Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim Ministrin e Mbrojtjes së Turqisë z. Vecdi Gonul. Në fillim të takimit, z. Gonul i përcolli Kryeministrit Nano përshëndetjet e ngrohta të Kr
Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim Ministrin e Mbrojtjes së Turqisë z. Vecdi Gonul.
Në fillim të takimit, z. Gonul i përcolli Kryeministrit Nano përshëndetjet e ngrohta të Kryeministrit të Turqisë z. Erdogan, si dhe shprehu interesimin e tij për zhvillimet në Shqipëri, duke theksuar mbështetjen në rrugën e saj të zhvillimit. Gjithashtu, z.Nano i shprehu z.Gonul përshëndetjet për homologun e tij turk. Të dy autoritetet e larta më pas vlerësuan marrëdhëniet tradicionale midis dy vendeve, duke theksuar edhe nivelin shumë të mirë të këtyre marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes.
Kryeministri Nano ka vlerësuar kontributin e Turqisë në mbështetje të Forcave të Armatosura Shqiptare, me theks të veçantë në fushën e arsimimit e të trajnimit të personelit ushtarak, të asistencës së veçantë për rritjen e aftësive operacionale e të interoperabilitetit të Forcave Komando dhe ato Speciale, të asistencës për rikonstruiksionin e bazës detare të Pashalimanit dhe Akademisë së Detarisë në Vlorë, të modernizimit të aeroportit të Kuçovës, përmirësimin teknologjik e rikonstruksionin e disa uzinave ushtarake shqiptare, trajtimin spitalor të ushtarakëve tanë në Turqi etj.
Z.Nano përshëndeti nismën e ndërmarrë nga parlamenti turk për miratimin e një rezolute në mbështetje të anëtarësimit të vendeve të Kartës së Adriatikut në NATO, 3 javë para Samitit të Stambollit. "Kjo është e rëndësishme dhe e vlerësueshme për ne", tha z.Nano.
"Ne jemi të kënaqur që rajonit të Europës Juglindore i shtohen tre vende të tjera në Aleancën e NATO-s, Rumania, Bulgaria dhe Sllovenia. Kjo do të thotë më shumë paqe, siguri e bashkëpunim në rajonin tonë. Fryma e integrimit duhet të bëhet më inkurajuese edhe për vendet tona që aktualisht aspirojnë"., tha zoti Nano. Në këtë drejtim, zoti Nano shprehu bindjen për mbështetjen e Turqisë, si vend me influencë dhe potenciale politike, ekonomike dhe ushtarake të konsiderueshme, e cila mbetet për Shqipërinë një vend mik tradicional dhe aleat. "Me mbështetjen e Turqisë dhe vendeve të tjera aleate, kjo fyrmë e inkurajimit konkret do të përcjellë jehonën e saj në këtë samit, si dhe do të mishërohet edhe në dokumentat finalë të tij", tha Kryeministri. Shqipëria, shtoi më tej ai, ka kohë që prodhon siguri dhe jo vetëm për veten e saj. "Ajo e ndien veten anëtar "de facto" të Aleancës. Ne kemi 10 vjet partner dhe 5 vjet vend aspirant. Ne i kemi mbështetur në vazhdimësi dhe pa hezitim politikat e Aleancës dhe si tani ashtu dhe me pranimin e saj, Shqipëria do të mbetet një Aleanciste e vijës së pare. Opinioni publik dhe spektri politik janë tërësisht favorizues për integrimin".
Duke ritheksuar rolin e Turqisë në procesin e dinamizimit të reformave për të arritur standartet e anëtarësimit të plotë në NATO, zoti Nano u shpreh se reforma e mbrojtjes ka në thelb kompensimin e sasisë me cilësi. "Ajo synon zhvillimin e një force me theks të lartë profesionist e standart të NATO-s, një forcë e mirëorganizuar, e trajnuar, e pajisur dhe e motivuar, me synimin që krahas misionit themelor kushtetues të mbrojtjes së vendit, të marrë pjesë aktivisht në një spektër të larmishëm operacionesh humanitare nëvend, si dhe në misione ndërkombëtare me mandate kushtetuese jashtë vendit, në interes të paqes e sigurisë në rajon e më gjërë", tha Kryeministri, duke shtuar se për këtë Turqia ka kontribuar veçanërisht.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për intesifikimin të mëtejshëm të bashkëpunimit midis Forcave të Armatosura të të dy vendeve. "Stafet e ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosuar po zhvillojnë ide e plane të reja për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy ushtrive tona", nënvizoi zoti Nano, duke rikonfirmuar mbështetjen e tij në këtë drejtim.
Duke nënvizuar kontributin e Shqipërisë në misionet paqerujtëse ndërkombëgtare, zoti Nano shprehu vlerësimin se forcat ushtarake shqiptare po përmbushin me sukses misionin e tyre në Afganistan, nën asistencën e vlefshme të kontigjentit turk.