E Diel, 1 Nëntor 2026

-Fjala e Kryeministrit Fatos Nano- Të nderuar pjesëmarrës, E thirra këtë mbledhje pune, të kësaj tryeze të sigurisë dhe të bashkëpunimit midis organeve të shtetit ligjor për një dr

-Fjala e Kryeministrit Fatos Nano-

Të nderuar pjesëmarrës,

E thirra këtë mbledhje pune, të kësaj tryeze të sigurisë dhe të bashkëpunimit midis organeve të shtetit ligjor për një drejtësi të organizuar kundër krimit të organizuar, për të diskutuar dhe vlerësuar së bashku me ju, gjendjen në të cilën ndodhet lufta jonë e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të qënieve njerëzore. Tryeza jonë është instrumentalizuar tashmë si një institucion këshillimor i rëndësishëm që i shërben vendimmarrjes së secilit institucion në funksion të rezultateve në luftën antitrafik dhe antikrim. Në këta 18 muaj, që ne koordinojmë më mirë veprimtarinë ligjore sëbashku, kemi arritur të vlerësojmë problematika konkrete duke respektuar dhe fuqizuar kompetencat e secilit. Kushtetuta e vendit, ligjet organike në fuqi si dhe marrëveshjet e bashkëpunimit ndërdikasteriale që kemi nënshkruar janë instrumente ligjore adekuate që bëjnë të mundur funksionimin e kësaj tryeze në shërbim të respektimit të prioriteteve që Shteti Shqiptar ka në luftën e organizuar kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.

Në këtë fillim viti, ne duhet të vlerësojmë së bashku disa instrumenta të tjerë ligjore apo mekanizma institucionale që do ta bëjnë punën e çdo institucioni dhe koordinimin e saj në këtë tryezë më efikase në luftë kundër krimit. Duhet të kemi parasysh se krimi i organizuar po shfaqet gjithnjë e më i sofistikuar, dhe kjo është një provë që me maturi duhet ta vlerësojmë si pjesë e suksesit të goditjeve tona deri më sot me mjetet dhe metodat që kemi përdorur, mbështetur në ligj. Pra, ka ardhur koha për një ritëm të ri dhe veprimtari shumë më cilësore në luftën kundër krimit të organizuar se deri më sot. Bashkëveprimi ndërinstitucionial duhet bërë më i zhdërvjellët dhe më operativ. Qarkullimi i informacionit në këtë funksion duhet të jetë më i shpejtë dhe adekuat. Ritmet e goditjes ndaj krimit të organizuar, sidomos, duhet të jenë më të larta.

Ngjarja e ndodhur tre ditë më parë në bregdetin e Vlorës na sjell në vëmëndjen tonë të përbashkët nevojën si për një kundërpërgjigje të rreptë ligjore kundër kujtdo që tenton të kalojë kufijtë shtetërore në mënyrë të paligjshme, ashtu dhe për të intensifikuar punën e ekzekutivit dhe të institucioneve shtetërore në mënyrë që qytetarët shqiptarë të zgjerojnë mundësitë për lëvizjen e lirë të tyre. Nuk mund të lejojmë më të viktimizohet i gjithë shteti dhe shoqëria shqiptare nga veprimet dhe pasojat e krimit të organizuar, qofshin ato edhe me proteksion apo nxitje zyrtarësh të korruptuar në çfarëdo instance.

Në vitin 2004 që sapo kemi hyrë, objektivat strategjikë të qeverisë që unë drejtoj janë:
- Mbyllja përfundimtare e çdo shtegu për kalim të paligjshëm të kufijve, qoftë kjo e organizuar si trafik, qoftë edhe raste sporadike.
- Bashkë më këtë lloj trafiku ne synojmë mbylljen e kanaleve të trafikut të drogave, sidomos atyre të rënda.
- Njëkohësisht ky vit do të jetë viti i goditjes më të fortë ndonjëherë të krimit të organizuar në Shqipëri. Në këtë luftë ne nuk jemi të vetëm, sepse krahas këtij bashkëpunimi ndërinstitucional, kemi aleatë strategjikë të cilët me programe dhe mbështetje profesionale dhe institucionale po shfaqen gjithnjë e më të interesuar për të bashkëpunuar me ne në këtë luftë që i kapërcen kufijtë e vendit.

Në vijim desha të vlerësojmë së bashku prioritetet më të rëndësishme për vitin 2004, të luftës së drejtësisë së organizuar kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.

1- Ne do të ristrukturojmë Policinë e Shtetit. Kam ngarkuar Ministrin e Rendit Publik dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që të përgatisin për vendimmarrje një strukture të re operacionale të veprimit dhe ndërhyrjes antitrafik. Kjo polici antitrafik do të ketë në fokusin e punës së saj parandalimin e rasteve të trafiqeve të paligjshme, kapjen dhe evidentimin e trafikantëve dhe në mënyrë të veçantë dokumentimin ligjor të çdo elementi kriminal që tenton të organizojë veprimtari trafikuese. Në këtë mënyrë ne do t'i përgjigjemi sofistikimit të krimit të organizuar me një strukturë akoma më të organizuar.
2- Ne do të hedhim hapa vendimtarë gjatë këtij viti për reformimin e regjimit të menaxhimit të kufijve shtetërore. Kemi një dokument që na bashkon me proçesin e integrimit dhe të adoptimit të standarteve të NATO-s dhe të vendeve të Bashkimit Europian që është strategjia për menaxhimin e kufijve shtetërorë, i cili duhet finalizuar dhe zbatuar pikë për pikë. Reforma që lidhet me menaxhimin e kufijve shtetërorë sipas standarteve të vendeve të BE-së do të detajohet nga Qeveria në një program veprimesh konkrete, i cili do të paraqitet për miratim tek Kryeministri brenda muajit janar 2004. Ne synojmë me këtë reformë që kufijtë shtetërorë të bëhen të sigurtë nga intervenimi i krimit të çfarëdo forme. Punonjësit e Policisë së Shtetit që ruajnë kufijtë duhet të bëhen përfundimisht shëmbull i rregullit të ligjit dhe jo tolerant ndaj krimit.
3- Ne do të vazhdojmë veprimet ligjore dhe institucionale për të ndëshkuar të gjithë zyrtarët e paaftë apo të korruptuar në Policinë e Shtetit apo në agjenci të tjera. Kam mbështetur pa asnjë rezervë Ministrin e Rendit dhe do të vazhdoj të bëj të njëjtën gjë deri në largimin nga Policia e Shtetit apo në nivele të tjera, të policëve apo nëpunësve më të fundit të paaftë apo të korruptuar. Në të njëjtën mënyrë do të kërkoj të veprohet edhe me cilindo brenda apo jashtë ekzekutivit, nëse do të ecet me ritme që nuk u përgjigjen reformave dhe objektivave të shtetit ligjor në luftë kundër krimit dhe trafiqeve.
4- Unë besoj se duhet të forcojmë grupet e bashkëpunimit, të tipit taskforce, ndërmjet institucioneve që ju drejtoni. Me interes të veçantë shoh bashkëpunimin ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit, SHISH, doganave me Prokurorinë e Shtetit. Mbyllja e çdo cikli ndëshkimi me prova ligjore në duart e prokurorit ligjor është fitorja përfundimtare e jona ndaj krimit dhe ndaj gërdufjeve të atyre që kanë mbetur vetëm me masa disiplinore sepse ne nuk qënkemi në gjendje t'i ndëshkojmë ligjërisht. Në mënyrë të veçantë, unë vlerësoj se është me rëndësi sekuestrimi i pasurisë së krijuar apo të vendosur nga krimi i organizuar.
5- Në këtë funksion unë mendoj se ka ardhur koha të hartojmë dhe miratojmë ligjin Anti Mafie. Ne nuk mund të jemi më demokratë se demokracitë perëndimore, që i hetojnë dhe gjykojnë veprimtaritë e organizuar kriminale me ligje specifike. Ligji i ri anti trafik apo anti mafia do të synojë në thelbin e tij kalimin e barrës së provës nga akuza tek i pandehuri. Sigurisht, kjo do të bëhet vetëm me krimet tepër të rënda të tipit mafioz apo të organizuar edhe në shkallë rajonale. Tashmë strukturat e gjykatave dhe Prokurosisë së Krimeve të Rënda po ngrihen, prandaj atyre u duhen krijuar të gjitha lehtësistë dhe mbështetja ligjore për hetim dhe gjykim efikas.
6- Më tej duhet rritur bashkëpunimi për të forcuar sigurinë e Porteve dhe Aeroportit. Nuk mund të lejojmë më që kompanitë tona të transportit ajor dhe detar të penalizohen qoftë edhe moralisht për shkak të dyshimeve mbi sigurinë e Aeroporteve a porteve tona kryesore. Duhet të jemi të vëmëndëshëm të dëshmojmë se Aeroporti i Rinasit apo Porti i Durrësit a i Vlorës janë po aq të sigurtë sa çdo port apo areroport tjetër i sigurisë së lartë në Europë. Shërbimet e kontrollit në këto pika hyrëse e dalëse të Shqipërisë duhet të jenë përfundimisht sipas standarteve të BE-së. Strategjia e triporteve mbetet programi udhërrëfyes i veprimeve tona për vitin 2004.
7- Besoj se ka nevojë të forcojmë kontrollin doganor dhe masat anti-evazion. Shërbimi doganor, këtë vit duhet të bëhet akoma më mirë modeli i sigurisë në funksion të mbylljes së çdo shtegu ligjor apo fizik për trafik lendësh narkotike apo për kontrabandë të thjeshtë tregtare. Natyrisht ne jemi të interesuar për bashkëpunim me biznesin e ndershëm dhe organizatat përfaqësuesve të sipërmarrjes vëndase, por kjo nuk do të thotë as kompromis as pazare për çelje të paligjshme shtigjesh doganore. Njëkohësisht, pastrimi i radhëve të këtij shërbimi nga elementë abuzivë do të jetë shumë më i thellë se deri më sot.
8- Ka të bëjë me konvergimin e veprimeve dhe të masave tona për përpilimin dhe zbatimin e matricës për Paketën Shengen. Në fund të këtij muaji kam thirrur komitetin e politikave të sigurisë kombëtare, që vepron pranë meje, për të konkluduar përfundimisht hapat që do të ndërmarrim për të standartizuar parametrat që garantojnë lëvizjen e lirë të shtetasve. Natyrshëm pasi të kemi arritur këtë standartizim me reforma dhe veprime ligjore dhe ekzekutive standarte do të jemi në gjendje të kerkojmë me përgjegjësi dhe mirëkuptimin e përfaqësuesve të Komisionit Europian që Shqipëria të nënshkruajë marrëveshjen Shengen me BE-në. Ky detyrim është pjesë e matricës së SAA gjithashtu.
9- Ministria e Punëve të Jashtme dhe strukturat e tjera përgjegjëse do të marrin trysninë e duhur për të vënë në zbatim një plan konkret të qartë dhe më rezultativ për lehtësimin e sistemit të vizave për qytetarët dhe kategori përfaqësuesish që realizojnë interesat e tyre në lëvizjet nga brenda jashtë vendit, duke konsideruar të gjitha hapësirat ligjore që janë krijuar dhe po krijohen në kuadër të partneritetit me vendet fqinjë dhe BE-në. Për këtë brenda muajit janar do të hartohet një program veprimesh për realizimin e këtyre objektivave.
10- Në mënyrë të veçantë Shërbimi Informativ i Shtetit, duhet të reformojë totalisht mënyrën e marrjes dhe dhënies në kohë të informacionit dhe është i ftuar të koordinojë më mirë veprimeve operacionale me Policinë e Shtetit. Përvoja e deritanishme dëshmon se aty ku ky shërbim ka afruar informacion të saktë dhe bashkëpunim pa rezerva me Policinë dhe Prokurorinë, suksesi ka qënë i garantuar. Nuk mund të vazhdojmë të presim të marrim informacione për veprimtari kriminale nga mediat më parë se të informohemi nga SHISH.

Për të gjitha këto çështje po e çel diskutimin me ju për të konkluduar së bashku për masat që do të marrim më tej.
Faleminderit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›