E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Zëvendëskryeministrit Genc Pollo në Kongresin e 17-të të “Organizatës Ndërkombëtare të të Përndjekurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit

Zëvendëskryeministri Genc Pollo mori pjesë, të shtunën paradite, në punimet e Kongresit të 17-të të   “Organizatës Ndërkombëtare të të Përndjekurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit” , organizuar për herë të parë në Shqipëri, me pjesëmarrjen e 16 vendeve anëtare të kësaj organizate.

Në fjalën e tij, zoti Pollo u shpreh:

“I nderuar Z. President i Shoqatës Ndërkombëtare te Burgosurve dhe Viktimave te Komunizmit,

Te nderuar delegate te Kongresit te 17-te,

Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni, që në emër të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe personalisht të Kryeministrit Z. Sali Berisha, t’ju përshëndes ju dhe të gjithë të përndjekurit politik të vendeve tuaja dhe t’ju uroj mirëseardhjen në vendin tonë.

Përfitoj gjithashtu nga rasti për t’Ju falënderuar që vendosët që Kongresi i 17-të të zhvillohet në Shqipëri, vend i njohur historikisht për bujari dhe mikpritje dhe kam besim se Kryesia e Shoqatës Antikomuniste do t’i përmbushë me sukses këto virtyte kombëtare.

Partia Demokratike dhe Qeveria jonë e ka në program dhe e konsideron si detyrim moral integrimin e shtresës së të përndjekurve politikë në shoqërinë shqiptare, për kontributin e madh që kjo shtresë ka dhënë në të kaluarën dhe vazhdon të japë në konsolidimin e demokracisë, të ndërtimit të shtetit ligjor dhe të së drejtës. Edhe gjatë kohës në opozitë, ne kemi  shprehur haptazi vullnetin tonë politik për të dëmshpërblyer të përndjekurit politikë për padrejtësitë e shkaktuara nga sistemi komunist. 

Partia Demokratike është e vetëdijshme për kontributet tuaja, dhe po ecën në rrugën e zbatimit të premtimeve që bëri gjatë fushatës elektorale. Ne u kemi krijuar mundësinë për tu arsimuar fëmijëve te viktimave te komunizmit. Sot, këta fëmijë ndjekin  studimet e larta për  shuma simbolike, ndërsa ata te cilët vazhdojnë në part-time janë të përjashtuar nga çdo detyrim financiar. Në këto kushte janë arsimuar, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, mbi  9000 studentë dhe që sot kanë mundësinë për të punuar në të gjitha nivelet e administratës shtetërore.

Në fund te vitit te shkuar, kjo qeveri mundësoi miratimin e ligjit i cili dëmshpërblen te gjitha ata shtetas shqiptar të cilët kanë qenë viktima te komunizmit.  Sipas këtij ligji, te burgosurit politik do të marrin 2000 lekë për ditë burgu, të internuarit e viteve 1945-1954 do të marrin 1000 lekë për ditë internimi, ndërsa  për të pushkatuarit, familjet e tyre do të dëmshpërblehen me 2000 lekë në ditë për 8 vjet me radhë.

Ligji i sapo miratuar ne Parlament bën të mundur  zgjerimin e rrethit familjar, që përfiton të drejtën e dëmshpërblimit , ne rastet kur i dënuari nuk ka lënë pasardhës të drejtpërdrejte, pra mundëson tashmë kalimin e radhës se trashëgimisë te nipërit e mbesat, motrat dhe vëllezërit.  Për më tepër projektbuxheti i 2009, i cili ka marrë tashmë miratimin e qeverisë, ka vënë në dispozicion për kompensimin e ish të persekutuarve politikë 2 miliardë lekë, ose 20 milionë dollarë.

Qeveria jonë është munduar përherë të zbusë sadopak vuajtjet e  shkaktuara padrejtësisht dhe  mizorisht nga regjimi komunist dhe shpresoj se deri diku ia kemi arritur këtij qëllimi.

Sot, ne festojmë dy gëzime në një ditë. Ne fakt, kongresi i shoqatës tuaj përkon me një ditë historike, atë të hyrjes se Shqipërisë në familjen e madhe të Aleancës së Atlantikut  të Veriut.  Duke u bërë anëtarë me të drejta të plota të kësaj aleance, Shqipëria lë pas përfundimisht gërmadhat e një sistemi mizor, por pa  harruar kurrë sakrificat, vuajtjet dhe përpjekjet e atyre të cilët dhanë edhe jetën e tyre për të bërë të mundur që një ditë Shqipëria  të kthehej ne vend demokratik ku liria, të drejtat e njeriut dhe shteti ligjor përbëjnë thelbin e një shoqërie moderne dhe të përparuar. 

Duke ju falënderuar edhe një herë përzemërsisht për ftesën tuaj,  ju uroj punë të mbarë dhe suksese të mëtejshme në projektet tuaja”.


06/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›