Rama: Pse rikandidoj për kryetar të PS
"Një pakicë e vogël brenda nesh kërkon të dëgjohet pa dashur të dëgjojë, kërkon të imponohet pa pranuar të votohet
"U mundëm jo nga forca e kundërshtarit, por nga shteti i kthyer në makinë kriminale elektorale"
TIRANË - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, paraqiti platformën e tij në kongresin e djeshëm, duke e bazuar rikandidimin në vijimësinë e një projekti që synon reformimin dhe demokratizimin e plotë të partisë. Ai i ka cilësuar zgjedhjet e 28 qershorit si një farsë elektorale dhe si një vjedhje e hapur e vullnetit të popullit sovran. Rama ka komentuar edhe koalicionin e ri Meta-Berisha, por më tepër ai është fokusuar tek arsyet përse e detyruan që të rikandidojë edhe një herë për kryetar të Partisë Socialiste.
"Këtë ditë do ta kishim dashur ndryshe. Do të na kishte pëlqyer që sot të mblidheshim për të festuar fitoren, kënduar dhe filluar rrugën e re të ndryshimit rrënjësor të politikës së re në qeverisje. Shqipërisë i duhej ndryshimi i fletës së historisë. Shqiptarët e shqiptaret u derdhën si asnjëherë në sheshet tona të betejës elektorale. Dhe na votuan, masivisht, duke na rikthyer forcë të parë politike në vend. Por, nuk mjaftoi. Historia u përsërit, tamam ashtu siç i trembeshin shumë ndër ju, shumë ndër njerëzit e këtij vendi, anembanë Shqipërisë, të cilët, vijimësisht na thoshin të gjithëve: " Votat tona janë për ju, po Berisha do t'i vjedhë! ...",- tha dje Rama.
Ai shpjegoi se Sali Berisha grabiti votat e nevojshme për të ricikluar, zvarrë-zvarrë dhe në fund fare vetëm e vetëm falë bashkëpunimit me Ilir Metën, pushtetin e tij të korruptuar e korruptues. Sipas Ramës, Partia Socialiste e Shqipërisë e fitoi garën me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike. "Me gjithë krimin elektoral, Kryeministri i fundit komunist i këtij vendi nuk e nxori dot të parën partinë e tij. Ne dolëm partia e parë në një betejë tërësisht të pabarabartë, jo të lirë dhe jo të ndershme.
Por, prapëseprapë u mundëm. U mundëm jo nga forca politike e kundërshtarit, po nga shteti i transformuar në një makinë kriminale elektorale. Shumica e zgjedhësve shqiptarë të 28 qershorit, populli opozitar i Shqipërisë, votoi për largimin e Sali Berishës nga pushteti. Dhe me gjithë deformimin e rëndë të procesit e të rezultatit në favor të tij, Sali Berisha nuk do të bëhej dot më kurrë Kryeministër, sikur Ilir Meta të mos bënte horrllëkun që ne e paralajmëruam kohë më parë",- tha Rama.
Ai shpjegoi edhe projektin për ndryshim, i cili nuk u refuzua me votën e lirë të qytetarëve, por u ndalua përkohësisht, përmes shpërdorimit kriminal të fuqisë së shtetit për mbajtjen me çdo mjet të pushtetit. "Sikur të dyshoja qoftë edhe një fije në këtë të vërtetë, dhe të mos e kisha këtë bindje të plotë, nuk do të isha sot këtu, për t'ju kërkuar të pranoni kandidaturën time për të udhëhequr Partinë Socialiste të Shqipërisë. Për të rifilluar me një vendosmëri të re luftën ndaj së vjetrës në pushtet e në politikë dhe çuar përpara një mision historik",- tha Rama.
***
Më pas ai iu përgjigj edhe zërave kundër në parti, të cilët prej kohësh po kërkojnë fuqimisht largimin e tij dhe përfshirjen e ndryshimeve statutore në kongres. "Një pakicë e vogël brenda nesh kërkon të dëgjohet pa dashur të dëgjojë, kërkon të imponohet pa pranuar të votohet, kërkon drejtimin dhe ndryshimin e kursit të partisë pa kursyer sulme dhe akuza e madje fyerje publike në emër të lirisë, por njëkohësisht pa i njohur shumicës në parti asnjë lloj lirie që të vendosë në emër të parimit më elementar të demokracisë. Unë nuk jam këtu që t'i përgjigjem baltës me baltë e mllefit me mllef.
Nuk e kam bërë me kundërshtarët që s'kanë lënë gjë pa bërë e thënë ndaj meje e ndaj të gjallëve e të vdekurve të familjes sime. Nuk mund ta bëj kurrsesi, as sot dhe asnjëherë, me njerëz të kësaj partie, të cilëve u kujtoj sot përzemërsisht një fjalë të mençur: "Abuzimi më i madh me lirinë është ta shpërdorosh duke u ankuar se të mungon liria",- tha Rama.
***
Kryetari i PS-së shpjegoi arsyet e rikandidimit duke u fokusuar kryesisht në vjedhjen e votës nga ana e Sali Berishës. "Unë e kam propozuar vendosjen në statutin tonë të nenit që parasheh ndërprerjen e mandatit dhe dorëheqjen e kryetarit të partisë kur partia humbet zgjedhjet e përgjithshme. Pa asnjë dyshim në kushte normale ky nen i propozuar prej meje nuk nënkupton rikandidimin e kryetarit, po zgjedhje të reja në parti me kandidatë të rinj për kryetarë të saj.
Kjo është ajo që kam besuar dhe besoj, pavarësisht se këtë nen nuk e ka asnjë parti demokratike e majtë apo e djathtë në Europë. Nuk ka humbur në një votim të lirë e të ndershëm të popullit shqiptar projekti politik që unë udhëhoqa, po është mundur në një përplasje krejt të pabarabartë me pushtetin e shtetin bashkë forca jonë politike. Kjo e vërtetë e bën rikandidimin tim në këto kushte jo një opsion të diskutueshëm, po një detyrim të padiskutueshëm",- tha dje Rama. Sipas tij, u takon anëtarëve të partisë që të thonë fjalën e fundit dhe të zgjedhin projektin politik që preferojnë.
Berisha liroi të dënuarit nga burgjet
Por, një aspekt të fundit për sot të këtij procesi të deformuar forcërisht, dua ta nënvizoj me forcë. Lidhet me faktin ndoshta më tronditës, jo thjesht për zgjedhjet, por për sigurinë publike në këtë shtet-pushtet, i cili bëri më 28 qershor edhe një aleancë vendimtare me një lukuni individësh të kyçur burgjeve të Shqipërisë për krimet e rënda të vrasjes, trafikut të drogës, përdhunimit e të tjera tmerreve që u dokumentuan hapur sot për publikun në hapjen e kongresit.
Në rrugë kryekëput të paligjshme, këtyre personave shoqërisht të rrezikshëm u janë hapur dyert e burgut gjatë fushatës elektorale me lejen e autoriteteve të larta shtetërore, për të kontribuar me autoritetin e tyre mafioz, sidomos në zonat rurale, ku kanë ushtruar trysni konstante ndaj votuesve të opozitës. Çdo autoritet të lartë shtetëror që ka marrë pjesë në organizimin e kësaj hapjeje të paligjshme të burgjeve për përfitime elektorale të partisë në pushtet, ne do ta kërkojmë përpara drejtësisë me të gjitha format. Javën e ardhshme do t'i dorëzoj zyrtarisht e publikisht Presidentit të Republikës dokumentacionin tronditës të këtij bashkëpunimi mes qeverisë së vendit dhe skalionit elektoral të kriminelëve aleatë të kësaj qeverie.
Shpresoj që Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nuk do t'i fshihet përgjegjësisë së drejtpërdrejtë që ka, në kushtet kur vetë ministri i Drejtësisë është drejtpërdrejt i përfshirë në këtë operacion kriminal të paimagjinueshëm për një shtet normal demokratik, jo më për një vend anëtar të NATO-s.
Bashkëpunim me LSI e Xhufit, jo të Metës
Është koha për të hapur kapitullin e bashkimit me LSI-në. Por me LSI-në e opozitarëve, jo me LSI-në e tahmaqarëve. Me Lëvizjen Socialiste për Integrim të Pëllumb Xhufit, Sabit Brokajt, Ndre Legisit, Fatos Klosit e Mustafa Muçit, e të mijëra të tjerëve si ata në opozitë me Sali Berishën. Padyshim, jo me Lëvizjen Speciale për Interes të Ilir Metës, e cila s'ka qenë e s'mund të jetë dot asgjë më shumë se sa ajo që ne dinim qysh ditën e ndarjes me të dhe që tani e gjithë Shqipëria e pa me sytë e saj: një bahçe private e politikës së vjetër prapa oborrit të Sali Berishës. Është koha për të hapur diskutimin për formën e re të bashkimit e bashkëpunimit opozitar me aleatët tanë të vegjël.
Është koha për të hapur një dialog edhe me forcat e tjera opozitare me Sali Berishën, qoftë ato politike, qoftë ato sociale. Për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit konkret në aksionin politik për zbardhjen e ndëshkimin e krimit elektoral. Është koha padyshim për të hapur edhe një debat të gjerë në parti, paralelisht me betejën e përditshme opozitare. Sepse jo vetëm s'ka arsye të ndalemi në reformimin e transformimin e mëtejshëm të Partisë Socialiste, por përkundrazi, duhet të shkojmë përpara, duke reflektuar me të gjithë anëtarësinë çfarë duhet të bëjmë në të gjitha nivelet e organizatës sonë, për të rritur forcën e impaktin tonë në shoqëri.
Ndryshimi i statutit
S'kam qenë kurrë kundër rishikimit të statutit, sepse gjithnjë kam besuar tek nevoja e cikleve të reformimit të brendshëm të partisë, për të garantuar mbarëvajtjen në rrugëtimin me kohën e shoqërinë që ndryshon, për t'iu adaptuar vijimësisht kushteve të një realiteti shqiptar aspak uniform në zhvillimin e tij, për të vënë në lëvizje e harmonizuar sa më shumë energji njerëzore në funksion të objektivave të punës sonë.
Ne duhet të rishikojmë jo vetëm statutin, por edhe të rregullojmë tërësinë e veprimtarisë së bashkimit tonë vullnetar, duke plotësuar të gjithë boshllëqet që kemi në standardizimin e kulturës së organizatës tonë. Demokratizimi i mirëfilltë e funksional i partisë është pikërisht pranimi e respektimi i standardeve të lirisë brenda një sistemi rregullash e detyrimesh, që s'mund të shkelen apo anashkalohen sipas dëshirës nga kushdo qoftë.
Jemi në momentin e duhur dhe kemi të gjithë kohën e nevojshme që na duhet për një proces gjithëpërfshirës, që brenda një periudhe të arsyeshme të na çojë në një rezultat optimal e të qëndrueshëm me këtë reformë, e cila, e përsëris, nuk duhet të jetë thjesht statutore, por tërësore në sistemin tonë të organizimit e funksionimit.
Edi Rama u kthen përgjigje zërave kundër në PS, që e akuzuan për mungesë programi dhe personalizim të garës zgjedhore
E vërteta e programit të PS-së
Më lejoni tani që ta lë statutin për në kohën e tij, dhe t'u drejtohem nga kjo tribunë të gjithë atyre që në këtë sallë dhe jashtë kësaj salle, në këtë parti dhe jashtë kësaj partie, morën pjesë me gjithë shpirt, nga afër apo nga larg, në fushatën tonë të 28 qershorit. Punuan a thjesht folën, ku mundën, me entuziazëm. Bënë gjithçka kishin në dorë. U përfshinë me pasion e kontribuuan me votë për ndryshimin e madh. U angazhuan seriozisht në komisione e në numërime që shpeshherë kaluan në vuajtje të vërteta njerëzore.
Dhe në fund nuk morën frytin e merituar të përkushtimit e angazhimit të tyre. Unë e di mirë se çfarë keni ndjerë dhe përjetuar pas përfundimit të asaj përpjekjeje të stërlodhshme. Dhimbja, boshllëku e trishtimi juaj kanë edhe qenë dhimbja, boshllëku e trishtimi im përpara realitetit dramatik të një beteje, ku fuqia jonë për një politikë të re shqiptare të ëndrrave dhe të shpresave nuk ia doli të fitojë këtë radhë mbi fuqinë abuzive të makinerisë elektorale të shtetit që i shërbeu pushtetit të korrupsionit e të gënjeshtrave hiperbolike.
Sipas pretendimit më kumbues, nuk kishim program. Ky pretendim, në fakt, jo vetëm fyen punën e atyre qindra njerëzve, të cilët e kanë shkruar programin tonë qeverisës, por fyen edhe inteligjencën e atyre që na kanë votuar masivisht, madje jo vetëm shumë më shumë se në 2005, por edhe më shumë akoma se në 2007 në kryeqytet e në shumicën e qyteteve të Shqipërisë, ku kemi fituar bindshëm më 28 qershor. A e dini se ndërkohë që në vitin 2007 kemi fituar në 33 bashki bashkë me LSI-në, kurse më 28 qershor kemi fituar vetëm si Parti Socialiste në 47 bashki ose në 61 % të hapësirës urbane të vendit? "Nuk kishim program për fshatin".
Kjo nuk bën sens, sepse në të gjithë zonën rurale e bujqësore të Qarkut të Fierit, kemi fituar thellë dhe kemi kaluar nga nivelet e papranueshme të vitit 2005, por edhe të vitit 2007, në nivele plotësisht të kënaqshme. Nuk po marr kohën tuaj për të kaluar me radhë pretendimet e atyre mes nesh që merren me humbjen, por po kaloj nga ai më kumbuesi për programin tek ai më tingëlluesi për këngën e fushatës. "Humbëm sepse në këngë thuhej, unë do ta fitoj këtë garë dhe jo ne do ta fitojmë këtë garë."
Në fakt, kënga thotë "unë do ta fitoj këtë garë bashkë me ju" dhe sot më shumë se kurrë jam i vendosur që bashkë me ju, me të gjithë popullin opozitar të Shqipërisë, ta çoj përpara misionin tonë të pashmangshëm historik për ta ndryshuar këtë vend, duke ndryshuar në radhë të parë politikën.
Sot më shumë se kurrë duhet të kuptojmë se nuk ka kthim mbrapa nga rruga jonë e re dhe mbi të gjitha nuk ka kohë shqiptare për t'u humbur me përsiatje që e s'postojnë debatin publik nga kriza e rëndë e demokracisë, e shtetit të së drejtës, e ekonomisë së këtij vendi tek probleme të brendshme të PS që duhet ma patjetër t'i trajtojmë bashkërisht, por pa e kthyer në problem të panevojshëm për shqiptarët.