Kryeministri Berisha: Qeveria, vullnet të fuqishëm politik për zgjidhjen e çështjes së pronës
Kryeministri Berisha nënvizoi sot se programi i Partisë Republikane për pronën është një program i drejtë dhe i ndershëm, zbatimi i të cilit përbën një kusht themelor për paqen sociale dhe stabilitetin e tregut.
Kryeministri vlerësoi se në labirintet në të cilat ishte zhytur kjo çështje dhe në kompleksitetin e problemeve që ka ajo, nuk mund të thuhet se është bërë progresi që pritej.
“Unë mund t`ju garantoj ju se vullneti politik mbetet po aq i fuqishëm për t`i dhënë përgjigjen më të shkëlqyer çështjes së pronave”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej Kryeministri vlerësoi se puna e bërë në dy vitet e fundit ka krijuar hapësira të gjithanshme, mundësi ligjore financiare dhe mundësi të tjera për të shpejtuar ritmin e këtij procesi jetik për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Dua t’u garantoj se Partia Demokratike është dhe do të mbetet thellësisht e ndjeshme ndaj të gjitha parimeve të mëdha që ndajmë së bashku me Partinë Republikane në programet tona dhe ndaj problemeve specifike të programit të Partisë Republikane”, tha Kryeministri.