Fjala e “Omerikëve”, një libër për Omer Kaleshin
TIRANE-Sot ora 13.00, në sallën e Bibliotekës së Galerisë Kombëtare të Arteve do të organizohet promovimi i Librit FJALA E "OMERIKEVE". Ky libër është një përmbledhje poezish prej autorësh të ndryshëm, të cilët janë frymëzuar nga vepra e Omer Kaleshit, piktorit shqiptar që jeton në Paris të Francës që prej vitit 1965. Autorët e poezive janë dymbëdhjetë; Jacques Lacarrière, Laure Cambau, Özdemir Ince, Eftim Kletnikov, Ilhami Emin, Jordan Plevneš, Klime Korobar, Daim Iliazi, Ali Podrimja, Petraq Risto, Alket çani, Luan Rama, ndërsa lista plotësohet me tri ese të Gil Jouanard. Libri përmban edhe shumë riprodhime të pikturave të Kaleshit, të cilat qëndrojnë krahas shkrimeve që ato kanë frymëzuar. Përmbledhja e materialeve është bërë nga studiuesi Luan Rama, i cili thotë në parathënie: "Ky libër është një kumt poetik për krijimtarinë shumëvjeçare të Omer Kaleshit, këtij piktori që me itinerarin e jetës së tij përfaqëson katër vende: Shqipërinë, Maqedoninë, Turqinë dhe Francën. Pikërisht, poetë nga të katër këto vende, duke shtuar dhe Kosovën, miq të piktorit dhe njohës të pikturës së tij, bashkojnë zërat e tyre në këtë ligjërim poetik, ku çdo poezi ballafaqohet me një tablo, me "kokat" e tij, me atë ç'ka përbën shpirtin e këtij artisti, sa ballkanas, aq edhe evropian." Vetë piktori do të jetë i pranishëm në promovimin e këtij libri, së bashku me studiuesin Luan Rama dhe të tjerë personalitete.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)