E Diel, 1 Nëntor 2026

; vizitës në Shkodër, Kryeministri Berisha u ndal në zonën industriale të qytetit, ku vizitoi fabrikën italo-shqiptare të prodhimit të këpucëve, "Adelchi" dhe fabrikën “Shqip

Gjatë vizitës në Shkodër, Kryeministri Berisha u ndal në zonën industriale të qytetit, ku vizitoi fabrikën italo-shqiptare të prodhimit të këpucëve, "Adelchi" dhe fabrikën “Shqipëria trikot", filial i ndërmarrjes së njohur të veshjeve Cottonela.

Fabrika e këpucëve  “Adelchi”, e cila aktualisht ka  730 punëtorë dhe nje kapacitet prodhimi prej 4200 palë këpucë në ditë, është një sipërmarrje e re, e cila ka nisur procedurat për të përfituar nga nisma “Shqipëria një euro”.

Në bashkëbisedimin me drejtues dhe punonjës të fabrikës, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo ndërmarrje, e cila ka ardhur në  maj të vitit 2006 me qëllimin për të investuar në Shkodër, është shembull i një suksesi të shkëlqyer. Ndërmarrja, që e nisi aktivitetin e saj me 200 punëtorë, parashikon që së shpejti të punësojë 1200 punëtorë.

Kryeministri theksoi se në sajë të masave të vazhdueshme të ndërmarra nga qeveria, në vend është krijuar një klimë miqësore dhe favorizuese për biznesin, prej së cilës po përfitojnë shumë investitorë të huaj.Kryeministri siguroi  për mbështetjen  e plotë të qeverisë ndaj të gjithë investitorëve të tjerë italianë që duan të ndjekin shembullin e kësaj fabrike dhe garantoi se përpjekjet për lehtësimin e veprimtarisë së tyre në Shqipëri nuk do të reshtin.

Më pas, Kryeministri vizitoi fabrikën “Shqipëria trikot”, filial i ndërmarrjes italiane të veshjeve “Cottonela”, ku përuroi godinën  e re të kësaj fabrike, e cila ka të punësuar 700 punëtorë.

Kryeministri Berisha shoqërohej në këto vizita nga ambasadori italian  në vendin tonë, zoti Saba D'Elia, Presidenti i "Cottonela", zoti Maurizio Zannier, si dhe drejtues të pushtetit lokal.

Presidenti i “Cottonela", zoti Zannier falënderoi kryeministrin Berisha për ndihmën dhe mbështetjen që qeveria shqiptare u siguron investitorëve të huaj. Zoti Zannier u shpreh se së shpejti kjo ndërmarrje do të nisë eksportin në shumë vende të Evropës me markën “Made in Albania”

Gjithashtu Presidenti i “Cottonela"  shprehu vlerësimet e tij edhe për paketën fiskale, e cila i vjen në ndihmë biznesit, duke lehtësuar ndjeshëm veprimtarinë e tij. Ndër të tjera, zoti Zannier tha se  do të sjellë në Shqipëri një pjesë të aktivitetit të tij nga Kina, duke mundësuar në këtë mënyrë edhe hapjen e 200-300 vendeve të reja të punës.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha falënderoi Presidentin  e “Cottonela”-s që zgjodhi Shqipërinë për të vendosur aktivitetin e tij. Ai siguroi se paketa fiskale do të  pasohet edhe nga hapa të tjera të rëndësishëm, që do të zgjerojnë hapësirën për investuesit e huaj.

“Unë ju siguroj se kjo paketë fiskale, të cilën, sic e keni theksuar dhe ju, është një paketë me të vërtetë e favorshme për investitorët, do të konsolidohet dhe do të shoqërohet nga të tjera bonuse dhe stimuj që krijojnë dhe rrisin çdo muaj, çdo vit, hapësirën për investitorët  e huaj. Prezenca juaj këtu, një sipërmarrje me kapacitet prodhues 13 milion cope veshje, prodhim qe synon te rritet ne 20 milion cope, është një eveniment i madh për qytetin." - u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›