Kryeministri Berisha viziton panairin “Festa e të Vjelave”, në Peshkopi
Kryeministri Berisha vizitoi sot, panairin e agrobiznesit “Festa e të Vjelave”, në Peshkopi, i mbështetur nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë dhe Fondacioni Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale (ALCDF), që mbështetet nga Ambasada Holandeze.
Kryeministri u takua me fermerë, përfaqësues të shoqatave të ndryshme dhe bizneseve të angazhuara në agrobiznes dhe u interesua për ecurinë e prodhimit të tyre, gjatë këtij viti. Bujqësia, tha Kryeministri, është një nga aktivitetet e rëndësishme ekonomike të Dibrës dhe ky panair është një prezantim i shkëlqyer që i bëhet prodhimeve bujqësore të qarkut të Dibrës, por njëherësh i shërben edhe rritjes së marketingut të prodhimeve tipike të këtij rajoni, i njohur veçanërisht për pemëtarinë. Kryeministri i garantoi ata se mbështetja për fermerët do të jetë në rritje. Në rast se kemi investuar 370 milionë lekë, - tha Kryeministri - nga të cilat kanë përfituar mbi 2 mijë fermerë, do të investojmë trefishin, gjatë viteve që vijnë. Përparësi në vitet që vijnë do të jetë sistemi i vaditjes me pika dhe krijimi i fermave moderne.
Kryeministri Berisha ndoqi edhe hapjen e edicionit të 14-të të festivali Folklorik “Oda Dibrane”, organizimin e të cilit e konsideroi një traditë e bukur e promovimit të trashëgimisë folklorike muzikore dhe veshjeve tradicionale të zonës.
Në përshëndetjen drejtuar qytetarëve të Dibrës në sheshin qendror të qytetit, Kryeministri Berisha u ndal edhe në kontributin e madh që patriotët e Dibrës kanë në themelet e pavarësisë së shtetit shqiptar. Kryeministri foli gjithashtu, për statusin e vendi e kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si kurorëzim i përpjekjeve të mëdha të shqiptarëve, duke siguruar se qeveria është e vendosur të bëjë çdo gjë për integrimin europian.
Fjala e Kryeministrit para qytetarëve të Peshkopisë.
“Të dashur qytetare e qytetarë, banorë të Dibrës,
Të dashur artiste e artistë popullorë, që zhvilloni këtu festivalin bukur të folklorit tonë,
Erdha sot, këtu, për të shprehur nderimin tim më të madh për mundin, djersën, punën e shkëlqyer që jeni bërë, për prodhimet e mrekullueshme që keni realizuar gjatë këtij viti. Prodhimet tuaja janë të klasit botëror, janë prodhimet më të shijshme që mund të shijojë njeriu jo vetëm në Shqipëri, por në Europë e në botë. Ndaj ju uroj shumë suksese dhe ju garantoj se do të bëjmë gjithçka, për një sukses në rritje të mundit, djersës e mendjes suaj.
Autoritetet vendore më informojnë se në një hark kohor të shkurtër janë pesëfishuar prodhimet në një seri artikujsh bujqësor, në fruta, janë shumëfishuar subvencionet për ju, fermerët e mrekullueshëm të Dibrës. Unë jam sot, këtu, për t’u zotuar para jush se në vitet që vijnë subvencionet do të njohin rritjen më të madhe. Në rast se kemi investuar 370 milionë lekë, nga të cilat kanë përfituar mbi 2 mijë fermerë, do të investojmë trefishin, gjatë viteve që vijnë dhe do të rritet tre herë numri i fermerëve që do të përfitojnë nga subvencionet, për krijimin e fermave të tyre moderne. Kemi investuar rreh 420 milionë lekë në mbrojtjen e tokave nga Drini, si dhe në sistemet e vaditjes. Ju garantoj se mandati që vjen do të jetë mandati i vaditjes me pika, në mbarë Shqipërinë, do të jetë mandati i rritjes dhe zhvillimit të fermave shqiptare.
Vëllezër e motra
Këto ditë, Komisioni Europian vendosi të rekomandojë statusin e kandidatit për Shqipërinë. Kjo është rruga, me të cilën, njëlloj siç u hoqën vizat për ne, do të hiqen vizat për prodhimet tuaja. Prodhimet e mrekullueshme të fermerëve të Dibrës do të “ecin” pa dogana në të gjitha kryeqytetet e Europës.
Kjo rrugë nuk ishte një rrugë e lehtë, nuk ishte bulevard i shtruar. Në këtë rrugë, ju, qytetarët e Dibrës e të mbarë Shqipërisë, derdhët lumenj djerse për t’u shkëputur nga varfëria dhe mjerimi që trashëguam.
Kjo rrugë u bë e mundur, sepse ne vendosëm standarde europiane për rendin dhe sigurinë në Shqipëri. Shpartalluam mbi 206 banda kriminale, të cilat bashkëjetonin me pushtetin e të gjitha niveleve.
Kjo u bë e mundur, sepse në një hark kohor të shkurtër, ne ndërtuam mbi dhjetëmijë kilometra rrugë, në të katër anët e vendit dhe u jap fjalën se rruga e Arbrit, rruga e dytë e kombit, do të ndërtohet në kohën më të shkurtër.
Statusi u bë i mundur, sepse ne ia dolëm në një hark kohor të shkurtër t’i japim vendit një sistem arsimor që kurrë nuk e ka pasur më parë. Nga një sistem që degradohej nga viti në vit, sot 71 përqind e të gjitha shkollave të vendit janë të ndërtuara rishtazi ose të rindërtuara. Sot, në të gjitha shkollat e vendit ka internet. Sot, shqiptarët dhe Shqipëria kanë nisur një betejë për cilësinë dhe kanë ambicie të madhe për t’u shndërruar në Shqipërinë e dijes, Shqipërinë e dritës.
Statusi u bë i mundur, sepse ne faktuan para mbarë Europës seriozitetin e qëndrimit tonë. Vetëm për vizat kemi plotësuar 120 kërkesat. Për të marrë statusin, ne kemi plotësuar me qindra kërkesa e i kemi zbatuar ato. Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që atë ta kemi realitet sa më shpejt.
Qeveria është e vendosur të bëjë çdo gjë për integrimin europian të Shqipërisë e shqiptarëve. Natyrisht, kur të tjerët lënë karriget bosh në parlament dhe nuk i përgjigjen detyrimit kushtetues, detyrimit të zgjedhësve të tyre për të votuar ligje që kërkohen për integrimin në Bashkimin Europian, Europa çuditet. Çfarë interesash kanë këta zotërinj, që nuk votojnë për interesin e qytetarëve të tyre!
Vëllezër e motra
Ky panair e ky takim mbahet në një vit të veçantë, në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë. Dibranet e dibranët bashkohen me 100 vjetorin e pavarësisë me krenari të madhe, sepse ata vendosën gjakun, përkushtimin, atdhetarinë, burrërinë e guximin në themelet e pavarësisë së shtetit shqiptar. Dibra i dha kombit kryetarin e Lidhjes së Prizrenit, Iljaz Pashën. Dibra do të shndërrohej në trevën e kuvendeve të mëdha kombëtarë, të cilat do të përcaktonin fatin e Dibrës e të kombit shqiptar. Dibra i dha kombit, kryetarin e parë të senatit të qeverisë së Ismail Qemalit. Dibra i dha dijes së shqiptarëve Josif Bagerin, Haki Stërmillin dhe burra të tjerë të ndritur.
Qytetare e qytetarë të Dibrës
Dje isha në Kosovë. Në çdo qytet, në çdo komunë, në çdo vend të trojeve shqiptare ku që ndalesh gjen martirë të kësaj toke, të rënë që nga luftërat e Lidhjes së Prizrenit, gjer tek luftërat çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni. Askush nuk ka derdhur gjak, nuk ka bërë sakrifica të mëdha, sesa ne shqiptarët, për t’u bërë të lirë. Numri i të rënëve tanë, sot, nuk dihet, sepse ne luftuam dhe si regjistër kishim vetëm memorien e kohës. Por të gjithë, ne dimë një gjë: Që ata burra, djem e gra që ranë për liri e dinjitet, për t’u bërë të pavdekshëm, ranë që shqiptarët të jenë të bashkuar në të gjitha trojet e tyre, kudo që jetojnë. Ky është ideali kombëtar! Kjo ishte ëndrra e martirëve të kombit shqiptar dhe këtë ëndërr, ne duhet ta bëjmë çdo ditë e më shumë realitet. Ndaj ju ftoj dibrane e dibranë të mençur, atdhetarë e trima, ftoj shqiptarët kudo që janë, të punojmë me përkushtim të madh, për të bërë realitet ëndrrën e qindra mijërave djemve e vajzave të këtij kombi, që në 134 vjet derdhën gjakun që shqiptarët të jetojnë të lirë, të bashkuar, në dinjitet të plotë. Kryetari i komunës së Deçanit do të deklaronte dje, në fjalën e tij, se ne bashkimin e nisëm me abetaren dhe kjo është një e vërtetë e madhe.
U ndala këtu për të theksuar se kemi shumë punë për të bërë, në mënyrë që ne, si një komb, të ecim drejt Europës, nën moton: Të bashkuar njëri me tjetrin të bashkohemi me Europën! Ky është motivi ynë! Ky është apeli i këtij 100 vjetori, të cilin ne ia detyrojmë para së gjithash, atyre që bënë sakrificën sublime për lirinë e dinjitetin tonë.
Qytetare e qytetarë të Dibrës
Edhe një herë, ju përshëndes përzemërsisht, ju uroj shumë suksese dhe ju garantoj se mbështetja për ju do të shumëfishohet në vitet që vijnë. Ky qark do të urbanizohet tërësisht, në të katër e tij dhe do të bëjmë gjithçka ta shndërrojmë Dibrën, në një nga prodhuesit më të fuqishëm të frutave jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë, do të bëjmë çdo gjë për prosperitetin tuaj. Rroftë Dibra! Rroftë Shqipëria!”
13/10/2012