Qeveria do të përparësojë të gjitha problemet e integrimit dhe të liberalizimit të vizave dhe problemet e luftës kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar në tërësi për problemet më madhore të vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›