Kryeministri Berisha: Të nxisim arsimin profesional, si domosdoshmëri e kërkesave të tregut
Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon” në rrethin e Lezhës Kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e punimeve për shkollën e Mesme të Përgjithshme të Shënkollit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 40 milionë lekë. Duke iu referuar rrritjeve të investimeve në këtë komunë, Kryeministri Berisha tha se Shënkolli bëhet tashmë njësoj sikur të ishte lagje e një qyteti, me qendër të asfaltuar, me kanalizime moderne të ujrave të zeza dhe të bardha, me shkollë të mesme të sapondërtuar, me qendrën kulturore, e cila u inaugurua 6 muaj më parë dhe me rrugën që të çon drejt bregdetit.
“Në këtë mëyrë niveli i jetesës së këtij komuniteti rritet dhe aksesi i tyre në treg bëhet gjithnjë e më i madh”, u shpreh Kryeministri.
Më pas Kryeministri vizitoi kabinetin e informatikës së kësaj shkolle ku u shpreh se shtrirja e internetit në çdo shkollë është një premtim i mbajtur i qeverisë dhe është vetëm hapi i parë i ndërmarrë në këtë drejtim, pasi më pas do të vazhdohet me praktimin e metodave të mësimit dixhital. Kryeministri sugjeroi që kabinetet e informatikës t`ju shërbejnë jo vetëm nxënësve por edhe komunitetit.
Gjithashtu, Kryeministri e vuri theksin në nxitjen e arsimit profesional, si një domosdoshmëri për t`iu përgjigjur kërkesave të tregut. Për këtë Kryeministri kërkoi bashkëpunimin e strukturave të pushtetit vendor dhe të drejtësorisë së shkollës së zonës, në mënyrë që të mundësojnë ambientet e nevojshme për zhvillimin e këtij arsimi, qoftë duke shfrytëzuar pasdite mjediset e shkollës së mesme, qoftë mjediset e Qendrës Kulturore, apo të Kishës në këtë zonë. "Shqipëria duhet të synojë t’i afrohet standardit 50 % me 50 %, në raportin mes shkollave të përgjithshme dhe shkollave profesionale", tha Kryeministri.
Gjatë vizitës në Komunën Shënkoll, Kryeministri Berisha inauguroi gjithashtu dhe përfundimin e punimeve për asfaltimin e sheshit qendror të Komunës, të cilin e vlerësoi si një premtim të mbajtur të qeverisë,duke iureferuar fjalës së dhënë prej tij në vizitën e zhvilluar 6 muaj më parë në këtë zonë.
08/11/2008