Kryeministri Berisha viziton panairin “Punë dhe Studim”: Ekonomia shqiptare gjeneron vende pune dhe rritje ekonomike
Kryeministri Berisha vizitoi sot, panairin “Punë dhe Studim”, një iniciativë e përbashkët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Panairi “Punë dhe Studim” organizohet për të tretin vit në këtë format novator që rrit ndërveprimin e midis fuqisë së punës në treg dhe sipërmarrjes, me përfitim të ndërsjellë. Në stendat e tij, kompani të ndryshme kanë ofruar 3 mijë vende pune dhe shumë kompani e sipërmarrje të tjera paraqesin potencialet e tyre për punësim.
“Ky panair është dëshmi e një potenciali të madh të bizneseve, për gjenerim të vazhdueshëm të vendeve të punës,” - u shpreh Kryeministri, në përshëndetjen drejtuar të pjesëmarrësve në panair.
Kryeministri Berisha tha se qeveria i qëndron politikës së taksave të ulëta si rruga më e sigurt për zgjerimin e lirisë së tregut dhe krijimin e vendeve të punës.
“Te ditë më parë, kancelarja Angela Merkel, e cila udhëheq daljen e Europës nga kriza, e cila ka përcaktuar paketën e ashpërsisë e të disiplinës së rreptë fiskale e të shpenzimeve si një nga rrugët kryesore, një javë më parë, të dashur biznesmene e biznesmenë, do të deklaronte se do t’i Gjermanisë dhe Europës të ndërmarrë ulje të taksave, sepse duhet punësim,” - tha Kryeministri, ndërsa nënvizoi se kjo politikë dhe reformat që qeveria ndërmori para krizës financiare europiane bëri që ekonomia shqiptare, e cila sigurisht përballet me vështirësi, të diktuara nga kriza e euros, nga kriza e vendeve përreth e faktorë të tjerë, nuk ra në recesion. “E vërteta është se ekonomia shqiptare - tha Kryeministri - sërish ruan rritjen ekonomike, sërish gjeneron vende pune dhe masat që ne morëm para krizës janë mbi të gjitha, masa që kanë të bëjnë me uljen e barrës fiskale për biznesin”.
Kryeministri garantoi se qeveria do të vazhdojë me taksën e sheshtë, duke e vlerësuar atë si “taksa më e ndershme”, përkundër taksës progresive të propozuar nga opozita, që ka si rezultat përfundimtar “shuarjen nëpërmjet taksave, të qindra e mijërave vendeve të punës”.
Fjala e Kryeministrit Berisha në Panairin “Punë dhe Studim”
“Së pari dua të shpreh përgëzimet e përzemërta, për këtë iniciativë të shkëlqyer të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Punës, për të organizuar këtë panair me temën më të rëndësishme për çdo shoqëri të lirë, puna dhe punësimi. Ky panair është dëshmi e një potenciali të madh të bizneseve, për gjenerim të vazhdueshëm të vendeve të punës.
Për një shoqëri të lirë, të bazuar në vlerat e tregut, rezultante e të gjitha rezultanteve është punësimi i qytetarëve. Punësimi në kushtet e tregut të lirë është dëshmia më e sigurt e funksionimit të lirisë së tregut. Punësimi përbën kushtim më themelor që qytetari i këtij vendi të lirë të mund të mbrothësojë, të mund të ndërtojë jetën e tij e të familjes dhe të ardhmen. Ndaj, ju përgëzoj për këtë çështje që keni vendosur në fokus të këtij panairi.
Ju përgëzoj gjithashtu se këtu, ju nuk vini thjeshtë për të shfaqur arritjet tuaja, por vini për të demonstruar potencialet tuaja të punësimit dhe ky është një lajm shumë i gëzueshëm jo vetëm për kryeqytetin, por për mbarë Shqipërinë. Fakt është në stendat e këtij panairi, kompani të ndryshme ofrojnë tre mijë vende pune dhe kompani të tjera paraqesin prospekte për mijëra e mijëra vende pune të tjera. Për këtë dua të përgëzoj të gjitha bizneset dhe t’i ftoj të bëjmë përpjekjen më të madhe, për punësimin e vazhdueshëm të qytetarëve shqiptarë, si dhe t’i garantoj se qeveria do të jetë një partner luajal dhe e vendosur të ketë me ta, një dialog konstant e bashkëpunim të pandërprerë, me qëllim që të gjenerojmë çdo minutë, çdo orë e çdo ditë, vende të tjera pune për të rinjtë dhe për qytetarët shqiptarë, në tërësi.
Zonja e zotërinj
Sot është universalisht e njohur se Europa është e pllakosur nga një krizë e thellë. Krizë shumëplanëshë, në të cilën kanë humbur e humbasin miliona e miliona vende pune. Duhet të jemi të qartë se kjo nuk është një krizë afatshkurtër. Kapërcimi i saj kërkon një seri reformash të gjithanshme, për ta rivendosur ekonominë në performancën e saj. Por e vërteta është se në këto vite krize të thellë ka një habi dhe kjo habi qëndron në faktin se ekonomia shqiptare, një nga ekonomitë e vegla të kontinentit, jo vetëm që nuk njohu recesion, jo vetëm që nuk njohu rritje të papunësisë, por me performancën e saj garantoi një normë rritjeje ekonomike, garantoi punësim në vazhdimësi dhe ulje të qëndrueshme të papunësisë në vend. Përgjigjen më të ndershme e më të drejtë të shkakut të kësaj e dha Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili do të informonte shqiptarët, por edhe qarqet ekonomike europiane e botërore, se reformat që ndërmori qeveria shqiptare para krizës, u shndërruan në një mburojë të vërtetë për këtë ekonomi gjatë krizës dhe ajo nuk njohu recesionin.
Sigurisht, ekonomia shqiptare përballet me vështirësi serioze, të diktuara nga kriza e madhe e euros, nga kriza e vendeve përreth dhe faktorë të tjerë, por e vërteta është se ekonomia shqiptare sërish ruan rritjen ekonomike, sërish gjeneron vende pune dhe masat që ne morëm para krizës janë mbi të gjitha, masa që kanë të bëjnë me uljen e barrës fiskale për biznesin. Ne i ndërmorëm këto masa, në një kohë kur kriza nuk ishte parashikuar, por i ndërmorëm nisur nga bindja se paratë në kontot e biznesmenëve shqiptarë janë më të vlefshme se në kontot e qeverisë dhe administratës. Kur them këtë duhet të mirëkuptohemi, jo se qeveria nuk ka fronte për t’i shpenzuar ato, apo se qeveria nuk ka domosdoshmëri të madhe për para, por, sepse paratë në kontot e biznesmenëve, janë vende të reja pune, janë investime të reja, janë prodhim më i madh, janë zhvillim i mëtejshëm ekonomik.
Motoja jonë e taksave të ulëta, e shmangies se barrierave burokratike bëri që ekonomia shqiptare të mos bjerë në recesion, ndonëse e rrethuar nga një brez recesioni të thellë, ajo ruajti rritje ekonomike katër herë më të lartë, se mesatarja e rajonit.
Por sot, manifesti i Marksit po shëtit nëpër Shqipëri: Taksa progresive. Zoti Rama zotohet se sapo të vijë në pushtet do të vendosë taksën e pashpirt të Karl Marksit. Taksë, e cila ka si rezultat përfundimtar shuarjen nëpërmjet taksave, të qindra e mijërave vendeve të punës. Vetëm tre ditë më parë, kancelarja Angela Merkel, e cila udhëheq daljen e Europës nga kriza, e cila ka përcaktuar paketën e ashpërsisë e të disiplinës së rreptë fiskale e të shpenzimeve si një nga rrugët kryesore, një javë më parë, të dashur biznesmene e biznesmenë, do të deklaronte se do t’i Gjermanisë dhe Europës të ndërmarrë ulje të taksave, sepse duhet punësim. Me këtë rast, unë ju garantoj se sa kohë, kjo qeveri të jetë në pushtet - dhe e shoh që në horizont po del gjithnjë e më i qartë mandati 2013-2017, - nuk do të ketë rritje taksash, e kundërta do të ndodhë, sërish do të ketë ulje të tjera.
Një javë më parë, ne morëm një vendim të një rëndësie të jashtëzakonshme. Ne hoqëm TVSH-në për të gjitha makineritë e importuara. Investitorë nga mbarë bota mund të vendosin në Shqipëri investimin e tyre dhe të instalojnë makineritë pa paguar asnjë TVSH për to. Po kështu, ne vendosëm të heqim TVSH-në për çimenton e çelikun për ndërtimin e hidrocentraleve. Gara e ethshme e energjisë së rinovueshme, që po e shndërron Shqipërinë çdo ditë e më shumë në një superfuqi të vogël energjetike në rajon, do të nxitet me të gjitha mënyrat.
Kryetari i ri i bashkisë së Tiranë, në një premtim solemn elektoral, i premtoi biznesit të vogël të Tiranës, heqjen e dhjetëra taksave e tarifave. Dhe rezultati është se nga 1 janari 2012 e deri më sot janë krijuar 6 mijë biznese të reja dhe janë punësuar në kryeqytet, 8 mijë qytetarë dhe disa mijëra të tjerë aplikuan për t’u punësuar brenda vitit. Kjo, sepse taksat, të cilat rëndonin mbi biznesin e vogël nga 147 mijë lekë që ishin, zbritën në 64 mijë lekë.
Unë e dëgjova zotin Rama, i cili u betua para biznesmenëve të partisë se do të luftojë monopolet. Por ai harroi se në krah kishte Shkrelin, i cili kishte marrë 80 përqind të lejeve të ndërtimit, me Eftimin që ndodhej në fund të sallës. Zoti Rama betohej kundër monopoleve, në një kohë kur në krye të bashkisë, ai ishte arkitekti i monopoleve në Bashkinë e Tiranës. Ai u zotua se do të vendoste taksën progresive, por tha se do të paguani më pak. Kjo është matematika kokëposhtë e zotit Rama! E vërteta është se kur flet për taksën e korrupsionit është shumë i ndershëm me këtë rast, se ishte taksa e 20 përqindëshit dhe ai e ka të qartë sesi i tatonte ndërtuesit e Tiranës me 20 përqind të të gjithë ndërtimit. Në përpjekjen e tij për të lëvizur sistemin fiskal, ai ka një donkishotizëm të vërtetë.
Unë ju garantoj se taksat nuk do të rriten. Përkundrazi, ato do të ulen. Ulja e taksave është rruga më e sigurt për zgjerimin e lirisë së tregut, rruga më e sigurt për krijimin e vendeve të punës. Le t’ia lëmë zotit Rama, taksën e Marksit dhe të vazhdojmë me taksën e sheshtë, taksën proporcionale dhe jo taksën mizore progresive. Taksa proporcionale është e ndershme. Secili paguan në proporcionin e vet, njëlloj siç është parashikuar në librat e shenjtë, në kohërat më të hershme dhe që sot ka dhënë efekte të shkëlqyera.
Zonja e zotërinj
Edhe një herë ju përgëzoj për këtë panair dhe ju jap fjalën se qeveria do të bëjë gjithçka, për të lehtësuar veprimtarinë tuaj. Qeveria, në një partneritet të ngushtë me sektorin privat, do të krijojë të gjitha kushtet që ju të gjeneroni çdo orë, çdo ditë e çdo javë, vende të reja pune.”
14/10/2012