Fjala e Kryeministrit Berisha në tubimin elektoral në Berat
Qytetare e qytetarë të Beratit, Kuçovës, Skraparit, të bashkuar sot këtu në këtë miting madhështor, në këtë uragan të madh sa kështjella e qytetit, të bukur siç është vetë Berati, përshëndetjet më vëllazërore, më të përzemërta, nderimin tim më të thellë, respektin më të madh, mirënjohjen më të pakufishme për praninë tuaj, për mbështetjen tuaj, mirënjohjen më të madhe për punën tuaj të shkëlqyer. Berati është vepra juaj e pavdekshme, vepra juaj e përjetshme, është diamanti në kurorën e kombit. Unë kam nder të madh të jem sot këtu dhe të paraqes para jush këto burra e gra, deputetët e Partisë Demokratike për Beratin në parlamentin e ardhshëm, por vij këtu me zotimin tim solemn para jush se ata do të jenë deputetët e interesave tuaja, të halleve e problemeve tuaja. Vij këtu për t’ju dëshmuar në mënyrën më vëllazërore, se deputetët që ju kishit në parlament kanë qenë avokatët më të shkëlqyer të interesave tuaja dhe unë dua t’ju siguroj se nuk ka projekt në të katër anët e këtij rrethi, që të mos ketë pasur mbrapa angazhimin e plotë e total të deputetëve tuaj. Ata e kanë pasur derën të hapur dhe të jeni të sigurt se kanë bërë përpjekjet më të mëdha që Berati të marrë investimet që meriton, të marrë projektet që meriton.
Zonja e zotërinj,
në të gjithë përpjekjen tonë për zhvillimin e Shqipërisë, për integrimin e saj në Bashkimin Europian, për punësimin e qytetarëve shqiptarë, për punësimin e qytetarëve të Beratit, ne bazohemi tek besimi i pakufishëm tek ju, liritë tuaja, shpirti juaj punëtor. Ne frymëzohemi më shumë se nga çdo gjë tjetër nga vepra juaj e madhe, nga mundi e krijimi juaj.
Sa herë vij në Berat mendoj qytetarinë e këtij qyteti, sesi në shekuj krijoi mrekullinë e Beratit, sesi në shekuj mbrojti trashëgiminë e madhe kulturore të qytetit dhe kodikët. Por vëllezër, në Goriçan, në Sinjë, në Lumas, në Vreshtas, në Kozarë, kudo ku shkoj, unë gjej vetëm kryevepra të grave e burrave punëtorë, shoh sesi ata kanë qëndisur tokat, kodrat, shpatet, luginat e tyre, sikur ato të ishin misir, kanë bërë gjithçka për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten e tyre.
Kjo është vepër e njeriut të lirë, e iniciativës së lirë të qytetarit të Beratit, të qytetarit shqiptar. Ndaj dhe në filozofojë tonë, ne e kemi respektin e lirive tuaja, sigurinë e lirive tuaja, mbështetjen e lirisë suaj ekonomike, të lirisë suaj të lëvizjes, përparësinë më të madhe. Ne erdhëm në pushtet dhe përgjysmuam taksën e biznesit të vogël nga 3 në 1.5 përqind, ulëm në 10 përqind tatim fitimin mbi të ardhurat personale. Çfarë ndodhi në Berat? Bizneset u dyfishuan, punësimi u dyfishua. Ne erdhëm në pushtet dhe filluam subvencionin për fermerët dhe këtu në Berat, ne kemi subvencionuar mbi 6 mijë projekte të fermerëve të mrekullueshëm të Beratit. Ata krijuan mijëra ferma model. Nga toka e tyre, ata ndërtuan shpresën, ndërtuan e po ndërtojnë të ardhmen.
Vëllezër e motra,
nëpërmjet mbështetjes së bujqësisë, ne krijuam dhjetëra mijëra vende pune të reja, por mbi të gjitha, ne e bëmë Beratin, e bëmë Shqipërinë një vend tërheqës për investimet e huaja. Katër vite e fundit, ne morëm 4.2 miliardë investime, të cilat u kthyen në dhjetëra mijëra vende pune. Ne këto vite, ju dhe ne mbrapa në mbështetjen tuaj ndërtuam Shqipërinë turistike, Shqipërinë e bukurive të dheut. Nga 300 mijë turistë e vizitorë, vitin e kaluar patëm 4.7 milionë. U rrit edhe numri i të punësuarve.
Vëllezër e motra,
zonja e zotërinj,
përsëri rrugën nuk e kemi bulevard, sërish kemi të papunë, sërish kemi të varfër e njerëz me halle, por rruga jonë është rrugë e ndershme, rruga jonë është rruga e ndryshimit që nuk e mohon dot asnjeri. Ne zotohemi para jush në këtë shesh se katër vitet që vijnë, Shqipëria do të thithë jo 4.2 miliardë dollarë, por 6 miliardë dollarë investime të huaja, me të cilat do të punësohen dhjetëra mijëra qytetarë. Ne japim këtu fjalën e nderit se në rast se në Shqipëri turizmi do të rritet me 40 përqind, në Berat turizmi do të rritet së paku me 400 përqind. Berati është krenaria kombit, është krenari e botës me pasurinë e tij kulturore.
Ne do të punësojmë shqiptarët, sepse ne kemi provuar se projektet tona funksionojnë. Shkoni në çdo fshat të Beratit dhe do të gjeni fermat e ngritura nga subvencionet e qeverisë. Çdo të bëjmë ne? Do të trefishojmë subvencionet për fermerët shqiptarë. Në qoftë se shpenzuam 56 milionë dollarë, në katër vitet që vijnë ju jap fjalën e nderit, zotohem para jush se do të subvencionojmë 165 milionë dollarë. Por ne nuk ndalemi me kaq. Jo! Ne do të bëjmë gjithçka, që iniciativa e juaj e lirë të njohë dimensionet më të mëdha. Shembulli më i shkëlqyer i kësaj iniciative dhe e mbështetjes është presidenti i Albanian University, zoti Astrit Veliaj, i cili ngriti këtu, universitetin me tarifa shtetërore dhe i dha Beratit, institucionin që e priste në shekuj e mijëvjeçarë. Këto dy muaj, ne kemi hequr çdo taksë mbi çdo lloj kapitali. Kjo do të thotë inkurajim i madh për biznesmenët shqiptarë. Ne hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale për punonjësit me pagë nën 30 mijë lekë. Ne do rimbursojmë TVSH-në për të gjitha makineritë, inputet e çdo gjë tjetër që përdorin fermerët për prodhim.
Vëllezër e motra,
në qoftë se i hedhim një vështrim këtij diamanti të kulturës botërore, ai rrëfen, pasqyron me shkëlqimin në çdo kristal të tij, qytetërimin perëndimor shqiptar, shpirtin perëndimor të qytetarëve të Beratit. Për ta mbrojtur atë, qytetarët e këtij qyteti e mbarë shqiptarët kanë sakrifikuar më shumë se çdo gjë tjetër.
Këto vite, ne kemi faktuar se ne jemi seriozë në interesat tuaja, në aspiratat e idealet tuaja. Ne kemi bërë gjithçka për ta bërë të vërtetë ëndrrën europiane të qytetarëve të Beratit. Ne bëmë të vërtetë ëndrrën atlantike, anëtarësuam Beratin dhe Shqipërinë në NATO. Ne firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian. Ne hoqëm vizat dhe lëvizim të lirë në mbarë Europën. Ne merituam statusin e vendit kandidat, me kusht që të votoheshin tre ligje, për të cilat ishte arritur marrëveshje e plotë.
Çdo gjë që është arritur para së gjithash është vepër e juaja. Ne u anëtarësuam në NATO, sepse me të gjithë forcën dhe energjitë tuaja, ju firmosët ndryshime epokale në Berat dhe në Shqipëri. Ne firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit se ju përmbushët çdo kriter me arritjet tuaja. Ne morëm vizat, sepse plotësuam 120 kërkesa për t’i marrë ato. Ne morëm rekomandimin për statusin e vendit kandidat, sepse ju dhe ne, sëbashku, plotësuam reformat dhe firmosëm çdo arritje që duhej për këtë pasaportë.
Cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është akuza, akuza dhe vetëm akuza. Mohime, mohime e vetëm mohime. Bllokime, bllokime e vetëm bllokime. Është normale të kritikosh nga mëngjesi deri në darkë qeverinë, por është anormale, e pandershme të vish në Berat dhe të deklarosh para jush, qytetarëve të Beratit se asnjë armik, asnjë pushtues nuk ju ka bërë atë që ju ka bërë kjo qeveri. Është e dhimbshme, se kjo nuk vjen nga një spital psikiatrik, por vjen nga lideri i opozitës, i cili e di se Berati sot ka shumë halle, por është qytet i një vendi anëtar të NATO-s. Ai e di mirë se Berati dhe shqiptarët kanë halle e probleme, por Berati sot është diamant në fondin kulturor të botës. Ai e di se në të katër anët e Beratit, nga fshati i tij i origjinës Mbreshtan, që nuk e shkel ndonjëherë, deri në Lumas, në kanione, në çdo skaj po bëjmë gjithçka, për t’i dhënë infrastrukturë moderne që meritojnë qytetarët e mrekullueshëm të tij. Të shpallësh se nuk ka armiq që i ka bërë Beratit ato që i ka bërë kjo qeveri, do të thotë të udhëtosh në autobus me xhama të zinj e të mos shohësh asgjë përreth, përveç parateve të autobusit ku je ndryrë.
Vëllezër e motra,
unë jam sot para jush, për t’u zotuar se katër vitet që vijnë, ne do të bëjmë për Beratin, shumë herë më tepër se katër vitet që shkuan, se do të ndërtojmë Boshtin e Jugut dhe çdo kilometër rrugë në këtë qark, se do të rindërtojnë e ndërtojmë çdo shkollë, çdo spital e poliklinikë. Berati i zhvilluar, Berati europian është motoja jonë.
Ne sëbashku, brenda një viti do të kemi në xhep pasaportën me statusin e vendit kandidat, se ne sëbashku do të hapim negociatat me Bashkimin Europian për anëtarësim të plotë, se ne sëbashku do të bëjmë çdo reformë, për të merituar liberalizimin vizave në vendin e madh të lirisë, mikun më të shkëlqyer të shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Nga kjo platformë, për dy gjëra e ftoj zotin Rama. Ne jemi politikanë. Ne kemi kamerat, kemi mikrofonat. Është e pafalshme për ne të ofendojmë njerëzit, është e papranueshme për ne, një gjë e tillë. Natyrisht, fushata është fushatë, temperaturat ngrihen, por gjakrat duhet të mbahen. Nuk mund t’i quash kurrë këtë qytetarë të mrekullueshëm robër. Jo zoti Rama, këta janë gra e burra të lirisë dhe kjta kanë hedhur një herë e përgjithmonë shtytjen mënjanë. Në qoftë se ka punonjës të administratës në mitingje, mësoje këtu se kjo bashki, prej disa mandatesh qeveriset nga socialistët dhe i garantoj ata të dalin në çdo miting, të mbrojnë pikëpamjet e tyre. Punonjësit e administratës janë gra e burra të lirë, janë si unë e si ti zoti Rama, kanë botëkuptimin e tyre, mendimin e tyre, të drejtat e tyre politike. Ata nuk janë robër, por rob i së shkuarës është ai që i mendon ata si skllevër. Jo! Mbaji nervat! Një ditë u thua mësuesve injorantë, i quan fëmijët si dele në klasë, ditën tjetër flet për tradhtarë, ditën tjetër për armiq, ditën tjetër, nënat, vajzat e motrat tona infermiere, që 24 orë në 24 kujdesen për shëndetin e njerëzve tanë, i quan me fjalët më të padenja. Zoti Rama fushata kërkon alternativa, kërkon projekte, kërkon rrugë, ura, shkolla, kërkon biznese, ferma, punësim. Ja këto duan qytetarët shqiptarë.
Në një qytet do të deklaronte se do t’u fal gjobat atyre që janë gjobitur nga marsi e këtej. Po ata që janë gjobitur në shkurt, janar çfarë i konsideron, armiq klase!? Në disa aspekte je i paformuar dhe të mungojnë nocionet më elementare ekonomike, sepse midis atij që gjobitet dhe atij që nuk gjobitet ka një dallim, por çdo shtet dhe çdo vend përdor faljen, përdor amnistinë dhe zoti Rama, kur dy vjet më parë, unë solla në parlament ligjin e amnistisë së plotë, i cili kërkonte 3/5 e votave, e refuzove. Atëherë prapë të ftoj, urdhëro të mbledhin parlamentin dhe ta votojmë, sepse amnistia është dhuntia e shtetit. Shteti ndëshkon me ligj, por shteti me ligj edhe fal. Ndaj mos u bëj si politikan kioskë, që do falësh vetëm gjobat e marsit. Urdhëro zoti Rama, ligjo është gati, eja ta votojmë, nga 2011 e deri në ditët e sotme. Shteti nuk është kioskë. Eja të votojmë tre komisionerët e tu, që i bërë plaçkë tregu. Kërkoi të falur Jani Janit, të cilin e ngrive dhe e shkrive në mënyrën më mizore, për pazare.
Edhe një herë ju përqafoj të gjithëve, ju shpreh mirënjohjen time dhe ju jap fjalën se të gjitha projektet do t’i përfundojmë, me përparësi do të ndërtojmë Boshtin e Jugut, do të ndërtojmë në këtë qark, sistemin më të shkëlqyer të rrugëve, ujësjellësve, shkollave dhe të vaditjes, do të bëjmë gjithçka për punësimin më të madh, për rritjen e rrogave dhe pensioneve, do të bëjmë gjithçka për integrimin e Beratit dhe Shqipërisë në Europë. Përpara! Përpara! Përpara! Rrofshi ju! Rroftë Berati! Rroftë Shqipëria!
18/05/2013