Fjala e kryeministrit Berisha në tubimin elektoral në Belsh, Elbasan
Të dashur qytetarë dhe qytetare te Belshit, banorë të Dumresë
Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë për ju, banorëve të Dumresë për mbështetjen e madhe që i keni dhënë Partisë Demokratike në përpjekjen e saj për Dumrenë e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar.
Unë jam sot tek ju për të paraqitur kandidatët për deputetë të Dumresë dhe qarkut të Elbasanit me fjalën time, me zotimin tim para jush se me këta deputetë do të punojë me përkushtimin më të madh për zhvillimin e Dumresë, për krijimin e vendeve të reja të punës, për urbanizmin e saj në çdo skaj, për lulëzimin e fermave dhe bizneseve në këtë rreth të mrekullueshëm.
Vëllezër dhe motra,
Në pak vite ju qytetarët e Dumresë, qytetarët shqiptarë jeni përballuar natyrisht me vështirësi, por ju takoi nderi, merita historike të bëni historinë e këtij vendi.
Ju firmosët anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe kjo është arritja më e madhe në historinë e shqiptarëve. Në këto pak vite ju ndryshuat historinë me punën dhe përkushtimin tuaj, reformat që ju mbështetët Partinë Demokratike bënë të mundur që ju me dinjitet të plotë të lëvizni të lirë në mbarë Evropën.
Në pak vite ju me firmën tuaj, me reformat tuaja bëtë të mundur që Shqipëria të rekomandohet për statusin e kandidatit, status të cilin për një vit e bllokoi kreu i Partisë Socialiste, duke shkelmuar interesin jetik të çdo shqiptari.
Por ne së bashku në pak vite po ndryshojmë dhe gjeografinë e Shqipërisë. Këto ditë ne inaugurojmë së shpejti tunelin dhe autostradën Tiranë-Elbasan. Gjatë këtyre viteve ne kemi ndërtuar në Dumre dhjetëra e dhjetëra kilometra rrugë. Një ditë nga ana e Lushnjës inspektova punimet në rrugën tek rezervuari i Thanës. Inxhinierët dhe ndërtuesit më shpjeguan se si po punohet për ndërtimin e unazës së Dumresë 94 kilometra të gjatë.
Këto vite ju keni firmosur në kapitull të ri për fermat tuaja. Qeveria ka subvencionuar 380 fermerë, por jam këtu për tu zotuar para jush se 4 vitet që vijnë do të trefishohet numri i fermerëve të cilët do të përfitojnë grante nga qeveria. Kjo është alternativa jonë, e cila është alternativa e zhvillimit, e tërheqjes së investimeve.
Në 4 vitet që shkuan, Shqipëria mbeti ndër më të paktat vende në Evropë, që pati rritje ekonomike, që nuk pati rritje të papunësisë, por pati ulje të saj. Kjo sepse në Shqipëri u investuan mbi 4,2 miliard dollarë në 4 vitet që shkuan. Ne synojmë para së gjithash punësimin dhe rritjen e rrogave dhe pensioneve tuaja. Ne kemi një program të qartë dhe të sigurtë për krijimin e 250 mijë vende pune. Programin e punësimit ne e bazojmë së pari, në rritjen më të madhe të investimeve në Shqipëri. Ne që morëm 4 milion dollarë, me fillimin e kaskadës së Devollit, projekteve të mëdha që vijnë, Shqipëria do të ketë jo më pak se 6 miliard dollarë investime të huaja 4 vitet që vijnë.
Punësimin tuaj ne e bazojmë në përpjekjen tonë së bashku me ju për një bujqësi moderne dhe të zhvilluar. 4 vitet që shkuan ne financuam 45 mijë fermerë, blegtorë të të gjitha fushave. Së bashku me sektorin privat në Dumre dhe në mbarë Shqipërinë u krijuan 4 vitet e shkuara, 100 mijë vende pune. 4 vitet që vijnë ne do të trefishojmë grantet. Ne hoqëm tvsh për çdo imput që ju përdorni, ne do ju paguajmë ju tvsh me para në dorë, për kimikatet, për serat, për fidanët, për çdo gjë tjetër. Por 4 vitet që vijnë me mbështetjen tuja ne do të japim jo 56 milion dollarë, por 156 milionë dollarë, prandaj do të krijojmë në fushat dhe në malet e Shqipërisë edhe 130 mijë vende pune të tjera për qytetarët shqiptarë.
Por punësimin tuaj ne e bazojmë në nxitjen e mëtejshme të turizmit. Ne arritën të rreshtohemi, siç thotë Banka Botërore ndër 10 vendet me rritjen më të shpejtë të turizmit në botë. Morëm nga 300 mijë turistë dhe vizitorë, në 4,7 milionë turistë dhe vizitorë, gjë që dyfishoi tregun për fermerët e Dumresë dhe të Shqipërisë.
Industria turistike punëson sot mbi 150 mijë fermerë direkt dhe indirek. Ne angazhoheni sot se 4 vitet që vijnë numri i turistëve dhe vizitorëve në Shqipëri do të arrijë në 7 milion dhe ne me uljen dhe përgjysmimin e tvsh për të gjithë industrinë turistike do të bëjmë që Shqipëria 4 vitet që vijnë të njohë një punësim së paku 30 % më të madh në sektorin turistik.
Punësimin tuaj ne e bazojmë në zhvillimin e Shqipërisë dixhitale. Vetëm në pak vite ne kemi punësuar 13 mijë vetë në këtë sektor. Vitet që vijnë do të jenë vitet e dyfishimit të të punësuarve në sektorin e teknologjisë së lartë.
Vëllezër dhe motra,
Ne kemi një program konkret për punësimin tuaj dhe ky është programi që bazohet kryekëput në lirinë tuaj ekonomike. Ne arritëm të marrim 4 milion dollarë investime, sepse ne arritëm të vendosim taksën e sheshtë, taksën më të ulët në Evropë, taksën 10 %. Se vendosëm këtë taksë, ne bëmë që bizneset e mesme dhe të mëdha të dy dhe trefishojnë xhiron dhe suksesin e tyre, bëmë të mundur që në 6 vjet në arkën e shtetit të inkasohen 9,2 miliard më shumë se sa 8 vitet e qeverisjes socialiste, vite të cilat siç thotë BB, 1.4 miliard dollarë përfundonin në xhepat e kontrabandistëve dhe qeveritarëve, bashkëpunëtorë të tyre.
Rruga jonë është një rrugë me mundime, por me suksese, sepse ne së bashku Shqipërinë, Dumrenë, po e shndërrojmë dora-dorës në histori të vërtet suksesi.
Në këtë hark kohor të shkurtër, ne ndërtuam në Dumre, Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë mbi 10 mijë kilometra rrugë. Jemi sot këtu për dhënë fjalën deputetëve tuaj dhe kryetarit të bashkisë se këtu në Dumre ne do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë në çdo fshat të saj. Se këtu në Dumre do të financojmë ujësjellësin e Dumresë dhe do të ndërtojmë sistemin më të mirë të vaditjes për fermerët e Dumresë.
Vëllezër dhe motra,
Unë zotohem para jush, para qytetarëve qytetarëve të Kuçovës, Beratit dhe të gjithë Shqipërisë se rruga e Arbrit, Boshti i Jugut është zotimi ynë solemn, janë projektet tona të mëdha.
Alternativa tjetër për 4 vitet që vijnë është sharje, mallkime, akuza, mashtrime, bllokime. Shqipëria që shihet nga autobuzi mavi sipas banorëve të autobusit mavi, pasagjerëve të autobusit mavi është Shqipëria në natë dhe jo në NATO, është Shqipëria që këto 4 vjet nuk ka arritur asgjë pozitive, as lëvizjen e lirë, as tunelin e Elbasanit, as qindra e dhjetëra kilometra rrugë dhe shkolla të ndërtuara në të 4 anët e vendit. As rritje e rrogave, rritja e pensioneve, të gjithë këto kanë qënë dhe janë ineksizstente për syzet e zeza të atyre që Shqipërinë, as nuk duan ta shohin, as nuk duan ta ndihmojnë, por duan ta bllokojnë, duan ta poshtërojnë.
Alternativa e tyre është alternativa e mashtrimit. “Do heq taksat,- thotë shoku i autobuzit mavi “për 95 % të shqiptarëve”. Me të drejtë një qytetar, më vonë, më bënte një mesazh, a mund ta pyesim këtë shok, po sikur këta 5 % të na ikin nga Shqipëria me çfarë do të jetojmë ne këtu në Shqipëri.
Meqënese paratë për rindërtimin e rrugëve, për ndërtimin e shkollave, ujësjellësve, kanalizimeve ,për rrogat e mësuesve, pensionet e pensionistëve, për kopshtet dhe çerdhet e fëmijëve do i paguajë 5 % e shqiptarëve, po sikur këta 5 % të thonë do të ikim diku tjetër, se na mbytën këto taksa? Kjo s’do të ndodhë kurrë, le ti themi këtij shoku se me vendosjen e taksës së sheshtë ia dolëm të dy-trefishojmë fuqinë e bizneseve, ia dolëm të vjelim 9 miliard më shumë. Se vendosëm taksën e sheshtë u bë e mundur se mësuesja, e cila në vitin 2005 merrte gjithësej 140 mijë lekë, merr sot 380 mijë lekë dhe ti bën fjalë se do ti japësh një rrogë më tepër, bëhesh qesharak more zotëri. Ajo merr sot 18 rroga më shumë në vit, sesa merrte në vitin 2006.
Zgjedhjet e 23 qershorit, janë zgjedhje për secilin prej jush, janë zgjedhje për vende pune më shumë, janë zgjedhje për infrastrukturë moderne, për Dumrenë dhe mbarë Shqipërinë. Janë zgjedhje për rroga dhe pensione më të larta, janë zgjedhje për një zhvillim të fuqishëm të biznesit dhe të fermave tona, janë zgjedhje për një zhvillim të fuqishëm të turizmit, por mbi të gjitha janë zgjedhje për ëndrrën tuaj evropiane, për statusin e vendit kandidat, janë zgjedhje për hapjen e negociatave me BE, janë zgjedhje për përpjekjen tonë të madhe për të liberalizuar vizat me SHBA-të, janë zgjedhje për të Dumrenë e zhvilluar, për qarkun e Elbasanit të zhvilluar, për Kaskadën e Devollit, për gazsjellësin Transadriatik, për zhvillimin e Shqipërisë, integrimin e saj në Evropë,
Ndaj dhe unë ju ftoj më 23 qershor votoni 44,
Votoni 44 përpara për integrimin!
Votoni 44, Votoni PD, përpara për punësimin
Përpara për mirëqenien, për rroga më të larta,
Rrofshi ju, Rroftë Dumreja!
01/06/2013