E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon banorët e fshatit piktoresk të Koshovicës në Dropullin e Sipërm

Pas inaugurimit të rrugës Llongo-Koshovicë, në Gjirokastër, kryeministri vizitoi fshatin Koshovicë, ku u takua me banorë dhe bashkëbisedoi me ta mbi problematika të jetës së tyre të përditshme.

“Koshovica, ka të gjitha vlerat e një fshati të mrekullueshëm turistik që duhet vizituar” u shpreh kryeministri, duke vlerësuar panoramën e jashtëzakonshme që ofron ky fshat, që tashmë e ka bërë lehtësisht më të arritshëm rruga e sapoinauguruar. Kryeministri garantoi se projektet për rrugë të reja do të shtrihen në çdo fshat të zonës, duke nxjerrë kështu më në pah bukuritë natyrore, si dhe potencialet e jashtëzakonshme turistike të tyre.

Kryeministri premtoi gjithashtu se investime të reja në të gjitha fushat, bujqësi, turizëm, arsim, etj, do të ofrohen gjatë 4 viteve që vijnë për Koshovicën, Gjirokastrën dhe jugun në tërësi. Kryeministri ftoi banorët që ti besojnë përfaqësuesit të tyre, zotit Spiro Ksera, si avokat dhe mbrojtës i denjë i interesave të tyre.

Në nisje të bashkëbisedimit, kryeministri u shpreh:

“Jam këtu në njërin nga fshatrat më të bukur, njëri këtu më tha se është si Dragobia. Në fakt gjatë gjithë kohës që po sodisja më dukej si fshatrat e Alpeve, me një panoramë të jashtëzakonshme. Ne këtu ndërtuam rrugën dhe këto rrugë do ti çojmë në çdo skaj të Dropullit të epërm, Dropullit të poshtëm dhe të  gjithë zonës së minoritetit. Ne duhet të bëjmë çdo gjë për të nxjerrë më të mirat e mundshme na pasuritë tona.

Miku im, Dhimitri ka punuar shumë vite në Greqi. Tani është kthyer dhe u shërben. Po kështu takova shumë miq me të cilët jam shkolluar, kemi kaluar një jetë të tërë në të gjithë shkollat të mesme dhe të lartë.

Ne, një gjë dua tu them, si forcë politike, ne atë çka shpallim, bëjmë gjithçka për ta mbajtur. Dua tu rrëfej vetëm një gjë. Ju e keni dëgjuar këta zotërinjtë që akuzojnë se janë ndërtuar vetëm 1800 km rrugë.

Nga ky fshat, nga Koshovica dua ti informoj shqiptarët se në inventar të plotë dhe të papërfunduar akoma, janë të regjistruara 10700 kilometra. Dhe sërish ju jap fjalën se ato pak mijëra kilometra që kanë mbetur do ti ndërtojmë një nga një.

Në qoftë se s’do të ishte rruga, ata që donin të vinin këtu do ta bënin me shumë vështirësi. Por ky është një nga vendet më të bukura, më piktoreske. Pas rrugës, cili është ai që nuk do të donte të ndërtonte shtëpinë këtu në një klimë kaq të mirë. Pra rruga hap turizmin, në një perspektivë të gjithanshme.

Ne kemi disa projekte të mëdha, por një nga më të mëdhatë është projekti i bujqësisë. Nga viti 2007 e deri më sot ne kemi financuar 42 mijë fermerë, për ullishta, vreshta, dele, sera dhe shumë gjëra të tjera. Ju lutem të bëni gjithçka për të aplikuar për çfarëdo që të doni ju për të krijuar fermat tuaja blegtorale, bujqësore, agrobiznes dhe çfarë të dëshironi dhe ne me përparësi do tu financojmë dhe në këtë mënyrë ne valorizojmë , bëjmë të vlefshme tokën tonë. Rrisim mirëqenien. E thashë dhe në takim, shumë nga djemtë tuaj , punojnë në bujqësi sepse kushte  janë më të mira atje. Ejani këtu që së bashku të krijojmë kushtet më të mira. Ne hoqëm çdo lloj takse dhe do rimbursojmë gjithçka që ju përdorni për prodhim. Ai që merr një traktor ne do ti japim tvsh që ka paguar. Gjithashtu për plehrat kimike, fidanët, kimkikatet e çdo gjë që ju duhet ne do tu rimbursojmë tvsh, përveç projektit, pra e ul 20 % çmimin me këtë.

Këtë, përfaqësuesin tuaj, ju bëj thirrje ta votoni sepse ky ka qenë avokati juaj kryesor dhe unë ju them që ky është njeri me dinjitet, njeri me integritet. Unë gjithnjë kam patur marrëdhënie shumë të mira edhe me PBDNJ, kam patur marrëdhënie të shkëlqyera me të ndjerin Vasil Melo, marrëdhënie shumë të mira me Vangjelin. Po një gjë, politika, nuk mund të jetë pazar. Po e bërë politikën si pazar mund të zgjidhësh ndonjë gjë për karrigen tënde, por për njerëzit nuk zgjidh asgjë.

Spiro nuk bënë pazare, ai vjen dhe shtron çështje si për Koshovicën dhe për çdo zonë tjetër të minoritetit. Prandaj mënyra se si vepruan këtë herë disa forca të tjera, nuk është në interes të minoritetit,të përçajë votat. Dhe gjithçka për pazare. Unë ju them ju se ata sollën këtu Anastasin, i cili nuk është minoritar dhe këtë ma ka thënë Pangalosi, të cilin e kam patur mik dhe më ka thënë se ai nuk është minoritar.

Vangjel Tavon edhe atë e bënë punë pazari sepse Rama i çoi listën e zezë Ilir Metës, me Vangjel Tavon, Luan Ramën dhe nja dy të tjerë nuk i pranoi kurrësesi në listë. Pra si në asnjjë zgjedhje tjetër, kandidatët për minoritetin, përveç Spiros, për të cilin edhe njëherë ju garantoj se është njeri me integritet, të gjithë të tjerët i bënë çështje pazari.

Ta votoni dhe unë ju jap fjalën zoti kryetar se do ju mbështes në çdo projekt që keni. Do të zhvillojmë turizmin, pasi ky është një vend nga më të bukurit. Do të bëjmë gjithçka të shfrytëzojmë potencialet. Në je doni të bëni projekt për të mbjellë arra, ne do jua financojmë ato. Në se doni të bëni projekte për blegtorinë , ne sërish do jua financojmë ato. Ka këtu në potencial shumë të madh për të mëkëmbur. Rruga është shpresë dhe çdo projekt tjetër duhet ta financojmë.”

Shqetësimit të një banori lidhur me sistemin e tubacioneve të ujësjellësit si dhe me furnizimin me energji lektrike të fshatit, kryeministri Berisha iu përgjigj:

“Për sa i përket, tubacionit do të ndërhymë menjëherë. Do të japim fondin, pasi me këtë rrugë dhe me ujësjellësin do të bëhet një nga fshatrat më piktoreske. Edhe problemin e dritave do ta zgjidhim. Ne kemi një projekt prej 63 milion euro vetëm unaza e Jugut, e cila duhet të ketë filluar nga puna, është nga projektet më të kushtueshme që kemi marrë në rrjetin elektrik. 43 kushton linja Tiranë Prishtinë, 60 kushton unaza e Jugut. Kjo do ta përmirësoje shumë cilësinë e furnizimit. Por në mënyrë të posaçme me ministrat janë interesuar dhe CEZ do të sjellë fuqizimin e tensionit tek ju.

Në tërësi ju garantoj se problemet energjisë, me të cilat nuk përballeni vetëm ju, por kryesisht hasen në Jug, pasi Jugu ka disbalancë të madhe, meqënëse energjia prodhohet në Veri, pra këto probleme do ti zgjidhim.  Po nuk u bënë këto ndërhyrje që u bënë, dobësohen cilësitë e korrentit, sa më larg burimit të ndodhet zona. KJo që po bëjmë ne do të amortizojë shumë efektin distancë  plus ndërtimit të shumë HEC-ve në Jug, të cilat do të balancojnë.

Unë isha në Kukës , i cili e ka Fierzën aty, por vetëm Hec-et e lumit Luma furnizojnë të gjithë qarkun pa ekzistencën e Fierzës fare. Pra po ecim kudo.

Lidhur me kërkesën e një banori për ndërtimin e rrugës që shkon në fshatin Sotiras, një fshat tjetër ky me vlera turistike, kryeministri iu përgjigj: Zoti kryetar, këtu jemi dhe ju garantoj se do ta bëjmë. Në rastin më të parë do ta bëjmë rrugën e Sotirës dhe shumë rrugë të tjera. Ne jemi të vendosur aty ku banojnë qytetarët, aty do të bëjmë rrugën. Ky është një vend i vogël dhe mungesa e rrugëve   e ka bërë shumë të mundimshëm udhëtimin, por unë sot u nisa nga Vlora dhe për një orë e 10 minuta isha tek Uji i Ftohtë ne Tepelenë. Nga Koshovica në Tiranë shkon për 2 orë  e gjysëm dhe unë ju garantoj se do të realizojmë cdo rrugë tjetër në shërbim të banorëve të këtyre zonave.

Gjitashtu banorët i paraqitën kryeministrit interesimin dhe vizionin për zhvillimin infrastrukturor të zonës së tyre, nëpërmjet dhënies së ideve të ndryshme. Në përgjigje të interesimit të tyre, Kryeministri u shpreh:

“Ju siguroj që kërkesat tuaja do ti shqyrtojmë me seriozitetin më të madh. Ajo çka është shumë pozitive është besimi juaj i madh tek kjo zonë. Vizioni juaj është absolutisht më i miri dhe kjo mund të shndërrohet në një qendër turistike nga më të mirat në zonë. Kërkesat tuaja për hapësira zhvillimi ne do ti shqyrtojmë me përparësinë më të madhe, sikundër do të shqyrtojmë dhe kërkesë tjetër mbi bazën ligjore. Unë vlerësoj shumë interesin tuaj për ta kthyer fshatin tuaj në një fshat tërheqës për të gjithë banorët  e larguar, por edhe për të gjithë shqiptarët. Mbi të gjitha ju garantojmë se do të bëjmë gjithçka për të hapur pika të kalimit të kufirit.Sot për sot ne po ecim drejt BE. Edhe më pas ne do të kërkojmë nga autoritet greke, pasi hapja  epikës së kufirit lehtëson shumë në të dy anët.  


20/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›