Kryeministri Berisha prezanton kandidatët për deputetë në Mirditë

“Mirditorë e mirditore.
Qytetarë dhe qytetarë të Rrëshenit.
Banorë të rrethit të Mirditës.
Përshëndetjet më vëllazërore, urimet më të përzemërta, mirënjohjen më të madhe ndaj jush për të gjithë mbështetjen. Mirënjohje të thellë për këtë tubim madhështor, me të cilin ju hapni sot fushatën elektorale.
Ju keni zotimin tim solemn se me zonjë Albina Dede dhe deputetët e tjerë, shumica e të cilëve pavarësisht se ku banojnë janë dhe mbeten mirditorë.
Do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur interesat tuaja, do të bëjnë gjithçka për ta bërë Mirditën me infrastrukturën moderne që meriton, për të ndërtuar në Mirditë në çdo skaj të saj, siç kemi ndërtuar deri më sot rrugët më moderne, shkollat më të mira, ujësjellësa, kanalizimet. Për të bërë që ju mirditorët kudo që jetoni të keni infrastrukturë dhe shërbime njëlloj me ato të qyteteve tona.
Do të bëjmë gjithçka, që nëntoka e pasur e Mirditës, ujërat dhe të gjitha pasuritë e tjera të shndërrohen në mirësi, të shndërrohen në punësim, në rroga, në shpërblime më të mira për qytetarët e Mirditës.
Do të bëjmë gjithçka, që sëbashku të ecim në projektin tonë madhor, integrimin e Mirditës, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Vëllezër dhe motra.
Në këto pak vite, me një punë të përbashkët me përkushtim, me djersë, me mund, ne ia kemi dalë ta shndërrojmë Mirditën, ta shndërrojmë Shqipërinë nga një rast i humbur, nga një vend i skajuar, në një shembull suksesi. Askush sot nuk mund të mohojë se Mirdita në NATO, Shqipëria në NATO , është historia jonë e përbashkët e suksesit. Askush nuk mund të mohojë se rritja e rrogave dhe pensioneve, se dyfishimi i pensioneve në fshatra, se mbi dyfishimi i rrogave të mësuesve, mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë është një histori reale suksesi dhe ne kemi vendosur ti rrisim më tej edhe këtë vit, rroga dhe pensionet, do të rriten si çdo vit tjetër. Askush nuk mund të mohojë se sot ne si qytetarë të lirë, lëvizim të lirë në mbarë Europën dhe kjo është histori suksesi, suksesi të vërtetë.
Ne sëbashku me mund, me djersë, me punë dhe përkushtim, ia dolëm të përmbushim të gjitha kërkesat për të marrë statusin e vendit kandidat dhe ju garantoj se shumë shpejt do ta marrim atë.
Ne në pak vite morëm një kthesë të madhe në zhvillimin e Mirditës dhe në zhvillimin e Shqipëri. Në katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka të çojmë rrugë moderne në të katër anët e Mirditës, ne ndërtuam Rrugën e Kombit, ne që ndërtuam rrugën e Kthellës dhe Urakës, ne do të ndërtojmë rrugën e Kurbneshit, Kaçinarit, ne do të ndërtojmë çdo rrugë në këtë rreth. Ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, në të gjitha fshatrat e Mirditës, në mënyrë që mirditorët dhe mirditoret e vegjël, të ulen në bankat e shkollës dhe të kenë shkollat më moderne si bashkëmoshatarët e tyre në Tiranë dhe kudo gjetkë. Ne që me mund dhe me djersë u përballëm me sukses me krizën më të thellë që Europa ka njohur dhe sot Fondi Monetar, Banka Botërore, Komisioni Europian, Banka Europiane konfirmojnë që të gjitha, se Shqipëria është nga të paktat vende që pati rritje ekonomike, është nga të paktat vende që pati ulje papunësie. Ky është suksesi ynë i përbashkët. Rritja ekonomike nuk dekretohet nga qeveria, as parlamenti, rritjen ekonomike e garantojnë gratë dhe burrat punëtorë që e nisin punën, që pa gdhirë dhe e mbyllin në darkë vonë në bizneset e tyre, në shtëpitë e tyre, në miniera dhe kudo. Por qeveria i mbështet ata me ligje, me vendime, të cilat ndjekin interesat e punësimit të tyre, interesat e begatimit të tyre, të cilat respektojnë lirinë e tyre ekonomike, iniciativën e tyre të lirë.
Për të zgjeruar liritë tuaja ekonomike, ne kemi ulur tatimin mbi fitimin mbi 150 përqind, kemi ulur tatimin mbi të ardhurat personale me 130 përqind, kemi ulur sigurimet shoqërore për punëdhënësit mbi 50 përqind, kemi ulur taksën e biznesit të vogël me 1.5 përqind dhe vendosëm dy muaj më parë dhe hoqëm TVSH dhe çdo taksë tjetër mbi çdo makineri, mbi çdo material që bizneset e të gjitha llojeve ju duhen për prodhim. Hoqëm çdo detyrim për tre vitet e para, për çdo të ri të punësuar në këto biznese. Do të heqim çdo detyrim, për çdo emigrant mirditorë, e shqiptarë, kudo që ndodhet që vjen dhe investon në Mirditë dhe në Shqipëri për 3 deri në 5 vite. Në pak vite, ne kemi subvencionuar këtu në Mirditë dhe në çdo rreth, e mbarë Shqipërinë 42 mijë fermerë, vreshta, ullishte, blegtori, bletë, sera dhe jam sot këtu për tu zotuar para jush, se në rast se për katër vitet shkuara subvencionuam fermerët tanë me 56 milion dollarë, katër vitet që vijnë do të subvencionojmë 165 milion dollarë. Me taksat që ulëm, me anëtarësimin në NATO, ia dolëm të rrisim në katër vitet e fundit me 316 përqind investimet e huaja, të marrim 4.2 miliard dollarë investime, me të cilat janë krijuar dhjetëra mijëra vende pune. Në katër vitet që vijnë, Mirdita dhe Shqipëri do të marrim 6 miliard dollarë investime të huaja. Vetëm në ujërat e Fanit dhe burimet e tjera ujore të Mirditës, investohen dhe do të investohen rreth 460 milion euro. Në minierat e Mirditës qindra milion të tjera. Katër vitet që vijnë Mirdita turistike, Shqipëria turistike do të njohë zhvillimet më të mëdha. Në rast se në katër vite numri i turistëve dhe vizitorë u rrit nga 300 mijë në 4 milion e 700 milion, në katër vitet që vijnë do të rritet në 7 milion. Dhjetëra mijëra shqiptarë do të punësohen në Shqipërinë turistike. Mijëra të tjerë do të punësohen në hidrocentrale, në miniera dhe vepra të tjera të mëdha. Plani ynë i punësimit është plan konkret. Plani ynë i punësimit bazohet para së gjithash në besimin e madh që ka biznesi vendas dhe i huaj tek Shqipëria, bazohet në forcën, entuziazmin, përkushtimin tuaj, për një jetë më të mirë.
Mirditorë dhe mirditore.
Cila është alternativa tjetër? Për ta kuptuar unë do t’ju jap një shembull të javës së fundit. Shoku Edi Rama shkoi në Rrashbull. Atje bëri një takim me banorët e komunës së Rrashbullit. Një mirditor u ngrit dhe e pyeti. -Shoku Rama, çfarë do të bësh ti me ne? Nga je ti ?, - e pyeti Rama atë. – Unë jam nga Mirdita, iu përgjigj banori. Do të shkosh atje në mal,- i tha Rama, - se tokën do të marrin ata q ë e kanë pasur. Mirditori e pa njëherë, - i tha se,- unë këtu jam në shtëpinë time. Pasi e kuptoi se çfarë bëri, Rama erdhi këtu dhe tha se jam nga Mirdita. Shkon në Tropojë dhe thotë, se ata të parët e mi nga diku këtu janë nisur drejt jugut. Pra një njëri, i cili nuk di apo nuk do ta dijë se nga është, sepse ai vjen nga një fshat shumë i mirë, unë kam qenë në fshatin e tij, por ai nuk do ta njohë se i duhet të thotë njëherë jam këtej dhe njëherë jam andej, për ne kjo s’ka rëndësi. Rëndësi ka tjetra. Zoti Rama, çdo politikan që del para burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave, fëmijëve të tyre ka një detyrë, të bëjë gjithçka për interesat e tyre, që ato të ecin, që ato të realizohen, aspiratat e tyre të bëhen realitet. Kjo është detyra, ky është morali. Atëherë këtu nga ky shesh le ti shtrojmë disa pyetje dhe ftoj çdo socialist, çdo mirditorë të pa parti dhe shqiptarë, le ta pyesim. A ishte interesi ynë jetik firmosja e marrëveshjes së stabilizim-asociimit, kontrata më e madhe që në historinë tonë të lashtë kemi firmosur me Europën? Nuk ka njeri, që mund të thotë se ky nuk ishte interesi i çdo shqiptari, i çdo burri, çdo gruaje, çdo të riu, çdo fëmije, çdo të moshuari. Po atëherë! Po bilbilat, boritë, zilet në parlament kur do të firmosej kjo marrëveshje, interesi i kujt do të ishte?! A nuk ishte kjo një përpjekje për ta bllokuar me çdo kusht firmosjen e kësaj marrëveshje? A ka shqiptarë sot, dhe ata që vijnë pas qindra vitesh, interes më jetik se vendi i tyre të jetë anëtar i NATO-s, të ketë mbrojtjen totale nga SHBA në çdo rrezik , në çdo rast?! Sigurisht që e kanë. Po atëherë, mitingu i protestës të nesërmen e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO kujt i interesonte? Në emër të kujt u organizua? Në emër të asnjë shqiptari, përveç të etërve të tu, të cilët një gjysmë shekulli lëshuan një mal shpifjesh, akuzash kundër SHBA dhe NATO-s. Vetëm atyre ju intereson, sepse ata izoluan Shqipërinë.
Rruga e Kombit, a ishte interesi jetik i mirditorëve, i qytetarëve të Kosovës, i shqiptarëve në tërësi? Po deputetët që dërgove për të ngritur çadrat dhe bllokuar tunelin e Kalimashit, për çfarë interesash luftonin? Më lejoni të përshëndes djemtë e Fanit që i përzunë. Shkoni e vendosni çadrat në seli i thanë. A mund të bënte shqiptari një protestë të tillë? Z. Rama, interesat e kujt mbroje ti kur votojë kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve të qytetarëve shqiptarë, që merrnin pensione qesharake, që merrnin rroga, me të cilat mezi mbanin frymën? Çfarë mbroje ti kur votojë kundër? Interesat e tyre! Jo. Ata ishin socialist, ishin demokrat, ishin të pa parti.
Rruga jonë drejt Europës nuk është një rrugë e lehtë. Është një rrugë që kalon me mund të madh, me punë të mëdha, me seriozitet maksimal me reforma të thella dhe ne i bëmë këto. Në tetor të vitit 2012 Komisioni Europian, deklaroi se Shqipëria meriton statusin me kusht që të votohen tre ligjet. 236 ditë përdore pushtetin e zgjedhësve të tu, ndonëse jam i bindur se nuk ka socialist në Mirditë, nuk ka socialist të ndershëm që do të pranonte të bllokonte tre ligjet, të bllokonte statusin, të bllokonte integrimin. Kurse ju zoti Rama pa pyetur asnjë interes, përjashtove Shqipërinë nga statusi për një vit dhe i votove ato një ditë më parë, atëherë kur u mbyll mundësia që këtë vit Shqipëria të marrë statusin.
A është ky interesi i qytetarëve të Mirditës, i qytetarëve shqiptarë, ky është vetëm testamenti i etërve të tu, të cilët urrenin Europën, të cilët donin izolimin e Shqipërisë. Këto janë alternativa. Së fundi në autobusin e tij mavi, po deklaron se Partia Demokratike nuk ka program.
Vëllezër dhe motra.
Nëqoftëse ka njëri në Shqipëri që për shkak të padijes nuk di se çfarë është programi politik, nuk di se çfarë është programi ekonomik, nuk di se çfarë është programi legjislativ, ky është vetëm një dhe ky është Edi Rama. Socialistë të Mirditës dhe të mbarë Shqipërisë. Pyeteni pak ish-presidentin Rexhep Mejdani, të cilit në zgjedhjet e 2009 i dorëzoi një vëllim, ku i tha se janë 5 mijë faqe program dhe Mejdani ju tha shqiptarëve se, nuk kishte asnjë fjalë programi. 23 qershori po vjen. Ndaj dhe ju ftoj që me 23 qershor të gjithë sëbashku për një Mirditë të zhvilluar, për një Mirditë me infrastrukturë moderne, me një hyrje madhështore të Rrëshenit nga autostrada në qytetin tuaj, me rrugë të asfaltuara ne të katër anët e saj, me shkolla të reja, me ujësjellësa, me shërbime, le të ecim të sigurtë drejt zhvillimit, drejt të ardhmes sonë Europiane.
Votoni numrin 44.
Votoni fitoren.
Votoni të ardhmen.
Votoni për Europën
Përpara, Përpara, Përpara!”
31/05/2013