E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron fëmijët shqiptarë me rastin e 1 qershorit

Kryeministri Berisha gëzoi sot, së bashku me fëmijët e kryeqytetit në festën e tyre më të dashur 1 qershorin, ditën ndërkombëtare të fëmijëve.

Kryeministri Berisha zgjodhi që së bashku me zonjën Liri Berisha të bëhet pjesë e festës së organizuar në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në të cilën Fondacioni Fëmijët Shqiptarë nën moton “Arti, gjuha jonë e përbashkët, 2013”, çeli ekspozitën me punime artistike të disa fëmijëve me nevoja të veçanta që vijnë nga qendra të ndryshme zhvillimore të vendit, si Tepelena, Shkodra, Vlora dhe Tirana.

Në aktivitet merrnin pjesë edhe Zonja e parë, Odeta Nishani, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zoti Visar Zhiti, bashkëshortja e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, zonja Aurela Basha, përfaqësues të  institucioneve publike dhe private, organizata të ndryshme ndërkombëtare që operojnë në vendin tonë, përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri si dhe bashkëpunëtore të Fondacionit.

Ky organizim kishte  si qëllim që nëpërmjet promovimit të artit që këta fëmijë realizojnë, zhvillimit të talenteve dhe argëtimit, të mundësojë sa më shumë ndërveprim mes fëmijëve normal dhe atyre me aftësi të kufizuar apo nevoja të veçanta, duke krijuar kështu një klimë socializimi të natyrshme dhe të qëndrueshme mes tyre.

Ne fund te ekspozitës, punimet artistike të fëmijëve do të bëhen pjese e e koleksionit personal te te gjithë te interesuarve kundrejt një çmimi simbolik, ndërsa fondet e mbledhura do ti përfitojnë Qendrat pjesëmarrëse ne kete ekspozite.

“Ekspozita që ata hapin sot, e gjenisë së tyre krijuese, e potencialit të tyre të madh krijues, është gjuha më ë bukur me të cilin ata na drejtohen sot më 1 qershor.” u shpreh kryeministri Berisha teksa u drejtohej fëmijëve, mësuesve dhe prindërve të pranishëm.

Kryeministri tha se kjo ditë është dita e dashurisë më të madhe, është dita e së ardhmes, dhe në emër të saj, kryeministri uroi që Shqipëria të ndërtohet e bukur , ashtu siç janë ëndrrat e fëmijëve. Kryeministri ftoi të gjitha strukturat e shoqërisë që të kthejnë sytë nga fëmijët në nevojë si dhe fëmijëve e pakicave për të të treguar ndaj tyre një vëmendje të veçantë dhe kujdesin më maksimal që ata meritojnë.

Duke uruar për ta shëndet dhe gëzime, kryeministri Berisha u shpreh në fjalën e tij:

“Sot është një ditë shume e veçantë , është dita e fëmijëve, është dita e të ardhmes, është dita e dashurisë më të madhe, ndaj dhe së bashku le të urojmë fëmijëve që kemi këtu dhe fëmijëve të tjerë të cilët me një përpjekje titanike bëjnë gjithçka për ti marrë jetës atë që ju takon, atë që duhet të kenë.

Le tu urojmë shumë shëndet, gëzime, të urojmë të gjithë së bashku që Shqipëria të ndërtohet siç kanë të bukur këta ëndrrën e tyre, të bëjmë gjithçka për një të ardhme që këta fëmijë meritojnë. Sot rriten të lirë, por kjo nuk do të thotë se nuk kanë vështirësi. Kjo do të thotë se jemi të aftë dhe kemi mundësi si shoqëri të bëjmë gjithnjë e më tepër për ta, të bëjmë gjithçka që ata të kenë një cilësi edukimi shumë më të mirë, të kenë kushte jetese më të mira, të kenë një të ardhme më të ndritur se sa gjenerata para tyre.
Këtu kemi fëmijë me disa kufizime, fëmijë që kanë një jetë me përpjekje të mëdha. Është një rast për tu zotuar para tyre se do të bëjmë gjithçka që ata të arrijnë sa më shumë në përpjekjen e tyre të madhe për një jetë normale.

Hapa serioze janë marrë dhe kjo është evidente, por hapa të tjerë të rëndësishëm do të ndërmerren dhe angazhimi, kujdesi i të rinjve dhe i shoqërisë do të jetë më i madh. Ekspozita që ata sot hapin, e gjenisë së tyre krijuese, e potencialit të tyre të madh krijues, është gjuha më ë bukur me të cilin ata na drejtohen sot më 1 qershor.

Këtu në anën tjetër kam disa vogëlushë të cilët i përkasin komunitetit rom. Në këtë rast shoqëria është tërësisht  e detyruar, këta sot janë të gëzuar, por askush nuk duhet ta harrojë, ndarjen  e rëndë, diskriminimin shoqëror që rëndon mbi paraardhësit e tyre. Ndaj dhe një diskriminim pozitiv është përgjigja më e mirë që shoqëria shqiptare dhe qeveria i jep pasojave të diskriminimit të vërtetë negativ dhe shekullor. Le të zotohemi ne sot në këtë dekadë, që është dekada e romëve të shumëfishojmë forcat për të kapërcyer pasojat e nje diskriminimi për romët, për fëmijët egjiptianë, por në tërësi kujdesi më maksimal duhet të adresohet drejt fëmijëve të pakicave.

Edhe njëherë gëzuar këtë ditë dhe ju përqafoj të gjithëve.


01/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›