E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e spitalit të Pogradecit

Kryeministri Berisha u shpreh sot se modernizimi i sistemit shëndetësor, në infrastrukturë dhe shërbim, do të vazhdojë të jetë një nga shtyllat e rëndësishme të reformave edhe në katër vitet e ardhshme. Këtë angazhim, Kryeministri e shprehu para punonjësve të spitalit të Pogradec, ku ishte i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të fazës së parë të rikonstruksionit të spitalit të Pogradecit, një investim i qeverisë me vlerë 60 milionë lekë.

Kryeministri Berisha theksoi se shëndetësia është një nga sektorët prioritarë, që  ka njohur zhvillime pozitive në këto tetë vite, gjatë të cilave është rritur aksesi i qytetarëve në shërbimin e kujdesit shëndetësor, ku nga 2.4 milionë vizita në vitin 2006 ka arritur në 6 milionë në vitin 2012; 1.7 milionë qytetarë me librezë shëndeti si përdorues dhe përfitues; është përmirësuar lista e barnave të rimbursueshme dhe fondi i rimbursimit është rritur me 2.4 herë, nga 3.8 miliardë lekë në vitin 2005 në 8.4 miliardë në vitin 2013; sot rimbursohen në total 1135 alternativa barnash dhe është rritur numri i barnave për kategoritë e pacientëve me sëmundje të rënda, 520 mijë pensionistë i kanë barnat 100 përqind të rimbursueshme. Po ashtu është rritur aksesi për një sërë trajtimesh si në rastin e pacientëve që trajtohen me dializë, të cilët sot janë 600 nga 45 të sëmurë që e merrnin këtë shërbim në vitin 2005.

Një arritje të madhe, Kryeministri konsideroi rritjen e pagave për mjekët, infermierët dhe punonjësit shëndetësorë. Duke sjellë në vëmendje se paga mesatare e personelit infermieror është rritur me 2.4 herë nga viti 2005, paga mesatare e mjekut të shërbimit parësor është rritur 170 përqind, Kryeministri garantoi se politika e rritjes së pagave do të vazhdojë.

Një zhvillim tjetër shumë pozitiv është se për herë të parë, u shpreh Kryeministri, vdekshmëria foshnjore dhe ajo amtare në Shqipëri referohet me numra një shifrorë. Sot, - tha Kryeministri, Shqipëria ka disa nga treguesit më themelorë të njeriut, shëndetit e jetës së tij, të barabartë me disa nga vendet e zhvilluara dhe lë mbara disa nga vendet e tjera të zhvilluara. Sot, shqiptarët kanë jetëgjatësi në lindje më të madhe se nëntë vende anëtare të Bashkimi Europian. Sot, Shqipëria renditet e treta përsa i përket eksesit të lirë në kujdesin shëndetësor për shqiptarët.

Gjatë këtyre viteve janë ndërtuar e rikonstruktuar 400 ambulanca, qendra shëndetësore dhe spitale në mbarë vendin. Si rezultat i investimeve të kryera në infrastrukturë dhe në pajisje mjekësore, aksesi i popullatës për ekzaminime imazherike është rritur nga 50 përqind në vitin 2005 në 85 përqpind në vitin 2013. Ndërsa ngritja e rrjetit të telemjekësisë, shëndetit elektronik, bibliotekës elektronike dhe lidhjes online e spitaleve të rretheve me atë terciar, ishin risitë që solli reforma e ndërmarrë në sistemin shëndetësor.

Një dimension i reformës në shëndetësi ka qenë edhe nxitja e sektorit privat, ku gjatë këtyre viteve janë kryer investime mbi 160 milionë euro. Nga sektori publik dhe ai privat janë investuar mbi 300 milionë dollarë në shëndetësinë shqiptare në spitale, klinika dhe në aparatura më modernet.

Përshëndetja e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e inaugurimit.

“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht ju, punonjësve të këtij spitali, por të përshëndes përzemërsisht të gjithë punonjësit e sistemit të shëndetësisë, sanitaret, infermierët, mjekët, të gjithë ekipet shëndetësore anembanë vendit, për misionin e punën tuaj më fisnike, më të vështirë e më të rëndësishme. Jeni ju ata, që ditë e natë, 24 orë pa ndërprerë, qëndroni të gatshëm në përpjekjen tuaj, për të lehtësuar çdo dhimbje, për të shpëtuar çdo jetë, për të pritur çdo fëmijë, për të ushqyer çdo të moshuar që nuk ushqehet dot. Ju jeni aty ku është dhimba e kombit, ku është vuajtja e tij. Ju jeni aty ku është shpresa e tij, ku është lindja e tij.

Misioni juaj është i pakrahasueshëm dhe ju në një hark kohor të shkurtër, në disa aspekte keni dhënë kontributin tuaj thelbësor për ta vendosur Shqipërinë, me dinjitet të madh, në radhën e vendeve të zhvilluara. Sot, Shqipëria ka disa nga treguesit më themelorë të njeriut, shëndetit e jetës së tij, të barabartë me disa nga vendet e zhvilluara dhe lë mbara disa nga vendet e tjera të zhvilluara. Kështu, vdekshmëria foshnjore që, siç ju e dini, ka qenë një problema madhor për ne, nga viti 2005 në 2011 pothuaj u përgjysmua dhe zbriti në 8.6 për njëmijë. Ky përbën një nivel të njëjtë me vendet anëtare të OECD-së, vendet më të zhvilluara të planetit. Jeni ju që me kujdesin tuaj për nënat shtatzëna, sëbashku me kujdesin tërësor familjar të shqiptarëve për gruan shtatzënë keni bërë që vdekshmëria amtare, një nga vdekshmëritë më të dhimbshme, të bjerë në Shqipëri në 5.8 për njëqindmijë dhe kjo është një nga shifrat më të ulëta në botë. Vende të zhvilluara dhe shumë të zhvilluara e kanë këtë tregues 30-40 për 100 mijë. Kjo është meritë e ekipeve shëndetësore, është në meritën e aksesit të lirë që kanë nënat shtatzëna në Shqipëri.

Në rast se shikojmë  popullatën në tërësi do të gjejmë se shqiptarët e kanë vdekshmërinë e përgjithshme, më të ulët se të gjithë kombet e vendeve ish komuniste. Në këtë tregues kapital për nga rëndësia për kombin, ata e kanë të përafërt me Portugalinë e Finlandën. Natyrisht, unë e di që disa do të zemërohen, sepse ka shqiptarofobë, të cilët, sapo dëgjojnë një sukses të Shqipërisë, hidhen dhe thonë na krahasoi me këtë apo atë, por në këtë botë të lirë vetëm krahasimi funksionon. Kjo është një garë. Njerëzit e lirë dhe vendet e lira janë në një garë të fuqishme, të pandërprerë, për të arritur nivele gjithnjë e më të mira për qytetarët e tyre.

Ju, mjekët, infermierët, sanitarët jeni aksionerë të rëndësishëm në rritjen e jetëgjatësisë së shqiptarëve. Sot, shqiptarët kanë jetëgjatësi në lindje më të madhe se nëntë vende anëtare të Bashkimi Europian. Sot, Shqipëria renditet e treta përsa i përket eksesit të lirë në kujdesin shëndetësor për shqiptarët. Do t’ju jap një shembull. Nga 2.4 milionë vizita mjekësore në mbarë Shqipërinë në vitin 2006, janë 6 milionë vitin e kaluar. Dëshmi kjo e rritjes së madhe të interesit të qytetarëve për shëndetin e tyre, por dëshmo edhe e dyerve të hapura të këtij sistemi, për t’i pritur ata në kohën më të shpejtë.

Ne jemi të vendosur të ecim në reformën tonë të sistemit shëndetësor Njëkohësisht, ne kemi mobilizuar fonde të mëdha. Këtu inauguruam fazën e parë të rindërtimit të këtij spitali jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetarët e Elbasanit, për dhjetëra mijëra turistë nga mbarë bota që vijnë këtu, për të kaluar pushimet buzë këtij liqeni të famshëm në Europë e në botë. Por sëbashku me sektorin privat, këto vite ne kemi investuar në spitale, në qendra shëndetësore, në pajisje mjekësore 300 milionë dollarë. Sot, Shqipëria disponon aparatura të fjalës së fundit. Sot, lista e barnave të rimbursueshme është ndër më të plotat që ekziston në ndonjë vend. Sot, pensionistët shqiptarë kanë të rimbursueshme 100 përqind ilaçet që ata përdorin. Sot, të sëmurët me sëmundje të rënda kanë rimbursim mesatar prej 3860 dollarë në muaj. Fondi i rimbursimit të ilaçeve nga 3.4 miliardë që ishte në vitin 2005, sot është 8.4 miliardë. Në vitin 2005 ishin 45 të sëmurë që përdornin hemodializën në vitin 2005 dhe të tjerët ishin të dënuar me dënim kapital. Ju jeni mjekë e infermierë dhe e dini se çdo të thotë për një të sëmurë me azotemi të mos bëjë dializë, do të thotë të udhëtojë pamëshirë drejt fundit të jetës së tij. Por, sot, asnjë njeri nuk e humbet jetën për mungesë të saj. Janë 600 të sëmurë dhe po rritet numri i atyre që po marrin shërbimin e dializës, me 15 mijë euro në vit secili prej tyre, plus 6000 dollarë trajtimi me hemopoietin. Ne kemi bërë e bëjmë gjithçka për të përballuar kërkesat e nevojat e qytetareve.

Po ashtu janë ndërtuar e rindërtuar mbi 400 qendra shëndetësor e spitale të reja. Kemi bërë kujdes të madh për të rritur rrogat e infermierëve dhe mjekëve dhe kemi vepruar shumë drejt. Sot, mjeku i shërbimit parësor merr një rrogë 170 përqind më të lartë se gjashtë vjet më parë. Sot, infermierja e shërbimit parësor merr një rogë 2.45 herë më të lartë, afërsisht 24 rroga më shumë në vit, sesa merrte gjashtë vjet më parë. Ne do të vazhdojmë të rrisim rrogat tuaja, të mësuesve dhe pensionet e ulëta. Kjo është politika jonë.

Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë gjithnjë e më shumë shërbimin, ta rajonalizojmë atë gjithnjë e më mirë. Sot, Shqipëria  qëndron në krye të listës përsa i përket vaksinimit. Një vend me një shkallë vaksinimi 97 përqind të fëmijëve, përbën nivelin më të lartë që ekziston. Por investime të mëdha janë bërë edhe për aparatura dhe logjistikë. Janë investuar 160 milionë euro nga sektori privat në spitale e klinika moderne. Qeveria nga e saj ka bërë investime të mëdha në telemjekësi, në ngritjen e spitaleve të reja në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Kavajë e qytete të tjera. Janë investuar 6 milionë euro në spitalin “Nënë Tereza” për imazheri, ka investuar në të katër anët për rezonanca mangetike, skaner, radiologji, metodat moderne të diagnostikimit. Investimet tona në sistemin e shëndetësisë në këto vite për logjistikë dhe diagnostikë janë mbi 130 milionë dollarë.

Natyrisht, ne kemi rrugë për të bërë. Natyrisht, ne kemi punë ët mëdha përpara. Natyrisht, ne do të përmirësojmë menaxhimin, por ata që mohojnë arritjet, mohojnë kontributin tuaj të jashtëzakonshëm, mundimet, sakrificat tuaja personale e familjare në shërbim të qytetarëve të sëmurë, ata bëjnë një gabim shumë të rëndë. Atij, të cilët shprehen se nuk shkon dot në spital i pashoqëruar nga gruaja, dua t’i them, i nderur shok, infermieret e Shqipërisë ta kanë falur këtë, se ata dinë të falin pacientët më mirë se gjithë të tjerët. Përndryshe, ne përulemi me nderim shumë të madh  para punës së tyre vetëmohuese e shumë të vështirë, që kujdesen për njerëzit tanë ndonjëherë edhe më shumë sesa kujdesen familjet për ta.

Ndaj, ju ftoj të vazhdojmë këtë rrugë. Kjo është rruga e fisnikërisë, humanizmit, drejt të ardhmes. Ju uroj nga zemra shumë suksese dhe ju shpreh mirënjohjen juve, mjekëve, infermierëve e sanitare të Shqipërisë kudo ku janë, për punën e madhe që bëjnë dhe ju siguroj se do të bëjmë gjithçka për nivele gjithnjë e më të mirë të sistemit shëndetësor. Faleminderit dhe gëzuar. Zoti drejtor, spitalin do ta përfundojnë dhe pajisim me aparaturat më moderne që ky spital të shkëlqejë e kushdo të vijë këtu, qytetar i Pogradecit apo i huaj, të gjejë një shërbim ndër më modernet.”  


02/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›