Kryeministri Berisha: Investimet në Lezhë janë rritur 12 herë më shumë krahasuar me qeverisjen socialiste
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e fillimit të punimeve për ndërtimin e tregut agro-ushqimor në Komunën Kolsh të rrethit të Lezhës, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 70 milionë lekë.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha deklaroi se kjo qendër tregtare do t`ju shërbejë tre komunave me një prodhim bujqësor të shumëllojshëm dhe ndër më të fuqishmet në vend. “Lezha është një rreth, i cili realisht po del në krye të vendit për thithjen e investimeve të huaja. Ne po investojmë shumë në këtë zonë. Në këto tre vjet në rrethin e Lezhës janë investuar 12 herë më shumë se sa në vitet e qeverisjes socialiste, të cilat konsiderohen vite të humbura”, u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri theksoi se Lezha ka thithur shumë investime të huaja, të cilat janë më të mëdhatë në Shqipëri. Investimet e huaja në Lezhë, vijoi Kryeministri, kalojnë të gjitha rrethet e tjera. “Ne së bashku inauguruam fabrikën e madhe të çimentos Fassa Berberi, disa javë më parë dhe, së shpejti, do të inaugurojmë Colacem-in si dhe polin energjetik në këtë zonë, për të cilin është marrë miratimi. Gjithashtu në këtë zonë do të ndërtohet parku industrial.
Duke iu referuar vetëm kompanive të mëdha që investojnë në këtë zonë, pa llogaritur kompanitë e vogla, në këtë rreth janë 1 miliardë dollarë investime në projekte”, deklaroi Kryeministri. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se kjo përbën një cilësi të paimagjinueshme për një rreth, po të merret parasysh fakti se në tetë vitet e qeverisjes socialiste nuk ka pasur më shumë se 350-400 milionë dollarë investime gjithsej, ndërkohë që gjysma e kësaj vlere ka qenë e siguruar nga shitja e Bankës së Kursimeve apo nga ndonjë privatizim tjetër.
Aktualisht, tha Kryeministri, në vend ka një klimë jashtëzakonisht pozitive dhe ne po ndërtojmë bazën për një zhvillim shumë herë më të fuqishëm dhe më të shpejtë.
“Ju uroj gëzuar fermerëve të Lezhës këtë treg dhe zotimi ynë është që të bëjmë çdo përpjekje për suksesin e tregut të tyre. Këtë vit shqiptarët duhet ta dinë se, në rast se ne ia dolëm që të mos pësojmë valën e madhe të inflacionit që pësuan vendet e tjera, kjo ndodhi në sajë të punës së këtyre burrave dhe grave, të cilët punuan me djersën e tyre dhe mbushën tregun e Shqipërisë, sepse në mënyrë absolute rroga e çdo shqiptari nuk do të ishte rritur nëse nuk do të ishte puna e këtyre njerëzve. Rrogat e tyre do të ishin të paktën 8 % më të ulëta, pa këtë punë. Ndaj të gjithë ata që kërkojnë heqjen e taksës së importit për produktet bujqësore, për t`u lënë fermerëve shqiptarë prodhimet në fushë, nuk do të gjejnë asnjëherë mbështetjen e qeverisë”, theksoi më tej Kryeministri.
08/11/2008