Kryeministri Berisha: Emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm çështje e Presidentit të Republikës dhe Parlamentit

Kryeministri Berisha deklaroi sot se zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm është një çështje që i përket Presidentit të Republikës dhe Parlamentit.
Kryeministri shprehu besimin e plotë se Presidenti i Republikës do të zgjedhë në këtë post një njeri të përkushtuar, ekspert të sistemit të drejtësisë dhe që është i lirë nga kapja.
“Kam theksuar që në fillim se zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, është një çështje që i përket Presidentit të Republikës dhe Parlamentit. Kryeministri nuk ka ndonjë tagër ligjor në këtë çështje. Unë kam shumë besim tek zgjedhja e Presidentit të Republikës se do të zgjedhë një njeri të përkushtuar të sistemit dhe ekspertizës, të lirë nga kapja”, u shpreh Kryeministri.
Duke iu përgjigjur interesit të medias nëse do të ketë negociata për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, Kryeministri Berisha tha se përsëritja e skemave të dështuara nuk duhet të përsëritet.
Kryeministri nënvizoi se nuk do të sugjerojë apo pranojë asnjë kandidaturë për këtë post, të asnjë lloji, aq më tepër me sfond politik, duke ritheksuar se zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm është kompetencë e Presidentit të Republikës.
“Le të lëmë ligjin dhe shtetin ligjor të funksionojë. Unë personalisht nuk do të sugjeroj dhe nuk do të pranoj asnjë kandidaturë të asnjë lloji, aq më tepër me formim politik. Unë mendoj se skemat e dështuara nuk kanë përse të përsëriten. Por, kjo është një çështje e Presidentit të Republikës”, deklaroi Kryeministri.