E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugës Rrëshen-Urakë, me vlerë 1,31 miliardë lekë

Kryeministri Berisha e vijoi vizitën e tij me inaugurimin e  rikonstruksionit të rrugës Rrëshen-Urakë.Nga ky investim me vlerë 1.31 miliardë lekë përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë rreth 15 mijë banorë të komunave Kthellë, Rukaj, Selitë dhe Lurë. Rruga, me gjatësi 18.7 kilometra, përbën lotin e parë të segmentit rrugor Rrëshen-Burrel. Së bashku me segmentin  Urake – Ura e Shoshajve, Burrel (po punohet ) do të plotësojnë lidhjen  midis rrugës së Kombit dhe rrugës së Arbrit, do të sigurohet për herë të parë lidhja midis rretheve të Mirditës dhe Matit.

 Rruga, që fillon në dalje të qytetit të Rrëshenit dhe kalon nëpër fshatrat Tarazh, Prosek, Perlat Qendër të komunës Kthellë dhe përfundon në fshatin Urakë të komunës Rukaj, do të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë e pemëtarisë, në zhvillimin e turizmit malor, veçanërisht në Parkun Kombëtar të Lurës.

Segmente të tjera të rëndësishme që përkojnë me këtë aks rrugor dhe që kanë një impakt të konsiderueshëm te banorët e këtyre zonave janë :

1.     Rikonstruksioni i rrugës Perlat – Kurbnesh – Lurë

2.     Rikonstruksioni i rrugës Tarazh - Malaj

3.     Ndërtimi i Unazës së qytetit të Rrëshenit – Lidhja me Rrugën e Kombit.

Kryeministri Berisha iu drejtua banorëve të Kthellës me një përshëndetje vëllazërore, duke i uruar për rrugën e mrekullueshme, e cila do të gjallërojë shumë këto zona, duke bërë  që potenciali i tyre i gjithanshëm, bujqësor, turistik, mineral e çdo lloj tjetër të  shfrytëzohet në interesin më të mirë për banorët e Kthellës, dhe të fshatrave përreth.

Kryeministri u zotua para të pranishmëve se projekte të rëndësihme në infrastrukturë dhe fusha të tjera janë parashikuar për Kthellën dhe Mirditën në 4 vitet që vijnë. “Do të vendosim në këtë komunë dhe çdo komunë sistemin më të mirë të vaditjes që ekziston, do të ndërtojmë kanale, do të sistemojmë rezervuaret. 4 vitet që vijnë do të rikonstruktojmë rrugën Tarazh –Malaj dhe çdo rrugë tjetër. Pasuritë  e mëdha do të shndërrohen në vlera për ju.”, premtoi kryeministri për banorët

Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

Së pari dëshiroj tu përshëndes vëllazërisht, ju mirditorëve dhe mirditoreve, nga Kashnjeti, në Kumbull, Mërkurth, nga Fani deri në Kamz, kjo për rrethin e Mirditës, përndryshe mirditorët e mirditoret nga Fushë Kruja në Fierz.

Ndaj dua të shpreh gëzimin tim për këtë rrugë të mrekullueshme që inaugurojmë se bashku, e cila do të gjallërojë shumë këto zonë, do të bëjë që potenciali i madh, i gjithanshëm, bujqësor, turistik, mineral e çdo lloj tjetër i këtyre trevave shfrytëzohet në interesin më të mirë për banorët e Kthellës, për fshatrat Tarazh, Prosek, Perlat dhe ju garantoj se ky investim prej 1, 3 miliard lekë, rrugë me gjatësi 18, 7 km, i realizuar në një kohe rekord nga Fondi shqiptar i Zhvillimit do të ecë drejt Burrelit, drejt Kurbneshit, drejt Kthellës, drejt Mërkurthit, drejt Lurës. Ato mund ti leme ne pa rrugë ato bukuri të Zotit? Kurrën e kurrës. Ndaj dhe jam këtu për tu zotuar para jush se 4 vitet që vijnë në rrethin e Mirditës, anekënd këtij rrethi, anekënd qarkut të Lezhës do të asfaltohet çdo kilometër rrugë aty ku ju banoni.

4 vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka që ju në çdo lagje, në çdo fshat të keni infrastrukturën e lagjeve të qyteteve, të keni ujësjellësa, kanalizime dhe sistem modern vaditjesh.

4 vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka  për punësimin më të madh te mirditorëve dhe shqiptarëve. Ne ia kemi dalë në një hark kohor të shkurtër të ndërtojmë në Shqipëri një infrastrukturë moderne. Ne ia kemi dalë të rrisim në mënyrë thelbësore rrogat dhe pensionet, të ndërtojmë dhe rindërtojmë mbi 10 mijë km rrugë.

Vëllezër,

Ai (Edi Rama) pak ka qenë, por këto rrugë e kanë sëmurë fare. Mos u çudisni në se ndonjë ditë do ta shikoni në krahun tim, duke prerë ndonjë shirit që ta shërojë. Le tja heqim frikën se e ka kapur një sëkëlldi e jashtëzakonshme për rrugët që po ndërtojmë. Por ne do të ndërtojmë rrugë, ne do të krijojmë vende pune, ne do të rrisim rrogat. Ai zotëria me akuza, me mohime, me mashtrime, me bllokime, ndërsa ne me rrugë, me shkolla, me ujësjellësa, me kanalizime, me grante për fermerët, ne merremi me zhvillimin.

Zoti kryetar ,

Para këtyre burrave dhe grave ju jap fjalën se qeveria 4 vitet që vijnë do të financojë çdo projekt për Kthellën dhe Mirditën. Do të vendosim në këtë komunë dhe çdo komunë sistemin më të mirë të vaditjes që ekziston, do të ndërtojmë kanale, do të sistemojmë rezervuaret. 4 vitet që vijnë do të rikonstruktojmë rrugën Tarazh –Malaj dhe çdo rrugë tjetër. Pasuritë  e mëdha do të shndërrohen në vlera për ju. Ju e dini se këto kohë fillon një vepër e rëndësishme energjitike, e cila me tunele bashkon Fanin dhe do të jetë një nga veprat më të bukura, më të mëdha, më të fuqishme në Mirditë për energjetiken.

Por në këtë rreth po zhvillohet me shpejtësi tradita e vreshtarisë dhe ju garantoj se 4 vitet që vijnë grantet për fermerët e Mirditës, për vreshta, për arra, për lajthi, për dru frutorë, për blegtori, për bletët, do të trefishohen.

Mirdita, nga lashtësia deri më sot ka qenë një pasuri e pashtershme  e mineraleve më të vlefshme si, bakri, polimetalet dhe tani së fundi floriri. Ju jap fjalën se do të jenë mirditorët të parë ata që do të përfitojnë nga pasuritë  e tyre.

Ju bëj thirrje më 23 qershor të shkojmë të gjithë në mënyrën më të qytetëruar, të ftojmë njerëzit tanë të dashur kudo që janë të vijnë dhe të votojnë për vazhdimin e ndryshimit që ne kemi realizuar këto vite, të votojnë për ndryshimin e Mirditës, për zhvillimin e Shqipërisë, të votojnë për punësim më shumë, të votojnë për një mirëqenie më të madhe ,për integrim të Mirditës në BE.

Mirditorë dhe mirditore,

Në zemrat tuaja, në mendjet tuaja të mençura, është foleja e mandatit të ardhshëm, mandatit të pestë. Ju bëj thirrje, me votën tonë të bëjmë çdo gjë për të merituar mandatin e pestë. Shqipëria pret nga ju, mandatin  e pestë, mandatin  e fitores së thellë të PD-së, mbi koalicionin e 1 prillit, të koalicionit të Partisë demokratike, koalicionit të vlerave, koalicionit të vizionit evropian, koalicionit të së ardhmes.

Edh njëherë gëzuar këtë rrugë të mrekullueshme që e meritoni plotësisht.   


23/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›