Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugës Llongo – Koshovicë, në Dropull të Sipërm
Në këtë ceremoni përshëndeti edhe një banor i Koshovicës, i cili tha se banorët e prisnin prej vitesh këtë investim. “Ju e premtuat katër vite më parë këtë rrugë dhe tani e bëtë realitet. Gjithashtu, ju na premtuat atëherë se do të vinit vetë dhe do ta inauguronit këtë rrugë. Ne kishim frikë mos nuk do vinit, sepse politikanë të tjerë na kanë gënjyer për dekada të tëra”, tha ai.
Kryeministri Berisha i falënderoi banorët e Koshovicës për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, si dhe shprehu kënaqësi për rrugën që inauguroi, e cila zhvillon edhe më shumë këtë zonë, u krijon mundësi banorëve të kësaj komune të lidhen më shpejtë me qendrat urbane, por edhe atyre që jetojnë në emigrim, të kthehen dhe të zhvillojnë aty projektet e tyre.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Së pari përshëndetjet e mia më të përzemërta dhe një falënderim tepër miqësor për këtë pritje vëllazërore që më bëtë në fshatin tuaj.
Efharisto poli!
Shumë vite më parë, me mikun tim Jani Rafti dhe 2-3 miq të tjerë përpiqesha të mësoja greqishten. Ata ishin miq të shkëlqyer, por nuk u bënë ndonjëherë mësues të mirë të Sali Berishës për greqishten. Se sot unë do t’ju isha drejtuar juve në greqisht.
Shpreh kënaqësinë time që vij sot tek ju për të inauguruar këtë rrugë. Ndërsa vija nga Vlora, një bashkëfshatare juaja, Ermioni Gjoni, më shkruante një mesazh, e cila më falënderonte shumë përzemërsisht për rrugën, pasi ajo kur erdhi këtu për të vizituar njerëzit e saj u befasua për rrugën e ndërtuar.
Ermioni, të përshëndes përzemërsisht! Edhe unë kam kënaqësi që me rrugën, ne bëjmë të mundur që banorët e Koshovicës të vijnë, të takohen, të punojnë dhe të jetojnë në Koshovicë.
Kudo që shkoj unë konstatoj se rruga nëse do të kishte një emër tjetër, ajo do të quhej shpresë. Rruga ngjall shpresën për banorët që jetojnë aty. Rruga vlerëson tokën, rrit çmimin e saj, bën të mundur krijimin e vendeve të punës, krijimin e bizneseve, shfrytëzimin e potencialeve që ekzistojnë në fshat, në zonë dhe kudo.
Të dashur banorë të Koshovicës,
Unë jam këtu për t’ju dhënë fjalën ju se në këtë territor dhe në çdo territor të vendit, ne do të ndërtojmë çdo kilometër rrugë, aty ku ju jeni, aty ku ju punoni. Ju jeni në fshatrat tuaja, por detyra jonë është t’ju ofrojmë juve infrastrukturë të njëjtë me qytetin. Kjo është një rrugë e njëjtë me lagjet e qytetit. Shkollën do ta keni njëlloj me qytetin. Po ashtu edhe qendrën shëndetësore dhe të gjitha shërbimet e tjera. Ndërkohë, rruga është në vetvete kujdes i madh shëndetësor. Për çdo problem që ju krijohet, ajo bën të mundur që të arrini në kohën më të parë në Gjirokastër dhe në Tiranë.
Ne po ndërtojmë rrugë kudo. Erdha sot nga Vlora në Koshovicë. Edhe pak ka mbetur për të finalizuar një nga rrugët më të bukura të Shqipërisë, rrugën Tepelenë- Levan. Ky është ndryshimi! Ne nuk është se jemi në një kopsht me lule apo e kemi rrugën bulevard. Jo, ne kemi vështirësi, kemi probleme, por kemi ndryshuar vendin. Koshovica me këtë rrugë nuk është më ajo që ishte. Gjirokastra, Tepelena, Dropulli, Saranda me rrugën që ndërtuam nuk janë më ato që ishin. Ne jemi të angazhuar t’ju mbështesim ju që të ndërtoni ferma të suksesshme. Unë ju bëj thirrje të aplikoni për grante për fermat tuaja.
Të dashur banorë të minoritetit,
Unë do të vlerësoja shumë aplikimin tuaj për projekte, në mënyrë që t’ju mbështesim për ato projekte. Shumë bijë dhe bija tuajat janë në Greqi edhe shumë prej tyre punojnë në bujqësi. Unë u bëj thirrje të vijnë, të aplikojnë dhe ti financojmë. Të mos lëmë djerrë asnjë pëllëmbë tokë. Ju garantojmë se do të bëjmë gjithçka. Siç bëmë rrugën, do të organizojmë edhe vaditjen, t’ju sigurojmë sistemin më të mirë vaditës. Në këtë mënyrë rrisim prodhimin, krijojmë vende pune dhe begatohemi.
Ju ftoj të vazhdojmë përpara!
Le të ecim, sepse kemi kaluar vështirësi, por kemi arritur dhe rezultate. Ne sot lëvizim të lirë, pa viza, në Greqi, në Itali dhe në mbarë Evropën. Kjo është merita juaj, puna që është bërë. Sot rrogat dhe pensionet nuk janë në nivelin që do të donim të ishin, por ato janë rritur më shumë se në çdo vend tjetër. Ishin 34 dollarë dhe tani janë mbi dyfishuar. Ne kemi rritur rrogat e mësuesve më shumë se dyfish. Ne ju garantojmë se do ta vazhdojmë ti rrisim pensionet dhe nuk do të ketë mësues që të marrë më pak se 700 dollarë në muaj.
Ju jeni minoritet në këtë zonë. Dua t’ju jap fjalën se do të bëjmë gjithçka që të drejtat tuaja të respektohen dhe të materializohen plotësisht. Qeveria, me angazhimin direkt të deputetit tuaj, kaloi vendimin për librat. Ato do t’i shtypë qeveria, pavarësisht nga kostoja e tyre dhe fëmijët tuaj do të kenë librat më të mirë.
Jemi në zgjedhje. Këta të quajturit opozitarë, çdo gjë tjetër janë, por opozitarë nuk janë. Zoti Rama ka qenë për 11 vjet personi i dytë më i rëndësishëm në fuqinë ekzekutive të vendit, kryetar i bashkisë së Tiranës. Zoti Meta qëndroi 4 vjet si Zv/kryeministër dhe ministër në qeveri edhe iku me qëllimin ose të marrë kreun e Partisë Socialiste ose të marrë karrigen time, që nuk do e marrë kurrë. Kjo është e vërteta. Këta janë këta të freskëtit opozitarë.
Këtu janë sjellë në mënyrë jo normale ndaj minoritetit. E them këtë, sepse kanë mbajtur një qëndrim jodinjitoz. Tani do vij te një problem më shqetësues. Marrim partinë e zotit Vangjel Dule. Unë kam pasur dhe kam gjithnjë respekt, sepse unë ky jam, por pazaret që ai bën janë shumë të padenja. Ai kishte një përfaqësues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, zotin Jani Jani. Ai i bënte nder komisionit, sepse në fund të fundit, pa diskutim, ishte një përfaqësues i juaji. E detyruan dhe e terrorizuan njeriun për pazaret që bënë me Ramën dhe në fund Rama i mashtroi. Jani u nxor nga komisioni. Përveç Janit, sollën Naçin. Ju betohem që Naçit s’i shkon mendja kurrë për një minoritar. Naçi e ka mendjen te nafta. Marr Vangjel Tavon. Akti i parë, zoti Edi Rama e futi në listën e zezë. Cila ishte lista e zezë? Në marrëveshjen që bënë i thotë Ilir Metës – Vangjel Tavon, Yllin Manjanin, Luan Rama sakën se mund të kandidojnë në listat e PS.
Ju keni këtu një birin tuaj, i cili në mënyrë absolute ka qenë dhe mbetet avokat i pamposhtur i të drejtave të minoritetit, njeri i ndershëm dhe i vendosur. Ky është ministri Spiro Ksera. Natyrisht, ju me 23 qershor do të votoni si qytetarë të lirë, por thirrja ime më miqësore është të votoni Spiro Kserën. Spiro Ksera është absolutisht promotor i të gjitha projekteve në zonën e minoritetit. Spiro Ksera kudo është një ministër i përkushtuar, kryeson një dikaster që trajton më shumë se çdo dikaster tjetër dhimbjen dhe hallet e qytetarëve. Ai ka një vlerësim të madh për punën e tij dhe është i respektuar kudo.
Ndaj dhe thirrja ime është që të votoni koalicionin për “Punësim, mirëqenie dhe integrim”, të votoni për përfaqësuesin tuaj, i cili problemet tuaja nuk i bën çështje pazaresh, por i bën çështje për t’i zgjidhur ato me vendosmëri dhe ndershmëri.
Edhe një herë ju falënderoj për këtë pritje miqësore!
Zoti kryetar, ne bëmë këtë rrugë dhe do të bëjmë çdo rrugë në komunën tuaj, kudo ku jetojnë. Zoti kryetar, Pepelin dhe Sotirën.
Ermioni Gjoni në mesazhin e saj më shkruan se “ndonëse kanë mbetur pak njerëz, ti e bëre rrugën”. Zoti kryetar, kudo që të ketë banorë të këtyre fshatrave, ne do të bëjmë rrugën në mënyrë që edhe fëmijët e tyre, edhe njerëzit e tyre që duan të vijnë të pushojnë, që duan të vijnë të punojnë, që duan të ngrenë biznese, të kenë infrastrukturën që meritojnë.
Prandaj me zotin Ksera, siç zbatuam këtë projekt, do të zbatojmë edhe projekte të tjera.
Faleminderit shumë!
Fitore!
Përpara, përpara, përpara!”
20/05/2013