Fjala e plotë/ Edi Rama: U mundëm, por nuk humbëm

Tiranë, 30 Gusht NOA Më poshtë vijon fjala e plotë që Edi Rama, kryetar në detyrë, mbajti në Kongresin e Jashtëzakonshëm të partisë Socialiste:
Miqtë e mi,
Këtë ditë do ta kishim dashur ndryshe. Do të na kishte pëlqyer që sot të mblidheshim për të festuar fitoren, kënduar dhe filluar rrugën e re të ndryshimit rrënjësor të politikës së re në qeverisje. Shqipërisë i duhej ndryshimi i fletës së historisë. Shqiptarët e shqiptaret u derdhën si asnjëherë në sheshet tona të betejës elektorale. Dhe na votuan, masivisht, duke na rikthyer forcë të parë politike në vend.
Por nuk mjaftoi.
Historia u përsërit, tamam ashti siç i trembeshin shumë ndër ju, shumë ndër njerëzit e këtij vendi, anembanë Shqipërisë. Të cilët vijimësisht na thoshin të gjithëve , Votat tona janë për ju, po Berisha do ti vjedhë !
E vërtetë e hidhur.
Sali Berisha i grabiti votat e nevojshme për të ricikluar, zvarrë-zvarrë dhe në fund fare vetëm e vetëm falë bashkëpunimit me Ilir Metën pushtetin e tij të korruptuar e korruptues.
Ne Partia Socialiste e Shqipërisë e fituam garën me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike.
Megjithë krimin elektoral kryeministri i fundit komunist i këtij vendi nuk e nxori dot të parën partinë e tij. Ne dolëm partia e parë në një betejë tërësisht të pabarabartë jo të lirë dhe jo të ndershme.
Por prapëseprapë u mundëm.
U mundëm jo nga forca politike e kundërshtarit, po nga shteti i transformuar në një makinë kriminale elektorale. E cila i shërbeu koalicionit të forcave të pushtetit me të gjithë fuqinë e abuzimit, në thyerje flagrante të Kushtetutës e të ligjeve të vendit, para, gjatë dhe pas procesit elektoral. Vazhdon ti shërbejë dhe sot, duke dhunuar të drejta e liri njerëzish në sipërmarrjet private a vendet e tyre të punës në shtet. Kjo makinë e ushqyer me urrejtjen e politikës së vjetër e me frikën e këtij pushteti të vjedhur për të ardhmen e vet, bën çdo ditë goditje e spastrime që prekin, dëmtojnë, rrënojnë jetë normale qytetarësh opozitarë përmes presionesh, gjobash apo largimesh nga puna. Megjithatë, ata nuk i morën dot votat e shumicës së popullit. Shumica e zgjedhësve shqiptar të 28 qershorit, populli opozitar i Shqipërisë, votoi për largimin e Sali Berishës nga pushteti. Dhe megjithë deformimin e rëndë të procesit e të rezultatit në favor të tij, Sali Berisha nuk do të bëhej dot më kurrë kryeministër sikur Ilir Meta të mos bënte horrllëkun që ne e paralajmëruam kohë më parë. Lejomëni pra, të ndaj me ju shkoqur qysh në fillim bindjen time se në 28 qershor Shqipëria kërkoi ndryshimin. Ky ndryshim, ndryshimi që ne u ofruam shqiptarëve përmes projektit tonë të ri politik, nuk u refuzua me votën e lirë të qytetarëve, por u ndalua përkohësisht, përmes shpërdorimit kriminal të fuqisë së shtetit për mbajtjen me çdo mjet të pushtetit. Sikur të dyshoja qoftë edhe një fije në këtë të vërtetë, dhe të mos e kisha këtë bindje të plotë, nuk do të isha sot këtu, për tju kërkuar të pranoni kandidaturën time për të udhëhequr Partinë Socialiste të Shqipërisë. Për të rifilluar me një vendosmëri të re luftën ndaj së vjetrës në pushtet e në politikë dhe çuar përpara një mision historik.
Për të punuar e sakrifikuar edhe më shumë në krye të kësaj partie në këto kohë të zymta për demokracinë e për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.
Për të shkuar drejt fitores së domosdoshme, e cila i duhet në radhë të parë Shqipërisë. Sot më shumë se kurrë.
Nuk kam folur.
Kam dëgjuar. Dhe kam parë në këta muaj të pështjelluar hendekun e madh mes së vërtetës shqiptare e gënjeshtrës zyrtare të 28 qershorit.
Kjo gënjeshtër është e shtrirë gjerë e gjatë në ekrane e gazeta, ku për javë të tëra nuk flitet thuajse asfare për krimin mafioz ndaj procesit zgjedhor, po vetëm për një nen të statutit të Partisë Socialiste;
Ku nuk merret kush me të drejtën e shkelur të popullit Sovran për të zgjedhur lirisht parlamentin e qeverinë e tij, po kush nuk merret me të drejtën time për të rikandiduar për kreun e PS-së;
Ku një pakicë e vogël brenda nesh kërkon të dëgjohet pa dashur të dëgjojë, kërkon të imponohet pa pranuar të votohet, kërkon drejtimin dhe ndryshimin e kursit të partisë pa kursyer sulme dhe akuza e madje fyerje publike në emër të lirisë, por njëkohësisht pa i njohur shumicës në parti asnjë lloj lirie që të vendosë në emër të parimit më elementar të demokracisë.
Unë nuk jam këtu që ti përgjigjem baltës me baltë e mllefit me mllef. Nuk e kam bërë me kundërshtarët që skanë lënë gjë pa bërë e thënë ndaj meje e ndaj të gjallëve e të vdekurve të familjes sime. Nuk mund ta bëj kurrsesi, as sot dhe asnjëherë, me njerëz të kësaj partie. Të cilëve u kujtoj sot përzemërsisht një fjalë të mençur: Abuzimi më i madh me lirinë është ta shpërdorosh duke u ankuar se të mungon liria.
Nuk jam këtu as për të mbrojtur veten, sepse asnjë interes i imi që nuk është dhe i të gjithëve ju nuk më ka nxjerrë sot këtu përpara dhe nuk mjafton për të më mbajtur në këtë betejë, ku skam kursyer asgjë nga vetja në katër vjet të vështira e ku smund të kursej asnjëherë zemrën, mendjen e kohën time.
Unë jam sot këtu për të mbrojtur të vërtetën shqiptare të 28 qershorit. Të vërtetën siç e kam parë në Shqipërinë e marrë peng prej një pushteti të bërë njësh me shtetin dhe siç e kam dëgjuar anembanë një Shqipërie ku rezultati i 28 qershorit u përmbys me fuqinë abuzive të një makine kriminale elektorale shtet-pushtet. E cila i nxori zgjedhjet jashtë standardeve demokratike dhe e riktheu vendin mbrapsht në udhëkryqin e madh të demokracisë së kërcënuar në funksionet me jetike të saj.
Jam këtu sot për të folur pasi kam dëgjuar, me një vëmendje të posaçme, çdo zë, që nga zërat e lartë të tribunave mediatike, deri tek zërat e largët e të padëgjueshëm të bashkëqytetarëve të njohur e të panjohur brenda e jashtë Partisë Socialiste, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë sonë të vogël.
Jam këtu sot për të folur atë që nuk është dëgjuar. Nuk është dëgjuar jo thjesht sepse nuk kam folur unë, po sepse në Shqipërinë e këtyre dy muajve të fundit kanë dalë kërcënueshëm mbi sipërfaqe lidhje të vjetra e interesa të lidhura me to. Të cilat janë mishëruar në mënyrën më shembullore në bashkimin e paturpshëm të Ilir Metës me Sali Berishën dhe janë shtrirë, më dukshëm se asnjëherë, mbi ekranet e televizioneve e faqet e gazetave. Ose të kontrolluara tërësisht prej tyre, ose të influencuara nga trysnia e pushtetit të tyre.
Tribunat mediatike më shumë se kurrë më parë kanë marrë ngjyrën e pushtetit të këtyre interesave, duke e çuar në periferi debatin mbi maskaradën zgjedhore dhe vendosur në qendër të debatit mediatik nevojën për largimin tim nga kreu i Partisë Socialiste.
Kjo pasqyrë e deformuar dramatikisht e historisë që jetojmë nuk është thjesht një çështje e ditës, po një problem i rëndë i demokracisë në Shqipëri. Është kapja e hapur edhe e mediave pas kapjes së shtetit, në funksion të projektit të Sali Berishës për ta kthyer vendin tonë në një karikaturë të vjetër ruse, njësoj si ato ish-republikat sovjetike ku shteti dhe pushteti janë e njëjta gjë.
Ku një komunist fanatik i kthyer në antikomunist për fronin e tij, sundon vendin duke bërë ligje e vendime në interes të familjes së vet.
Ku familja ka një rreth klientësh e shërbëtorësh që hyjnë e dalin, duke marrë copa të mëdha pasurie të vendit a lëmosha të majme, për të dhënë në këmbim aksione në biznes, shërbime në media ose para në dorë apo thjesht mbështetje politike për shefin e madh.
Ku për të mos u zgjatur në plot elementë të tjerë të