E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e kryeministrit Berisha në tubimin elektoral të Lezhës

Qytetarë dhe qytetare të Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës,

Përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen time më të thellë, ndaj jush të rejave dhe të rinjve, vajzave dhe djemve, burrave dhe grave të Lezhës, Kurbinit, Mirditës, për mbështetjen tuaj të madhe gjate gjithë këtyre viteve, mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh, për këtë miting madhështor që është sonte në mendjen, zemrën, sytë e mbarë shqiptarëve, miting të cilin Lezha , Tirana , Durrësi, Fieri, Vlora, Berati, Elbasani, Korça  e përcollën si uraganin e fitores sonë të merituar.

Vëllezër e motra,

Këto 20 vite, ky është starti më madhështor i fushatave tona. Me të drejtë, një qytetar do të më shkruante, “Doktor, po mblidhemi dhe festojmë si në 92”. Atëherë ne kishim vetëm besimin dhe shpresën për ëndrrat tona.

Sot, përsëri ne mblidhemi në këto sheshe, më me shpresë, më me besim se kurrë tek e nesërmja jonë. Ne mblidhemi këtu pasi në një hark të shkurtër kohor, me mundin, djersën dhe punën  tuaj, ne u ndamë nga terri, errësira dhe ndëshkimi kolektiv.

Ne mblidhemi këtu, kur në një kohë të shkurtër ne kemi qëndisur Lezhën dhe mbarë Shqipërinë me shtëpi të reja, me vila të bukura , më shumë se në tërë historinë tonë. Ne mblidhemi këtu sepse në këto vite ne kemi ndërtuar rrugë moderne, nga Lezha në Urak, deri në bregdet.

Ne mblidhemi këtu sepse me mundin, djersën tonë, ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar shkollat e fëmijëve ,vogëlushëve tanë. Ne mblidhemi këtu, se me paratë  e taksave tuaja, ne dyfishuam rogat e mësuesve, të mjekëve, dyfishuam pensionet në fshat.

Ne mblidhemi këtu pasi me përpjekje të përbashkët Lezhën, këtë rajon të mahnitshëm për bukuritë e tij natyrore, për plazhet  e tij, me njerëzit  e tij të mrekullueshëm, me fushat e saj pjellore e kemi shndërruar në një nga rajonet turistikë më tërheqëse të Shqipërisë dhe rajonit.

Ne mblidhemi këtu për të festuar, për të gëzuar ato që do të bëjmë 4 vitet që vijnë. Ne kemi besim të madhe se 4 vitet që vijnë do të krijojmë dhjetëra vende pune , në Lezhë, në Kurbin, në Mirditë dhe kudo.

Ne mblidhemi këtu me gëzim dhe besim të madh se liria jonë, iniciativa jonë  e lirë, se ne me punën tonë, me mendjen, muskujt tanë, do të begatojmë çdo ditë e më shumë, familjet tona, Lezhën dhe Shqipërinë.Ne mblidhemi këtu me besim të madh tek Lezha se 4 vitet që vijnë Lezha me këtë infrastrukturë moderne do të dyfishojë turizmin e saj.

Ne mblidhemi këtu pasi me punën tuja, djersën tuaj , ju keni krijuar qindra e qindra ferma moderne, keni krijuar sipërmarrje, në Lezhë, në Kurbin, në Mirditë, në fshat, në fushë, në mal dhe kudo.

Disa ditë parë ne inauguruam së bashku impiantin  e përpunimit të ujërave, e ngjitem Lezhën , e ngjitëm Shëngjinin në krye të listës së qyteteve më të pastra.4 vitet që vijnë me një projekt të ri ne do të garantojmë ujë 24 orë për të gjithë zonën e Lezhës. Pak ditë më parë në komunën e Gjadrit vizitova një fermë që sapo ngrihej. Një i ri mirditor kishte mbjellë në atë kodër 40 ha shegë me mbështetjen e qeverisë dhe punësonte në fermën e tij 20 punëtorë. Ju jap fjalën e nderit se 4 vitet që vijnë në atë zonë do të bëjmë gjithçka të mbjellim dhjetë herë më shumë shegë dhe dru frutorë.

Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj,

Ne mblidhemi në këtë shesh , në këtë tubim madhështor në nderim të njëri-tjetrit, sepse në këto vite në rrugën drejt Evropës, në rrugën tonë drejt perëndimit, ku na prin, na frymëzon përjetësisht Skënderbeu.

Ne ia dolëm të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO. Ne ia dolëm të firmosim marrëveshjen e stabilizim asociimit, ne ia dolëm të lëvizim të lirë, pa viza drejt Evropës.Ne ia dolëm të miratojmë statusin e vendit kandidat. Por u bllokuam për tre ligje. Pra ne jemi qytetarë me besim të madh tek vetja, tek Lezha, tek e ardhmja jonë.

Nga kjo tribunë u bëj thirrje qytetarëve të qarkut Lezhë, demokratë, socialistë, të pa parti të bashkohemi së bashku në rrugën tonë drejt Evropës.

Socialistë dhe socialiste të Lezhës, të Kurbinit, të Mirditës dhe të mbarë Shqipërisë,

Në parimet tuaja nuk ekzistojnë qëndrime antieuropiane. Ato qëndrojnë vetëm në mendjen, shpirtin e atij që ka uzurpuar kreun e Partisë Socialiste. Sot , i madh e i vogël, i djathtë dhe i majtë, pa parti, cilido qoftë konstaton se në selinë mavi ka lumenj fjalësh, ka lumenj shpifjesh, ka lumenj trillimesh dhe mashtrime, por nuk ka një gjë, nuk ka lider, nuk ka ide ,nuk ka vizion.

Ky piktor i dështuar ka nxjerrë tani teorinë e Shqipërisë gënjeshtër. Sipas tij, shtëpitë që ju keni ndërtuar janë të gënjeshtërta, energjia që s’ndërpritet është gënjeshtër, rrugët e reja që inaugurojmë janë gënjeshtër, miliona turistë që vijnë janë të gënjeshtër. Po perse të dashur qytetarë të gjitha këto? Sepse ai jeton prej vitesh në autobusin mavi, me xhama të zeza dhe nuk sheh asgjë përreth.

Në një akt, më të papërgjegjshmin, në një akt që nuk e ka bërë kush në Evropë, Edi Rama mori peng statusin e vendit kandidat për ligjet. Ai pasi bëri gjithçka për të bllokuar marrëveshjen e stabilizim asociimit, pasi futi në parlament  trumbeta, zile, këmbore  e bilbila, për ti thënë Evropës se parlamenti i Shqipërisë është një stallë kafshësh dhe jo deputetësh.

Ai bëri gjithçka, sajoi dhe trilloi të pengonte anëtarësimin në NATO, por dështoi. Ai bëri çdo gjë të shkelmonte mbi vizat tuaja që ju të mos lëvizni të lirë në Evropë, dërgoi me qindra letra dhe e-mail, mashtroi evropianët, u përpoq ti mashtronte se 800 mijë shqiptarë do të derdhen mbi ju, por dështoi. Me tre ligje që mbajte peng ti privove shqiptarët nga pasaporta e qytetarëve të vendit me status, për vend anëtar të BE. Ti privove fermerët shqiptarë nga dhjetëra e dhjetëra milion euro subvencione për fermat e tyre. Ti privove qytetarët shqiptarë nga dhjetëra e dhjetëra, milion euro investime për shkolla, spitale, ujësjellës, infrastrukturën e  tyre.

Zoti Rama, këtë, asnjëherë, askush nuk ia ka bërë vendit të tij. Në qoftë se 1 moment në këtë shesh të ndaleshe dhe dilje para varrit të Skënderbeut, imagjino se çfarë do të thoshte shpirti i tij, njeriu që udhëhoqi kombin në betejë pas beteje për të mbrojtur vlerat perëndimore të tij.

23 qershori po vjen , dhe unë zotohem para jush se 4 vjeçari që vjen do të krijojë 250 mijë vende punë në mbare Shqipërinë. Me taksat që kemi hequr, biznesi në Lezhë dhe në Shqipëri do të njohë një hov të ri, të madh. Me shtimin , trefishimin e granteve për fermerët ne do të risim së paku me 30 % punësimin në bujqësi. Me dyfishimin e numrit të turisteve në Lezhë, ne do të rrisim me 50 % numrin e të punësuarve në sektorin e turizmit.

Të dashur miq,

Nga Lezha edhe njëherë ju bëj thirrje lezhjanëve kudo që janë sot në emigracion ejani në Lezhë, ejani në Shqipëri, tre deri në 5 vjet pa asnjë taksë për bizneset tuaja. Cilido që ndihet në vështirësi në vendin që është, miresetëvijë në vendin e tij dhe pa taksa , pa detyrime do të jeni tre deri në 5 vite.

I garantoj oeratorët  eturizmit, industrisë së turizmit, si akt të parë, përgjysmimin  e taksave për të dyfishuar potencialin e tyre turistik. Garantoj qytetarët e qarkut të Lezhës se do të rindërtojmë çdo shkollë, çdo rrugë, autostradën me 4 korsi, Shkodër-Lezhë, do të përfundojmë rrugën kombëtare Milot –Laç dhe më tutje, do të asfaltojmë rrugët e të gjitha komunave, fshatrave të Lezhës.

Lezha e 4 viteve që vijnë do të jetë Lezha e zhvilluar, Lezha evropiane.

Përpara për punësimin , përpara për mirëqenien , përpara për Lezhën e zhvilluar, Lezhën evropiane!

Rrofshin mirditorët, malësorët, zadrimorët, kurbinasit, të gjithë qytetarët e mrekullueshëm të këtij qarku!

Përpara drejt fitores!

Përpara!


21/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›