Kryeministri Berisha, i pranishëm në ceremoninë diplomimit të studentëve të parë të filialit të Universitetit të Durrësit, në Peshkopi
Gjatë vizitës në Peshkopi, Kryeministri Berisha, i ftuar nga rektorati i Universitetit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit, ishte i pranishëm në ceremoninë e diplomimit të studentëve të parë të këtij universiteti, në filialin e tij në Peshkopi. Kjo ceremoni u shoqërua edhe inaugurimin e rikonstruksionit të godinës së universitetit, i vendosur në qendër të qytetit, me financim të buxhetit të shtetit me vlerë 75 milionë lekë.
Në përshëndetjen drejtuar studentëve me këtë rast, Kryeministri Berisha i uroi për diplomimin, duke e cilësuar këtë momentin më të bukur e të rëndësishme të jetës, kurorëzim i ëndrrës rinore dhe i përkushtimit të prindërve.
Në fjalën e tij, Kryeministri, pasi nënvizoi disa nga arritjet themelore në arsimin e lartë në Shqipëri, si një bazë e mirë për të çuar përpara këtë sistem, u ndal në sfidat kryesore për të ardhmen e arsimit të lartë. Shqipëria e dijes dhe cilësia në arsim, tha Kryeministri, janë qëllimet kryesore në këtë fazë të zhvillimit të arsimit në vend. Kryeministri theksoi edhe rishikimin e mekanizmit të sistemit të provimeve, duke aplikuar praktikat më efikasi në këtë aspekt, si ai i kontrollit të dyfishtë të tyre, nga dy grupe të pavarura.
Kryeministri e konsideroi të shëndetshëm për zhvillimin e arsimit debatin që zhvillohet sot mbi politikat e qeverisë në lidhje me arsimin e lartë në tërësi, publik dhe privat. Kryeministri e mbrojti politikën e dyerve të hapura të shkollës së lartë, përkundër zërave kritikë, si një politikë që përputhet me interesin më të mirë kombëtar e shoqëror të shqiptarëve. “Kudo, ku hapim degë të universiteteve, ne konstatojmë se ato mbushen me shpejtësi. Tre vjet më parë, ne e hapëm në Berat dhe tani atje janë 4500 studentë. E hapëm këtu, në Peshkopi, me 400 studentë dhe tani kemi 2500 studentë. E nisëm këtë politikë me 52 mijë studentë në shkallë vendi dhe sot kemi 162 mijë studentë,” – tha Kryeministri, duke e cilësuar “qëndrim arkaik”, zhvlerësimin apriori të masivizimit të shkollës së lartë.
Ndërsa siguroi për inkurajimin e zhvillimit të arsimit të lartë privat, si një mekanizëm efikas, krahas buxhetit publik, për mobilizimin e fondeve për zhvillimin e arsimit. “Në çdo vend të botës, , - tha Kryeministri - sektori privat është shumë e shumë herë më i fuqishëm, sesa sektori publik. Në arsimin e lartë privat studiojnë sot, 32 mijë studentë, aq sa kishte studentë Shqipëria në vitin 2001. Rreth 21 përqind e nevojave të shkollimit të lartë përballohen nga arsimi privat. Unë ju garantoj se kjo ishte një arritje e madhe për Shqipërinë.”
Kryeministri ndau me studentët edhe gëzimin e rekomandimit nga Komisioni Europian të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe ide mbi rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.
Fjala e Kryeministrit drejtuar studentëve me rastin e diplomimit.
“Për qytetin e Peshkopisë, por edhe për mbarë vendin, diplomimi juaj është një lajm shumë i mirë dhe i gëzueshëm. Ky filial, i cili do të jetë shumë shpejt universitet dhe për këtë ju jap fjalën, nisi jetën e tij katër vjet më parë. Universiteti i Durrësit shprehu dëshirën të kontribuonte me hapjen e një filiali në Peshkopi. Dëshirë, të cilën qeveria e mbështeti plotësisht. Sot, ne konstatojmë me shumë kënaqësi që një filial, i cili e filloi me 400 studentë vitin e parë, sot ka 2500 vajza e djem të qarkut të Dibrës, por, me siguri, edhe nga qarqe të tjera të vendit, domethënë një shtim me 6 herë të numrit të studentëve. Këtë dinamizëm ka edhe vetë Universiteti i Durrësit, i cili shtat vjet më parë e nisi me 990 studentë dhe sot ka rreth 13 mijë studentë, por bashkë me studentët e Dibrës shkon në rreth në 15 mijë.
Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për të krijuar kushtet më të mira për studentet e studentët në Durrës, Peshkopi, Gjirokastër, Shkodër, Kukës, Sarandë dhe kudo ku ndodhen universitetet, filialet apo shkollat e larta të vendit. Sikundër dua të zotohem para jush se në kohën më të parë, ne do ta shndërrojmë këtë filial, në Universitetin Peshkopisë.
Sot, ne inauguruam edhe ndërtesën e rikonstruktuar. Një ndërtesë e denjë për një universitet në çdo qytet jo vetëm të Shqipërisë, por, ju garantoj, të çdo vendi europian. Kjo ndërtesë e rikonstruktuar, me një vlerë prej 75 milionë lekë, ka pajisjet e teknologjisë më të mirë. Zoti rektor dhe zoti kryetar i bashkisë, qeveria do të japë fonde për zgjerimin e kapaciteteve dhe e ritheksoj se ne do të bëjmë çmos, që ky filial të shpallet në kohën më të parë, Universiteti i Peshkopisë.
Të dashur studente e studentë
Kjo është një ditë shumë e shënuar në jetën tuaj. Një ëndërr ndër më të bukurat e më kryesore e viteve të fëmijërisë suaj është bërë sot, realitet. Ju merrni diplomën universitare dhe hyni në shtëpinë e madhe të inteligjencës shqiptare. Ndërkohë, ju keni kurorëzuar me sukses edhe një dëshirë të madhe të prindërve tuaj, të cilët kanë sakrifikuar për t’ju ndihmuar juve, të merrni diplomën e universitetit.
Unë ju garantoj se ne do të bëjmë gjithçka, për këtë universitet, që ta diversifikojmë, të ketë të gjitha programet dhe të shndërrohet në një qendër të fuqishme të zhvillimit rajonal të qarkut të Dibrës, si dhe të japë kontributin e vet në mbarë Shqipërinë. Dibra ka potenciale të mëdha. Kudo, potenciali më i madh është truri, por këtu në Dibër është më eficent se kudo tjetër. Dibranët janë njerëz të mençur, racionale dhe punëtorë. Theksoj këto, sepse nuk ka një vend tjetër që mund të ndryshojë për mirë, më shpejt se ky rreth, i cili ka resurse të mëdha, por që duhet të shfrytëzohen në mënyrë racionale dhe intensive. Duhet që ky universitet të shndërrohet në një gjenerator të fuqishëm të zhvillimit të qarkut të Dibrës.
Sot, në vendin tonë ka një diskutim normal, për qëndrimin që mban qeveria ndaj arsimi të lartë. Qëndrimi yni është një politikë, e cila jam thellësisht i bindur se përputhet me interesin më të mirë kombëtar e shoqëror të shqiptarëve. Por ky qëndrim ka edhe një aspekt njerëzor shumë të rëndësishëm. Kudo, ku hapim degë të universiteteve, ne konstatojmë se ato mbushen me shpejtësi. Tre vjet më parë, ne e hapëm në Berat dhe tani atje janë 4500 studentë. E hapëm këtu, në Peshkopi, me 400 studentë dhe tani kemi 2500 studentë. E nisëm këtë politikë me 52 mijë studentë në shkallë vendi dhe sot kemi 162 mijë studentë.
Së pari, le të shtrojmë pyetjen: Cili do të ishte ai autoritet shtetëror, që do të merrte përsipër të rrënonte ëndrrat universitare të 110 mijë të rinjve shqiptarë?! Të gjithë të rinjtë hyjnë me dëshirë në universitet. Ata investojnë dhe djersitin për studimet e tyre. Sistemi që lamë mbrapa ishte një sistem që rrënonte ëndrrën më të bukur të pjesës dërrmuese të të rinjve shqiptarë. Çfarë është ëndrra? Ëndrra nuk është ajo që shohim në gjumë, por ajo që ëndërrojmë ditën të shohim veten tonë dhe për këtë vendosim të gjithë përkushtimin tonë. Ky përkushtim shndërrohet në dije, në projekte, në zbulime, në shpikje, në libra, në realizim projektesh. Ndaj qëllimi ynë është që ne të ecim me shpejtësi drejt një Shqipërie që bazohet në dije. A kemi ne probleme në këtë rrugë? Po, kemi probleme serioze, kemi probleme të cilësisë. Për të përmirësuar cilësinë duhet detyrimisht të kesh trupa pedagogjike, pajisje, logjistikë dhe pastaj ta shpallësh këtë një qëllim kryesor. Unë ju garantoj se tani jemi në një fazë që cilësinë do ta shpallim qëllim kryesor të shkollës sonë të lartë. Të zhvlerësosh apriori dhe të anatemosh apriori masivizimin e shkollës së lartë dhe universiteteve është një qëndrim absolutisht arkaik.
Të dashur studente dhe studentë
Shtatë vjet më parë, ne kemi pasur përqindjen e qytetarëve të diplomuar në universitete ndër më të ulëtit, vetëm 3.4 përqind, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara e kanë 32 përqind, gadishulli Skandinav 26 përqind e me radhë. I dhashë këto shifra për të ditur sa larg kemi qenë nga ajo që quhet shoqëria e dijes, Shqipëria e dijes. Ndaj, ne do të bëjmë gjithçka që të investojmë në sistemin arsimor, në sistemin universitar. Ishte në arritje historike për këtë komb, kur një vit më parë, ne arritëm që 71 përqind e të gjithë maturantëve të hynin në auditoret e universiteteve tona.
Sot, ne ecim në drejtim të rritjes së cilësisë dhe forcimit të institucioneve publike. Sikundër inkurajimit të padiskutueshëm të universiteteve e shkollave private të larta. Këtë e bëjmë, sepse nuk ka asgjë më të rëndësishme për sistemin e edukimit, sesa financimi. Këtë e bëjmë që krahas buxhetit publik, të mobilizojmë edhe fonde nga sektori privat. Ju e dini se në çdo vend të botës, sektori privat është shumë e shumë herë më i fuqishëm, sesa sektori publik. Në arsimin e lartë privat studiojnë sot, 32 mijë studentë, aq sa kishte studentë Shqipëria në vitin 2001. Rreth 21 përqind e nevojave të shkollimit të lartë përballohen nga arsimi privat. Unë ju garantoj se kjo ishte një arritje e madhe për Shqipërinë.
Natyrisht është domosdoshmëri e madhe të renditim drejt cilësisë, të luftojmë për standardin. Ne ia kemi dalë të vendosim një sistem pranimesh në universitete më të pastrin që mund të ekzistojë, jashtë çdo korrupsioni. Ju nuk i kini arritur konkurset që bëheshin në stadiume apo Pallatin e Kongresit. Ato ishin panairi i korrupsionit. Unë jam nga viti 2005 e gjer më sot kryeministër. Edhe sikur të kisha dashur, qoftë edhe një student i vetëm nuk ka arritur të përfitojë nga kryeministri për këtë apo atë degë, përveçse pikëve që ka marrë. Kjo është gjëja më e mirë, sepse kështu ecim në mënyrë transparente.
Ne do të bëjmë gjithçka për sistemin e provimeve. Dje bisedova me një ekspert me njohuri botërore për arsimin, nga Britania e Madhe, e cila ka universitetet më të mira të Europës, është i vetmi vend që ka dy apo tre universitete që renditen në dhjetëshen e parë në botë, ndërkohë kur Europa tjetër e tëra nuk ka qoftë edhe një të vetëm që të renditet në këtë dhjetëshe. Ai më tha se Britania e Madhe e ka zgjidhur këtë, me kontroll të dyfishtë. Pedagogët korrigjojnë provimet, por ato korrigjon edhe një grup tjetër i pavarur. Edhe ne do të shkojmë drejt këtyre praktikave, sepse na duhet cilësia. Ne do të bëjmë gjithçka që të rrisim cilësinë.
Dua ta mbyll me dy fjalë për kritizerët. Politika e krijimit të mundësive që të rinjtë shqiptarë ta bëjnë ëndrrën e tyre universitare të vërtetë është një politikë thellësisht kombëtare, është një politikë thellësisht shoqërore, është një politikë thellësisht njerëzore dhe ne do të shkojmë duke konsoliduar atë.
Sikundër dua të ndalem në një moment historik për vendin. Këto ditë, Shqipëria u rekomandua nga Komisioni Europian për të marrë statusin e vendit kandidat. Ky është një mesazh i shkëlqyer i vlerësimit më të madh që i bëhet Shqipërisë, në historinë e marrëdhënieve të saj me Bashkimin Europian. Rëndësi të jashtëzakonshme ka gjithashtu, se ajo vjen edhe në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë. Por duhet ta kemi shumë të qartë se kjo nuk është dhuratë. Me të drejtë e theksoi edhe komisioneri se Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian nuk bën dhurata. Nuk bën se ka filozofi tjetër.
Ky proces të dashur studente e studentë, është një univers i tërë reformash që duhet të bësh e të zbatosh në mënyrë që ato reforma të kthehen në mirësi e standarde për qytetarët e vendit tënd. Përndryshe mbetem tek fraza që e rikujtoj shpesh, e një parlamentari europian në vitin 2000, për shqiptarët, se: Këta njerëz nuk na duhen, pasi nuk kanë drita, nuk kanë ujë, nuk kanë rrugë, me këta njerëz nuk kemi punë dhe nuk e kuptojmë përse duhet të vijnë drejt nesh. Sado të na duken të hidhura, këto fjalë, ato kishin një të vërtetë brenda. Ne ishim Europë si origjinë e gjeografi, por nuk ishim Europë si standarde. Edhe ata nuk ishin Europë si standarde, por morën përsipër të ndërtojnë ato standarde që kanë ndërtuar. Ndaj edhe ne shkojmë drejt tyre me këto standarde.
Në këto vite, ne kemi bërë një kapërcim të mirënjohur, që nuk e ka bërë asnjë vend tjetër. Unë po marr disa aspekte. Në vitin 2005, ne kishim përdorimin e internetin ndër më të ulëtit, 4.8 përqind. Ishte turpërues! Le të marrim shembull Facebook-un, i cili është një rrejt i mrekullueshëm, ku ndan mendimet dhe dijet me shokët e miqtë. Pa Facebook-un komunikohet me një numër të kufizuar njerëzish. Dy vjet më parë, një autor i Harvardit botoi një libër “Connected” [Të lidhur]. Në psikologji, kjo është shumë rëndësishme. Problemi është se i lidhur rezulton të kesh me shumë pak, ndërsa në Facebook dhjetëfishon lidhjen dhe një gjë që ti di, ia përcjell të gjithë bashkëbiseduesve të tu. Dhe në Facebook, Shqipëria lë sot, mbrapa një numër jo të vogël vendesh anëtare të BE-së. Në vitin 2005, Shqipëria kishte një përdorim celularë, në masën 38 përqind, sot e ka 186 përqind. Shqipëria kishte 12 studentë për njëmijë banorë, ndërkohë që Europa e kishte 43 studentë për njëmijë banorë. Sot, Shqipëria ka mbi 50 studentë për njëmijë banorë. Shqipëria kishte një normë rekrutimi nga shkolla e detyruar në shkollën e mesme prej 60 përqind, sot e ka 92 përqind.
U ndala tek këto të dhëna për të dëshmuar se e gjithë kjo rrugë është rrugë reformash dhe zbatimi i tyre shndërrohet në standarde të mira për qytetarët e vendit tënd.
Ne kemi pasur një vështirësi unike. Përfaqësues të opozitës bojkotonin parlamentin. Ju garantoj se, në qoftë se Shqipëria nuk do të kishte bërë zgjedhje të standardeve të OSBE-së, statusi nuk do të jepej kurrë. Statusi nuk i rekomandohet një vendi që nuk ka arritur në standardet e OSBE-së për zgjedhjet. U qëndrua dy vite, jashtë parlamentit, për të ndëshkuar vendin dhe më pas u pranua gjithçka që ne kishim propozuar. Qeveria ka për detyrë jo t’i imponohet opozitës, përkundrazi, detyra e saj është të bëjë gjithçka, t’i krijojë hapësirën më të madhe asaj. Ky është qëndrim i pandryshueshëm. Por, kur pranuan në muajin nëntor të vitit të kaluar, atë që ishte ofruar edhe 24 muaj më parë, atëherë duhet të nxjerrin një leksion. Ose edhe tani që është një festë e madhe. Fakti që rekomandohet statusi është arritja më e madhe. Ai nuk do rekomandohej po të mos ishim afruar me standarde, aty ku duhej. Askush nuk ta jep atë, për mëshirë. Në një Europë të pasur, një vend të varfër do ta ndihmonin në mënyra të ndryshme, por statusin nuk do t’ia jepnin dhe kjo, për asgjë tjetër, veçse nuk plotësonte standardet.
U dhanë tre kushte: Tre ligjet që janë në parlament, që, për hir të këtij statusi, nuk duhet të ketë shqiptar të thotë se nuk do t’i votoj. Unë ju garantoj se do të përpiqemi të bëjmë gjithçka që ato të votohen. Nga ana tjetër, nuk është ky qëndrimi që ne duhet të mbajmë ndaj problemeve që janë interesi jetik i të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga spektri i tyre partiak, por, para së gjithash, interesi jetik i të rinjve shqiptarë. Duke ju garantuar se ky proces do të jetë i pakthyeshëm, ne do të bëjmë gjithçka për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh nga procesi i integrimit europian, pasi synimi madhor është t’ju bëjmë juve, të bëjmë çdo qytetar të këtij vendi më të lirë, më të mëkëmbur e më të sigurt.
Edhe një herë shumë suksese për diplomën që morët sot.”
13/10/2012