Kryeministri Berisha takon Ministrin francez të Energjetikës dhe Industrisë, zotin Eric Besson

Në vijim të vizitës që po zhvillon sot në Paris,Kryeministri Berisha u takua me ministrin francez të Energjetikës dhe Industrisë, zotin Eric Besson.
Kryeministri Berisha e falenderoi në mënyrë të veçantë zotin Besson për kontributin e tij të madh në procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, në funksionin e tij të mëparshëm si Ministër i Integrimit.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të zhvillimit ekonomik të vendit dhe të reformave të zbatuara nga qeveria shqiptare, duke theksuar se qeveria ka një program ambicioz investimesh në fusha të rëndësishme për zhvillimin e vendit, si infrastrukturë, bujqësi turizëm, shëndetësi, arsim, etj.
Kryeministri e njohu Ministrin francez të Energjetikës me potencialet e jashtëzakonshme që ofron Shqipëria për investitorët e huaj, duke u ndalur veçanërisht në fushën e energjisë së rinovueshme. Përmes këtij takimi, Kryeministri ftoi investitorët francezë të investojnë në këtë sektor, por edhe në infrastrukturë e turizëm, duke garantuar mbështetjen maksimale të qeverisë shqiptare dhe të gjitha institucioneve, për investime të suksesshme në Shqipëri.
Nga ana e tij, Ministri i Energjisë dhe Industrisë Besson, duke shprehur kënaqësinë që priste në takim kryeministrin shqiptar, e vlerësoi këtë takim shumë të rëndësishëm për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në mënyrë të veçantë në sektorin e energjisë.
Ministri francez Besson u shpreh i impresionuar për zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe rritjen ekonomike të saj në këtë periudhe krize, duke shprehur besimin se investitorët francezë do të gjejnë në këtë vend mundësi të rëndësishme për investime. Në këtë kuadër, ai e ftoi Kryeministrin Berisha si të ftuar nderi ne Simpoziumin Economik me teme “Bota e Re” qe zhvillohet me iniciative te Presidentit Sarkozy, në 5 janar 2012 dhe ku marrin pjesë personalitete te larta dhe vendimmarrës te botes politike dhe ekonomike, ftese te cilën Kryeministri e pranoi me kënaqësi.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha e ftoi Ministrin francez Besson të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën ai e pranoi, duke premtuar se do të vijë së bashku me nje delegacion te biznesit francez.
Në përfundim të takimit, Ministri francez i Energjetikës Eric Besson u prononcua lidhur me takimin e zhvilluar me Kryeministrin Berisha:
Pyetje: Cilat janë fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë?
Ministri francez Besson: Ishte një kënaqësi e veçantë dhe shumë e madhe të prisja kryeministrin tuaj. Pata nderin të pres kryeministrin e Shqipërisë në Ministrinë e Ekonomisë. Ne kemi diskutuar shumë mbi fushën e energjetikës. Shqipëria ka një shans të jashtëzakonshëm për sa i përket potencialeve hidroenergjitike dhe njëkohësisht qeveria shqiptare është duke punuar fort për zhvillimin e këtyre potencialeve në energjinë e rinovueshme, gjë e cila korrespondon edhe me prioritet e qeverisë franceze.
Pyetje: A është Shqipëria një vend i besueshëm për të investuar në të?
Ministri francez Besson: Absolutisht që po, ne mendojmë se për kompanitë franceze ka mundësi investimi shumë të rëndësishme. Këto kompani mund të jenë partner të vërtetë në fushën e energjisë.
Zotit Berisha i shpreha se jam i impresionuar nga gjendja e mirë e ekonomisë shqiptare, në një periudhë kur Evropa është e përfshirë në krizën globale ekonomike. Në këtë kohë krize ekonomike që Evropa po njeh, Shqipëria po veçohet si ekonomi e fortë.
Kryeministri Berisha më shpjegoi përpjekjet dhe strategjitë e qeverisë shqiptare në këtë drejtim. Pata nderin të ftoj kryeministrin shqiptar, i cili më shprehu kënaqësinë për të riardhur në Paris më 5 janar, si i ftuar nderi në simpoziumin që do të zhvillohet në Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave. Gjithashtu, kryeministri Berisha më ftoi në Shqipëri, udhëtim, të cilin e kam menduar ta realizoj në tremujorin e parë të 2012.
09/12/2011