E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e rikonstruksionit të rrugës Kukës-Peshkopi, me vlerë 1.95 miliard lekë

Kryeministri Berisha u prit sot ngrohtësisht nga banorët e Kalasë së Dodës, të cilëve iu uroi rrugën e re, të rikonstruktuar Kukës-Peshkopi, me vlerë 1.95 miliard lekë.

Rruga me gjatësi 64 kilometra dhe gjerësi 6 metra bën përfitues të drejtëpërdrejtë 40 mijë banorë të 10 komunave përkatësisht: Bicaj, Ujmisht, Gryke Caje, Kalis, Bushtrice, Kala e Dodes, Sllove, Kastriot, Zall Rec, Fushe Cidhen.

Segmenti rrugor Kukës-Peshkopi, i cili sjellë për banorët një infrastrukturë moderne dhe bashkëkohore është pjese e rëndësishme e  Unazës Lindore te Shqipërisë. Me ndërtimin  etij  plotësohen 95 kilometra rrugë, me vlerë 2.86 miliardë lekë të realizuara në tre qarqet Tropoje , Kukës,  Dibër,  Elbasan,  Librazhd.

Kjo rrugë zëvendëson më së miri rrugën e vjetër, e cila qene tejet e amortizuar, me nje kalim, dhe prej vitesh në të nuk ishte kryer asnjë investim duke izoluar banoret e 10 komunave ne 2 rrethet përkatëse ne periudhën e dimrit, të cilët nuk arrinin te plotësonin nevojat e tyre te përditshme per transport si urgjencat shendetesore, transportin e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale ne treg, etj.

Tashmë, me rrugën e re, fermerët e këtyre zonave do te kene mundësi te shesin prodhimet e tyre ne tregjet e Kukesit dhe te Peshkopise. Banoret e Peshkopisë por dhe te komunave te rrethit Diber shfrytëzojnë  kete segment rrugor për te shkuar jo vetëm ne Kosove por edhe ne Tirane permes rruges se Kombit”.

Në pritjen entuziaste të rezervuar nga banorët kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që ndante me ta, gëzimin e inaugurimit të një rruge të tillë, e cila lehtëson jetën e banorëve të Luginës së Drinit, kalasë së Dodës, si dhe bën të mundur zhvillimin e potencialeve  të jashtëzakonshme turistike dhe të gjithanshme të kësaj zone.

Gjithashtu, kryeministri drejtoi një përshëndetje vëllazërore banorëve të 10 komunave, të cilët gjejnë tek kjo rrugë, rrugën e komunikimit të tregut, rrugën e bizneseve dhe rrugën e shërbimeve më të mira për ta.

Në përshëndetjen drejtuar banorëve, kryeministri Berisha u shpreh:

Të dashur banorë të kalasë së Dodës,

Vëllezër dhe motra,

Ju përshëndes vëllazërisht dhe kam kënaqësinë  e madheqë ndaj me ju gëzimin e inaugurimit të kësaj rruge, e cila lehtëson jetën e banorëve të luginës së Drinit, Kalasë së Dodës dhe bën të mundur që ata por mbarë kombi të zhvuillojë potencialet  jashtëzakonshme turistike dhe të gjithanshme të kësaj zone.

Zoti kryetar i komunës, të garantoj se për mua ndërtimi i kësaj rruge ka qenë një qëllim madhor sepse kam qenë i vetëdijshëm se sa në mënyrw të pamerituar ju keni qënë të izoluar, keni patutr vështirësi të mwdha, nga ana tjetër unë ju njoh mirë ju burra dhe gra punëtorë, atdhetarë, trima si ju nuk ka Shqipëria.

Ndaj dhe unë sot jam shumë i gëzuar që ju sot do të keni mundësi që kalanë e Dodës dhe të gjitha këto zona ti zhvilloni edhe më shumë, do të keni mundësi që me punën tuaj, me mendjen tuaj ti shndërroni këto në zonat më të zhvilluara të Peshkopisë dhe të Shqipërisë.

Rruga që inaugurojmë së bashku është pjesë e Unazës Verilindore, Juglindore dhe tërësore të Shqipërisë, e cila fillon në Valbonë, zbret në Librazhd , Korçë, do të shkojë në Kolonjë, Përmet , Kardhiq, Delvinë, Vlorë dhe ngjitet deri në malet e Vermoshit. Për ne nuk do të ketë komunë, nuk do të ketë fshatra të izoluar.

Unë  e di se prapë kemi komuna të palidhura me rrugë, siç janë Arren, siç janë Zall Dardha,  Zall Reçi, Lura, por ju premtoj atyre banorëve se do të bëjmë gjithçka që edhe ata të kenë rrugë moderne.Do të ndërtojmë Urën e Lushës, do të shkurtojmë të gjitha distancat.Askund ne nuk kemi tokë të pavlerë, askund nuk kemi fermerë dembele. Ne do ju ndërtojmë atyre infrastrukturën, rrugë ujësjellësa, kanalizime, shkolla moderne dhe ata do të ndërtojnë jetën e tyre gjithnjë e më të mirë.

Një përshëndetje vëllazërore dua tu bëj të gjithë banorëve të Bicaj, Ujmisht, Gryke Caje, Kalis, Bushtrice, Kala e Dodes, Sllove, Kastriot, Zall Rec, Fushe Cidhen, të gjithë atyre që3 kanë tek kjo rrugë, rrugën e komunikimit e tregut, rrugën e bizneseve, rrugëb e shërbimeve më të mira. Këto vite ju jeni dëshmitarë se ne kemi ndërtuar rrugë kudo. Ne do të bëjmë gjithçka që aty ku ju jetoni të keni drita të keni ujë, të keni rrugë, të keni shkolla, të jetoni si qytetarë me dinjitet të plotë.

Banorë të Kalasë së Dodës,

Ju garantoj se është shumë  e afërt dita kur Korabi dhe male të kësaj zone të shndërrohen në zona turistike më të bukura të Shqipërisë dhe të rajonit.

 Po shkojmë drejt zgjedhjeve. Ju bëj thirrje, të gjithë banorëve të kwsaj zone, më 23 qershor të votoni për zhvillimin e këtyre zonave , të votoni për fermat tuaja, për rrugët ujësjellësat, kanalizimet, rrugët, zhvillimin.

Ju garantoj se shumë shpejt do të marrim statusin e vendit anëtar të BE. Më pas do të hapim negociatat. Korabi, Radomira, malet e kësaj zone do të bëhen të njohura në mbarë Evropën për bukuritë e tyre mahnitëse natyrore, për potencialet e tyre për prodhimet e tyre blegtorale të shkëlqyera.

Ndaj dhe më 23 qershor votoni 44, votoni Partinë Demokratike!

Ju bëj thirrje socialistëve të Kalasë së Dodës, le ta ftojnë këtu kryetarin Rama të vijë me autobuzin mavi. Se erdhi njëherë dhe  e pritën jashtëzakonisht mitë, siç prisni ju sepse ju e keni mikpritjen e shkëlqyer. U kthye në Tiranë, bëri mbledhjen e kryesisë dhe filloi po mburret sikur kishte qenë në Polin e Veriut.

Ju falënderoj për këtë pritje vëllazërore dhe ju jap fjalën se prapë kemi rrugë për të bërë, rrugë të tjera për të ndërtuar, prapë kemi ujësjellësa, kanale vaditëse, ferma për të zhvilluar.

Ndaj dhe thirrja ime vëllazërore, qarku i Dibrës, 5 deputetë duke votuar 44-n.

Rrofshi ju, rroftë Dibra,

Gëzuar!


31/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›