E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në tubimin elektoral në sheshin Pavarësia në Vlorë

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në prezantimin e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për qarkun e Vlorës, që u bë gjatë një tubimi elektoral në sheshin Pavarësia në qendër të Vlorës.

"Mirëmbrëma Vlora! Përshëndetjet më të zjarrta sot në sheshin e Pavarësisë, njëlloj si më 28 nëntor, në 100 vjetorin e Vlorës, 100 vjetorin e Shqipërisë. Mirënjohjen më të thelë, përshëndetjet më të zjarrta! Sytë e mbarë kombit, sytë e shqiptarëve janë sot tek ju, tek ky shesh, janë sëbashku me ne.

Vëllezër e motra,

zonja e zotërinj,

jam sot këtu tek ju, për t’ju shprehur mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh për të gjithë rolin e kontributin tuaj në historinë e këtij kombi, për kontributin tuaj në ndërtimin e demokracisë, për vizionin tuaj për të ardhmen e qytetarëve të Vlorës, të qytetarëve shqiptarë.

Jam sot këtu tek ju, për të paraqitur para jush kandidatët për deputetë të qytetit dhe qarkut të Vlorës dhe për t’u betuar para jush se deputetët tuaj në parlamentin shqiptar do të jenë para së gjithash, deputetë të interesave tuaja fisnike, deputetë të hallave, derteve e problemeve tuaja, të vizionit të Vlorës së katër viteve që vijnë, të Vlorës së zhvilluar, Vlorës evropiane.

Vëllezër e motra,

këto vite, ne sëbashku bëmë gjithçka për të ecur drejt të ardhmes që meritojmë. Në epiqendër të të gjitha përpjekjeve tona ka qenë e mbetet punësimi i qytetarëve shqiptarë, mirëqenia a qytetarëve shqiptarë, integrimi i Shqipërisë në Europë. Me mundin, djersën, përpjekjet dhe punën tuja krijuese, me reformat që bëmë, ne ia dolëm në pak vite që biznesi në Vlorë e në Shqipëri pothuaj të dyfishohet, të dyfishohen vendet e punës. Me taksën e sheshtë dhe rregulla të tjera të vendosëm, me anëtarësimin në NATO e pasaportën që morëm, Shqipëria në katër vitet kulmore të krizës europiane mori investime të huaja 316 përqind më shumë se katër vitet e tjera, mori investime të huaja 4.2 miliardë dollarë, me të cilat u punësuan me dhjetëra mijëra qytetarë.

Qytetare e qytetarë të Vlorës,

përpjekja jonë është përpjekje fisnike, përpjekje për punësimin e qytetarëve të Vlorës e të Shqipërisë. Ne i besojmë Zotit, vlerave njerëzore e hyjnore të njeriut e lirive të tij. Ne besojmë se respektimi i lirisë ekonomike dhe lirive të tjera të qytetarëve përbën bazën e zhvillimit, bazën e punësimit, bazën e pasurimit, bazën e progresit. Ndaj edhe ne ulëm taksat, përgjysmuam taksën e biznesit të vogël dhe morëm një seri masash të tjera. Ne besojmë tek Shqipëria, tek potencialet e saj përrallore për qytetarët e saj. Ky është vend i bekuar, vend i pasurive përrallore. Ne do të bëjmë gjithçka t’i kthejmë ato në mirësi për qytetarët tanë.

Vëllezër e motra,

dhjetë ditë më parë isha në Sevaster. Pasi inauguruam një rrugë Kalivaç-Sevaster po kthehesha drejt Vlorës. Dua t’ju them një fjalë. Ajo çka më panë sytë në monopatet, kodrat, malet e asaj zone nuk ishte parajsa, por absolutisht ishte parajsë tokësore. Atje gjeta gra e burra optimistë. U ndala në Vajzë dhe takova banorë të gëzuar, optimistë, për rrugën, për perspektivën e potencialet e tyre. Më folën me pasion për prodhimet e ullirit, më folën për pasion për potencialet e mëdha të tyre.

Fola për atë zonë, e cila është ndër më të larta e Vlorës, por kudo ku t’i hedhësh sytë, kjo është tokë  e bekuar.

Në katër vitet që shkuan, ne financuam në Vlorë e në mbarë Shqipërinë 42 mijë fermerë. Por në qoftë se ne me grantet tona bëmë të mundur të mbillen 8 mijë hektarë ullinj, fermerët mbollën katër herë më shumë. Gjatë katër viteve të shkuara u krijuan në fermat shqiptare, 100 mijë vende pune. Jam sot për t’u zotuar në sheshin e Pavarësisë, para qytetarëve të Vlorës e mbarë Shqipërisë se katër vitet që vijnë do të trefishojmë grantet për ju burrat e gratë e mrekullueshëm dhe do të bëjmë që ju të keni jo 56 milionë mbështetje, por 165 milionë financime për fermat tuaja, do të bëjmë që aty ku jeni të ndërtoni fermat e bizneset tuaja, të punësohen së paku dhe 130 mijë qytetarë shqiptarë e të ndërtojnë një të ardhme më të begatë për veten e tyre.

Qytetare e qytetarë të Vlorës,

për mua është e freskët hapja e fushatës elektorale, sëbashku, në vitin 2005. Ne u zotuam se do të dyfishojmë turizmin dhe sot turizmi është rritur me 14 herë. Nga 300 mijë turistë e vizitorë, Shqipëria priti 4.7 milionë turistë e vizitorë. Ky sektor punëson mbi 150 mijë shqiptarë në sezon. Ne angazhohemi që katër vitet që vijnë të kemi 7 milionë turistë e vizitorë, të rrisim edhe me 30 përqind punësimin në sektorin e turizmit.

Vëllezër e motra,

e gjithë filozofia jonë është e thjeshtë: besim tek ju, besim tek liritë tuaja, përpjekje e madhe që pasuritë  e këtij vendi të shndërrohen në mirësi për secilin prej jush. Shqipëria është një nga vendet më të pasura me nëntokën e saj dhe ne do të bëjmë gjithçka që mineralet, nafta e çdo gjë tjetër të përdoret për punësimin e shqiptarëve dhe zhvillimin e Shqipërisë.

Vetëm pak vite më parë, shoqëria e informacionit, teknologjia e lartë pothuaj nuk ekzistonte në Shqipëri. Sot, në këtë sektor kemi të punësuar mbi 13 mijë qytetarë shqiptarë. Katër vitet që vijnë Shqipëria do të jetë lider në rajon, në fushën e teknologjisë së informacionit dhe do të dyfishojmë numrin e të punësuarve në këtë fushë. Shqipëria është Norvegjia e gadishullit të Ballkanit, më e pasura në ujëra. Në çdo lum e burim do të bëjmë gjithçka të ndërtojmë hidrocentrale, që çdo burim ujor të shndërrohet në energji për ne. Filloi ndërtimi i kaskadës së Devollit, së shpejti Vjosa, Skavica, degët e Drinit dhe lumenjtë e Alpeve. Ne do të trefishojnë prodhimin e energjisë.

Rruga jonë nuk është bulevard me lule. Ajo është rrugë mundimi, djerse, por rrugë serioze, rrugë suksesi, rrugë arritjesh, rrugë vizioni. Katër vitet që vijnë, ne do realizojmë sëbashku katër herë më shumë se vitet që përcollëm. Zonja dhe zotërinjtë që folën para meje paraqiten këtu projektet e realizuara. Unë qëndroj para jush për t’ju dhënë fjalën banorëve të Vlorës dhe të këtij qarku se aty ku jetojnë do kenë rrugë të reja, shkolla moderne, qendra shëndetësore e shërbime cilësore.

Qytetare e qytetarë të Vlorës,

në qoftë se vetëm për një moment mendojmë nëntorin e vitit ’12-të. Në sarajet e Xhemil beut dhe e fisnikëve të tjerë të Vlorës do të gjeni burra që po bënin gjithçka për ta shtyrë këtë komb të pavarur drejt perëndimit. Ish ofiqarë të lartë të Portës, por me vështrim kryekëput perëndimor. Ata e dinin se ekzistenca jonë, ekzistenca e kombit varej e ruhej nga shpirti i tij perëndimor. Ata bënë gjithçka që pas 500 viteve perandori lindore, këtu në Vlorë të themelohej shteti perëndimor i shqiptarëve. E vërteta është, vlonjate e vlonjatë, se për shqiptarët ka rëndësi shumë të madhe mirëqenia e tyre, ka rëndësi puna e tyre, rrugët, shkollat, pensionet, por ju garantoj se sot, për secilin prej nesh nuk ka interes më madhor, nuk ka gjë më të rëndësishme se rruga jonë drejt Europës. Aty duhet ta vendosim kombin tonë të lashtë si e ardhmja më e shkëlqyer e vlonjatëve dhe shqiptarëve. Rrugën që nisi Ismail Qemali dhe burrat e mëdhenj të tjerë të kombit e bllokoi dhe e ndërpreu diktatura hoxhiste. Stalinistët shqiptarë shpallën Vlorën e Shqipërinë as lindje dhe as perëndim, me qëllim e vetëm që të krijonin kombin ideologjik, nga interesi kombëtar ta spostonin në interesin ideologjik. Por në vitin ’90-ën, shumë nga ne që jemi këtu mbushëm sheshet e Shqipërisë dhe thirrëm “E duam Shqipërinë si Europa”. E duam Shqipërinë si Europa ishte thirrja e të parëve tanë, ishte thirrja e shpirtit tonë, ishte vizioni ynë për të ardhmen.

Në 20 vite, askush nuk e ka pasur më të vështirë se ne, por ne ia dolëm ta anëtarësojmë Shqipërinë në Këshillin e Europës, ia dolëm të firmosëm kontratën më të rëndësishme në historinë e kombit, me Europën, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ia dolëm që Shqipërinë, vendin që kishte vuajtur më shumë se çdo vend e komb tjetër në histori për sigurinë e vet, ta anëtarësojmë në NATO.

Zoti Rama ofendoi shqiptarët, ofendoi vlonjatët, kur në dokumentarin për kujtimet e vegjëlisë paraqiti si madhështi për Vlorën gjemitë e fuqive armike në portet e saj. Zoti Rama mos lëndo historinë! Aty qëndron lavdia e Vlorës, se Vlora i përzuri gjemitë dhe hordhitë dhe hyri në histori me luftën e saj.

Vëllezër e motra,

Ne anëtarësuam sëbashku Shqipërinë në NATO dhe ajo nuk është vepër e qeverisë, por në radhë të parë është vepra juaj, e besimit tuaj tek vlerat, e besimit tuaj tek liria. Ne bëmë detyrën tonë, por merita e parë është e juaja. Ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO, sepse me lumenjtë e djersës suaj, të fëmijëve tuaja, të vëllezërve e motrave tuaja në Itali Greqi dhe kudo. Shqipëria në 20 vite rrii prodhimion e dsaj të brendëshëm si asnjë vend tjetër 11 herë, cka do të thoshte se për shqipëtarët liria punon, liria funksionon.

Vëllezër dhe motra, ne morëm vizat. Ajo ëhstë vepër e juaja sepse 120 kërkesa që u paraqitën para nesh, ne patëm mundësinë ti zbatojmë ato, një për një. Ne si kërkojmë askurrkujt, absolutisht asgjë që nuk e  meritojmë, por bëjmë gjithçka për të merituar ato për të cilat ne punojmë.

Pas vizave ne na duhej pasaporta e statusit, duhej të bëhemi anëtarë të NATO-s, por edhe me status dhe anëtarë të Be. Ne punuam shumë, ju punuat shumë. Ju keni mbushur Shqipërinë me shtëpi të reja, keni bërë një Shqipëri tjetër.

Ju sot keni rritur standardet, ju sot ndiqni shkollat. Me iniciativën tuaj të lirë krijoni biznese, krijoni ferma. Komisioni Evropian pasi shqyrtoi çdo gjë vendosi të rekomandojë Shqipërinë për statusin e vendit kandidat për anëtar. Shqipëria  e meriton statusin, u shprehën komisionerët e KE, me një kusht për të cilin vetë Komisioni kishte bindur zotin Rama dhe kishim rënë dakord për të votuar tre ligje.

Zoti Rama nuk i votoi kurrë ligjet, bllokoi statusin. Do ti bëj  një pyetje nga ky shesh kryetarit të PS. Erdhe këtu dhe shpalle izolimin e thellë në të cilin  e paska zhytur Sali Beriosha Vlorën. Zotëri, Vlora, kryeqëndër historike e kombit, sot anëtare e NATO-s, Vlora qytet i qytetarëve të lirë që sot lëvizin të lirë, pa viza, Vlora qytet i një vendi që plotësoi të gjitha kushtet për statusin e kandidatit, qenka e izoluar apo ti që nuk voton tre ligje për ti mohuar asaj statusin? Ç’të drejtë ke ti? 10 ditë më parë bërtiste nga sheshi, të vijë Selam Musai se bën si në kohën e tij. Në Sevaster me thanë – “I çoni falë me shëndet, i thuaj Selam Musai do të vijë në Vlorë me benc”, se rruga po ndërtohet.

Pra u ndala në këtë moment që është jetik për ne. Ne jemi një forcë politike që edhe gabojmë, kemi dobësitë tona, por për një gjë dua tu them, për çdo vlonjat edhe vlonjate, ne jemi një forcë politike serioze.

Ne bëjmë gjithçka për të mbajtur fjalën tonë. Ne premtuam rritje rrogash dhe pensionesh. Ne i dyfishuam ato. Ne premtuam ulje taksash. Ne e bëmë  Shqipërinë, vendin me taksa më të ulëta në Evropë. Ne premtuam anëtarësimin në NATO, sot jemi anëtarë të NATO-s. Ne premtuam heqjen e vizave, sot jemi pa viza. Ju jap fjalën ju se do të bëjmë gjithçka , do të ndërmarrim çdo reformë, do të plotësojmë çdo standard, që ti liberalizojmë vizat edhe me SHBA-të, vendin tonë mik.

Çfarë premton zoti Rama? Premton rritjen e taksave,

 Biznesmenë të vegjël të Vlorës dhe të Shqipërisë,

 Jam këtu për tu bërë thirrje, kontrolloni taksat e biznesit të vogël në mbarë botën. Në qoftë se gjeni një vend me 1,5 % taksë xhiroje, ejani dhe më thoni dhe unë do të marr të gjitha masat që ju të keni taksën më të ulët në botë. Por unë nuk di që ka. Zoti Rama mashtron në mënyrë të rrezikshme. U thotë ju do tu heq taksën 1,5 % dhe pastaj taksën progresive do tua vendosë atyre që kanë mbi 1. 5 milion. Cili është biznesi i vogël që nuk ka në ditë 1,5 milion. Pra do tu vendosë një taksë 25, 30 % , aq sa do ai, sepse kur ishte kryetar bashkie, ai taksat i dy dhe trefishoi.

Qytetarë dhe qytetare të Vlorës,

Për të kuptuar alternativen e tij, lexoni për Koço Kokëdhiëin. Ai është simboli, ikona e spekulimit mbi tokë. E nisi me Hajdin Sejdinë, me fajdet, përfundoi me menaxherin “de fakto” të bashkisë së Tiranës për 11 vite. Pse zoti Rama në dokumentarin e tij “Kujtimet e vegjëlisë” nuk kishte vendosur asgjë  nga kujtimet e bashkisë? Nuk i vendosje dot se modeli që vendose në bashki për 11 vite ishte modeli i vendosur nga Koço Kokëdhima që fitonte 80 % të tenderave, që punonte në mënyrë të atillë, që rrugët prisheshin 6 muaj pas shtrimit, tavanet binin sapo vendoseshin, reklamat e qytetit i ndaje me të. Erdhi këtu dhe ja përplasi shpëtim Gjikës në fytyrë. Do ta mbrojmë –i tha, në tribunë me të, do ta mbrojmë Vlorën nga betoni. Nuk më erdhi keq për Shpëtimin, më erdhi keq për Vlorën, se ti lëshosh Vlorës Koço Kokëdhimën në shpinë, shkoni dhe shikoni çfarë i ka bërë Himarës. Mediave ju lutem, paraqisni pallatet e tij se si ja kanë lidhur Himarës së bukur sytë dhe nuk e sheh detin gjysma e saj.

Ecën me nje platformë mashtrimi ,akuzash, mohimi, vjen dhe flet për autostradën Adriatiko-Joniane, është dhe shumë i shkretë në ide. Është i varfër dhe ja u the me sinqeritet. Ai nuk e di që Shqipëria është ndër më të avancuarat në ndërtimin e saj. Shqipëria ka ndërtuar autostradën nga Miloti në Vlorë. Shqipëri është më parë se disa vende të tjera për këtë autostradë. Ai kujton se autostrada ndërtohet mbi rërë. Jo zotëri, autostrada nuk ndërtohet as në rërë, as afër rërës. Autostrada shkon Vlorë, është autostrada e brigjeve të Shqipërisë.

Jam sot këtu për tu zotuar para jush, vepra e parë që fillon by-passi. Kemi fondet, kemi projektin. Do ta ndërtojmë atë. Jam sot këtu për tu zotuar para jush se me kompanitë më serioze të botës, po punojmë për projektin, ndofta më madhështori, jo vetëm në historinë  e Shqipërisë, por në historinë e brigjeve, detrave të këtyre zonave, të kompleksit Karaburun-Sazan-Nartë-Zvërnec. Ky kompleks është kompleksi më mahnitës natyror. Do të bëjmë gjithçka për ndërtimin e një kompleksi nga biznesi i huaj ,ndër më elitarët që mund të ekzistojë, ndër më elitarët në Mesdhe.

Vlora ka pozicionin, por ka ujërat më të thella në rajon, ka premisën për portin më të madh. Kompania që e mori përsipër e ndërpreu për shkak të krizës, por kompani të tjera do të vijnë, kompani të mëdha dhe unë kam bindjen absolute se Vlora në vitet e ardhshme do të ketë portin më të madh në të gjithë rajonin .

Edhe njëherë me mirënjohje ju falënderoj për këtë tubim madhështor. Mesazhi i fitores nga Vlora, hyn sonte në zemrat e mbarë shqiptarëve.

Ju jap fjalën se së bashku do të bëjmë gjithçka për punësimin e vlonjatëve dhe të shqiptarëve, do të bëjmë gjithçka për rroga më të larta dhe mirëqenie më të madhe. Do të bëjmë gjithçka për Vlorën e zhvilluar evropiane, për Shqipërinë e zhvilluar evropiane.

Përpara, përpara, përpara!


19/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›