Fjala e kryeministrit Berisha në tubimin elektoral të Kukësit
“Përshëndetjet më vëllazërore.
Mirënjohjet më të pakufishme.
Nderimin më të madh për ju, për mbështetjen tuaj, për punën tuaj, për qëndrimet tuaja. Kam nder të madh të jem sot tek ju, të paraqes para jush kandidatët për deputetë të qarkut të Kukësit. Vizionin, projektin e Partisë Demokratike për Kukësin, Hasin, Tropojën dhe të gjithë qarkun. Ndaj dhe unë do t’ju përcjell një përshëndetje të përzemërt të gjithë kuksianëve, hasjanëve, tropojanëve kudo që janë sot.
Mitingun e kemi në shi, kjo është shenja e fitores. Në Kukësin ku janë digat e dritës, digat e energjisë. Ne do të fitojmë.
Vëllezër dhe motra.
Po shkojmë drejt 23 qershorit, ecim drejt ditës së zgjedhjeve, pasi sot me punën, mundin, veprën tuaj ne kemi ndryshuar Kukësin, kemi ndryshuar Shqipërinë. Sot Kukësi, Shqipëria janë anëtare të NATO-s. Sot Kukësi me Tiranën lidhet me një nga autostradat më të bukura të Rajonit dhe më gjerë. Sot Kukësi në të katër anët e tij ka të ndërtuara dhe të rindërtuara qindra e qindra kilometra rrugë, dhjetëra e dhjetëra shkolla, qendra shëndetësore, ujësjellësa kanalizime. Ne shkojmë drejt 23 qershorit për të votuar 44-trën numrin e artë, Partinë Demokratike. Pasi në Kukës dhe në mbarë Shqipërinë kemi dyfishuar bizneset, në këtë qark kemi krijuar me qindra e qindra ferma të reja, kemi subvencionuar mbjelljen e mbi 600 hektarëve dru frutore. Kukësi ka sot universitetin e tij.
Vëllezër dhe motra.
Këto zgjedhje, 23 qershori fton të gjithë qytetarët e Kukësit, Hasit dhe të Tropojës të votojnë për të vazhduar ndryshimin. Të votojnë katër vitet që vijnë ta shndërrojnë Shqipërinë, Kukësin në vendet më tërheqëse për investitorët e huaj. Kemi marrë 4 miliard dollarë, do të marrim 6 miliardë dollarë. Do ta bëjmë Shqipërinë dhe Kukësin vendin më të vizituar nga turistët e huaj. Kemi marrë 4.7 milion turistë, le të bëjmë gjithçka për të patur 7 milion turistë katër vitet që vijnë. Në Kukës janë në ndërtim dhe po ndërtohen 15 hidrocentrale. 50 të tjerë nga Skavica në lumin e Currajve do të ndërtohen në katër vitet që vijnë.
Vëllezër dhe motra.
Ne po ndërtojmë Kukësin e zhvilluar, po ndërtojmë Shqipërinë e zhvilluar. Në rrugën tonë ka vështirësi, në rrugën tonë ka probleme, por kjo është rruga më e ndershme, më e suksesshme. Rrugë, në të cilën ne kemi bërë gjithçka për të mbajtur premtimet tona.
Cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është alternativa e akuzave, akuzave, akuzave, e poshtërimit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Njeriu që vetëm pak vite më parë do të shkruante për vendin e tij me fjalë më të ndyra të fjalorit shqiptarë, do të quante dje Shqipërinë karrocën e ulokut. Le ti themi këtij shoku se natyrisht për ty, e bukur ishte Shqipëria e etërve të tu, kurse për shqiptarët , Shqipëria është e Bukura e Dheut, është Amerika e tyre, është parajsa e tyre tokësore. Shqipëria për ty sigurisht sot është e shëmtuar, sigurisht sot është për të shkruar ato që ke shkruajtur, por jo për shqiptarët. Për shqiptarët ajo pavarësisht se është dekada e dekada larg Amerikës , prapë se prapë, ajo është Amerika e tyre, është toka e Zotit, e Bukura e Dheut. Nesër ti nga autobusi yt mavi, të jeni të sigurtë se do të shpallësh Shqipërinë spital psikiatrik. Jo zotëri jo, mjekohu, qetëso nervat, disfata të pret. 23 qershori po vjen.
Vëllezër dhe motra.
Edvin Kristaq Rama, shkoi në Kosovë dhe ju tha kosovarëve se ju Sali Berishën e merrni për Skënderbeun. Tani, nga Kukësi, do ti them dy fjalë shokut Edvin. Kosovarët më shumë se të gjithë të tjerët, më shumë se kushdo në Europë, kanë paguar me gjak lirinë e tyre. Kanë paguar me një rezistencë të pashembullt në Europë. Nga i madhi tek i vogli, nga 7-vjeçari tek 70 –vjeçari e dinë se Skënderbeu, pas Zotit, është Krishti dhe Muhamedi i të gjithë Shqiptarëve. Ata Skënderbeun nuk e ngatërrojnë as me Ibrahim Rugovën, as me Adem Jasharin dhe me asnjë tjetër. Problemi yt zoti Edvin Kristaq Rama është ky. Në një kohë kur në Kosovë vërshonin enden lumenj të pa tharë gjaku, në një kohë kur nënat dhe motrat kosovare kishin të hapura në shtëpitë të tyre rrobat e gjakut të fëmijëve të tyre, ti Edvin dekoroje në Tiranë, i dorëzojë çelësin e artë në gjoks Goranit për himnet, për marshet mbi shqiptarët.
Ndaj dhe ty, jo Kosova, por çdo shqiptarë që i thotë vetes shqiptarë. Çdo shqiptarë që kujton gjakun e derdhur për këtë vend, nuk mund të pranojë kurrë. Kosova e njeh njëmijë herë më mirë se ti Skënderbeun dhe heronjtë e tjerë të kombit, por Kosova s’të fal ty Edvin Kristaq Rama, sepse kur ne po çanim malin për të ndërtuar autostradën e kombit , ti dërgojë deputetët e tu për të ngritur çadrat në grevë urie, në tunelin e Kalimashit.
Qytetarë dhe qytetare të Kukësit.
Alternativa tjetër është vetëm bllokim. Bëri gjithçka të bllokonte marrëveshjen e stabilizim-asociimit. I shndërroi deputetët e tij në qenie mjerane, që hynin në parlament me trumbeta, me zile, me këmborë, sikur të ishin në një vathë dhe jo në parlamentin e kombit të vet. Për NATO-n organizonte mitingje dhe shpërndante deklarata sharlatanësh, se ky parlament nuk do të votojë Shqipërinë për në NATO. Dështove.
Për vizat bëre gjithçka që shqiptarët të mos lëvizin të lirë në Europë. Dështove.
Dje deklarove se Berisha kërkon heqjen e vizave me Amerikën, që të mos mbetet shqiptarë në Shqipëri. Me metrin tënd, me moralin tënd ashtu del, por për shqiptarët, për këta që janë këtu, për ata që janë në Amerikë, Shqipëria është Amerika e Amerikave. Shqipëria nuk është për pasurinë si Amerika, nuk ka fuqinë e saj, por ka baltën më të ëmbël se mjalta, ka dashurinë më të pakufishme se malet, ka besimin tek vetja tek e ardhmja e saj.
Qytetarë dhe qytetare të Kukësit.
Pazarxhiu i 1 prillit, deklaroi mbrëmë se unë pranoj paketën e Ilirit.
Miqtë e mi.
Sot janë 244 ditë që ai ka bllokuar për secilin prej jush pasaportën e dytë më prestigjioze pas NATO-s, pasaportën e statusit të vendit kandidat. U bënë 244 ditë, që ai bllokoi qindra milion euro për fermerët shqiptarë, për shqiptarët, për infrastrukturën e tyre. U bënë 244 ditë që ai në autobus shkelmoi interesin e çdo qytetari. Ndaj dhe jam sot këtu nga qyteti i Kukësit, informoj shqiptarë se ditën e hënë do të mblidhet parlamenti shqiptarë për të votuar ligjet. Por, aty ne shkojmë ballë hapur, sepse ne bëmë gjithçka për të merituar statusin e vendit kandidat, sepse ne çdo ditë kërkuam votimin e ligjeve, ndërsa ti mjeran, vjen në parlament me çelësin e Goranit në qafë, që s’të hiqet kurrë. Shfrytëzoj rastin ti bëj thirrje të votojnë amnistinë fiskale nga viti 2011 deri më sot për të gjithë shqiptarët. Se ti zotëri kishe amnistuar Koçon, ti që Koços i jepje 80 përqind të tenderave të bashkisë, të gjitha reklamat e kryeqytetit. Ti, që i llogarisje bulevardet për sheshe ndërtimi. Ti refuzove amnistinë fiskale të qeverisë. Ndaj dhe sëbashku me tre ligjet të votojmë amnistinë, që nuk votove dhe të regjistrosh me 23 qershor fundin që ti meriton.
Dhe njëherë ju falenderoj për këtë pritje vëllazërore, ju ftoj të shkojmë përpara.
Përpara për punësimin më të madh.
Përpara për rroga e pensione, mirëqenie më të mirë.
Përpara për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rroftë Shqipëria.
Rrofshin banorët e qarkut të Kukësit kudo që janë.
Përpara, Përpara, Përpara!”
23/05/2013