Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike
Sot në parlament ne shqyrtojmë ligjin e lustracionit, si një detyrim madhor moral dhe ligjor për t`u ndarë në mënyrë të qytetëruar nga ai sistem totalitar, i cili ekzekutoi, burgosi, persekutoi dhe internoi shqiptarë shumë herë më tepër se në çdo vend tjetër ish-komunist, për t`u ndarë nga ai sistem, i cili me asgjësimin, me zero tolerancën ndaj pluralizmit në tërësi, pluralizimit politik, pluralizmit të mendimit, pluralizmit fetar dhe pluralizmit pronësor, ia doli të shndërrojë Shqipërinë vendin më monist në historinë e këtij kontinenti. Ne e konsiderojmë vendosjen e këtij ligji si një kusht të madh të detyrueshëm, si respekt dhe si nderim ndaj të gjithë atyre që përjetuan kalvarin më të egër të luftës së klasave, ndaj të gjithë atyre që u torturuan që iu thyen kockat, që ua thyen kurrizin, që i ekzekutuan pa gjyqe, që ua morën pronën, që i futën në uri të thellë. Pra është një nderim dhe respekt për ta.
Ky ligj në mënyrë absolute nuk ka asnjë nuancë hakmarrje. Ky ligj nuk ka ndëshkim. Vendet e tjera kanë adaptuar ndëshkimin masivisht mbi bazën e dosjeve të ndëshkimit gjatë diktaturës. Ne i mbetemi një varianti, të cilin sot të përndejkurit me të drejtë e kanë quajtur të butë, i mbetemi variantit çek dhe sërish kam bindjen se ky variant i shoqëruar me një studim të thellë të paanshëm, objektiv të pasojave të tmerrshme të komunizmit nga një institut që do të ngrihet së shpejti dhe ju do të keni ligjin në parlament, i cili do të ketë për detyrë dhe mision kristalizimin, formimin dhe zhvillimin e vetëdijes kombëtare për këtë sistem, për pasojat e tmerrshme të tij, i cili do të zhvillojë Institucionin e Pendesës, sepse në 18 vjet nuk ka një persekutor të ketë kërkuar falje publike, nuk ka një torturues të ketë kërkuar falje publike, nuk ka një prokuror, i cili i jepte “colpo di grazia’ të ketë treguar varrin e viktimës së tij.
Në 18 vjet tentativa jonë e ndershme, kjo që është sot, që u vendos me ligj në vitin 1995 u bllokua dhe ne përjetuam këtë vit dekorimin e prokurorit që kërkoi dënimin kapital të Xhelal Koprenckës në vitin 1979 sepse ky pinjoll i një familje të shkëlqyer atdhetar i flaktë, kur dy bashkëvuajtësit i bënin letër diktatorit të hapemi drejt Rusisë ky tha-jo- duhet të hapemi drejt Amerikës, ai është vendi i lirisë. Për këtë dhe vetëm për këtë mori dënimin kapital dhe sot në mënyrën më të papranueshme Koprencka u dekorua vite më parë për meritën e tij, xhelati i tij u dekorua këtë vit për faqen e zezë të tij, për të përdhosur ndërgjegjen e kombit.
Është e domosdoshme që në shkollat tona të ketë një lëndë të veçantë, të reduktuar, mbi barbaritë e komunizmit dhe pasojat e tij tek kombi. Është e domosdoshme që të përcaktojmë Ditën e Nderimit të Viktimave të Komunizmit, është e domosdoshme që të ngremë obeliskun e tyre në kryeqytetin e vendit në një nga sheshet e rëndësishme të tij, është e domosdoshme në qoftë se i themi lirisë-liri dhe jetës-jetë, në qoftë se i themi vlerës-vlerë të ngremë muzeun e barbarive. Asgjë nuk bëhet për hakmarrje. Ne nuk njohim hakmarrje, ky nuk është morali ynë por ligji bëhet për të nderuar. Mr. Churchill thotë se sa më larg të shohësh mbrapa aq më larg dhe kthjellët do të shohësh përpara.
Më duhet t`ju informoj se lustracioni jo vetëm me këtë ligj, por dhe me Institutin e Kujtesës Kombëtare, ka emërtesa të ndryshme, të cilat e kanë shoqëruar këtë, janë një realitet janë realizuar në të gjitha vendet ish-komuniste. Ka dy vende ish-komuniste, të cilat nuk kanë bërë lustracionin; Serbia pas ekzekutimit të kryeministrit të saj të nderuar Zoran Xhinxhiç e kaloi ligjin, por partia e Sllobodan Millosheviçit dhe e Sheshelit nuk lejon zbatimin e tij. Vendi i dytë që nuk ka bërë lustracionin që kishte diktaturën më të paimagjinueshme në Europë që vinte e dyta pas Pol Potit, nuk ka bërë lustracionin. Jo se nuk e nisëm, ne e nisëm dhe vendosëm një ligj. Ne zgjodhëm ligjin çek për shumë arsye. Po të ishte puna për barbaritë e diktaturës ne do të kishim vendosur në këtë vend jo ligjin polak, por një ligj mbase disa herë më të rreptë. Nuk e bëmë këtë, i morëm vetë përgjegjësitë. Përpunuam një doktrinë në të cilën besoj se kemi pasur të drejtë, paqja sociale duhet të prevalojë, por kurrë nuk mund të arrihet deri tek injorimi i saj.
Ligji nuk ka asnjë qëllim hakmarrje. Edhe Instituti që do të ngrihet për të ndihmuar ndërgjegjen kombëtare e shoqërore, e cila është në vuajtje. Ata që anulluan ligjin, ata nxorën Ramiz Alinë nga burgu i dhanë pafajësinë. Cili ishte Ramiz Alia? Nuk po futem unë se ka marrë pjesë në ekzekutimin e Margarita Tutulanit apo Qemal Stafës apo të tjera, por ka vendosur firmën për ekzekutimin e 27 intelektualëve një ditë para se të bëhej gjyqi në Tiranë, në një kohë kur ministri i drejtësisë dha dorëheqjen dhe nuk pranoi t`i firmoste pasi nuk ishte bërë gjyqi. Ramiz Alia kryesoi atë propagandë që shkatërroi të gjitha vlerat kulturore fetare mijëvjeçare të kombit. Kush ishte në krye të propagandës shqiptare, po i pyes këta zotërinj që i dhanë pafajësi? Ishte Ramiz Alia. Ai fsheh krimet më të përbindshme kundër shqiptarëve dhe nuk do të mund t`i fshehë. Fsheh masakrën e Tivarit, masakrën më të rëndë pas viti 45 në Europë në të cilin u ekzekutuan vetëm se ishin shqiptarë. Partia Komuniste Jugosllave urdhëroi ekzekutimin e tyre sepse nuk ishin ekzekutuar gjatë luftës. Ai mblodhi djemtë shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare, nuk i kaloi nga Mali i Zi, i kaloi të gjithë nga territori shqiptar. Në Kukës ishte Brigada e 11-të, i kaloi nga Kukësi në Shëmri në Fushë Arrëz në Punë në Shkodër në Tivar. E keni dëgjuar këtë kriminel të flasë ndonjëherë për këto jetë shqiptarësh? E keni dëgjuar ndonjëherë korben e zezë të shqipërojë ndonjë fjalë për këtë që u bënë shqiptarëve? Kjo ka ndodhur me dëshmitarë me dokumenta. Ai do flasë dhe ka të drejtë të flasë sepse ne nuk ia heqim kurrë të drejtën e fjalës askujt. Në vitin 1990 është e vërtetë që ai e pranoi pluralizmin, por e pranoi që të shpëtonte lëkurën e tij, që të mos pësonte fatin e Çausheskut. Bëri shumë mirë që e pranoi pluralizmin sepse u shmang një gjakderdhje, por këto janë fakte. I pyes këta zotërinjtë që i dhanë pafajësinë dhe e dëmshpërblyen pyeteni pak për Tivarin apo ishin derra, viça ata dhjetra mijëra shqiptarë që kaluan në territorin e Shqipërisë? Ata kaluan në territorin e Shqipërisë se ishte më i sigurtë sepse Enver Hoxha, Ramiz Alia e Mehmet Shehu u kishin dhënë garanci atyre, por që më pas i tradhëtuan.
Çështja themelore është a do pranojmë ne si legjitime luftën e klasave, do të pranojmë ne sistemin e skllavërisë dhe të urisë të privimit nga prona, a do të pranojmë ne legjitimimin e shfarosjes me dorën e hekurt të pluralizmit politik dhe pluralizmit të mendimit, a do të pranojmë ne si legjitim shkatërrimin e institucioneve fetare, ekzekutimet e krerëve të kultit, apo do të themi se këto kanë qenë të dhunshme, të imponuara? Shumë prej jush mund t`u ketë ardhur çudi në atë kohë kur 42 parti demokratike të Europës të mbledhura në Paris do ta quanin Enver Hoxhën , “Hitleri shqiptar i pasluftës”. Absolutisht ishte cilësimi më i merituar. Hitleri për arsye gjaku u vinte hebrenjve yllin e verdhë dhe rrënonte kudo që ishte me sinagoga, me kulturë, me libra me gjithçka. Enveri ¾ e dënimeve, pushkatimeve, ekzekutimeve,internimeve i kishte me lidhje gjaku, bir armiku, vëlla armiku dajë armiku, nip armiku. Ai përdori lidhjen gjenetike dhe luftën e klasave e bazoi në tërësi në lidhjen gjenetike.
Mendoj se nuk kemi ne pse të mos rikthejmë ligjin çek, i cili pavarësisht se nuk është në proporcion me të shkuarën, por në shpirtin dhe në moralin tonë ne nuk kemi hakmarrjen, nuk kemi ndëshkimin, ne kemi vetëdijen për atë që ka ndodhur, u përpoqëm tre vjet për ta kaluar me mirëkuptim dhe pas tre vitesh ata që anulluan lustracionin kur erdhën në pushtet me rebelim propozuan hapjen e të gjitha dosjeve-variantin terror. Ne do të hapim dosjet për ata që kanë ambicje për t`u zgjedhur, që kanë ambicje për të qenë në disa nivele të caktuara, për ata që kanë implikime. Do të largohen ata që sipas kategorive të marra nga ligji çek nga detyrat publike të caktuara.
Tani na del në mënyrën më të pafytyrë dhe më të papranueshme se ligjin –thonë-zëdhënësat e Edi Ramës- po e bëjnë për shkak të 3 -5 hetuesve apo 6 gjyqtarëve. Në mënyrë aboslute jo, ligji s`ka asnjë lidhje. Ligji është propozuar rreth 3 vjet më parë kur s`ka patur asnjë proces. Por më lejoni t`i shtroj një pyetje zotit Edi Rama; sipas teje zoti Rama dhe sipas zëdhënësve tuaj në Shqipëri procese madhore mund të zhvillojnë vetëm ata që i kanë duart deri në bërryla me gjakun e njerëzve të pafajshëm? Në Shqipëri 98 % e prokurorëve dhe gjykatësve janë të lirë që s`kanë asnjë lidhje me atë të shkuar. Vetëm këta, vetëm ‘zamir shtyllat’ të cilët kanë urdhëruar lidhjen me tela me gjemba të qytetarëve në vitin `90 dhe zvarritjen e tyre në Sarandë dhe që janë aty vetëm për lidhjet e shumëllojta me drejtuesit e tyre dhe për asgjë tjetër? Pra këta mbrohen nga Edi Rama, por jo vetëm nga ai.
Por i them zotit Rama se po bën Spiro Kolekën, dajën tënd që ka çuar në pushkatim me dhjetra inxhinierë me ekspertizat e tij fallco, kur u thua shqiptarëve se vetëm shtylla mund të hetojë, vetëm ata që kanë urdhëruar varje mund të gjykojnë. Ne kemi 18 vjet, ne kemi së paku mbi 300 gjykatës dhe mbi 300 prokurorë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me krimet e komunizmit. Largimi i gjykatësve dhe prokurorëve të lidhur me krimet e komunizmit forcon në mënyrën më të ndjeshme pavarësinë e këtyre institucioneve.
Ata që përpiqen të citojnë Kushtetutën u them të skuqen dhe vetëm të skuqen, se Kushtetuta e një vendi demokratik nuk është për të fjetur mbi krimin dhe nuk mund të flejë mbi krimin se Kushtetuta e një vendi demokratik nuk pranon kurrë në frymë dhe në gen që ata që kanë thyer shtylla kurrizore të të tjerëve apo kanë urdhëruar varje pas rënies së Murit Berlinit të jenë përsëri vendimarrës në institucione, se Kushtetuta e një vendi të lirë ka nenin e parë të saj pluralizmin politik pluralizmin e mendimit.
Por i bëj thirrje zotit Rama të votojë ligjin të dalë jashtë guackës dhe lidhjeve të tij të tmerrshme familjare, të mos mbajë peng një opozitë pse është i biri i një anëtari të Komitetit Qëndror që gjithë jetën ia ka kushtuar busteve të diktatorit, të mos mbajë peng një opozitë, pse rrjedh nga Koleka, i cili ka qenë një pseudointelektual apo intelektual kriminel, të mos mbajë peng partinë e tij, të mos e rreshtojë partinë e tij me partinë e Millosheviçit apo Sheshelit, sepse sot janë vetëm këto dy parti. I ftoj përfaqësuesit e Partisë Socialiste të vijnë dhe të diskutojmë në parlamnet. Ne kemi qenë shumë intensiv në negociatat me ta shumë ftues dhe të hapur, por në mënyrë absolute asgjë nuk do të pengojë dot miratimin e këtij ligji dhe më pas të institutit që bashkërisht do ta quajmë të Kujtesës të Pasojave të Komunizmit. Vendi i botës së lirë ka ngritur muzeun dhe obeliskun në kryeqytetin e tij, ne akoma nuk kemi një obelsik dhe një muze për pasojat e regjimit më barbar.
E dini se çdo t`i thoshte Xhorxh Bush Mugabes në një letër? -I ke bërë zgjedhjet si diktatori shqiptar Enver Hoxha. Ndaj dhe uroj që Partia Socialiste dhe opozita shqiptare të mos mbetet peng e Zamir Shtyllës dhe e ndonjë shtylle tjetër, të mos pranojë legjitimimin e barbarive nga një sistem. Ne shkojmë në parlament me vendosmërinë për ta shqyrtuar ligjin në thellësinë më të madhe. Unë e kuptoj mjaft mirë pakënaqësinë reale që ekziston tek jo pak nga ju për variantin e përzgjedhur, por unë prapë ju bëj thirrje nuk kemi asnjë arsye që të tërhiqemi nga një variant që e votuam në vitin 1995, nuk kemi arsye të jemi mosbesues ndaj rezultateve dhe efektev e të këtij ligji pasi nuk arriti të implementohej për shkak të rebelimit komunist, nuk kemi arsye që të krijojmë tundimin më të vogël drejt hakmarrjes.
Ne nuk hakmerremi, ne nuk e përdorim ligjin për terror, absolutisht jo. Për ne me këtë ligj duam t`u themi shqiptarëve dhe botës se e konsiderojmë diktaturën një sistem të paligjshëm, jolegjitim se i konsiderojmë të papranueshme për moralin e këtij kombi krimet monstruoze të kryera, se do punojmë që të krijohet vetëdija kombëtare për pasojat e tij.
Kombi gjerman nën sundimin e Hitlerin dogji Europën dhe vendin e tij, por mendimtarët e mëdhenj të këtij kombi ia dolën pas lufte të zhvillojnë dhe konsolidojnë ndjenjën e përgjegjësisë dhe pendesës në interesin më të mirë dhe Gjermania sërish u bë lokomotiva e zhvillimit europian. Ndërsa tek ne pas 18 vitesh dekorohet xhelati që ekzekutoi njeriun vetëm e vetëm se tha se Shqipëria duhet të orientohet drejt Shteteve të Baahkuara, tha këto që themi ne sot.
Mendoj që diskutimet duhet të jenë të thelluara dhe uroj që zoti Rama të reflektojë të mos mbajë peng forcën që drejton për arsye, të cilat janë totalisht të paqena.
15/12/2008