Fjala e përshëndetëse e Kryeministrit Berisha në Kongresin e V-të të Partisë Republikane të Shqipërisë

Për mua është një nder i madh t’u sjell ju sot këtu, dhe republikanëve shqiptarë urimet më të përzemërta, përshëndetjen më miqësore në këtë ditë të shënuar jo vetëm për Partinë Republikane, por për mbarë ngjyrimet politike të vendit.
Partia Demokratike ka pasur dhe ka tek Partia Republikane aleatin e saj më kryesor, aleatin me të cilin formoi opozitën e parë shqiptare pas 45 vjetësh, aleat me të cilin përmbysi diktaturën më të egër të Europës pas Luftës së Dytë botërore, aleatë me të cilin shkëputi Shqipërinë nga hiper-kolektivizmi total, zëvendësoi shtetin e diktaturës me shtetin ligjor. Aleat me të cilin hodhi bazat e ekonomisë së shëndoshë së tregut, integroi vendin në Këshillin e Europës, dhe partneritetin për paqe.
Por, do të thosha se më vonën, një aleat me të cilin së bashku me aleatët e tjerë në 8 vite opozitë qëndroi i pamposhtur së pari për të mbrojtur vlerat e lirisë, të cilat janë themeli i programeve tona për t`i krijuar vendit traditën që i mungonte, traditën e opozitës.
Tetë vjet ne mbetëm së bashku të pamposhtur në besimet dhe përpjekjet që Shqipëria të kishte një sistem totalisht funksional politik. Aleanca me të cilin hodhëm mënjanë regjimin që mbahej mbi krimin dhe kleptokracinë dhe rivendosi Shqipërinë sërish në shinat e zhvillimit dhe integrimit.
Partia Demokratike ka tek Partia Republikane aleatin e saj kryesor që së bashku me partitë e tjera politike në dy vjet me përpjekje shumë të mëdha, me vështirësi serioze ne vijmë sot në këtë Kuvend tuajin të sigurt se qytetarët shqiptarë janë më të lirë. Liria në një sistem si ky përcakton para së gjithash dhe mbi të gjitha shkallën e zbatimit të ligjit dhe funksionimit të shtetit ligjor.
Ne kemi bërë përpjekje të mëdha së bashku që ligji dhe shteti ligjor të funksionojnë në Shqipëri. Treguesit e arritur në këto dy vite janë larg të qenit të përsosur, por janë disa herë më mirë se sa ishin 2-3 vjet më parë .
Liria e qytetarëve shqiptarë ishte me rëndësi të madhe. Ajo gërryhej dhe rrënohej çdo ditë nga krimi i organizuar ndër më të fuqishmit në Europë, krim i cili bënte kërdinë, i cili kishte zëvendësuar ligjin me kërcënimin, ekzekutimet pa gjyqe, dhe me gjobën. Në dy vjet së bashku ne i kemi dhënë atij përgjigjen më të merituar. Shqipëria sot numëron mbi 200 grupe e organizata kriminale të çmontuara dhe të vendosura para ligjit. Si në asnjë vend tjetër të Europës pothuajse dyfishuam popullatën në burgje dhe kjo jo për shkak të krimeve të këtyre dy viteve, por kjo për shkak të qindra vrasësve, trafikantëve dhe përdhunuesve që qarkullonin të lirë në rrugët e qyteteve tona.
Shqipëria është bërë sot një vend i sigurtë. Unë ju ftoj të krahasoni treguesit e krimit në Shqipëri me vendet e tjera në disa tregues sidomos në krimet e rënda Shqipëria rezulton të ketë nivelet më të ulëta në Europë, sot, në vitin 2006 dhe 2007. Kjo është në radhë të parë dëshmi e një vullneti të hekurt politik për të luftuar me zero tolerancë krimin e organizuar për të bërë jetën, pronën dhe veprimtarinë e qytetarëve shqiptarë të sigurtë, për të bërë Shqipërinë një vend të sigurtë. Kjo gjithashtu është meritë e madhe e punonjësve të policisë, punonjësve të shërbimeve inteligjente dhe të gjitha agjencive të zbatimit të ligjit, të cilët kanë dëshmuar se në prani të një vullneti politik janë të gatshëm të zbatojnë ligjin.
Duke dhënë këto rezultate dua t`ju garantoj se arritjet e deritanishme janë thjeshtë një stacion, i cili i jep përgjigjen më të merituar krimit të organizuar në të gjitha fushat; në fushën e trafikut të drogës, fushën ekonomike, të larjes së parave dhe të gjitha fushat tjera. Shqipëria duhet dhe po të bëhet çdo ditë më e sigurtë.
Në një sistem pluralist asgjë nuk privon më shumë liritë e qytetarëve e të drejtat e tyre se sa korrupsioni. Ai u mohon atyre pronën, vendimin e drejtë gjyqësor dhe i detyron ata të paguajnë mbitaksë për të fituar një të drejtë që e kanë. Qytetarët në një sistem me korrupsion në një sistem kleptokratik nuk mund të jenë të lirë. Kjo është arsyeja me të cilën ne kemi shpallur korrupsionin një kancer të vërtetë dhe ne jemi angazhuar në një luftë me zero tolerancë ndaj tij.
Rezultatet e këtyre dy vjetëve nuk mund të them se janë vendimtare, por vendimtare në sensin se dëshmojnë se lufta jonë kundër korrupsionit ka qenë një luftë e suksesshme dhe në kushtet siç ishte Shqipëria korrupsioni mund të luftohet me vendosmëri të madhe.
Korrupsioni është para së gjithash e lidhur me fondet publike. Ne u themi shqiptarëve sot se shpenzimet operative të shqiptarëve janë 40 % më pak se ç`ishin 2 vjet më parë. Në rast se korrupsioni është i lidhur me shpërdorimin e taksave dhe detyrimeve doganore, ne u themi shqiptarëve sot se kemi rritur të ardhurat me 45 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto në më shumë se 1 miliard dollarë dhe se kjo është kristalizuar në një kohë kur ka patur ulje drastike taksash.
Në rast se dy vjet më parë fëmijët e shqiptarëve futeshin në universitet mbi bazën e gjobave që ata paguanin dhe rrugët tona mbusheshin me pazare të turpshme sot në universitetet e Shqipërisë ata pranohen me procedurat më transparente. Në këta dy vjet as ministri as Kryeministri dhe as Presidenti nuk ka futur me firmën e tij qoftë edhe një student të vetëm në dyert e universiteteve.
Në rast se për të regjistruar biznesin duheshin 40 ditë dhe paguheshin më shumë se 40 gjoba, sot biznesi regjistrohet brenda një ore me praktikën me moderne të kohës.
Sërish ka korrupsion sërish përballemi me të, por rrallë të gjendet ndonjë vend tjetër që në një hark kohor prej 55 ditësh, të vendosë para drejtësisë mbi 30 zyrtarë të lartë të të gjitha niveleve. Qeveria nuk ka asnjë synim të arrestojë njerëz, por në mënyrë absolute do të përballet me forcën e ligjit cilido që prek, abuzon dhe shpërdoron fondet publike të qytetarëve më të varfër të Europës. Ky do të jetë një vendim i hekurt i kësaj qeverie.
Luftën kundër korrupsionit e ka penguar në mënyrë shumë të ndjeshme mungesa e transparencës në sistemin gjyqësor, mbrojtja që i është bërë korrupsionit në sistemin gjyqësor gjatë këtyre 10 viteve të fundit. Le t`i shohë çdo shqiptar, pavarësisht ngjyrimeve politike; si ka mundësi që në një vend me gjykatat më të përfolura në Europë, nuk gjendet një gjyqtar apo një prokuror që të përballet me ligjin për abuzimet e tij ? Kjo praktikë fatmirësisht i përket të shkuarës, e cila është e hidhur dhe kam bindjen më të thellë se Presidenti i Republikës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Konferenca Gjyqësore do të vendosin standarde të reja në funksionimin e këtij sistemi jetik për garantimin e lirive dhe të drejtave njerëzore.
Në dy vjet qeverisje me PR dhe partitë e tjera, ne i kemi bërë mediat shqiptare më të lira dhe më të pavarura se kurrë. Fenomeni “state capture” dhe “press capture” është arkivuar.
Ka marrë fund farsa e pafundme e proceseve gjyqësore ndaj tyre, ka marrë fund gjuetia e gazetarëve për t`u nxjerrë atyre burimet.
Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje për garancitë themelore të funksionimit të medias së lirë, profesionale e të pavarur. Ne kemi dërguar dekriminalizimin e shpifjes në parlament dhe sërish ftoj opozitën ta votojmë atë si garancia më e madhe për mediat shqiptare.
Shqiptarët janë më të lirë në këto dy vjet sepse ka një ndryshim të rëndësishëm në situatën e burgjeve. Të burgosurit janë qytetarë shqiptarë dhe ne i garantojmë ata se do të trajtohen me gjithë dinjitetin që meriton qenia njerëzore. Këtë vit investimet më të mëdha janë bërë në institucionet e burgjeve. Me 45 % kemi rritur shpenzimet e Ministrisë së Drejtësisë për këto institucione. Shqipëria nuk mund të ecë drejt BE si vendi i torturave dhe i jetës çnjerëzore. Vështirësi ka sepse rritja e pagave dhe pensioneve pati vështirësi, por prapëseprapë jemi të vendosur të procedojmë me reformat në mënyrë që edhe në burgje të respektohen të drejtat dhe liritë që u takojnë me ligj atyre që vuajnë dënimin.
Së bashku me Partinë Republikane në dy vjet e kemi bërë Shqipërinë më të begatë më të zhvilluar ekonomikisht dhe shqiptarët janë më pak të varfër. Unë këtu mund t`u referohem fakteve. Prodhimi i Brendshëm Bruto rritet në mënyrë progresive, të ardhurat në buxhet kanë një rritje të madhe, barra fiskale mbi biznesin është ulur në mënyrë drastike , me 150 % është ulur taksa mbi tatim fitimin, me 130 % është ulur taksa mbi të ardhurat personale, me 50 % është ulur taksa e biznesit të vogël. Është krijuar One-stop shop dhe interesi i investitorëve të huaj për Shqipërinë është i jashtëzakonshëm.
Më lejoni t`ju informoj se gjatë këtij viti kanë nisur punën 3 herë më shumë kompani të huaja se 10 vitet e fundit të marra së bashku, se janë shumë herë më të mëdha kompanitë e huaja të interesuara për investime në Shqipëri, se në turizëm janë me dhjetëra projekte që presin të fillojnë investime të mëdha, se gara që zhvillohet për ujërat e vendit është një nga më të fuqishmet. Sot për lumenj por për lumenjtë më të vegjël të Shqipërisë janë në projektim e sipër kompanitë më serioze.
Sistemi bankar ka njohur në pak muaj një zhvillim të jashtëzakonshëm; dy nga bankat më të mëdha të Europës dhe tre kompani ndër më të mëdha sigurimesh kanë hyrë në Shqipëri.
Kemi arritur së bashku në këto dy vjet ta bëjmë Shqipërinë më miqësore për investimet e huaja ta sjellim më në fokus.
Por në këto dy vjet ne jemi kujdesur për ata që janë në nevojë më shumë se kurrë. Ne kemi rritur rrogat e ulëta në dy vjet në masën 46-47 %, ne kemi rritur pensionet e ulëta në masën mbi 50%, po ecim të sigurtë drejt dyfishimit të pensioneve të ulëta të vendit, po ecim të sigurtë drejt dyfishimit të rrogave të arsimtarëve dhe rrogave të infermierëve.
Unë jam i vetëdijshëm se pensionet në Shqipëri janë nga më të ulëtat, por dua të qartësoj se fondi që kemi vendosur për pensionet është rreth 2 herë e gjysëm më i madh se rrogat që kemi vendosur për punonjësit e administratës shtetërore në këto dy vjet.
Jemi përpjekur dhe përpiqemi t`u përgjigjemi të gjitha shtresave. Janë rritur me 30 % ndihmat për qytetarët me paaftësi fizike. Sërish ju siguroj se asgjë nuk do ta ndalë këtë qeveri për të adresuar të gjitha ndjeshmëritë e qytetarëve shqiptarë. Unë ju siguroj se qeveria do të vendosë kuota dhe masa fikse me fonde të përcaktuara vetëm për ta. Janë 114 mijë, por u dëshmohet solidariteti i burrave dhe grave në një shoqëri të lirë.
Në këto dy vjet ne jemi përpjekur që Shqipëria të bëhet më e ditur, ndaj dhe kemi shpallur arsimin përparësi më madhore të vendit, kemi vendosur të dyfishojmë buxhetin dhe buxheti do të ketë një rritje shumë më të madhe se dyfishimi. Nuk ka përpjekje më të vështirë se sa kjo. Por, disa rezultate i kemi arritur. Kemi dyfishuar numrin e studentëve, kemi rritur 47 % rrogat e mësuesve dhe po përpiqemi të ngremë një zinxhir të tërë konviktesh për të mos lënë asnjë fëmijë pa marrë shkollën e mesme kudo që të jetë i vendosur. Përpjekje shumë të mëdha do të bëhen për të inkurajuar dhe nxitur sektorin privat për arsimin në Shqipëri, nga ai parashkollor deri tek universitetet.
Unë jam i bindur se programi i Partisë Republikane për pronën është një program i drejtë dhe i ndershëm, një program zbatimi i të cilit në tërësi përbën një kusht themelor për paqen sociale dhe stabilitetin e vendit. Në labirintet burokratike në të cilat ishte zhytur kjo çështje dhe në kompleksitetin e problemeve që ka nuk mund të themi se kemi bërë progresin që prisnim, por unë mund t`ju garantoj ju se vullneti politik mbetet po aq i fuqishëm për t`i dhënë përgjigjen më të shkëlqyer çështjes së pronave.
Në vlerësimin tim puna që kemi bërë në dy vjet ka krijuar hapësira të gjithanshme, mundësi ligjore financiare dhe mundësi të tjera për të shpejtuar ritmin e këtij procesi jetik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne gjithashtu mbetemi të vendosur për të bërë të gjitha përpjekjet për kompensimin e të përndjekurve politikë që do të votohet javën e ardhshme në parlament.
Me Partinë Republikane kemi bërë përpjekje të mëdha për ta afruar Shqipërinë në BE dhe NATO.
Partia Republikane ka dhënë një kontribut substancial dhe thelbësor në këtë proces. Z. Mediu me lidershipin e tij në Ministrinë e Mbrojtjes, përfaqësimi i tij në udhëheqjen e reformave të dikasterit, i ka vendosur realisht Forcat e Armatosura në pararojë e anëtarësimit të vendit në NATO, dhe për këtë ka përgëzimet e mia më të sinqerta.
Grupi parlament i PR-së ka dhënë mbështetjen më të fuqishme më të madhe reformave dhe për këtë kanë mirënjohjen më të thellë timen dhe të koalicionit. Dua t’u garantoj se Partia Demokratike është dhe do të mbetet thellësisht e ndjeshme ndaj të gjitha parimeve të mëdha që ndajmë së bashku me Partinë Republikane në programet tona dhe problemeve specifike të programit të Partisë Republikane.
Unë kam bindjen se trashëgimia e shkëlqyer e bashkëpunimit mes nesh përcakton një të ardhme edhe më të mirë të këtij bashkëpunimi në interes të përbashkët të dy forcave tona politike në interes të pluralizmit shqiptar interes të përbashkët të gjithë shqiptarëve.