tri Berisha vizitoi sot Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ku mori pjesë në ceremoninë përvjetorit të 50-të të këtij universiteti. Në fjalën e tij drejtuar studentë
Kryeministri Berisha vizitoi sot Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ku mori pjesë në ceremoninë përvjetorit të 50-të të këtij universiteti. Në fjalën e tij drejtuar studentëve dhe pedagogëve, Kryeministri u shpreh se ky përvjetor është një ngjarje e shënuar jo vetëm për këtë universitet, por për të gjithë Shkodrën dhe botën akademike shqiptare.
Kryeministri theksoi se Universiteti “Luigj Gurakuqi” u themelua në një qytet me tradita të shkëlqyera në fushën e dijes. “Ky universitet lindi në qytetin ku dija ishte tradita e tij më e shkëlqyer, lindi në qytetin e mendimit të madh të rilindësve shqiptarë, në qytetin e shpirtit dhe vlerave demokratike, në qytetin e besimeve të mëdha , të trashëgimisë mijëravjeçare të kombit, në qytetin e vokacionit tonë perëndimor.”- u shpreh Kryeministri.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha vlerësoi me nderim kuadrot me mësuesit e qytetit të Shkodrës, të cilët për vite me radhë edukuan brezat, duke shpërndarë dritën e diturisë në mbarë vendin. Duke vlerësuar se ky universitet ia doli të përshtatet dhe shndërrohet në një kohë të shkurtër në një nga universitet më të fuqishëm të vendit, Kryeministri Berisha përgëzoi stafin aktual të pedagogëve, si dhe paraardhësit e tyre, që së bashku me studentët mundësuan, ndër vite, këtë transformim.
Kryeministri siguroi se në një të ardhme të afërt, universiteti do të zgjerohet dhe modernizohet edhe më shumë. “Universiteti juaj sot ka gjashtë fakultete, ka një logjistikë krejt tjetër dhe unë jam këtu për tu zotuar se do t’ju mbështes të bëheni me 12 fakultete, të keni kampusin më modern sepse ju jeni një universitet me rrezatim të fuqishëm rajonal dhe ndërkombëtar.” –tha Kryeministri.
Duke kërkuar bashkëpunimin e pushtetit vendor për këtë zgjerim, Kryeministri theksoi se ky universitet duhet të jetë qendra dhe laboratori i të gjitha ideve të zhvillimit rajonal, duke rrezatuar më gjerë në mbarë Shqipërinë.
Në këtë kuadër Kryeministri kërkoi prej pedagogëve dhe studentëve rritjen e vazhdueshme të cilësisë, të tërheqjes së një stafi të kualifikuar, në kuadër edhe të nismës së “Brain gain” në mënyrë që Universitetet e Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë të jenë tempuj të mendimit të hapur, në procesin e mësimdhënies dhe mendimit shkencor.
Më pas, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të zgjeruar të përpjekjeve të qeverisë për thellimin e reformës në arsim, në mënyrë që nxënësve dhe studentëve shqiptarë t'ju ofrohet një shërbim sa më cilësor dhe bashkëkohor. Kryeministri ritheksoi se për qeverinë shqiptare, arsimi përbën përparësinë më madhore, gjë e cila u faktua gjatë dy viteve me dyfishimin e numri të studentëve, rritjen e buxhetit për arsimin, rritjen e rrogave për arsimtarët dhe përmirësimin e kushteve të mësimit në shumë shkolla të vendit. Kryeministri shprehu vendosmërinë për të rritur edhe më shumë investimet në fushën e dijes, kjo edhe nëpërmjet përfshirjes gjithnjë e më shumë të sektorit privat.
“Ne do të punojmë me përkushtim të madh që universitet tona të përshtaten dhe të zhvillohen gjithnjë e më shpejt. Ne do të nxisim universitet private dhe pjesëmarrjen e sektorin privat, kontributin e këtij sektori në arsimin privat, sikundër jemi të vendosur të kontratojmë agjencitë më serioze ndërkombëtare, për vlerësimin dhe kualifikimin e universiteteve tona. Arsimi është dhe do të mbetet përparësi numër një në agjendën e qeverisë.
Duke u përqendruar në nevojën e rritjes së nivelit të mësimdhënies, Kryeministri premtoi se qeveria do të investojë më shumë në të ardhmen për trajnimin e mësuesve, si dhe krijimin e kushteve sa më optimale për ta në mënyrë që edhe nxënësit e zonave më të thella të marrin shkollimin që meritojnë. Kryeministri, gjithashtu shprehu angazhimin e qeverisë për krijimin kushteve sa më të përshtatshme për strehimin e nxënësve nëpërmjet ngritjes së një zinxhiri konviktesh në mbarë vendin.
“Ne jemi të angazhuar, - tha Kryeministri, - të ngremë një zinxhir të tërë konviktesh moderne. Në rast se ne shprehemi që çdo maturanti t'i japim mundësinë për shkollimin në universitete, detyrim madhor është që çdo fëmijë, që mbaron klasën e 9-të, t'i krijojmë mundësinë e shkollës së mesme dhe ne do ta shndërrojmë këtë në një realitet. Kjo ka një çmim që ia vlen të paguhet. Ndaj dhe ne po punojmë për të ngritur një zinxhir konviktesh të përshtatshme në mbarë vendin, për t'u dhënë mundësinë fëmijëve nga zonat më të thella të ndjekin shkollat e mesme.”
Duke theksuar rëndësinë e arsimit profesional si jetik për reformën arsimore, Kryeministri theksoi se ky arsim është vendimtar për përshtatjen e sistemit të edukimit me kushtet e tregut.
Në përfundim, Kryeministri ritheksoi se qeveria është e angazhuar tërësisht për realizmin e një reforme sa më të suksesshme arsimore në dobi të nxënësve, studentëve dhe të ardhmes së tyre
Universiteti “Luigj Gurakuqi” është themeluar në vitin 1957, fillimisht si Institut Pedagogjik dhe në vitin 1991 kaloi në universitet. Aktualisht ky universitet ka 6 fakultete me 24 degë.