Kryeministri Berisha prezanton në Korçë kandidatët për deputetë të këtij qarku

Kryeministri Berisha, gjatë një tubimi elektoral, prezantoi sot pasdite kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike për qarkun e Korçës.
Fjala e Kryeministrit Berisha në takimin elektoral në Korçë:
“Qytetarë dhe qytetare të Korçës.
Vëllezër dhe motra.
Zonja dhe zotërinj.
Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë, për këtë pritje madhështore, për këtë miting festiv, me të cilin ju sot çelni fushatën elektorale në qarkun tuaj. Fushatën e fitores së 23 qershorit.
Sonte me ju në këtë shesh janë qytetarët shqiptarë nga mbarë Shqipëria, janë vëllezërit, motra, njerëzit tuaj të afërt, nga të katër anët e Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë korçarët dhe korçaret kudo në Botë.
Unë gjithashtu dua të përulem me nderimin më të madh para jush. Me mirënjohjen më të thellë për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme, për kontributin tuaj të madh në zhvillimin e Korçës dhe të Shqipërisë dhe tu siguroj ju, se ekipi i deputetëve, që ju do të sillni në parlament, do të jenë para së gjithash gra dhe burra, do të jenë parlamentarë, që do të punojnë me përkushtimin më të madh për ju, interesat tuaja për Leskovikun, Kolonjën, Devollin, Pogradecin, Korçën kryeqendrën e Shqipërisë Juglindore, për qytetarët e saj të mrekullueshëm. Ju garantoj se axhenda jonë do të jetë mbështetja juaj.
Vëllezër dhe motra.
Filozofia jonë është e thjeshtë, ne jemi filozofia e qendrës së djathtë. Ne besojmë tek vlerat themelore tuajat. Besojmë se këto vlera janë tokësore dhe hyjnore, janë të njeriut të dhëna nga Zoti, të lindur me të. Ne besojmë se mbi këto vlera ndërtohet e ardhmja që meritojmë. Ne jemi parti e lirive tuaja, e dinjitetit tuaj dhe ne besojmë se ju me iniciativën tuaj të lirë, me lirinë ekonomike, mund të ndërtoni Korçën, Korçën Europiane, mund të ndërtoni Shqipërinë, Shqipërinë Europine.
Ne mbyllim tani me ju një katër vjeçar, por mbyllim gjithashtu një katër vjeçar me suksese të padiskutueshme, me vështirësi të pamohueshme.
Miqtë e mi këtu rreshtuar rezultatet. Ato janë të prekshme, ato janë reale, por rezultate shumë më të mëdha të tjera, janë ato që keni firmosur ju në bizneset tuaja, në fermat tuaja, me punën tuaj, me mundin tuaj, me djersën tuaj.
Ne jemi të lumtur, se me këtë filozofoi, ne kemi krijuar mundësi për lulëzimin e bizneseve, iniciativës suaj të lirë. Korça ka dyfishuar bizneset e saj, por ato janë vepër e juaja. Ne ju garantojmë ju se katër vitet që vijnë, ne do të bëjmë të harrohen katër vitet që shkuan dhe këtu do të jemi. Nga ky stad ku kemi arritur, katër vitet që vijnë do të ecim katër herë më shpejt. Ne besojmë tek liritë, ne besojmë se koha është më e çmuara e njeriut dhe kemi bërë gjithçka, që ju të lëvizni në kohën më të shpejtë, në të gjitha anët.
Vëllezër dhe motra.
Sot ju rendni, ecni, rrugëtoni në rrugë shumë më të mira, por pas dy-tre javësh ju do të shkoni në Tiranë me një orë më shpejt dhe absolutisht pas një viti e gjysmë, do të shkurtohet edhe me gjysmë ore më shumë me rrugën e re Qafë Plloçkë-Qukës.
Në çdo përpjekje tonën ne një qëllim kemi, qëllimin më kryesor që ju të keni punë, që ju të punësoheni se vetëm me pune ju shpallni dobitë tuaja, talentet tuaja, ndërtoni lumturinë familjare, të ardhmen e fëmijëve tuaj.
Për krijimin e vendeve të punës ne bëmë gjithçka për të klimën e biznesit. Vendosëm taksën e sheshtë, përgjysmuam taksën e biznesit të vogël, përgjysmuam sigurimet shoqërore për sipërmarrësit, hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale për punonjësit me rrogë nën 30 mijë lekë. Kjo solli dyfishimin e bizneseve në Korçë. Cilido që të dojë të shkojë të lexoje regjistrin e taksave, të marrë numrin e bizneseve në 2005 dhe sot në 2013. Me këtë politike në ia dolëm që katër vitet e fundit të tërheqim në Korçë dhe mbarë Shqipërinë 4.2 miliard dollarë investime të huaja dhjetëra mijëra vende pune u krijuan me këto investime. Shqipëri mori gjatë këtij mandati 316 përqind më shumë investime të huaja, sesa gjatë mandatit të parë.
Ne duam besimin tuaj në mënyrë që katër vitet që vijnë të marrim investimet e huaja 6 miliardë dollarë. Ne i kemi mundësitë të plota për këtë. Vetëm dy projektet gjigande, që të dyja kalojën në territorin tuaj, hidrocentrali i Devollit dhe gazsjellësi Trans-Adriatik do të jenë sëbashku mbi 2 miliard dollarë investime.
Vëllezër dhe motra.
Për krijimin e vendeve të punës, ne bëmë gjithçka për të mbështetur bujqësinë shqiptare. Ne katër vite në kemi financuar me grante 42 mijë fermerë, por dy herë më shumë kanë bërë vetë fermerët e Korçës fermerët shqiptarë. Ndaj dhe në duam të trefishojmë grantet për fermerët e Korçës. Ne hoqëm çdo taksë për çdo lloj kapitali, për çdo lloj biznesi. Ne hoqëm çdo taksë, çdo TVSH dhe do të rimbursojmë TVSH për fermerët shqiptarë, për çdo makineri për gjithçka ata përdorin për të nxitur prodhimin. Korça është sot e famshme jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjërë, për mollën e saj të mrekullueshme më e mira e kësaj toke, për prodhimet e saj të tjera. Ne do të bëjmë gjithçka për punësimin tuaj, ndaj dhe me trefishimin e grandeve me sistemin e reja të vaditjes, ne ju garantojmë ju të shtojmë vendet e punës në fermat shqiptar edhe me 130 mijë punonjës të tjerë.
Korça ka bukuritë e saj përrallore, malet, liqenet, lumenj e saj, ka potencialin e jashtëzakonshme turistik. Këtu në Korçë si dhe në mbarë Shqipërinë, ne kemi ndërtuar një infrastrukturë moderne turistike. Ne në një hark kohor të shkurtër ia dolëm të marrim nga 300 mijë turistë dhe vizitor, në 4.7 milion. Në katër vitet që vijnë, ne do të arrijmë të kemi në Shqipëri 7 milion turistë dhe vizitorë, dhjetëra mijëra vende pune të tjera, do të krijohen në Korçë, do të krijohen në Shqipëri.
Vëllezër dhe motra.
Përsa u përket ujërave, Shqipëria është një vend i bekuar, është një Norvegji në gadishullin e Ballkanit. Me dhjetëra e dhjetëra hidrocentrale po ndërtohen në Korçë dhe në mbarë Shqipërinë. Katërvjeçari që vjen do të jetë katërvjeçari, në të cilin jo më pak se 30 mijë qytetarë shqiptarë do të punësohen në sektorin energjetikës.
Korça dhe Shqipëria sot janë në moshën dixhitale. Ne kemi arritur një nga shkallët e larta të përdorimit të internetit. Sot në ditët e internetit dua t’ju them qytetarëve të Korçës, se në fillim të vitit 2006 përdorimi i tij ishte ndër më të ulëtit në Shqipëri. Ndërsa sot ne kemi nivele të afërt më ato të Bashkimit Evropianë. Katër vitet që vijnë, 15 mijë vende pune të tjera, do të krijojmë në këtë fushë. Shqipëri do të jetë vend lider në teknologjinë e lartë.
Vëllezër dhe motra.
Për qytetarët e Korçës, për prindërit, nënat, baballarët, shkollimi fëmijëve, arsimimi i mirë i tyre është pasioni më i madh shpirtëror i tyre. Korça është djepi i arsimit. Ka sot një nga universitetet më moderne të vendit. Në një hark kohor të shkurtër ne kemi katërfishuar numrin e të diplomuarve në universitetet tona. Do të bëjmë gjithçka të katërfishojmë cilësinë, të vendosim Shqipërinë në shinat e dijes, të rendim me sukses në garën më të rëndësishme, në garën e dijes, në garën e mendjes, garën e zhvillimit.
Miq të dashur.
Kemi arritur shumë, por dhe shumë kemi për të bërë. Asnjëherë nuk themi se nuk kemi për të bërë gabime, se e kemi bulevard përpara, por dy gjëra ju ftoj të mos i harrojmë. Së pari, kemi bërë gjithçka, me ju sëbashku për të qenë serioz në qëndrimet ndaj vetës sonë, kemi premtuar dhe kemi ndërtuar rrugë më shumë se kurrë, prapë kemi shumë për të ndërtuar , por sot është me e afërt se kurrë dita që Shqipëria të ketë rrjetin rrugor më të mirë në Rajon dhe më gjërë.
Kemi premtuar liri ekonomike. Në kulmin e krizës Europiane ne trefishuam investimet, tani kemi hequr taksën mbi çdo lloj kapitali dhe kjo është nxitja më e fuqishme për biznesin, iniciativën e lirë.
Këtu në Korçë dhe kudo kemi premtuar rritjen e rrogave, ne mbi dyfishuam rrogat e mësuesve, të infermierëve dhe të mjekëve dhe ju japim fjalën se katër vitet që vijnë, në Shqipëri nuk do të ketë mësues që të mos marrë 700 dollarë. Ato i japim për ata, por i japim edhe për fëmijët tanë, sepse ne ju besojmë atyre fëmijët tanë. Ne do të bëjmë gjithçka, që ata të përmbushin misionin e tyre të madh të edukimit dhe mësimit të fëmijëve tanë. Ne kemi shpallur se do të mbështesim bujqësinë. Kurrë ndonjëherë më parë, ferma të reja, rritje të prodhimit, si këto vite nuk ka patur. Tani më e rëndësishmja, më themelorja për Korçën dhe shpirtin e saj, për Kombin dhe shpirtin e tij, është vokacioni ynë perëndimor.
Qytetarë dhe qytetare të Korçës.
Ne kemi përjetuar pushtime të gjata, luftëra të egra, varfërira të tmerrshme, epidemira të rënda, por një gjë ka qenë shpëtimtare për ne, se ne kurrë nuk dorëzuam vokacionin tonë perëndimor, besimin tonë tek doktrinat dhe vlerat perëndimore. Korça ishte djepi i tyre, mendimi korçar ishte mendimi perëndimor. Këtu lindi shkolla shqipe me germat e alfabetit. Këtu në Korçë u shkruajtën traktatet e mëdha të shpirtit perëndimor të kombit shqiptarë . Në çdo rrethanë shqiptarët kurrë nuk duhet të harrojnë, se mund të jenë të varfër dhe të pasur, se mund të jenë në halle dhe në vështirësi , se mund të kenë njëmijë e njëqind probleme, por më kryesorja orientimi i tyre duhet të jetë perëndimor. Nuk dua të hyj në histori, por dua t’ju sjell ju, vetëm një shembull; sesa thellë në shpirt e kemi ne atë. Në qershor të vitit 1991, pas gjysmë shekulli diktature të egër, pas malesh propagande anti-amerikane, Korça dhe Shqipëria u derdhën në Tiranë për të pritur Xhejms Bejker, për të dëshmuar, se asgjë në shpirt nuk u cenon shqiptarëve vlerat e qytetërimit të tyre perëndimor.
Ja sepse Partia Demokratike, që në themelimin e saj stipuloi në program parti e vokacionit perëndimor të shqiptarëve. Me mbështetjen tuaj, me përpjekjet tuaja, me sukseset tuaja, ne ia dolëm të anëtarësohemi në Këshillin e Europës, ne ia dolëm të firmosim marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian. Ne ia dolëm të marrim ftesën për në NATO, ne ia dolëm të lëvizim të lirë pa viza në Europë. Ne ia dolëm të marrim rekomandimin e statusit për vend anëtar në Bashkimin Europian. Kjo është merita juaj, kjo është merita e qytetarëve shqiptarë. Ne nuk kemi bërë gjë tjetër, por kokë ulur kemi mbështetur vlerat perëndimore që ju besoni.
Çfarë ndodh në krahun tjetër? Krahu tjetër ka një alternativë të vetme, akuza, akuza, akuza; mohime , mohime , mohime; mashtrime, mashtrime, mashtrime; bllokime, bllokime, bllokime, kjo është. A po shpik unë gjë? Pyesni veten. Si ka mundësi që ky njeri vjen dhe i thotë Korçës, ti je Parisi ynë. Në fakt Korça është qyteti i vlerave të mëdha, por nëqoftëse Korça vërtet të duket ty, të ngjason me Parisin, dhe unë ju them unë ju, se kam jetuar dhe kam miqësi me familje franceze dhe korçare dhe ka ngjashmëri. Po ku janë ngjashmëritë? Ngjashmëritë nuk janë vetëm në velenca, ngjashmëria më e madhe është në aspiratat perëndimore që ju ndani me qytetarët perëndimorë. Atëherë zotëri si ka mundësi që ti e quan Korçën Paris dhje i mbyll dyert asaj? Statusin për vendin kandidat. Si ka mundësi zotëri, që këtyre qytetarëve dhe qytetarëve shqiptarë, u bëre gjithçka që të mos lejosh të marrësh vizat, të lëvizin si qytetarë evropianë në mbarë Europën.
Si ka mundësi zotëri, të lozësh, të marrësh nëpër këmbë shpirtin perëndimor, vlerat perëndimor të këtij vendi. Si ka mundësi, që për tre ligjet nuk lejon të merret statusi. Si ka mundësi kur shqiptarët, kur ju do të firmosnit kontratën më të madhe historike me Bashkimin Europian, marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ti zotëri urdhëroje Baçin tënd të hynte në parlament, ish- kryeministër, me borie dhe bilbila vetëm për ti thënë Europës se ky Komb është i përçudnuar dhe nuk meriton marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Ndaj dhe më 23 qershor ju votoni, për përfaqësuesit e forcës politike, përfaqësuesit tuaj, të cilët do të bëjnë gjithçka për integrimin e Shqipërisë në Europë. Dy fjalë . Erdhi këtu me një gjuhë të padenjë etiketoi kandidatët tanë, nuk kam ndërmend të përdor as edhe një etiketë. Por vetëm t’ju kërkoj ju, të dashur qytetarë dhe qytetare , veçanërisht socialistëve të Korçës. Se kush janë deputetët që u ka sjellë Edi Rama, lexoni në memoriet e katharsisit të Fatos Nanos. Lexoni se i keni të gjitha aty. Sepse i solli Fatos Nano këtu, pyesni Kuçovën, pyesni Lushnjën, pyesni Gjirokastrën, do u thonë se nuk i pranuam.
Ndaj dhe një herë ju bëj thirrje ta shndërrojmë 23 qershorin në festën e madhe të vlerave tona të ardhmes tonë. Të votojmë së bashku për punësim më të madh, për rroga më të mira, për Korçën Europiane, për Shqipërinë e Zhvilluar, Shqipërinë Europiane.
Përpara! Përpara! Përpara!
Rroftë Korça!
Rroftë Shqipëria !”
17/05/2013