Fjala e kryeministrit Berisha në tubimin elektoral të Kavajës

Qytetarë dhe qytetare te Kavajës
Vëllezër me motra,
zonja dhe zotërinj,
Mirëmbrëma, përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen më të thellë! Sot, në këtë shesh të mbushur më shumë se kurrë, janë qytetarët e Tiranës, janë shqiptarët nga të katër anët e vendit, është mbarë kombi, kudo që ndodhet, diaspora, emigracioni feston me ju, përulet para jush me nderimin më të madh, respektin më të thellë për veprën tuaj të pavdekshme, kontributin tuaj të jashtëzakonshëm, për ndjenjat tuaja atdhetare, për besimin tuaj tek Zoti, tek Kavaja, tek Shqipëria. Një orë më parë tek vija këtu me thanë se nuk do të ketë shi në Kavajë, sepse kavajasit besojnë tek Zoti. I thashë edhe me gjyma po të bjeri, çka të vijë prej Zotit, le të vijë, mirësetëvijë.
Vëllezër me motra,
Vitet e fundit ju keni parë, keni konstatuar se idealet për të cilat ju luftuat, idealet, të cilat sakrifikuat dhe u ngritët të pamposhtur, kundër diktaturës më të egër në Evropë, ia dolët ti firmosni me dorën tuaj. Ju u ngritët për liri dhe dinjitet njerëzor, ju u ngritët për Shqipërinë në NATO dhe së bashku ne firmosëm anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. JU u ngritët për Shqipërinë në Evropë. Së bashku ne firmosëm kontratën tonë historike me BE, marrëveshjen e stabilizim asociimit. Ju u ngritët për lirinë e lëvizjes kundër kloneve dhe telave me gjemba, kundër bunkerëve dhe izolimit.
Së bashku me mundin dhe djersën tuaj ne firmosëm lëvizjen e lirë të qyterëve të Kavajës, të qytetarëve të Shqipërisë në mbarë Evropën. Këto vite kanë qenë vite kur qytetarët e Kavajës dhe të mbarë Shqipërisë firmosët historinë e re të Shqipërisë evropiane, historinë e Shqipërisë demokratike.
Sëbashku, ne merituam statusin e vendit kandidat. Komisioni evropian e rekomandoi. Një njeri bllokoi tre ligje, por ligjet u votuan, ne do të marrim statusin, do të hapim negociatat.
Ju, gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë e mrekullueshëm të Kavajës nuk rrahët gjoksin , nuk punuat për historinë, por ju e bëtë historinë, ju firmosët historinë
Zoti ju bekoftë ju, fëmijët tuaj, kavajasit kudo që janë!
Qytetarë dhe qytetare të Kavajës,
Këto vite në se bashku me punë dhe djersë kemi arritur të ndërtojmë në Kavajë dhe mbarë Shqipërinë një infrastrukturë dinjitoze që meritojnë qytetarët e Kavajës, që meritojnë qytetarët e Shqipërisë. Ia kemi dalë të ndërtojmë mbi 10 mijë kilometra rrugë, kemi ndërtuar në Kavajë dhjetëra e dhjetëra kilometra rrugë, kemi ndërtuar shkolla moderne , kemi financuar në ferma, qindra e qindra ha janë mbjellë me këto investime, kemi investuar në çdo fushë, në çdo drejtim për një jetë më të mirë, por të dashur qytetarë dhe qytetare, më të mëdha , më madhështore i keni realizuar ju dhe jo qeveria, sepse ju jeni ata që që nga mëngjesi deri në darkë me sakrificat tuaja ndërtoni biznese, ndërtoni ferma. Ju jeni ata që bëni sakrificat më të mëdha për një jetë më të mirë në Kavajë dhe mbarë Shqipërinë.
Qeveria me ligjet, vendimet bën gjithçka për suksesin tuaj, por ata që mohojnë arritjet e 4 viteve, ata të cilët thonë se 4 vite nuk është bërë asgjë, janë qesharakë. Ata mendojnë se mund tu mohojnë ju suksesin, se mund të mohojnë veprën tuaj të madhe, shndërrimin e Shqipërisë nga një rast pothuaj i dështuar, rast pothuaj i harruar në një rast suksesi, mundi dhe djerse, por suksesi në zhvillim dhe të ardhme të sigurtë.
Unë vij sot këtu tek ju të shpalos para jush projektin tonë të 4 viteve që vijnë,projekt që bazohet para se gjithash në liritë tuaja , në fuqitë tuaja, në energjinë e pashtershme të kavajasve të lirë, ndaj dhe ne për ngritjen e 250 mijë vendeve të punës vendosëm të heqim çdo taksë, çdo tarifë doganore, mbi çdo makineri, mbi çdo mjet material që bizneseve shqiptare të të gjitha llojeve do ju lypsej për biznes në Shqipëri.
Ndaj dhe ne vendosëm që tatimin mbi të ardhurat personale për të gjithë punonjësit me rroga mbi 30 mijë lekë ta heqim fare, ndaj dhe ne në mënyrë që të krijojmë vendet e punës, vendosëm që fermerëve të Kavajës, fermerëve shqiptarë tu trefishojmë grantet për 4 vitet që vijnë. Vendosëm që fermerëve të Kavajës dhe të mbarë Shqipërisë tu paguajmë me para në dorë tvsh për çdo makineri, për çdo imput bujqësor, blegtoral , të çdo natyre qoftë që ju nevojitet, prandaj dhe ne po ndërtojmë në të katër anët e Shqipërisë dhe Kavajës rrugë moderne, ujësjellësa, në mënyrë që të rrisim turizmin nga 4.7 milion në 7 milionë vitet e e ardhshme, të rrisim vendet e punës, të punësojmë sa më shumë shqiptarë, të rrisim rrogat , të rrisim pensionet, të rrisim mirëqenien.
Në këto kohë më të stuhishme për ekonominë europiane, për shkak të mundit të djersës, përkushtimit tuaj reforma që ju mbështetët, ekonomia e Kavajës, ekonomia shqiptare e ruajti përsëri rritjen e ekonomike, pati ulje të papunësisë dhe krijoi vende të reja pune.
4 vitet që vijnë do të jenë vitet e Kavajës së zhvilluar . Fjala ime e dhënë, ujësjellësi i Kavajës ka gati projektin , ka gati fondit, 24 orë ujë për Kavajën dhe të gjithë zonat përreth.
Kater vitet qe vijne Kavaja, do ketë rrugën direkte të sajën për në kryeqytetin e vendit në Tiranë. Katër vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo rrugë dhe rrugicë të Kavajës, fshatrave dhe të gjithë rrethit. Katër vitet që vijnë shkollat e rrethit të Kavajës dhe të mbarë Shqipërisë do të jenë tërësisht të ndërtuara dhe rindërtuara. Ne, në projektin tonë, Kavajën e zhvilluar, Shqipërinë e zhvilluar kemi qëllimin më madhor.
Vëllezër dhe motra,
Cila është alternative tjetër? E mbani mend kur ju qytetarët e Kavajës së bashku me shqiptarët anëtarësuat Shqipërinë në NATO, neobllokmeni organizonte në Tiranë protesta, miting proteste për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, sepse ai në shpirt dhe në zemër ka vetëm një qëllim, rilindjen e etërve që që Kavaja dhe Shqipëria I përmbysi përgjithmonë. Kur ju, qytetarë dhe qytetare të Kavajës do firmosnit në Luksemburg kontratën e madhe me Europën, marrëveshjen e stabilizim asociimit, shoku Edi Rama në emër të etërve të tij do të fuste në parlament, bori, dajre dhe bilbila për ti thënë Europës se pluralizmi shqiptar është një vath i vërtetë në parlamentin e tij.
Kur ju do firmosnit lëvizjen e lirë, heqjen e vizave, do bënte gjithçka për bllokimin e tyre dhe së fundmi bllokoi statusin e vendit kandidat. La Kavajën, la Shqipërinë një vit pa statusin e vendit kandidat, vetëm e vetëm sepse i tillë është testamenti i etërve të tij mizorë.
Shoku Edi, do të të them një fjalë këtu, nga ky shesh, se ky është sheshi I historisë. Uilliam Shekspir thotë në një nga tragjeditë e tij se “drama është gracka ku shpirti i Mbretit kapet si Laraska” Edhe unë do të të them ty këtu, se Kavaja është gracka ku hoqe çdo maskë, shpalle platformën e urrejtjes ndaj lirive ndaj demokracisë, përmendores së historisë së Kavajës dhe kombit shqiptar.
Erdhe në Kavajë, hoqe maskën, tregove vehten i biri i të atit. Por Kavaja stë deshi ty, nuk kishte nevojë, ata e dinë mirë, këtu para këtyre burrave dhe grave, do të rikujtoj një ngjarje, nuk dua të merrem me historinë, po na detyrove. Në vitin ‘90 këta burra dhe gra që janë këtu, ndodhi që shokun e ngushtë të babit tënd, ta detyrojnë të dalë nga Kavaja vetëm duke shkelur mbi veprat e gjakësorit, mbi veprat e mizorit. Ty, që të tmerron përmendorja e heroizmit të Kavajës dhe mbarë shqiptarëve, sikur të imagjinosh ti një moment, ashtu siç the të bërë copash do imagjinosh veten tënde, pa këpucë, i zbathur duke ecur mbi ato copa.
Kurse këtij Edvinit të vogël do tja them dy fjalë. Bashkë me qytetarët e Kavajës kemi luftuar për të respektuar votën dhe lirinë e saj dhe ti do kishe patur respektin e Kryeministrit, deputetit të Kavajës, të pa lëkundur, jo për ty por për votën e qytetarëve të Kavajës. Por, tani këtu nuk më lejove sepse ngrite akuzën më të tmerrshme, e krimit më të shëmtuar ndaj forcës sime politike, e cila mori dheun. Ti i kërkove qytetarëve të Kavajës falje dhe bëre mirë, por nuk i kërkove shqiptarëve falje dhe deri sa ti kërkosh shqiptarëve falje për atë që bëre, nuk do më kesh kurrë mbështetje apo mirëkuptimin tim. Po për Edvinin e vogël, ky është sheshi i historisë dhe po ta deklaroi sot këtu, sheshi është monument historik, përmendorja është monument historik, mjerë ai që do guxoi ta prekë. Ai do i takoi brezave nga gjenerata në gjeneratë, si dëshmi e burrave dhe e grave të Kavajës që bënë historinë e lirisë. Edhe një herë më 23 qershor, ju ftoi të votojmë të gjithë së bashku për Kavajën e zhvilluar, të votojmë për statusin e vendit kandidat të votojmë për hapjen e negociatave në Bashkimin Evropian të votojmë për Shqipërinë e zhvilluar, Shqipërinë europiane.
Votoni 44, votoni Partinë Demokratike!
Përpara drejt zhvillimit!
Përpara drejt punësimit!
Përpara drejt Europës!
Rrofshi ju, rroftë Kavaja!
Zoti ju bekoftë!
01/06/2013